Jovan Bizhyti: Peshkopët që kanë drejtuar Kishën tonë Ortodokse në Shekullin e XX-të deri sot

125
Sigal

Kisha ortodokse shqiptare ka historinë e saj, e cila eci dhe u zhvillua bashkë me besimin ortodoks. Ajo e fitoi pavarësinë e saj shumë vite më vonë për shkaqe të ndryshme, politike. shoqërore dhe fetare. Pesë shekuj të sundimit të Perandorisë Osmane, e gjetën dhe e lanë kishën ortodokse shqiptare nën juridiksionin e Patriarkanës Ekumenike të Stambollit, dikur Kostandinopoja.

Në shekullin e XIX-të, popujt e Ballkanit të përfshirë në idetë e lirisë, drejtësisë dhe pavarësisë së territoreve të tyre shtet-formuese, filluan lëvizjet për liri dhe pavarësi kombëtare. Kjo lëvizje krijoi premisat për krijimin edhe të kishave kombëtare. Një nga personalitetet fetare që ka luftuar e kontribuar për ngritjen dhe pavarësinë e kishës sonë ortodokse shqiptare, ka qenë kleriku Imzot Fan Noli, i cili në maj të vitit 1914 erdhi nga diaspora e SHBA-së dhe mbajti në kishën e Durrësit meshën e parë në gjuhën shqipe. Ai në përpjekjet e tij në 26 korrik 1919, në mbledhjen e përfaqësuesve nga të gjitha kolonitë në mërgim, shpalli solemnisht në Boston të SHBA-së. pavarësinë e Kishës sonë Ortodokse në Amerikë, ku kryetar u zgjodh Imzot Noli. Vite më vonë, ai kthehet sërish në Shqipëri dhe në nëntor 1923, u shugurua Peshkop i Korçës dhe Metropolit i Durrësit. Pra, i gjithë ky aktivitet i pa ndërprerë për pavarësinë e kishës sonë ortodokse në fillimet e shekullit të XX-të, ka kaluar absolutisht nëpërmjet figurës dhe përpjekjeve të Imzot Peshkop Fan Nolit.

E gjithë kjo përpjekje prej vitesh u kurorëzua në 10 deri në 19 shtator 1922 në qytetin e Beratit, ku u nvlodh Kongresi i Parë i kishës sonë ortodokse nën kryesinë e priftit atdhetar At Josif Qirici nga Korça. Në këtë kongres u përfaqësuan të gjitha komunitetet ortodokse shqiptare me 33 delegatë klerikë dhe laikë të zgjedhur ligjërisht nga të gjitha kishat e shtetit shqiptar. Suksesi i tij ishte se shpalli pavarësinë administrative të kishës ortodokse shqiptare dhe zhvilloi meshën e parë në gjuhën shqipe. Si qendër e kishës ortodokse u zgjodh Korça.

Kryepeshkop Anastas Janullatos

Patriarkana Ekumenike e Stambollit atë kohë, miratoi një farë independence të kishës shqiptare, por jo autoqefali të plotë. Kjo dhe për faktin se në krye të gjithë kësaj përpjekje, ishin kryesisht priftërinj dhe klerik të thjeshtë dhe jo personalitete si, Dhespot dhe Episkop. Më pas u krijuan disa Mitropoli, si ajo e Korçës me në krye Imzot Ierotheu, e Beratit me Imzot Kristofor Kisin dhe Mitropolia e Durrësit me Imzot Fan Nolin. Pas trazirave politike që ndodhën në Shqipëri në vitin 1924, ku më pas dhe Fan Noli u largua nga Shqipëria për në SHBA, problemet e kishës shqiptare mbetën ende pezull.

Në vitin 1929 u thirr Kongresi i II-të i kishës Ortodokse shqiptare në Korçë. Ky kongres votoi statutin definitiv të kishës ortodokse dhe zgjodhi në krye të kishës Episkopin Visarion Xhuvani. Edhe ky veprim u quajt antikanonik dhe nuk gjeti mbështetjen e duhur nga Patriarkana e Kishave Autoqefale të vendeve të tjera me qendër në Stamboll. Për të normalizuar marrëdhëniet me Patriarkanën Ekumenike, u mblodh një tjetër kongres i kishës tonë ortodokse në maj 1936 me përfaqësues nga të katër dioqezat (krahinat kishtare). Ky kongres caktoi një komision të përbërë nga klerik shqiptarë, që shkuan në Kostandinopojë për të zgjidhur mosmarrveshjet.

Kryepeshkop Damjan Kokoneshi

Patriarkana e Stambollit për t’i dhënë autoqefalinë kishës sonë, midis të tjerave, kërkoi dhe një kusht: “Largimin e Episkopit Visarion Xhuvani nga detyra e lartë e Kryepeshkopit”, mesa duket, marrdhëniet e tij me patriarkanën nuk ishin të mira. Dhe si për t’i hapur rrugë realizimit të pavarësisë së kishës sonë, ai dha menjëherë dorëheqje nga detyra e Kryepeshkopit në 27 maj 1936 dhe në vend të tij u vendos Kristofor Kisi, një kandidaturë e pranuar. Në 12 prill 1937, u dha bekimi për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare nga Patriarkana Ekumenike e Stambollit, duke u njohur dhe nga Patriarkanat e kishave të tjera Botërore. Nga kjo datë, Kisha Ortodokse e Shqipërisë u shpall Autoqefale, e lidhur shpirtërisht me qendrën e ortodoksisë së përgjithshme dhe me të gjitha kishat e tjera ortodokse botërore.

Kjo ngjarje është pasqyruar në gazetën e kohës, “Drita” dt. 14. 04. 1937. Sinodi i parë pas zgjedhjeve kanonike, u formua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Kristofor Kisi, Episkopi i Korçës, Evlogji (Kurila), Episkopi i Beratit, Agathangjeli, dhe Episkopi i Gjirokastrës, Pandelejmoni.

Kryepeshkop Kristifor Kisi

Kristofor Kisi, ishte Kryepeshkopi i parë në krye të kishës sonë ortodokse Autoqefale Shqiptare. I lindur në Berat në vitin 1890 në lagjen Kala. Kish mbaruar shkollën e lartë teologjike në Hejbeli të Stambollit në vitin 1908. Pas studimeve, në një moshë shumë të re, u emërua profesor në gjinazin e Korçës. Në vitin 1916, u titullua Episkop dhe u emërua në Selinë Episkopale të Kostandinopojës deri në vitin 1923. Më pas, ai ka marë pjesë me komisionin e kishës sonë ortodokse në negociatat me Patriarkanën Ekumenike për Autoqefalinë e kishës sonë ortodokse, të cilat dështuan. Pas kësaj u kthye në Shqipëri dhe u emërua Episkop i Beratit.

Në vitin 1934, Kristofor Kisi emërohet Episkop i Korçës dhe në vitin 1937, zëvëndësoi Visarion Xhuvanin në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, (KOASH-i). Për shumë vite në krye të kishës sonë ortodokse, ai dha një kontribut të madh në ruajtjen e zhvillimin e kishës ortodokse të vendit tonë. Krahas detyrës kishtare, ai është marrë dhe me botime e përkthime nga literatura të ndryshme për kishat tona.

Në vitin 1942, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste, nisën përpjekjet dhe presionet mbi kryesinë e atëhershme të kishës sonë ortodokse, për bashkimin e saj me Vatikanin. Për këtë arsye, Kryepeshkopin Kristofot Kisi, e thirri mëkëmbësi i Mbretit Viktor Emanuelit, Jakomoni, i cili i bëri presion që në postet episkopale që ishin vakant, të emëroheshin në krye të hierarkisë ortodokse të Shqipërisë, episkop unit nga Kalabria e Italisë, që vareshin nga Papa i Vatikanit. Ky ishte synimi për ta kthyer kishën tonë në unitet, pra bashkimin me kishën romano-katolike brenda Mbretërisë së Vatikanit, pra bashkimin e fesë ortodokse me atë katolike. Këtë propozim Kristofor Kisi nuk e pranoi dhe hyri në kontradikta me qeverinë italiane.

Kryepeshkop Pais Vodica

Pas çlirimit të vendit, në vitin 1948, regjimi i pushtetit komunist që u instalua në Shqipëri, e mënjanoi Kristofor Kisin nga detyra e kryetarit të Kishës sonë Ortodokse të Shqipërisë për shkaqe politike dhe e izoloi për disa vite në Manastirin e Ardenicës dhe më pas u çua po i izoluar në Kishën e Shën Prokopit të Tiranës, ku qëndroi deri sa ndërroi jetë në mënyrë misterioze në 19 qershor 1958.

Shumë personalitete të larta të kishës sonë ortodokse që kanë qenë pjesë e historisë së kishës sonë, janë persekutuar nga regjimet politike, së fundi dhe nga ai komunist, ku veç Kryepiskop Kristofor Kisit, kanë vuajtur vite burgimi dhe interrnime edhe Krye Peshkopi Visarion Xhuvani, ku pas vitit 1946 u dënua nga pushteti komunist me 16 vite burg, po ashtu dhe Episkop Irine Banushi, që shumë vite të jetës së tij i kaloi në vite burgimi dhe pastaj i izoluar për disa vite në Manastirin e Ardenicës deri në vitin 1967, me mbylljen e institucioneve fetare në Shqipëri.

Pas largimit të Kryepeshkopit Kristofor Kisi nga drejtimi i kishës sonë ortodokse, në 25 dhjetor 1948, në vend të tij u emërua Pais Vodica, deri atë kohë Episkop i Korçës. Kryepeshkop Paisi (emri laik Pashko Vodica, lindur në 1881. Ai ishte babai i Josif Pashkos, një udhëheqës komunist i rangut të lartë në Shqipëri. Pashko Vodica u lind në fshatin Vodicë të Kolonjës në jug-lindje të Shqipërisë. Në vitin 1910, u shugurua prift. Në vitin 1912 u arrestua nga autoritetet osmane për shkak të aktiviteteve të tij në lëvizjen kombëtare shqiptare. Në vitin 1920, mori titullin e Arkimandritit. Dy vjet më vonë, ishte pjesë e Kongresit të parë të Beratit që shpalli autoqefale Kishën Ortodokse të Shqipërisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Pashko Vodica u bashkua me Frontin Nac. Çl, duke mbështetur luftën partizane për çlirimin e vendit.

Kryepeshkop Visarion Xhuvani

Më 18 prill 1948, Arkimandriti Pais Vodica, u shugurua Peshkop i Korçës nga Kryepeshkop Kristofor Kisi. Në vitin 1949, u emërua Kryepeshkop i kishës ortodokse autoqefale të Shqipërisë në vend të Kristofor Kisit. Emërimi i Pashkos u pasua nga formimi i një Sinodit të ri të Shenjtë të përbërë: Pais Vodica, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit, dhe gjithë Shqipërisë, Kiril Naslazi, Mitropolit i Beratit, Fillothe Duni, Mitropolit i Korçës, Damian Kokoneshi, Mitropolit i Gjirokastrës, dhe ndihmës Episkop Sofron Borova.

Në 5-10 shkurt 1950, u mbajt në Tiranë Asambleja kleriko-laike e Kishës Ortodokse, e cila votoi Statutin e Ri, duke përmirësuar statutin e vjetër të vitit 1929-të. Kryepeshkopi Kristofor Kisi, gjatë gjithë kësaj kohe u mbajt i izoluar në Manastirin e Ardenicës dhe më pas në Shën Prokopin e Tiranës. Pra, këto figura të larta të kishës sonë ortodokse, janë persekutuar si nga regjimi monarkist i Zogut dhe nga regjimi komunist i pas çlirimit, ku Fan Noli e mbylli gjithë jetën e tij në emigrim në SHBA, ndërsa dy Kryepeshkopët e tjerë, Visarion Xhuvani dhe Kristofor Kisi, i kaluan vitet në burgime e internime deri në fund të jetës. Në vitin 1966, Kryepeshkopi Pais Vodica u nda nga jeta dhe në vend të tij u zgjodh Kryepeshkop i kishës sonë ortodokse, Damiani (Dhimitër Kokoneshi). Ky Kryepeshkop i kishës sonë ortodokse, ishte kleriku i fundit në drejtimin e kishës ortodokse, për faktin se në vitin 1967, shteti komunist e ndaloi me ligj ushtrimin e feve në shtetin shqiptar.

Mitropolit Joan Belushi

Kryepeshkop Damian Kokoneshi ka lindur më 26 tetor të vitit 1886 në fshatin Llëngë të Pogradecit në një familje atdhetare vllahe. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në vijim studioi në Kolegjin e Normales së Manastirit, të cilën e përfundoi më 1906. Pasi u kthye në atdhe, filloi veprimtarinë patriotike, duke u lidhur me lëvizjen demokratike të Fan Nolit. Në vitin 1925, Dhimitër Kokoneshi përfundoi Seminarin e Akademisë Teologjike në Janinë të Greqisë dhe pas dy vitesh më 1927, u dorëzua prift nga Kryepeshkopi Visarion Xhuvani. Atë Dhimitër Kokoneshi u emërua në kishën e Shën Marenës në Manastirin e Llëngës.

Në vitin 1939, Atë Dhimitër Kokoneshi mori ofiqin e Arkimandritit dhe ndërkohë mori emrin Damian Kokoneshi. Ai u shqua si pjesmarrës aktivë në Luftën Nacional-Çlirimtare, kryesisht i shquar për trimëri, për organizimin e drejtimin e pushtetit vemdor në rrethin e Pogradecit dhe si primat i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Më 10 shkurt 1942, Kokoneshi i njohur mirë në rajonin e tij të lindjes kryesisht në zonën e Mokrrës, udhëhoqi një përfaqësi të patriotëve të Mokrrës në një takim me përfaqësuesit e Lëvizja Nacional-Çlirimtare. Atë Dhimitër Kokoneshi respektohej në Mokër jo vetëm për trimëri, por edhe për mençurinë e tij. Papu, siç e thërrisnin të gjithë, vuri në dispozicion të Lëvizjes Nac.Çl. manastirin e Shën Marenës, i cili u kthye në një qendër të rëndësishme të luftës. Aty u vendos dhe misioni anglez, sepse ishte vendi më i përshtatshëm strategjik. Ai bashkë me priftin e Podgozhanit, u bënë luftëtarë me armë në luftën partizane për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashist, të veshur me kamillaf dhe me kobure në brez.

Papu, i thërrisnin të gjithë, ndërsa shoqëria e ngushtë i thoshi, “Prifti me kobure”. At Dhimitër Kokoneshit, ndonëse ishte klerik, më 30 gusht të vitit 1944 me çlirimin e Pogradecit, iu besua detyra e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Pogradecit, në një situatë shumë të vështirë për vendin në ato vite të para të pasçlirimit. Ai gjatë viteve që drejtoi Komitetin Ekzekutiv, u shqua për aftësi drejtuese. Me interesimin e tij të drejtpërdrejtë u zgjidhën shumë probleme të kohës. Duke patur të veshur veladonin e priftit, autoritetet e kohës i kërkuan të kryente vetëm një detyrë. Kështu Dhimitër Kokoneshi la kolltukun e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv dhe përqafoi udhën e Zotit plotë kryqe të klerikut ortodoks. Këtë zgjedhje e bëri për t’i shërbyer më mirë popullit të Pogradecit dhe besimit të tij ortodoks, të cilët i donte dhe i respektonte pa masë.

Peshkop Fan Noli

Në tetor të vitit 1947, Arkimandrit Damjan Kokoneshi u dorëzua në gradën Episkopale prej Hirësisë së Tij, Pais Vodica dhe Hirësisë së Tij, Kristofor Kisi. Në janar të vitit 1948, At Kokoneshi, me gradën e kryepiftit, vizitoi Moskën si anëtar i delegacionit të Kishës Ortodokse Shqiptare. Në vitin 1952, u shugurua Peshkop dhe u fronëzua Episkop i Gjirokastrës. Më 1966, Hirësia e tij, Damjani, u fronëzua Mitropolit i Korçës dhe me vdekjen e Kryepeshkopit Pais Vodica më 4 mars të vitit 1966, Episkopi i Korcës Damjani u fronëzua Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Emri i tij si Kryepeshkop i Kishës Ortodokse, u përmend për herë të parë gjatë hyrjes së madhe në meshën e datës 13 qershor 1966.

Por karriera e tij në krye të kishës ortodokse shqiptare qe e shkurtër, veç një vit. Damjan Kokoneshi, e përballoi me urtësi mbylljen e kishave dhe gjithë institucioneve të tjera fetare në vitin 1967. Para se të ndërronte jetë më 18 tetor të vitit 1973, u la amanet fëmijëve, që kryqin dhe veshjet klerikale t’ia vinin në varr, sepse pranë tyre do ta ndjente veten gjithnjë në shërbim të Perëndisë. Me fjetjen e tij, populli i Pogradecit humbi një nga patriotët e orëve të para të luftës, ndërsa Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë humbi primatin e saj.

Pas 23 vitesh ateizëm, në vitet 90-të të shekullit të shkuar, ndryshimet demokratike, rikthyen sërish besimet fetare dhe institucionet e tyre në Shqipëri. Nisi jetën aktive dhe besimi ortodoks bashkë me besimet e tjera. Në Shqipëri veç institucioneve fetare, mungonin dhe drejtuesit klerik, pasi peshkopët e hershëm për arsye moshe, ishin ndarë nga jeta. Zgjedhjeve kanonike kishtare i parapriu një vit përpjekjesh hierapostolike nga Prof. Anastasi, në atë kohë Episkop Mitropolit i Andrusës dhe profesor në Universitetin e Athinës, i cili mbriti në Tiranë si i dërguar i Patriarkanës Ekumenike të Stambollit në korrik 1991, si Ekzark Patriarkal. Në vitet që pasuan, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare që ishte shpërbërë krejtësisht nga ateizmi 23 vjeçar, u ngritë tërësisht dhe u zhvillua në të gjitha fushat. U riorganizuan rreth 460 enori ortodokse dhe u zhvillua veprimtaria liturgjike, predikuese e katekiste në shumë objekte kulti ortodokse në shumë qytete e fshatra të vendit.

Në korrik 1998 u krijua Sinodi i Shenjtë i KOASH-it i përbërë nga: Kryepeshkop Anastas Janullatosi dhe nga tre Kryepriftërinj me një protopresviter si Kryesekretar. Sinodi i Shenjtë u plotësua më pas dhe me Mitropolitë nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopi Anastas Janullatos, si dhe Hirësit e tyre Mitropolitët: i Beratit, Ignati, i Korçës, Joani, i Gjirokastrës, Dhimitri dhe nga Episkopët: i Apolonisë, Nikolla, i Krujës, Andoni, i Amantias, Nathanaili, i Bylisit, Asti, si dhe Kryesekretari Propresviter, Jani Trebicka. Në 7 prill 2016, u mblodh në Tiranë Sinodi i Shenjtë e KOASH-it dhe vemndosi ndryshimet për shtimin e Mitropolive të shenjta ortodokse dhe radifikimin e Statutit të Kishës.

Në 25 janar 2025, ndërroi jetë Kryepeshkopi i Kishës sonë Ortodokse, Anastas Janullatosi në moshë 95 vjeçare, i cili u përcoll me shumë nderime dhe sipas amanetit të tij, u varros në tokën shqiptare, në Katedralen e Kishës “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Amaneti i tij ishte që dhe pasuesi për drejtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare të ishte shqiptar dhe la si pasardhës, Mitropolitin e Korçës, Joan Belushi, i cili do t’i nënshtrohet rregullave kanonike për t’u zgjedhur në krye të kishës sonë si Kryepeshkop.

Mitropolit Joan Belushi (emri i lindjes është Fatmir Pelushi), lindur në 1 janar 1956, tashmë shërben si Mitropolit i Korçës. Ai ka studiuar për disa vite në shkollën teologjike ortodokse të “Kryqit të Shenjtë” në Boston të SHBA-së. Eshtë diplomuar nga Fakulteti Ortodoks i Teologjisë “Kryqi i Nderuar” në Amerikë (Holy Cross Orthodox School of Theology, Boston), me gradën “Master of Divinity”. Ka studiuar në SHBA falë një burse studimi të themeluar atje nga shqiptarët në Amerikë, në kujtim të Peshkop Fan Nolit. Ka shërbyer më parë si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Me t’u diplomuar në “Kryqin e Shenjtë” me Master në studimet teologjike, u rikthye në Shqipëri, ndërsa Kryepeshkopi Anastas e caktoi që të jepte mësim në Seminar, si dhe të shërbejë në vende të tjera brenda kishës shqiptare. Në 18 korrik 1998, u zgjodh si Mitropolit i Korçës dhe u fronëzua dy ditë më pas. Pra, At Joani mbetet një figurë e shquar dhe e ndritur e kishës sonë ortodokse, për të cilën e meriton të jetë në krye të saj.