Flet, Prof.Assoc. Ilia S.Larti: Qëndrimi i shtetit, anët pozitive dhe negative të dixhitalizimit në sistemin ligjor, psikologjik dhe arsimor, mundësitë, sfidat dhe ndikimet në të

-Varësia ndaj internetit, rrjeteve sociale është një problem shëndetësor, shoqëror, dhe psikologjik

-Në shkollat shqiptare problemet me celularët dhe rrjetet sociale janë evidente dhe të mprehta

NOA

Një fenomen prevalent me ardhjen e epokës dixhitale është dhe bullizmi online

– Personat e varur nuk e kuptojnë vetë se si sillen kur nuk kanë afër një pajisje teknologjike, kryesisht telefonin personal

Fëmijët, paraadoleshentët dhe adoleshentët tashmë zotërojnë telefonat e tyre personalë, dhe kanë krijuar vartësi.

– Sot studentët kërkojnë më shumë përgjigje për pyetjet e tyre akademike nga komunitetet online se sa në librat e ofruar të bibliotekave të shkollave

– Problemet dhe efektet e marrjes së informacionit të tepruar tek moshat e reja, ndikon negativisht në shëndetin mendor.

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

 

Epoka dixhitale ka sjellë përparime të paparashikuara teknologjike, duke transformuar aspekte të ndryshme të jetës moderne, përfshirë dhe arsimin. Studentët sot janë të rrethuar nga pajisje dixhitale dhe kanë akses të vazhdueshëm në internet, duke ndryshuar thellësisht mjediset e tyre të të mësuarit dhe rutinat e përditshme. Kjo prani dixhitale ka implikime të rëndësishme psikologjike që kërkojnë ekzaminim të plotë. Të kuptuarit e ndikimit të epokës dixhitale në mirëqenien psikologjike të studentëve është thelbësore, pasi ajo ndikon në shëndetin e tyre mendor, zhvillimin konjitiv, dhe ndërveprimet sociale.

-Me digjitalizimin puna lehtësohet por nga ana tjetër ka dhe efekte engative. Cilat janë ato anë negative pasi ato na interesojnë më shumë?

Lidhja e vazhdueshme mbingarkesa e informacionit, dhe pasioni i konformizmit të identitetit në internet mund të çojnë në rritje të stresit, ankthit, dhe depresionit tek studentët. Për më tepër, mënyrat në të cilat studentët përpunojnë informacionin, mbajnë vëmendjen, dhe përfshihen në të menduarit kritik po riformohen nga eksperiencat e tyre dixhitale

Epoka dixhitale jo vetëm që ka transformuar metodologjitë edukative, por gjithashtu ka ripërcaktuar mënyrën se si studentët ndërveprojnë me bashkëmoshatarët e tyre dhe se si perceptojmë veten. Platformat e mediave sociale, mjetet e komunikimit në internet, dhe komunitetet virtuale luajnë një rol kryesor në jetën e studentëve, duke ndikuar në vetvlerësimin e tyre, aftësi sociale dhe në ndjenjën  e përkatësisë. Gjatë kërkimit të aspekteve psikologjike të studentëve në epokën dixhitale, është e rëndësishme të eksplorohen si sfida dhe disavantazhet, ashtu edhe mundësitë dhe avantazhet e paraqitura nga kjo epokë e re.

Teknologjia nënkupton të gjitha llojet e teknologjisë, të cilat përdoren për të shfrytëzuar dhe përpunuar informacionin, pra kemi një kombinim të Teknologjisë me Informacionin dhe Komunikimin. TIK-un në edukim. Kjo kuptohet si një implementim i pajisjeve dhe mjeteve teknologjike në procesin mësimor për të regjistruar dhe përpunuar informacionin në formë digjitale. Përdorimi i teknologjisë digjitale në shkollat dhe universitet tona ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme këto vitet e fundit. Kështu, për të pajisur nxënësit dhe studentët me aftësitë e nevojshme teknologjike, duhet të përdoren metoda të reja të të mësuarit në krahasim me metodat e përdorura në të mësuarit tradicional (Ëarschauer and Matuchniak 2010; Reci, 2018).

 

NJOHJA ME IMPLIKIMET E MUNDËSHME TË DIGJITALIZIMIT PËRSA I PËRKET GJENDJES MENDORE

Ankthi dhe stresi

Fëmijët, paraadoleshentët dhe adoleshentët tashmë zotërojnë telefonat e tyre personalë, duke i ekspozuar ata me një mori informacionesh dhe të dhënash të reja, të cilat mund të krijojnë mbingarkesë informacioni. Pavarësisht se nuk ka një përkufizim të qartë mbi këtë term, studiuesit e përmbledhin duke thënë se mbingarkesa ndodh kur “informacioni i marrë bëhet pengesë në vend se të ndihmojë edhe kur ky informacion është i dobishëm, sidomos platforma e TikTokut” (Zimmerman, n.d.) Një studim, i cili merret me këtë fenomen tek studentët e gjimnazeve tregon se si ata përgjigjen kur ndihen të mbingarkuar. Më pak se 300 studentëve iu kërkua të tregonin gjendjet e tyre për një kohë një-javore kur ata përballen me këtë fenomen. Përgjigjet e tyre tregojnë se ata ndiheshin shpesh të mbingarkuar në shkollë dhe në punë, koha më e zakonshme ishte gjatë darkës ose orëve të vona të natës.

Stresi akademik përkufizohet si “gjendja psikologjike e një studenti që rezulton nga presioni i vazhdueshëm social dhe i vetë-imponuar në një mjedis shkollor që shteron rezervat psikologjike të studentit.” Me misionin online, student mund të ndihet i detyruar të kalojë më shumë kohë i përqëndruar jo vetëm në materialin edukativ, por edhe me problemet teknike që mund të ndodhin, çka mund të krijojë një mjedis stresues. (Hou Academic Stress Affect Mental Health in the Age of Digital Learning?, n.d.)

Në një studim, i cili kërkonte të gjente nivelet e stresit dhe ankthit të akorduara me kohën që studentët kalonin në media sociale, tregon se këto dy fenomene janë të lidhura. Sipas studiuesve, nevoja për të ndjekur zhvillimet e fundit në media sociale gjeneronte më shumë stres se sa koha e kaluar në to, ndërsa nivelet e ankthit rriteshin në të dyja rastet. (Aydogan & Buyukyilmaz, 2017, fq. 253-260) Depresioni dhe Vetmia. Një fenomen prevalent me ardhjen e epokës dixhitale dhe aksesibilitetit nga moshat studentore është dhe bullizmi online ose cyberbullying. Një studim i bërë në Ghana me përfshirjen e 1374 studentëve të ciklit Bachelor kërkoi të zbulonte perceptimet e tyre mbi këtë fenomen. Studimi raportoi se shkaqet më të zakonshme të cyberbullying janë popullariteti mes shoqërisë, zhvatja, hakmarrja, stresi, trauma, dhe vetëvlerësim i ulët. Pasojat e bullizmit online përfshinin shtim të stresit, vështirësi për të besuar njerëzit, dhe vetëvlerësim të ulët. (Tetteh et al., 2023, fq. 163-180) Epoka dixhitale nuk solli vetëm mbështetje edukative dhe informuese, por edhe një lidhje virtuale mes njerëzve në cepat e ndryshëm të botës, duke ofruar mbështetje emocionale për to. Në një studim të bërë në Indi mbi përdorimin e internetit dhe izolimit social tek studentët e universiteteve, u pa që njerëzit, të cilët nuk ndiheshin të plotësuar nga familja dhe shoqëria i kthehen internetit dhe komuniteteve virtuale për të kërkuar vlerësim mbi emocionet dhe interesat e tyre. Përdorimi i shpeshtë i internetit nuk lë vend për ndërveprimet sociale, ndaj rriten ndjenjat e izolimit, ulet vetëvlerësimi, personi nuk zhvillon aftësi të dobishme komunikimi, etj. (Gorain et al., 2018, fq. 361-364) Është e nevojshme që të promovohet një balancë e shëndetëshme midis socializimit dhe përdorimit të teknologjisë.

-Varësia dhe mbështetja kanë lidhje apo janë të ndara? Sa varësi krijon individi dhe sa mbështetje në epokën dixhitale?

Përdorimi i shpeshtë i internetit krijon dhe varësi ndaj tij, një varësi, e cila duhet të trajtohet me seriozitet. Personat e varur nuk e kuptojnë vetë se si sillen kur nuk kanë afër një pajisje teknologjike, shpesh telefonin personal. Heqja e kësaj pajisjeje në mënyrë të menjëhershme mund të tregojë të njëjta shenja kërkimi si dikush i varur nga një substancë, dhe mekanizmat e përballimit shpesh tregojnë mërzinë dhe bezdisjen e tyre. Në një studim tjetër të studentëve të universiteteve, të cilët përdornin pajisjet e tyre dixhitale në mënyrë eksesive, u zbulua se simptomat psikologjike të lidhura me varësinë ndaj internetit përfshinin: somatizim, obsesione-kompulsione, sensitivitet ndërpersonal, depresion, ankth, armiqësi, ideim paranojak, dhe psikozë. (Adalier & Balkan, 2012, fq. 42-49) Ekzistojnë strategjitë për menaxhimin dhe zbutjen e varësisë dixhitale. Ato përfshijnë një qasje të gjerë duke përfshirë teknika sjellore dhe ndërhyrje mbështetëse. Një strategji është zbatimi i periudhave “detox” nga pajisjet dixhitale, ku studentët mund të bëjnë pushime të rregullta nga ekrani dhe të përfshihen në hobi offline dhe ushtrime fizike. Një strategji tjetër është përdorimi i programeve, që gjurmojnë dhe kufizojnë kohën përpara ekranit, duke i bërë studentët më të vetëdijshëm për kohën që kalojnë në to. Studimet sugjerojnë se përfshirja e praktikave të “mindfulness” mund të ulë ndjeshëm simptomat e varësisë dixhitale dhe të përmirësojë mirëqenien e përgjithshme. (Elhai et al., 2019, fq. 45-52)

Përqëndrimi dhe Vëmendja 

Ndërsa njerëzit bëhen gati të futen në një periudhë të re të jetës së tyre, studentët dëshirojnë të marrin pjesë në komunitete të ndryshme, dhe në këtë epokë shpesh këto janë dixhitale. Sipas studiuesve, studentët bëjnë disa gjëra përnjëherësh ndërkohë që janë në internet për shkollë ose punë, për shembull ata marrin informacion të ndryshëm nga burime të shumta, duke bërë një detyrë me televizorin ndezur në sfond, gjë që jo vetëm mbingarkon mendjen por gjithashtu zhvendos vëmendjen. Ky koncept gjithashtu është vëzhguar strukturalisht se si pjesë të ndryshme të trurit përgjigjen ndaj aksesit konstant të informacionit sot. (Betteridge et al., 2023

Observimet kanë treguar se ndërrimi midis mjediseve rrit ngarkesën konjitive, çka e bën më të vështirë që informacioni të procesohet efektivisht. Gjithashtu, zhurmat e njoftimeve kanë treguar të fshijnë informacionin e mësuar në 90 sekondat e fundit, çka pengon kujtesën afatshkurtër dhe atë afatgjatë. (Oaten, 2023).

Zhvillimi i teknologjisë ka qenë shumë i shpejtë vitet e fundit, çka sjell situata dhe probleme të reja, të cilat duan vite studimi dhe vëzhgimi për t’i identifikuar dhe zgjidhur. Varësia ndaj internetit prek shumë aspekte të jetës së një studenti, në një botë ku është i rrethuar gjithmonë nga interneti. Por, ekzistojnë këshilla të shumta që mund ta përmirësojnë këtë problem. Disa nga ato përfshijnë: trajtimin e internetit si diçka luksoze, krijimi i një orari për përdorimin e pajisjeve teknologjike, veçimi nga telefoni personal gjatë studimit, përdorimi i teknologjisë si një alternativë për të mësuar dhe jo si parësore, dhe përqafimi i hobive të cilat nuk janë të lidhura me teknologjinë. (Leave Your Phone Alone: 5 Tips To Help Focus On Your Studies In The Digital Age, 2019)

Kujtesa dhe të mësuarit

Në këtë periudhë, informacioni është gjithmonë i aksesueshëm, ai qëndron në majat e gishtave. Rrjeti i gjerë botëror i internetit ka bërë të mundur që njerëzit të mbajnë të gjithë dijen e mundshme në xhepin e tyre, por sa informacion në të vërtetë mbajnë njerëzit në kujtesën e tyre pasi lexojnë diçka online? Individët rreth botës mbështesin kujtesën e tyre në pajisjet teknologjike që zotërojnë dhe nuk shqetësohen nëse harrojnë diçka, pasi kujtesa e tyre është vetëm “një prekje larg”. Disa studiues në Indonezi tregojnë: “Nga njëra anë, kjo mbështetje ofron akses të shpejtë në sasi të mëdha informacioni, lehtëson eksplorimin e këndvështrimeve të ndryshme dhe rrit komoditetin në jetën tonë të përditshme. Për më tepër, tiparet organizative të pajisjeve dixhitale ndihmojnë në strukturimin e informacionit dhe ndërtimin e kornizave koherente të njohurive. Pavarësisht efekteve të shumta të dixhitalizimit, ky koncept ka hapur dyer të shumta, sidomos në sektorin arsimor. Tashmë është më e lehtë të marrësh pjesë në leksione online kur nuk ke mundësi të jesh fizikisht. Komunikimi në kohë të shpejtë, bashkëpunimi, dhe të mësuarit kanë lejuar që studentët të ndihen më rehat në përfshirjen për diçka të re. Mendimi kritik dhe zgjidhja e problemeve 

Ndikimi i informacionit lehtësisht të aksesueshëm në aftësitë e të menduarit kritik paraqet një sfidë për studentët në epokën dixhitale. Nga njëra anë, interneti ofron një grumbullim të gjerë njohurish që mund të përmirësojë të mësuarit dhe të zgjerojë perspektivat. Nga ana tjetër, masa e madhe e informacionit të disponueshëm mund të çojë në përpunim sipërfaqësor dhe të zvogëlojë nxitjen për t’u përfshirë në të menduarit e thellë dhe analitik. Studentët mund të mbështeten në kërkime të shpejta dhe përgjigje të menjëhershme në vend që të zhvillojne aftësitë për të vlerësuar në mënyrë kritike burimet dhe për të analizuar informacionin në mënyrë të pavarur.

Mendimi kritik është ai çka na diferencon nga makineritë dhe inteligjenca artificiale, aftësia për të analizuar dhe gjykuar informacionin që na vendoset përpara. Ky lloj mendimi është një aftësi, e cila mund të mësohet dhe të zhvillohet me disa zakone, të cilat përfshijnë: menaxhimin e kohës, përqëndrimi në një detyrë në kohë dhe jo në disa detyra njëkohësisht, ekzaminimi i gjykimeve, të cilat mund të jenë të pavetëdijshme, dhe gjithashtu përmirësimi i aftësive për të shkruar, e cila ndihmon të qartësojë mendimet dhe të reflektojë sjelljen. (Chatfield, 20022).

KUPTIMI I DIGJITALIZIMIT NË ASPEKTIN E NDËRVEPRIMEVE SOCIALE DHE MARRËDHËNIEVE SHOQËRORE

Komunikimi Online 

Njerëzit brendësisht janë qenie sociale, qenie, të cilat kanë nevojë të shoqërizohen me njerëz të tjerë dhe të qëndrojnë në komunitet. Komunikimi është një nga shtyllat më të rëndësishme në socializimin midis njerëzve, por dekadat e fundit kanë sjellë ndryshime të reja në këtë pjesë. Tashmë, komunikimi mund të bëhet nëpërmjet internetit dhe distanca nuk përbën më problem.

Identiteti dhe perceptimi i vetes

Mediat sociale nuk ndikojnë vetëm në aftësitë komunikative, por gjithashtu dhe në mënyrën se si perceptohet vetvetja dhe imazhi i trupit. Platformat e mediave sociale promovojnë një perfekte të përdoruesve të tyre, me ndihmën e mjeteve filtruese, të cilat krijojnë një iluzion për konsumatorët e tyre. Këto mjete filtruese ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin vetjak të individit, çka sjell dëmtim të imazhit dhe identitetit të formuar për veten. Disa efekte negative përfshijnë: krahasimi konstant mes vetes dhe të tjerëve, standarde të bukurisë të paarritshme natyralisht, dhe bullizmi virtual ose cyberbullying nëse vlerësohesh ndryshe nga standardi. (Lim et al., 2023).

Formimi i identitetit online dhe presioni për t’u përshtatur janë çështje të rëndësishme më të cilat brezi i ri përballet, përfshirë studentët. Ndërkohë që studentët angazhohen me platformat e mediave sociale, ata shpesh formojnë personalitete, ose “online persona”, në mënyë që tu përshtaten normave dhe pritshmërive sociale. Një studim ka zbuluar se nevoja për të mbajtur një identitet tërheqës në internet mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin mendor, duke çuar në probleme të tilla si vetëvlerësim i ulët dhe rritja e vulnerabilitetit ndaj presionit të të tjerëve. Dëshira për pranim në internet mund t’i shtyjë personat të portretizojnë veten në mënyra që të mbledhin ndjekës dhe komente, ndonjëherë duke shpërfillur identitetin e tyre të vërtetë. Shpesh, në platforma online që kanë si qëllim bisedimin me të tjerët, njerëzit mund të krijojnë një identitet tjetër duke përfituar nga anonimiteti që ofron platforma. Për shembull, një person i cili është më introvert në jetën e tij të përditshme, mund të marrë përsipër një identitet ekstroverti kur është online.

Këto mospërputhje midis çka tregohet në internet dhe çka tregohet jashtë tij mund të krijojë konfuzion mbi personalitetin vetjak. Shumë studime kanë treguar se individet të cilët janë të varur ndaj lojërave në internet e vlerësojnë veten më negativisht se bashkëmoshatarët e tyre.

Komuniteti dhe Përkatësia 

Siç u përmend më parë, njerëzit brendësisht janë qenie sociale, të cilët kërkojnë komunitete për aspekte të ndryshme të ekzistencës së tyre. Në këtë epokë dixhitale, studentët të cilët kërkojnë një komunitet tjetër nga ai familjar, i kthehen internetit për të gjetur atë që dëshirojnë. Në shumë mënyra, gjetja e grupeve me të njëjtat interesa online është diçka e thjeshtë dhe e shpejtë, që tregon arsyen pse studentët preferojnë këtë mënyrë. Në një studim të bërë në Dubai, u gjet se studentët kërkonin më shumë përgjigje për pyetjet e tyre akademike nga komunitetet online se sa në librat e ofruar të bibliotekave të shkollave. Ata vëzhguan se si studentët kërkonin një zgjidhje të shpejtë të problemeve të tyre dhe në të njëjtën kohë mësonin nga eksperiencat e anëtarëve të tjerë në komunitetet që merrnin pjesë. (Akre et al., n.d., fq. 570- 583).

Por, ndjenja e përkatësisë në komunitetet virtuale kundrejt atyre fizike mund të ndryshojë shumë, duke ndikuar në mirëqenien sociale dhe emocionale të studentëve.