Rexhep NDREU*/Përgatitja e ligjit të ri për pyjet

630
Sigal


Reflektime për ndalimin e katastrofës së mëtejshme në pyje

Shkatërrimet e mëdha në pyje kanë të bëjnë me moszbatimin e ligjit, por edhe me mangësitë e ndjeshme në ligjin e vitit 2005, sidomos lidhur me sanksionimin e të drejtave të pronësisë,  privatizimi i pyjeve i papërcaktuar, ndarjen e  funksioneve menaxhuese nga ato kontrolluese, mungesa e mjeteve përfituese dhe nxitëse për përdoruesit tradicionalë (fshati, familjet fshatare), masat ndëshkimore tepër të buta, korrupsioni i tejskajshëm etj.

Prej kohësh, përdoruesit tradicionalë të pyjeve e kullotave komunale, shoqatat, federatat rajonale dhe Federata Kombëtare, por edhe punonjës të DSHP-ve kanë kërkuar hartimin e një ligji të ri. Fakti i shtimit të amendamenteve herë pas here në ligj tregon se nuk është bërë punë  e thelluar e bazuar në analiza të gjendjes dhe shkaqeve të moszbatimit të tyre.

Ndërmarrja e hartimit të një projekt-ligji të ri nga Ministria me mbështetjen e Projektit të ZHBN, tregon, më së fundi, një preokupim për pasurinë pyjore. Por, vërehen disa paqartësi në Termat e Referencës për hartimin e ligjit të ri. Në pikën 3/3 thuhet se me urdhër të Ministrit është ngritur një grup pune për të harmonizuar legjislacionin e sektorit, në pikën 3/4 thuhet se grupi i punës së Ministrisë po përgatit një Projekt-Ligj të ri, ndërsa në pikën 4 jepen detyrat për Konsulentin! Tenderin e ka fituar Konsulenti “Fatmir Braka, Partners & Associates”. Ndërkaq, në faqen e internetit të PZHBN thuhet se është përgatitur projektligji e platforma për reformën në pyje dhe është në diskutim në seminare rajonale! Ç’janë këto informacione që dalin pa përgjegjësi, apo nënkuptohen veprime të panjohura për publikun?

 Mendojmë se duheshin sqaruar marrëdhëniet midis grupit të Ministrisë dhe Konsulentit para se të fillonte puna, si dhe të ketë një transparencë më të qartë, që është dhe detyrim ligjor. Në fakt, për platformën janë bërë një varg takimesh ku është diskutuar por nuk është arritur ndonjë konsensus për çështjet e shtruara, përfshirë privatizimin; ndërsa puna për projektligjin është në fillim, të paktën aq sa dimë. U bë një plan takimesh dhe u realizuan nga Konsulenti dhe Federata Kombëtare e PKK në disa qarqe të vendit, me pjesëmarrjen e palëve të interesuara. Pas këtyre, Konsulenti përgatiti e shpërndau në datën 07.03.2013 një Raport Fillestar, ku informohet për punën e kryer prej tij për sigurimin e materialeve të shkruara dhe mendimet e dala nga takimet në qarqe. Por, në këtë raport nuk ka as analizë të gjetjeve dhe as përfundime paraprake që dolën nga këto takime.

Dhe se si do të veprohet më tej për pjesëmarrjen e palëve të interesuara në hartimin e projektligjit nuk dihet. Sipas termave të referencës, pas një procesi konsultimi, Konsulenti duhej të përgatiste një program konkret pune, me aktivitetet, afatet dhe zbatuesit përkatës, ndër të tjera, për raportin afatmesëm, për draft raportin përfundimtar, përfshirë sugjerimet për zhvillimin e rregulloreve shoqëruese, dhe kohën e workshopit përfundimtar, program që duhej ta kishin në dorë palët e interesuara dhe të ndiqnin fazat e procesit në vazhdimësi. Një program të tillë të plotë Federata Kombëtare e ka kërkuar pranë Konsulentit, por me sa duket nuk është hartuar.

Përvoja na mëson se, para se të fillonte hartimi i projekt ligjit, duhej të përgatitej një analizë e plotë dhe e hollësishme për gjendjen aktuale të sektorit të pyjeve, për zbatimin e ligjit ekzistues dhe akteve nënligjore përkatëse, me përparësitë dhe mangësitë e vërejtura gjatë zbatimit të tyre. Analiza, apo të paktën platforma, duhej përgatitur jo vetëm nga organizmat shtetërore dhe Konsulenti, por me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shoqatave, të partnerëve dhe të gjithë aktorëve të interesuar, të diskutohej me ta dhe të arrihej konsensus, me qëllim që ligji dhe aktet nënligjore që do të propozohen të jenë afatgjata e të mos ndryshohen kohë e pa kohë, sikurse ka ndodhur deri më sot. Vetëm në këtë mënyrë mund të gjejnë mishërim në ligj dhe të zgjidhen problemet e shumta e të rënda që po përballon sektori i pyjeve e kullotave, përfshirë problemet e pronësisë, shkatërrimet me përmasa katastrofike dhe ndikimet mbi jetesën e komuniteteve rurale e mjedisin në tërësi.

Nuk dimë edhe sa kohë ka mbetur për hartimin e projektligjit; sidoqoftë, duhen planifikuar nga ana e Konsulentit fazat që vijojnë, të mobilizohen dhe informohen periodikisht për ecurinë e procesit të gjithë aktorët, administrata, shoqatat e përdoruesve të pyjeve e kullotave komunale dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Federata Kombëtare shpreh gatishmërinë e plotë për të kontribuar në çdo fazë për hartimin e projektligjit të ri për pyjet, si dhe për të thelluar reformat për decentralizimin e qeverisjes së pyjeve dhe kullotave, afrimin e tyre sa më afër përdoruesve, në përputhje me përafrimin me direktivat europiane, me synim rritjen e mirëqenies sidomos në zonat e varfra rurale, si dhe mbrojtjen dhe zhvillimin më të mirë të mjedisit në vendin tonë.

* Kryetar i Federatës Kombëtare të Përdoruesve të Pyjeve e Kullotave Komunale