Kiço LONDO/Foleja u ngrit…dhe dallëndyshet erdhën…

535
Sigal

Në një fillim pranvere, 5 vjet më parë, në atë gërmadhë që i kishte mbetur emri “Estradë” u arkitektuan sallat e teatrit të Tiranës, të pagëzuara me emrat e një kozmosi kulturor, “Shekspir”, “Çehov”, dhe “Bodrum”.  Duke lënë për herë të parë mënjanë imazhin e thjeshtësisë, sepse siç ka thënë Shopenhauer, “virtyti i modestisë është një shpikje që u shërben vetëm budallenjve” kam të drejtë të jem krenar dhe dita e sotme është moment i duhur për ta shprehur. Kur më shumë se një vit më parë më përzunë nga Teatri i Metropolit dëgjoja shpesh fjalët “ta zunë vendin” dhe qeshja me keqardhje. Me keqardhje sepse vendi im ka mbetur bosh, si në Teatrin e Metropolit, ashtu edhe në Teatrin Kombëtar, për fat të keq. Kjo që po them mund të tingëllojë si egocentrizëm, por është një e vërtetë që nëse të tjerët e pëshpëritin, unë kam kurajën ta them me zë të lartë. Politika zëvendëson drejtorët, por unë nuk kam qenë asnjëherë drejtor. Kam qenë njeriu të cilit i është dashur të shpalos një vizion të qartë, një ide, një ëndërr të hershme dhe një kërkesë të kohës që ndoshta ishte vonuar. Një proverb i vjetër thotë: “Ndërto folenë se dallëndyshet vijnë vetë”. Dhe si një njeri që i cakton vetes një mision, nuk më mjaftonte vetëm dëshira dhe ambicia duhet të isha dhe i fortë. Duhej punë, shumë punë. Duhet të bindja mosbesuesit dhe t’u imponohesha kundërshtarëve. Por, isha me fat që fitova besimin e Edi Ramës, i cili në përurimin e një prej sallave të Teatrit të Metropolit tha: “Ky vend ishte një hiç dhe u bë me hiç, një mrekulli”.  E kam të mbartur për sot dhe nesër një falënderim për të. Gjithashtu një falënderim për të gjithë kolegët që më mbështetën. Falënderoj spektatorin artdashës të Tiranës dhe sidomos spektatorin e vogël dhe prindërit për teatrin e fëmijëve, bizneset e biznesmenët e kryeqytetit dhe vendi, artistët e rinj dhe në veçanti kumbarët e teatrit, shkrimtarin e madh Ismail Kadare, drejtorin e Teatrit Kombëtar të Rumanisë Jon Karamitru dhe aktorin e talentuar Enver Petrovci. Për gjithçka që është bërë në Teatrin e Metropolit e ardhmja do të jetë mirënjohëse sepse e tashmja nuk mund të jetë… Jam i shqetësuar që ende në Shqipëri nuk ka një politikë frymëzuese për kulturën dhe artin. Edi Rama është i vetmi politikan, i cili me programin e kulturës për “Rilindje” të intrigon, të bën të thurësh një përrallë dhe të vendosësh edhe veten brenda. Foleja u ngrit…dhe dallëndyshet erdhën…