Emërimi i Dash Bajazitit si zv/ministër për sportin shqiptar krijoi një lloj shprese për ringjallje të futbollit. Dhe kjo, jo krejt rastësisht, por nisur edhe nga fakti që Bajaziti vinte nga shkolla sportive e futbollit dhe më shumë se kushdo, e di se futbolli ka grintë, ka entuziazëm, ka luftë sportive, prandaj dhe mbetet më popullori, jo vetën në vendin tonë, por edhe kudo në botë. Por ngjarjet e fundit që kanë mbërthyer sportin shqiptar me sherre dhe grushtet të shoqëruara, edhe me dhunë ja kanë prishur imazhin futbollit. Dhe shkaku kryesor është mungesa e drejtësisë dhe disiplinës nga njerëz të pandërgjegjshëm, që për interesa të çastit humbasin misionin bazë, atë të, argëtimit të qytetarëve. Por rasti i Kavajës, kur u arrestua Kryebashkiaku i qytetit dhe heshtja e numrit një të sportit dhe futbollit, Dashamir Bajaziti, tregon se, ky njeri është molepsur keq pas karriges së politikës dhe se ka harruar që emri i tij u ngjit aq lartë nga tifozeria e Besës së Kavajës. Dashi nuk duhet të harrojë se sportdashësit e qytetit të Kavajës, të cilët e rritën me duartrokitjet e tyre, e kanë përkrahur dhe e kanë mbajtur me ovacione në krahë, ashtu sikurse mbajtën pas gjyqit Elvis Roshin, nuk do ja falin kollaj heshtjen për arrestimin e padrejtë të Kryebashkiakut të qytetit. Do ishte në nderin e Dashit që në momentet e para të ngjarjes, në mbështetje të ligjit dhe në mënyrë të paanshme të verifikonte së bashku me strukturat e Federatës së Futbollit se si qëndronte e vërteta dhe të mos lejonte fyerjen dhe diskreditimin e Kryetarit të Bashkisë dhe Kavajës në tërësi. Zv/ministri Bajaziti, si përgjegjës i qeverisë për sportin do bënte mirë të merrej me rastin e kryetarit të bashkisë që u fut me makinë në mes të fushës, duke shqyer edhe dyert. Ky është rast për t’u marrë dhe për të analizuar dhe jo broçkulla të tjera pa vlerë. Nëse këtë veprim do ta kishte bërë Kryebashkiaku Roshi, sot e kësaj dite ai do ishte në burg. Ndaj padrejtësia ndaj Roshit dhe mosvendosja e drejtësisë në rastin e Gramshit, mjaftojnë që zv/ministri për sportet Dashnor Bajaziti të japë dorëheqjen. Kavaja dhe kavajasit nuk ja harrojnë Dashit lojën e pistë që po bënë me qytetin e tij të lindjes. Tifozeria e zjarrtë e Besës së lavdishme nuk mund të përdhoset nga PABESIA e zv/ministrit me origjinë nga Kavaja; njeriut që u rrit me brohoritjet e tifozerisë kavajase do të ndëshkohet politikisht me votë si i emëruari Republikan në qeverisje. Në demokraci ekziston një shprehje e urtë që thotë: “Po nuk të do Kavaja, s’të do e gjithë Shqipëria”.