“Lumi i kujtimeve vazhdon të rrjedhë, pigzat vinë, përrenjtë dhe lumenjtë rrjedhin, deti mbushet plot dhe gjithçka i ka rrënjët dhe burimin tek shtëpiza jonë ushtarake ku shkuam fëmijë dhe u kthyem burra…”
Në rrugëtimin e gjatë të jetës njeriu përjeton ndjesi që vështirë se mund të fshihen nga memorja e trurit dhe pasqyra e mëndjes. Nga gjithe ajo rrugë e mundimshme, në fund të saj mbeten ca kujtime që në fakt janë mjalti i jetës së gjithësejcilit, janë gur xhevahiri e diamanti që shkëlqejnë përjetësisht. Kujtimet fillimisht mblidhen si pigza vese, behen rrëkeza, përrua, lum e në fund njeriu ndjen se jeton në një det kujtimesh, që në fund të fundit nuk janë gjë tjetër veçse jeta e gjthsecilit.
Këtë ndjesi ka provuar dhe provon ushtaraku në rezervë major Hajdar Bilimanaj, sa herë kthehet pas në kohë për të memorizuar detaje, çaste episode e ngjarje nga jeta e tij ushtarake. Pigzat e kujtimeve pikojnë atje në Helmës djeplindjen e tij kur ai erdhi në jetë më 16 Dhjetor 1951.
Rrëkezat e para të kujtimeve, madje ato më të bukurat, rrjedhin nga jeta e tij me uniformë, nga foleza e ngrohtë, shtëpia e madhe që quhej Shkolla Ushtarake “Skënderbej”.
Përrenjtë dhe lumenjtë përmbyten nga kujtime të pashlyeshme si student në Shkollën e Lartë të Oficerave “Enver Hoxha” në Tiranë dhe më pas vjen deti i kujtimeve të një jete të bukur ushtarake, e cila ka pasur edhe peripeci. Mjalti i kujtimeve janë shokët, miqtë dhe familja, shënjtërija e jetës së tij. Për të gjitha këto trokita në portën e jetës së tij për të zgjuar një pjesë të tyre….
Gjithçka nis nga djeplindja – Helmësi
Helmësi padyshim është lindja dhe perëndimi i diellit. Aty është pasaporta me të cilën Hajdar Bilimanaj u nis në rrugën e vështirë të dijes dhe kulturës ushtarake. Aty jeta ka qënë e kushtëzuar nga një klimë bimore e blertë në të katër stinët e vitit ku ahu dhe shkoza bënin ndryshimin. Fshati i vjetër me histori të punës dhe të luftës. Gur kufiri midis Skraparit dhe Korçës më në krah Panaritin dhe Grabockën, tashmë është dhimbja që ish ushtaraku e vuan në çdo qelizë të trupit të tij.
Helmësi mbahet mend si garnizon i luftës NAÇL, pasi këtu, pikërisht në oden e Familjes së madhe të Bilimanajve, u vendos Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇL dhe misionet e huaja Anglo Amerikane. Dy ngjarje të tjera kulmore lidhen me këtë vend midis malit dhe pyllit: Pleniumi i KQPKSH më 15 Maji 1944 dhe Kongresi i parë i Rinisë Antifashiste Shqiptare më 8 Gusht 1944.
Pjesë aktive në jetën dhe aktivitetin e rinisë së asaj kohe ishte edhe babai i Hajdarit Muharrem Bilimanaj, i cili kreu detyrën e sekretarit të rinisë së fshatit. Brenda shtëpisë së tij ka qënë vëndosur Sekretaria e Shtabit të Përgjithshëm, ndërkohë që në njërën prej odave punonte dhe flinte Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, Enver Hoxha.
Një histori që ka mbetur krejtësisht e shkuar, pasi familja e Hajdar Bilimanajt pas viteve të luftës u la jashtë vëmendjes së shtetit, madje për arsye absurde dajot e Hajdarit, vëllezërit e nënës së tij nga fshati Gjergjovë u shpallën kulakë dhe nga qyteti i Beratit, u rikthyen në fshat si njerëz të padëshiruar nga regjimi. Kjo ndodhi pasi më parë ishte pushkatuar pa asnj prove dhe pa gjyq një vëlla i nënës së Hajdarit, Xhafer Çela, i cili kishte mbaruar shkollën ushtarake në Itali dhe akuzohej për mendime dhe koncepte properëndimore. Kaq për historinë e shkuar dhe tani pasqyrën po e kthej nga e ardhmja e personazhit në fjalë. .
“Foleza” e parë, Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej”
Arsimin 7 vjeçar, 2 vjet i kreu ne Helmës dhe 5 vjet ne Gjerbës, qëndër lokaliteti për Tomorricën, ku babai i tij shërbente si polic lokaliteti.
Pas kësaj fati i tij trokiti në shtëpizën tonë të përbashkët në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”. Jo se familja nuk kishte mundësi t’i jepte arsim tjetër, por siç thotë vetë, “ashtu ishin ca punë”, të cilat do t’i merrte vesh më vonë. Ishin pikërisht ato njollat në biografi, me të cilat ishin penalizuar njerëzit e nënës së tij. Ede pse gjithmonë korrekt me detyrën dhe me shoqërinë, këto hije të zeza do ta ndiqnin në çdo hap të jetës atë, vëllain dhe motrat e tij. Gjithsesi të shkuara e të harruara!.
Trokiti në shtëpizën ushtarake me drojën e një fëmije të pa dalë. Ishin të gjithë 13..14 vjeçarë që kurrë se kishim parë njëri – tjetrin. Një botë tjetër u shfaq para syve të këtyre fëmijëve veshur me uniformë. Në një klasë me emra e fytyra që i shiheshin për herë të parë. Një shtëpi me kujdestarë e mësues shembullorë. Emri i parë në kompjutrin e memories së tij ka mbetur ai i komandantit të kompanisë Llukan Garo, njeri me personalitet dhe humor.
Të vegjël me qafore në qafë në saj të mësuesve, të cilët kanë vënd të veçantë në zemrën e dhjetra brezave skënderbegas, Hajdari kujton ditët e vështira kur Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës kur cdo natë zinin pozicione zjarri deri në agim e pastaj vijonin mësimin, të lodhur e të pagjumë… “Shpesh flinim me kokën përmbi bankë dhe për jastëk përdornim kundragazin. Mësuesit tanë të mirë na përkëdhelnin… Kishte edhe nga ata mësues pedant e të ashpër që gjithsesi koha i ka gjykuar…”, – shprehet ai, tashmë në moshën mbi 70 vjeçare.
Kujton shokët e klasës, që sipas tij ishin vëllezër pa pjesë. Me dashuri flet për Ibrahim Kullaun, me të cilin u bë vëllam e respektin e dashurinë e ruajtën dhe e ushqyem gjatë gjithë jetës. Ishin në moshë të njomë, “kërthinjë” dhe arrinin të përballonin gjithë të ngarkesë fizike e mendore, saë sot askush nuk mund ta imagjinoj. “Një herë, – kujton ai. gjatë një kontrolli rreshtor një shokut të klasës sonë i mungonte rripi i mesit. Kur komandanti e pyeti me seriozitet: “Ku e ke rripin”. Shoku ynë me të njëjtin seriozitet u përgjigj: “Nuk priste zëri i Atdheut të kërkoja rripin!”
E libri i kujtimeve mbushet me dhjetra marshime e stërvitje në Karpen të Kavajës, Shtish Tufinë etj, në shi e në zheg! Madje në stërvitjen e Shtish Tufinës, ku zbatohej parimi i mbështetjes në forcat e veta, ai s’harron gabimin e parë si kuzhinier që u shënua me djegjen e vogël të makaronave…
Një karrierë e gjatë dhe plot sakrifica
Në Gusht 1969, përfundon Shkollën e Mesme ushtarake “Skënderbej dhe shkon në Dragot tëTepelenës për të kryer praktikën në rolin e ushtarit. Aty për herë të parë njohu kuadro me vlerë si Dedë Ndreu e Hariz Mysja, të cilët edhe pse ishin kursantë të vegjël, i trajtonin si kolegë të tyre. Në listën e kujtimeve del emri i instruktorit të boksit Agron Shëndëlliu, i shkëlqyer si profesionist…! Mali i Trebeshinës dhe Golikut, shpesh pas lodhjeve, shërbente si sofat shlodhjeje.
Shkolla e Bashkuar përbën një tjetër kapitull në librin e jetës së këtij ushtaraku. U rreshtua në kompaninë e këmbsorisë ku u rrit dhe u prefeksionua shpejt, pasi kishte pedagog të pa lodhur si Llukan Mekshi, Dhimitër Janaqi, Kostaq Karoli dhe komandanti i kompanisë Kostandin Koliqi etj. S’mund të anashkaloj episodin në Qafën e Murrizit, ku për shkak të dëborës e lodhjes mbajtën njëri tjetrin në krah…
Natyrisht malorja e jetës nisi pas titullimit oficer. Dita e emërimeve ka qënë më emocionuesja për të gjithë. Jo të gjithë mbetën të kënaqur dhe kjo për ta ishte një dhimbje, por fat për Hajdarin që u emërua në Berat, pranë familjes së tij.
E nisi karrierën e tij officer në Brigadën e Shtatë të Këmbësorisë në Berat me detyrën e komandantit të kompanisë bashkë me shokët e armës Ibrahim Kullau, Adhurim Hajro, Hajrulla Zaimi, Agim Baruti e Agim Dervishi. Fillimisht kreu detyrën e komandantit të kompanisë së këmbësorisë dhe më pas shkoi komandant I kompanisë mitraliere pranë shtabit ti Brigadës së Këmbësorisë.
Pas suprimimit të detyrës së komandantit të kompanisë në shtabin e Brigadës, u emërua komandant batalioni ne b3k në Lapardha, në po të njëjtën Brigadë ku shërbeu 10 vjet në këtë detyrë, periudhë të cilën ai vlerson si krenari të jetës së tij.
Pas krijimit të Divizionit po në Berat në vitin 1983, emërohet Komandant i Shkollës së Lirë në Sheqëz, ku punoi dy vjet rresht. Pas saj vazhdoi karrierën si Shef Stërvitje në Shkollën e përgatitjes se kuadrove ne Poshnje me shokë të mirë si Agroni, Faiku, Thomai, Petrua, Bardhi etj.
Më pas në vitin 1992 u emërua Shef Stërvitje i Divizionit të Këmbsorisë “Riza Cerova”, për te mbyllur karrierën ushtarake në vitin 1994.
Dhimbja dhe pengu i jetës së tij
“Natyrisht që ndarja nga ushtria përbën kapitullin më të dhimbshëm në librin e jetës time, – thotë ushtaraku tashmë 74 vjeçar, duke dashur të mos kujtoj dhimbjet dhe pengjet e jetës së tij.
Një njeri si Hajdar Bilimanaj me format dhe profil të plotë njeriu dhe intelektuali, nuk mund të harroj sakrificat dhe vuajtjet për të qënë dikush nëradhët e ushtrisë shqiptare. Nuk mund të harroj dhimbjen e madhe që ndejn edhe sot e kësaj ite, për nënën e tij Bukurinë, e cila sa ishte gjallë në kohën e monizmit nuk shkeli kurrë në derën e shtëpisë së babait të saj, as për gëzime e as për hidhërime. E kjo nuk është një dhimbje e vogël. Kjo është një plagë që dhëmb e do të dhëmb përjetësisht.
Nuk mund të harroj që udhëtonte në një autobus me dajon e tij e nuk guxonte ta takonte e jo më ta përqafonte. U nda për sa gjalli nga njerëzit më të dashur vetëm e vetëm pse kështu mendonte partia e kohës. Vonë, pas viteve 1990, kur ai nuk ishte më ushtarak, u hap drita jeshile për të trokitur në portën e madhe të një dashurie që kishte jetuar brenda tij dhe në moshë madhore u prezantua para dajove si nip i tyre.
Pjesa më e hidhur dhe merak i palexuar për të është refuzimi nga strukturat e kohës për të shkuar në akademi. Ajo njollë “njolla që përmëndëm më lartë”, vazhdonte të errësonte rrugën e jetës së një ushtaraku që ndoshta sot mund të kishte vënë mbi supe edhe gradën e gjeneralit. I premtuan shumë për të vazhduar akademinë, por ajo mbeti një ëndërr që nuk u realizua kurrë…
Hajdar Bilimanaj aktualisht menazhon një biznes privat, kryen detyrën e Sekretarit të Komitetit të Veteranëve të Beratit, Sekretarit të Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë në Berat, ku punon me të njëjtat fuqi, energji dhe ndershmërinë e një ushtaraku. Ai jeton i lirë së bashku me familjen e tij në Berat dhe ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, të cilët kanë ndërtuar jetën e tyre sipas mundësive dhe kushteve të kohës….
Tashmë dhimbjet dhe pengjet e jetës së tij i takojnë së shkuarës…


















