Ilmi S.Qazimi: Yzedin Brahim Basho, burrë që bëri dhe mbeti në historinë e luftës e të punës së Skraparit

115
Sigal

Trualli ku lindi

Telegraf.al / Në lagjen disashekullore Bashollarë të fshatit Çepan, këtij vendbanimi dymijë e dyqind vjeçar është edhe familja e Brahim Rushit Bashos. Ndër breza të parët e saj nuk janë pajtuar me pushtuesit, kanë luftuar me armë kundër tyre dhe në luftën antifashiste nacionalçlirimtare thuajse të tërë u lidhën dhe u angazhuan në të. Brahimi lindi shtatë fëmijë, katër vajza e tre djem: Yzedini, Labija, Zengjinea, Ademi, Ruzja, Sadikja dhe Haxhiu. Të gjithë tashmë gjyshër e stërgjyshër jetuan me nder e punë  duke lënë  vetëm gjurmë mirësie, atdhedashurie.Tani është Haxhiu që mban fuqishëm truallin e prindërve. Brahimi ka qenë një nga fanolistët e njohur të Skraparit. Brahim Rushit Basho si ditëlindje të përafërt ka vitin 1882. Në vitin 1908 shkon në kurbet në Stamboll me disa shokë e miq përmetarë e kolonjarë. Pasi punon atje tre vjet niset për në SH.B.A. Punoi në Çikago, Boston, Nju Jork deri në vitin 1919. Në Boston grupi i tyre u njoh nga afër me shqiptarin e madh të të gjithë kohrave, Fan Stilian Nolin. Brahimi tregonte se Fan Noli i mblidhte shpesh emigrantët e atdheut të tij, u fliste për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Madje jo rrallë edhe u mësonte të shkruanin e të lexonin shqip.

NOA

“Mësoni të shkruani shqipen që t’u dërgoni letër kalamaqve dhe familjeve” kështu na thoshte Fan Noli, -tregonte i ndjeri Brahim. Grupi prej shtatë- tetë vetësh i këtyre emigrantëve u mor nën kujdesin e Fan Nolit edhe në aktivitetet e shoqërisë “Vatra”. Shumica e anëtarëve skraparlinj të “Vatrës”na i jep fotografia e vitit 1916 që u gjet në arkivin e shtetit shqiptar. Brahimi, veç kuotës prej 10 dollarësh, për ndihmë të organizatës “Vatra”, del se në vitet 1915-1918 ka ndihmuar financiarisht për botimin e gazetës “Koha” të Mihal Gramenos. Me ato çka mësoi në Boston, Brahimi mundi të lexonte libra e gazeta deri në vitin 1972 dhe madje pa syze. Xha Brahimi u shua në vitin 1973. Yzedin B. Basho u lind më 13 prill 1926 në Çepan në këtë familje të njohur për traditat luftarake, atdhetare, punëdashëse dhe mikpritëse. E ëma e Yzedinit ishte Feruzeja , por ajo e la të vogël. Fëmijën e rritën Begzua, e njerka, dhe kunata e saj Selvia, një burrëreshë grua me shoqe të rralla në zonën e Çepanit. Begzua ishte simbol i gruas së urtë e punëtore në fshat, që lindi gjashtë e rriti shtatë fëmijë. Kurse Selvija ishte aktiviste e shquar në fshat gjatë luftës ndaj edhe u zgjodh kryetare e grave antifashiste të krahinës së Çepanit. Mbeti deri në fund të jetës së saj një nënë e fortë, një grua punëtore dhe organizatore e njohur, bamirëse dhe me një komunikim shumë të ngrohtë me të gjithë njerëzit e çdo moshe.

Rini e shkrirë në luftë për çlirim

I riu i shkathët Yzedin B. Basho fillimisht aktivizohet në çetën territoriale të Çepanit, ku si korrier e ku si veprimtar në ndonjë aksion të vogël luftarak. Ish djalë i hedhur, kishte shumë dëshirë armën, sulmin, dhe nuk ia bënte ‘tërr’syri. “Merre, ta kam besuar ty, o Vaip! Është trim!”- i pat thënë Brahimi Vaip L. Gogos, njeriut që u bë legjendë e trimërisë në Skrapar, aty nga marsi i vitit 1944. Dhe Vaipi e futi Yzedinin “nën gunën e vet”. I rregjistruar në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare qysh më 4 prill 1944, më 22 qershor rreshtohet luftëtar në batalionin”Riza Cerova”, inkuadrohet partizan në Br.7S . Ai luftoi edhe në tokat e Jugosllavisë. Merr plagë, por nuk i përfill ato. Qëndron në luftë deri në çlirimin e plotë të atdheut.

Përvoja e jetës

Pas luftës titullohet oficer, punon në reparte të ministrisë së mbrojtjes dhe më pas caktohet me detyrë në repartet për ndjekjen e bandave të diversantëve në rrethin e Matit, ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme për zgjuarsi, trimëri, krenari dhe  aftësi drejtuese. Në vitin 1948 e nxjerrin në rezervë dhe punon në administratën civile pak kohë në Burrel. Pistoletën nuk e hoqi kurrë nga brezi. Me shkollën e fshatit dhe atë të luftës si dhe disa kurse të shkurtra, në vitin 1949 caktohet me punë instruktor në Komitetin e Partisë të rrethit të Skraparit. Aty u zgjodh sekretar i parë i rinisë së rrethit (ishte vetëm 22 vjeç) dhe anëtar i këshillit popullor të rrethit. Si gjithnjë Yzedini, binte në sy për forcë organizuese, fuqi bindëse dhe figurë e një të riu të vrullshëm në kompleksin e punës mobilizuese për kapërcimin e gjendjes shkatërrimtare të pas luftës.

Viti 1955 Yzedinin e gjen në Lushnjë, me detyrën e sekretarit politik të Stacionit të Makinave e të Traktorëve (S.M.T.)- një ndërmarrje e re, e madhe e me peshë në ekonominë e atij rrethi, që konsiderohej si ‘hambar të Shqipërisë’. Aty ai punoi me zgjuarësi, zotësi  e kompetencë. I njohur për aftësitë e tij organizative më 1956, kur ai ishte drejtor i S.M.T. në Lushnje e kërkon fshati i lindjes për ta pasur kryetar të parë të kooperativës bujqësore. Kolektivizimi i bujqësisë dhe ecuria e ekonomisë në atë rrugë të paçarë, atë kohë ishte detyra më e vështirë. Ai e drejtoi kooperativën e fshatlindjes së tij me aftësi të rralla, duke udhëhequr me shembullin personal. Më pas u zëvendësua nga Bato J. Plaku.

Në vitin 1961 ngrihet në Çorovodë Ndërmarrja Bujqësore ”5 Shtatori”, që ndryshe quhej ‘fermë’; e para e këtij lloji në bujqësinë e rrethit të Skraparit. Yzedini, si njeri me dorë të hekurt, u caktua drejtor i parë i saj. Ishte ndërmarrje shtetërore, e cila do të shërbente si shembull për të gjithë bujqësinë e atij rrethi malor. Për katër vjet, deri në 1 prill 1965 ajo ndërmarrje u zgjerua duke përfshirë territoret e sipërfaqeve të tokës së fshatrave Zhaban, Zelënckë, Çerenisht e Sharovë. E nisi punën me pak hektarë tokë dhe disa puntorë dhe Yzedini e la me 390 puntorë e 245 hektarë sipërfaqe të mbjellë me lloj-lloj pemësh, frutash, perimesh etj. Për kontributin e madh që dha në këtë detyrë, për gjurmët mbresëlënëse si drejtor i kësaj ferme , në gojën e popullit mbeti emërtimi “Ferma e Yzedinit”. Në vitet 1965-1968 u zgjodh kryetar i lokalitetit të Qendrës, ku përfshiheshin 25 fshatra, të cilat përbënin 1/3 e sipërfaqes së tokës bujqësore të rrethit të Skraparit, detyrë, të cilën ai e kreu me sukses. Në të pastajmen ka drejtuar me zotësi ndërmarrjen e ujrave, të farërave, bazën e furnizimit të bujqësisë së rrethit dhe së fundi kreu detyrën e drejtorit të arkës së kursimeve e sigurimeve të qytetit të Çorovodës. Yzedini u nda nga jeta më 26. 06. 1981 dhe u përcoll me të gjitha nderimet e merituara.

Yzedin B.Basho, bëri, shkroi dhe mbeti në histori

Burrë me shpirt të pastër, trup të ngjeshur dhe shpatulla të gjera, me sy të qeshur, por me fytyrë të rreptë dhe pak gjaknxehtë, ai do të mbetet në kujtesën e njerëzve që e njohën si drejtues i fuqishëm, organizator, i ndershëm dhe punëtor, i papajtueshëm me padrejtësitë, një nga ata kuadro, që mund të drejtojë çdo sektor të jetës shoqërore falë aftësive të tij. Burrë krenar, trim, guximtar që imponon respekt. I paduruar dhe i pamëshirshëm me të pabindurit dhe veçanërisht ndaj shkelësve të ligjit. Yzedini u binte cep më cep arave të Çepanit, kur qe kryetar i kooperativës bujqësore dhe kur qe drejtor ferme në Çorovodë. Kërkonte llogari rreptësisht për mbarëvajtjen e punëve e ruajtjen e pronës. Ai ishte specialist i bujqësisë, i pemtarisë, i farërave dhe i mekanikës bujqësore. Për këto sektorë ai shkroi shumë artikuj në gazetën “Jehona e Skraparit”. Njeri i rakisë, dollisë, miqësisë; i besës, i fjalës, i shoqërisë së vërtetë e mbi të gjitha njeri i punës, njeri i patrembur nga asnjë lloj vështirësie dhe me moral të lartë në çdo situatë.

I tillë ishte Yzedin B.Basho, bir i Çepanit dhe tërë Skraparit. Individë të tillë të shquar të historisë së Çepanit si Yzedin Brahim Basho, të cilët lulëzuan në vitet 1940-1985, natyrshëm kanë veçoritë personale, por kanë si emërues të përbashkët luftën e pashëmbullt për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj e më pas, punën vetmohuese me ndërgjegje të lartë për ndërtimin e shoqërisë së re shqiptare pa mjerim, pa vuajtje, pa shtypës e të shtypur. Të tillë mund të përmendim (sipas alfabetit): Abedin L. Abazi, Barjam H. Basho, Barjam Q. Koçumi ,Barjam M.Bregu,Bato J. Plaku, Fejzi H. Sanxhaku, Ferhat A. Meta, Haziz M. Bregu, Ismail V.Abazi, Nazif Sh. Osmani, Nazim Xh. Osmani, Qemal H. Bego, Qerim R. Dume, Rakip Q. Laço, Riza L.Gogo, Selim H.Gogo, Skënder A. Bego, Vaip L .Gogo, Xhafer S. Qazimi, Xheladin Basho, etj etj. Ata të gjithë, e midis tyre Yzedini ynë zemërzjarr e shpirtbehar, do të mbeten frymëzim për brezat e çdo kohe. Ja një strofë shkruar në kujtim e respekt të tij:“Arave të Çepanit endesh ditë e natë,/ Si dragua në luftë, trim dhe në liri;/ Fjala jote mbeti shkëmb e shpatë/ Edhe pse i ikur, ti mbetesh i ri. “

Por jeta e Yzedinit nuk mund të kuptohet pa bashkëshorten e tij, Refidenë. Ishte një grua e zonja, me ndjenjën e dashurisë për punën dhe të gjitha mirësitë, që rriti tetë fëmijë së toku me Yzedinin, i cili edukoi më shumë me jetën e vet të mbushur me punë, se sa me fjalë. Për meritat e tij gjatë luftës antifashiste nacionalçlirimtare dhe për ndihmesën e dhënë në disa prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë në Skrapar e në rrethe të tjerë, Yzedin Basho është nderuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë të asaj kohe, me urdhëra e medalje të ndryshme. Muajt e fundit të vitit 2012 iu dha titulli nderues “Qytetar Nderi” i Çorovodës.Një nga nipërit e tij mban emrin e ringjallur.

Dy fjalë për pasardhësit

Por vlerësimi më i lartë ndaj jetës dhe veprës së Yzedinit është ndjekja prej pasardhësve e udhës së jetës së tij që kishte si moto: me gjak fitohet e mbrohet liria, me djersë e punë ndërtohet jeta e begatë dhe lulëzohet Shqipëria. Dy djemtë e Yzedinit, Aleksandri e Et’hemi, ashtu si dhe gjashtë vajzat, Afërdita, Fatbardha, Mimoza,Valentina, Edmonda, Xhulieta, gjetën veten me punë të ndryshme në rrjedhën e viteve. Ata kanë krijuar familjet e tyre duke mos harruar kurrë shembullin e prindërve, Yzedinit dhe Refidesë. Pasardhës plot dinjitet i të atit, posaçërisht është Aleksandri, apo siç njihet ndryshe”Sandri”, i cili me punën e tij, në truallin ku ti kishte zyrat e punës, në mes të fermës, në një bregore të vogël nga ku drejtoi atë ndërmarrje bujqësore shtetërore, konformë ligjeve të shtetit, ka ndërtuar objektin piktoresk “Kanionet”. Dhe për këto mbi çerekshekulli vite të stuhishme pune, Sandri, duke u angazhuar tërësisht si familje ka bërë një emër të respektuar e të plotmerituar. Labirinthi i veprimtarive jetësore të thuajse tërë Skraparit, nga lindja, martesa, ceremonitë përcjellëse, takime të shoqatës atdhetare “Tomorri” dhe të organizatave të Dëshmorëve e të Veteranëve, aktivitete e mbledhje përkujtimore, pritja e miqve shqiptarë e të huaj deri edhe ambasadorë të ndryshëm të përtej oqeanit, realizohen më së miri te “Sandri”! E gjithë puna e zgjuar e Sandrit në shërbim të  banorëve të vendlindjes, është një pasardhje e denjë, vlerësuese dhe trashëgimi krenarie; ku shndrin vullneti dhe djersa, guximi dhe mençuria e djalit që  hodhi hapat, në kushtet e reja ekonomiko-shoqërore, me atë guxim që kish luftuar e punuar, i ati, i paharruari Yzedin Brahim Basho.

Burimet:

1.Caka, Luman, “Perëndimi i një kohe”, Tiranë 2004,faqe 30.

2.Dokumente arkivore të Komitetit Ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit të Skraparit

3.Dokumente nga Komiteti i Veteranëve të rrethit Skrapar;

4.Dosja personale si anëtar i Partisë Punës së Shqipërisë;

 5.Dyrmishi, Izet “Skrapari në luftën antifashiste nacionalçlirimtare”; viti 2004; faqe 147;

6.Foto dhe shënime nga albumi familjar;

7.Gazeta “Jehona e Skraparit”- koleksioni i viteve 1973-1980;

 8.Gazeta “Kushtrim Brezash” dhe Gazeta “Puna”.

10.Historiku i Çepanit, viti 1976;

11.“I bukuri Çepan”- poezi, 2005;

  1. Libri “Çepani”, 2015, faqe 140-144;

13.Gazeta on line “Orakuj të Tomorrit” janar 2024

14.Kujtime nga pjestarët e familjes;

15.Përjetime personale nga takimet me Yzedin Bashon