Jeta plot peripeci e nënshkruesit të Pavarësisë, Jani Minga

490
Sigal

Së bashku me një çetë të Semanit, luftoi në luftën e Vlorës të vitit 1920

 

 Djalin e madh Pirro, i cili nuk pranoi të ishte anëtar i Partisë Naziste, edhe pse u shërbente gjermanëve si përkthyes, e internuan në kampet e shfarosjes në Gjermani

(Me rastin e 74-vjetorit të vdekjes)

Lindur në fshatin Shënpjetër të Fierit më 1 gusht 1872.  I ati, Kostandini, ka qënë mësues i shqipes në manastirin e Apollonisë. E shoqja, Ana rridhte prej familjes Topia të Beratit. Në Berat kreu shkollën fillore, ndërsa të mesmen në shkollën “Koto Hoxhi” në Qestorat. Shkollën e lartë e kreu në Universitetin e Athinës, fakulteti filologjik. Njihte greqishten e vjetër dhe të renë, latinishten, italishten dhe frëngjishten. Pas largimit nga vendlindja, familja Minga vendoset përfundimisht në Vlorë.

Jani Minga mori pjesë në të gjitha kongreset arsimore. Ishte nismëtar për krijimin e klubit atdhetar “Labëria” më 1889 dhe i hapjes së shkollës së parë shqipe në Kaninë më 1909, ndërkohë hartonte edhe tekstet shkollore: “Abetare kombëtare shqip përgatitore”, “Abetare shqip këndimore”, “Gramatikë e gjuhës shqipe”, etj. Në korrik 1911 mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës, në mbështetje të Memorandumit të Gërçës. Ndërsa, në vitin 1912 fitoi të drejtën e të dhënit lëndën e historisë dhe gjeografisë, pas një konkursi në Janinë, të cilin e fitoi. Më 1912-n Minga mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që shpalli pavarësinë duke shkruar J. Minga. Atë kohë, me hapjen e shkollës së Vlorës, u emërua drejtor i saj.

Petro Marko shkruan në librin e tij “Intervistë me vetveten”:

“Më kujtohej një episod i Vlorës para luftës së Vlorës, kur pushtuesit italianë e kishin detyruar të mbante një ligjëratë në Sheshin e Flamurit, para popullit, për lidhjet ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve. Dhe Jani Minga kishte pranuar. Gjithë populli i Vlorës u habit se si ky Jani Minga, ky antiitalian, do të mbante ligjëratë në Sheshin e Flamurit! Minga, nga ballkoni filloi:

“Popull div i Vlorës! Siç më njihni, unë jam mësues. Dhe sot dua t’ju jap një mësim të hapur. Na ishte njëherë një shkrimtar i vjetër grek që quhej Ezop. Ky Ezopi ka shkruar fabula për kafshët. Një nga ato fabula është edhe kjo: Na ishte njëherë një qen dhe një lepur. Qeni lepurin herë e ndukte dhe herë e puthte. Dhe lepuri i gjorë i tha një ditë qenit: “O qen, nëse të kam mik, pse më nduk? Nëse të kam armik pse më puth?..” ”

Jani Minga, së bashku me një çetë të Semanit, luftoi në luftën e Vlorës të vitit 1920. Ai pati nderin të mbante fjalën e fitores në sheshin “Pavarësia”.

Më 1922 mori pjesë në kongresin e arsimtarëve në Tiranë. Ishte përkrah Nolit gjatë kryengritjes së qershorit 1924 dhe mbajti fjalën e rastit kur trupat kryengritëse hynë në Tiranë. Vite më vonë iu përkushtua arsimit, si mësues e inspector, dhe kohë më kohë, organizonte aktivitete me frymë patriotike, si psh., përkujtimin e betejës së Mashkullores dhe figurën e Çerçiz Topullit etj.

Djali i madh i Jani Mingës ishte Pirro, i cili nuk pranoi të ishte anëtar i Partisë Naziste edhe pse u shërbente gjermanëve si përkthyes. E internuan në kampet e shfarosjes në Gjermani nga nuk u kthye kurrë. Edhe djali tjetër i Janit, Mërkuri, pati një fat tragjik. Mërkuri vdiq si pasojë e një rrëzimi nga moli në portin e Vlorës. Atë e gjetën në mëngjes, në gjendje tejet të rëndë shëndetësore dhe e dërguan në spitalin e Janinës. Me gjithë ndërhyrjen dhe terapinë intensive të mjekëve, djali i dytë dhe i fundit i Jani Mingës, nuk i mbijetoi dot plagëve të gozhdëve dhe hekurave të ndryshkur. I depresuar prej tragjedisë familjare, Jani Minga vdiq më 7 maj 1947.

Shpallja e Pavarësisë

Shpallja e Pavarësisë (ose Deklarata e Pavarësisë) është shpallja e pavarësisë së Vilajeteve shqiptare nga Perandoria OsmaneShqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Pavaresise shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë,per shkak se kombi shqiptar ishte i rrëzikuar nga vendet fqinje sepse kishte nje vlerë të madhe gjografike dhe strategjike. Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Përfaqësuesit e tyre bënë përpjekje për t’u lidhur me fqinjët në luftën e përbashkët kundërosmane, por këto përpjekje dështuan për faj të krerëve të Aleancës Ballkanike, të cilët nuk dëshironin t’i kishin shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në këtë aleancë, sepse ishin marrë vesh ndërmjet tyre për copëtimin e Shqipërisë. Prandaj, shqiptarët nuk hynë në një aleancë, krerët e së cilës synonin t’i përdornin ata si mish për qentë në luftën kundër Perandorisë Osmane. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë aleancë, pa u njohur zyrtarisht të drejtat e tyre, do të ishte një vetëvrasje. Planet aneksioniste të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë kundrejt Shqipërisë ishin plane që filluan të viheshin në jetë me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, ishin krijim i një politike të pajustifikueshme armiqësore ndaj një populli fqinj, që kishte bërë një luftë të vazhdueshme kundër sundimit shekullor osman dhe kishte treguar se ishte një aleat i sigurt në luftën kundër armikut të përbashkët. Shtetet ballkanike jo vetëm dërgonin ushtarët e tyre të vriteshin me shqiptarët, që ishin të vendosur të mbronin deri në fund lirinë e tërësinë e tokës së tyre, por edhe u jepnin Fuqive të Mëdha një armë të fortë në dorë për të ndërhyrë në punët e Ballkanit, që të vinin në orbitën e tyre si popullin shqiptar, ashtu edhe popujt fqinjë. Për këtë arsye, Lufta Ballkanike krijoi në Shqipëri një gjendje shumë të ndërlikuar e kontradiktore. Nga njëra anë, në masat popullore vazhdonte të ishte gjallë fryma e luftës kundër zgjedhës osmane, nga ana tjetër, po bëhej gjithnjë më i qartë rreziku që kërcënonte Shqipërinë nga fqinjët ballkanikë, të cilët pas dëbimit të turqve nga gadishulli synonin të zinin vendin e Perandorisë Osmane në të dhe të fshinin kombin shqiptar nga harta politike e Ballkanit.