Ergys Alushi: “Vlerat e qytetit tim” në ekspozitën e Zeqir Alizotit

1369
Sigal

Skulptori i njohur vlonjat Zeqir Alizoti ka hapur në qytetin e Vlorës, hollin e teatrit, ekspozitën artistike “Vlerat e qytetit tim”, me skulptura e piktura të punuara prej tij. Në ekspozitën që do të qëndrojë e hapur deri në datën 19 korrik spikatin skulpturat e portreteve në bronz e në allçi të disa nga artistët e mëdhenj të Vlorës e Shqipërisë, si Albert Vërria, Liza Laska, Dhimitër Anagnosti, Skënder Kamberi. Në hapjen e ekspozitës kanë marrë pjesë shumë personalitete të jetës kulturore në qytet e më gjerë, si kineasti i mirënjohur Dhimitër Anagnosti, aktorja-ikonë e skenës dhe ekranit Roza Anagnosti, Piktorët e Popullit Skënder Kamberi e Nestor Jonuzi,
Me mbarimin e studimeve në Akademinë e Arteve në degën e skulpturës, në vitin 1974, ai ka zhvilluar një aktivitet të gjerë artistik duke marrë pjesë në mjaft ekspozita në qytetin e Vlorës, por edhe në rang kombëtar. Ka çelur ndërkohë dhe disa ekspozita vetjake jashtë vendit; si në Itali, Greqi, Rumani, Francë etj. Skulptori Alizoti ka realizuar vepra me karakter monumental, të cilat janë të vendosura në objektet social-kulturore, ndërkohë që disa vepra të tij të skulpturës së parkut janë vendosur në parqet e qytetit. Pas viteve ’90 punoi si krijues i lirë, ku krijimtaria e tij u përshkrua nga një frymë lirike, lëvroi disa teknika si qeramikën, bakrin, gurin, drurin dhe bronzin. Disa nga veprat e tij më të mira gjenden në Galerinë e Arteve në Vlorë dhe në Tiranë. Është bashkautor i shtatores së Ismail Qemal Vlorës, vendosur në Skelë, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Kanë thënë për të

Muntaz Dhrami – Skulptor i Popullit
“Skulptori Zeqir Alizoti dallohet në krijimtarinë e tij për ngrohtësi plastike, për zgjidhjet kompozicionale të larmishme dhe origjinale për silueta të qarta dhe modelim mjeshtëror.”

Skënder Kamberi – Piktor i Popullit
“Krijimtaria e tij e deritanishme përforcon definicionin e Winkelmanit që thotë: “Evropa juglindore, Ballkani do të pjellë gjithmonë artistë”. Një nga këta është edhe skulptori Zeqir Alizoti.