Fadile Laçej, drejtuesja e parë e “Shtëpisë së Fëmijës”

474
Sigal

E  dhimbshme  në   palcë,  e  përkushtuar  në    themel

Fadile Laçej një ndër drejtueset e para të “Shtëpisë së Fëmijës”

Sot  në  këto sfida të vështira pandemie që po kalon globi,  nënat  janë të parat ato që kalojnë çdo vështirësi e  sakrificë,  që harrojnë veten  e  tyre  për  t’u  dhënë dashuri  e  ndihmë fëmijëve  e  të afërmve të tyre, për  t’i dhënë dashuri nga shpirti  i  tyre  e,  duke  shkrirë gjithçka   me  dashurinë   e  tyre  pa  kufi. Le  të fryjnë erërat e forta,  dhjetra sfida;  le  të vërshojnë   me  qindra  lot  shiu nga sytë  e  tyre,  dashuritë  nuk lëvizin,  janë  të freskëta  e  të pastra si qielli, sepse dashuritë  e  nënave,  janë  dashuri  më  të mëdha  në  botë,  janë  dashuritë  e emocioneve  plot  ngjyra  e  këngë zogjsh,  si pranvera që po vjen.  Ndaj nënat  i  kujtojmë  në  çdo rast,  çdo përvjetor  e  çdo ditëlindje.

 

E  sot,  ti ke përvjetorin  tënd  mama  Fadile.  Si sot  90 – vjet   më  parë linde si engjëll  i  vogël,  për  t’i bërë ballë jetës.  Nuk dije çfarë ishte jeta!  Erdhe në jetë  për  të jetuar,  pa  ditur si  do të priste. Nuk dije çfarë ishte jeta. E çfarë  do  të ofronte.  Shtegtuan vite me rradhë.  Dallgët   e  jetës të përplasën pa mëshirë  e duke shkaktuar vorbull ngjarjesh, që i mbijetuan kohës. Ngele e vetme, fëmijë me katër vëllezër të vegjël, pa nënë. Dallga tjetër të përplasi pa mëshirë përsëri, babain t’a masakruan okupatorët gjermanë. E  t‘i përsëri e vetme me  katër vëllezër të mitur, duhej të ecje e përballoje jetën. Të afërm ju rritën, apo ju u rritët vetë si të mitur apo me  ndihmën  e të tjerëve? Jetimi ka dashurinë,  ndjeshmërinë  në  thelb,  ndaj dhe dhimbjen e ka deri në palcë e përkushtimin  në  jetë  në  themel.

Vitet  vazhdojnë  rrugën  e  tyre si një trajektore  herë – herë të pasigurtë. Filloi  Lufta  e Dytë Botërore e mama Fadilja dhe vellezërit  e saj  të vegjël futeshin  në  shpella, për t’u mbrojtur nga bombardimet e të papriturat e luftës, që shfaroste jetë njerëzish e frikësonte shpirtin njerëzor.  Ekzistenca e jetës në  vazhdimësinë e saj ishte në dilemë. Diçka po lëvizte e shpërndante një  mjergull.
E  mama  Fadile, u  rrit si jetime tek të afërmit  e saj: familja Kastrati në Shkodër, ku Hajrulla Kastrati (Mësues  i  Popullit dhe  Hero i  Luftës Nacionalçlirimtare),  jepte mësimin  e  gjuhës shqipe  në  Shkodër,  MbiShkodër  e  në  zonat  e   thella të malësisë.  Ato  e  edukuan  me  frymën e lartë patriotike duke i dhënë shpirtin e zjarrtë, për liri duke i dhënë  frymën antifashiste. (ndaj dhe sot, ajo mban titullin e nderuar të veteranit të luftës Nacionalçlirimtare.)

Vitet vazhdojnë rrjedhën…

Jeta të jep shuplaka, dhe  forcë,  por dhe dashuri,  dhëmshuri dhe përkushtim.  Mbas shkollimit dhe krijimit të një familje të shëndoshë, nënë Fadiles iu caktua detyra për drejtimin  me  shoqe në rritjen  e  fëmijëve  jetimë të shtëpisë  së  fëmijëve. E kur e ke kaluar këtë dallgë të furishme  në  jetë, kush  më  mirë do të dinte të drejtonte, ndihmonte e përballonte këtë sfidë të jetës?… Jetimë që duhej të rriteshin, edukoheshin e shkolloheshin për  t’ju përshtatur jetës që i  priste plot sfida.

Je  në kujtimet tona Nëna Fadile!

…Sa  shumë  i  deshe ata fëmijë jetimë!  I merrje me vete në shtëpinë tënde që të ndaje bukën bashkë  me  fëmijët  tuaj. E kur ndonjë prind i interesuar për të parë jetimin e saj, si: nënë Vitorja kërkonte Altinin, ose Enrietën, ato ishin bashkë, duke u  argëtuar e  ndarë bukën me fëmijët e  Fadiles në shtëpinë e  saj. Vitet e vështira, por plot  dashuri,  kujtime, që të bien ndër  mend  sapo shkruan këto rrjeshta.

Ishte ditë  e veçantë dhe Fredi  do të shkonte të takonte për herë të parë nënën. Ishte bebe kur e kishin sjellë nga Berati në shtëpinë e fëmijës. Ishte ndarë nga nëna për rrethanat e vështira të jetës. E tani,  shkon si një djalosh i ri, me dhuratën e veçantë: me lule në duar që i dridheshin pa ia dhënë ende nënës.

U  rrit Fredi. Vitet iknin…E  mama  Fadile, si  nënë  e  vërtetë, do organizonte  me  shoqet  e  saj të punës  Luizën, Nazmijen, Afërditën,Thëllënzën etj, dasmën modeste  në  një shtëpi të sapo dhuruar nga shteti.  Fredi dhëndërr, i ri, i përgatitur për jetë e  punë. E të gjithë  sëbashku festonin këtë ditë të veçantë të jetës së  tij me  këngë, lule e vello të nuses së  bukur, duke  lënë tej krahëve në pamundësi, mungesën e  madhe të dashurisë prindërore,  por ai kishte një dashuri të madhe të një familje të madhe që ishin rritur bashkë…

Troket zilja  e  shtëpisë  në  rrugën “ Artan Lenja”.  Është Fredi  me  shokë që po sjellin lulet  në  shtëpinë  e  mama Fadiles. Është  7 Marsi.  Kalon muaji dhe përsëri tek dera  pret  tufa me  lulezambakë  për  ditëlindjen e mama  Fadiles. Ishin fëmijët, që  mama  Fadile kishte rritur e edukuar,  ajo ishte nënë e të gjithëve, ishte nënë e një familje të madhe.

…Troket zilja  e  shtëpisë  në  rrugën “Artan Lenja”. Është Fredi, që po sillte postën në shtëpinë  e  mama  Fadiles. Kënaqësi  më  të madhe nuk kish. Kur mamaja hap derën shikon postier Fredin: tashmë  i  rritur që po kryente  punën e  tij  plot  përkushtim.

…E  fëmija tashmë e rritur Enrjeta Zhilla, e  rritur në shtëpinë  e fëmijës, po shfaqte talentin  e  saj  në  pikturë. Vazhdoi shkollën dhe sot  piktore e diplomuar në Akademinë e Arteve.  Ishte  mama  Fadile që  i  kish ofruar një familje shkodrane për të kaluar pushimet.(mikëpritje e kahershme i familjeve fisnike shkodrane).  Sot  ajo ka krijuar familjen e saj në Itali.

Kujtime, emocione, shpirt fisnik  i  mama Fadiles me shoqe, që dha gjithçka nga zemra e tyre  për  të rritur fëmijë, të cilëve u mungonte dashuria prindërore, por që  iu dha  me  pashë  e  pa  kufi nga nënat, që i rritën e i edukuan këta fëmijë, i shkolluan nën drejtimin  e  profesor  Kasemit, me një modesti të admirueshme, dhe me mësueset: Lejla, Afërdita,                                    Refikaja etj.  Ata  dolën  në  jetë  duke pasur  përkrahje dhe mbështetjen e familjes së madhe ku  u  rritën. Dhe sot, ata kanë komunikim të vazhdueshëm  me  njeri –tjetrin,  në  familjen  e  tyre të madhe.

Sot, ty  mama  Fadile, të kujton familja, të gjithë ata që të kanë njohur, si dhe fëmijët e familjes  së  madhe.  Respekt  në përvjetorin  e  ditëlindjes tënde!  Një jetë e tërë e gjatë e plot dashuri,  një jetë e gjatë plot përkushtim. Ishte e  dhimbshme deri në palcë, e përkushtuar deri në themel  për  familjen tënde dhe  për  të gjithë fëmijët e  familjes  së  madhe, që ti i deshe aq shumë.

Ulliri që ti mbolle  në  80- vjetorin e ditëlindjes tënde, si një shenjë e miqësie,  është rritur  e  gjithmonë na kujton fisnikërinë e dashurinë që u le fëmijëve të t’u që i rrite me aq dashuri e të sa  e  sa fëmijëve që i  rrite si një familje e madhe, shumë e madhe.  Paç  gjithmonë ditëlindje!

Le  të jenë këto rrjeshta një homazh  për  përvjetorin  e  lindjes tënde,  një tufë trandafilash të bardhë  në  shtëpinë tënde të përjetshme dhe  në  stolin ku ti qëndroje, në  parkun e madh të kryeqytetit. Këto janë fjalë bije, prej shpirti dhe zemre./ Arminda Laçej