Për të evokuar të vërtetën historike që lidhet me individin atdhetar të mirënjohur por “pak të njohur” të Kapllan Asllan Begos, lindur në fshatin e lashtë të Çepanit, lipset që të shkruaj bazuar në dokumente historike dhe pastaj në gojëdhënat e ardhura në ditët tona, të cilat janë ose të hiperbolizuara, ose të injoruara e sakatuara nga ndikime të skajshme politike të viteve 1945-1990, madje dhe i pasviteve 1990 deri më sot.
Kapllan A.Bego (1884-1939)
Kapllan Asllan Bego ka lindur në vitin 1884 në Çepan dhe vdiq po aty në javën e parë të prillit 1939. Ky fakt është kuptimplotë: Ai nuk iu nda vendlindjes dhe punoi për të. Ishte i pari i nëntë fëmijëve të Asllanit. I ati ka qenë i aktivizuar në disa momente të lëvizjeve përparimtare të Shqipërisë së Jugut.Në 14-17 janar 1921 Asllan Bej Çepani ka qenë delegat në Kongresin e parë Bektashian në Shqipëri, që u mbajt në Teqenë e Prishtës.
Qysh i vogël, Kapllani ka qënë tepër i shkathët, çapkën, i lëvizshëm dhe i mprehtë. Kapllani ka marrë arsim në kushtet dhe institucionet shqiptare të asaj kohe duke u rreshtuar në rradhët e njerëzve të shkolluar për kohën. Në nëntor 1921 ai shkruan se ka kryer shkollën shqip dhe turqisht. Po aty ai tregon se është i martuar dhe ka një fëmijë. Gruaja e parë e Kapllanit vdiq në vitin 1927. Ajo ishte e urtë e paqme dhe nikoqire. Në vitin 1931 ai u rimartua me Këzen me të cilën nuk pati fëmijë. Ajo ishte grua e shkuar me njerëzit. Kanë qënë vitet ’20 të shekullit të XX-të kur Kapllan A. Bego ishte kryetar në komunën e Konakut dhe kur në fshatin Ermënj mori në mbrojtje një vajzë të vogël të mbetur jetime me emrin Shefe. E bëri si vajzën e vet e familjarisht e rriti deri sa e martoi.
Shtëpitë e Kapllan A.Begos
Detyrat shtetërore
Kapllan Bego, falë shkathtësisë dhe forcës organizative të tij për t’u angazhuar me punë shteti, përveç atyre të shtëpisë e bujqësisë, si dhe arsimit me të cilin qe paisur, mundi të sigurojë punë në administratën shtetërore. “Tetë muaj arkëtar i financës së Skraparit me rrogë mujore franga ari 100”; më pas në atë të nënprefekturës së Përmetit dhe më tej fitoi besimin për t’u bërë kryetar komune në Konak të Tomorricës. “Tre muaj nënkrahinor” i Skraparit dhe “10 muaj krahinor në Vëndreshë e në Çepan”, për ta mbyllur si krahinor i Koprenckës. Në janar 1921 ai pushohet nga puna prej regjimit të Ahmet Zogut. Por Kapllani, s’mund të rrinte pa u punësuar në shtet. Dy arsyet më kryesore qenë: puna e shtetit të jepte një farë të ardhure në pará që mund ta përdorje lehtë për jetesë dhe e dyta, ishte njëkohësisht ombrellë për të maskuar veprimtarinë atdhetare. Ka mundur të arrinte që të caktohej edhe në detyrën e nënprefektit në Librazhd për pak kohë, në vitin 1923.

Kalendari i veprimtarisë atdhetare të Kapllan A. Begos
Nga hulumtimet e kryera për Kapllan Begon evidentohen, një sërë aktivitetesh, ngjarjesh të karakterit të luftarak e atdhetar.
Viti 1903 – bashkohet me idealet e Ali Farmaqit, i pari komandant çete i zonës, për të formuar çetën patriotike dhe mbetet pjesëtar i saj në disa luftime.
1906 -merr pjesë në luftimet trup më trup në Bubës ku u kapën 18 robër turq.
1909- mer pjesë në luftimet në Qafën e Barmashit në rrethin e Ersekës.
1909- gjendet në luftimet në Qafën e Qarrit dhe në Qafën e Lubonjës kundër disa banditëve vendalinj të cilëve u shkaktuan humbje të rënda.
1909- në hyrje të Vithkuqit një repart turk e godet çetën e Ali Farmaqit në befasi. Luftimi, ku mori pjesë edhe Kapllani dhe kishte shumë humbje nga pala e çetës. Ardhja e ndihmave prej luftëtarëve të Lace Backës qe vendimtare.
23 korrik 1912-U nis për të marrë pjesë në Kuvendin e Sinjës, tok me shumë skraparas midis tyre edhe Muço Kapinova.
Prill-Maj, 1912-pjesmarrës në komitetin kryengritës të përbashkët të Shqipërisë së jugut në Frashër. Aty diskutuan me zjarr në mbrojtje të lirisë dhe për të shporrur turqit. Themistokli Gërmenji e përshëndeti me fjalët : “Të paça o vëllai im skraparli. Së toku do ti mundim turqit e grekërit!”.
Janar 1920- mer pjesë në Kongresin e Lushnjës. Shkon si luftëtar por e shfrytëzoi tribunën e Kongresit dhe diskutoi me patriotizëm të rrallë. Thelbi i diskutimit të tij ishte: Shqipëria të jetë zonjë më vete dhe e pavarur nga të tjerët.
Mekami i Çepanit që ndërtoi K.Bego, skicë nga Kosta Raka
Nëntor 1920 -pjesmarrës në luftën e Vlorës së bashku me çepanlliun Tahir Ferhat Metën.
20 mars 1921- Kapllan Çepani së bashku me Hysni Vëndreshën ( Zaimi) formuan shoqërinë “ Tomorri” në qytetin e Skraparit (Çorovodë) me kryetar z. Hysni Vëndresha. Ishte koha kur Tomorrica u bashkua me Skraparin në një rreth. Statutin e kësaj shoqërie e dërguan me postë në Vlorë tek kryesia e Federatës së madhe “ ATDHEU”.
Në prill 1921 Kapllan A. Çepani u caktua përfaqësues delegat i shoqërisë “ Tomorri” për të marrë pjesë në Kongresin e asaj Federate ; Më 25 prill deri më 3 maj 1921 merr pjesë në Kongresin e Federatës së Madhe “ ATDHEU”, që u mbajt në Vlorë. Aty kishin ardhur përfaqësues të 25 rretheve të Shqipërisë. Këtë Federatë e drejtonte Heroi i Popullit Avni Rustemi. Kapllan Asllan Çepani përfaqësonte në këtë kongres rrethin e Skraparit si i pari i shoqatës “ Tomorri”.
Në një takim me anëtarë kryesorë të qeverisë më 1934, Kapllan A. Çepani, së toku me Sinan Leshnjen, Pasho Hysin,Baba Aliun, ishte në përfaqësinë e rrethit të Skraparit. Në këtë takim, skraparasit patriotë paraqitën kërkesa me karakter ekonomik për rrethin e tyre. Kapllan A. Bego njihej dhe kishte bashkëpunim me shumë patriotë dhe luftëtarë të dëgjuar si Muço Kapinova, Ahmet Staravecka, Baba Braho i Qesarakës, Riza Cerova, Jaçe Gjergjova, Sinan Leshnja, Selim Qulli, Tefik Rogu, Zylyftar Veleshnja etj. Ishte antizogist deri në fund të jetës së vet. Ai udhëhiqej nga ideale patriotike. Ja ç’thotë Zylyftar Veleshnja në kujtimet e tij : “Ka qënë fundi i shkurtit ose fillimi i marsit 1939. Shkova në Çepan për miqësi te Isaku. Aty gjej edhe postkomandantin Sabri Mazrekun dhe Kapllan Çepanin. Në muhabet e sipër plasi zënka sepse kapteri ngriti një dolli për Zogun por unë nuk e piva. Po ti pse nuk e pi apo nuk e do mbretin, më thotë kapteri. Më hipi në kokë e si lashë gjë pa thënë ! ….” Zylyftari nuk e zgjat më po lë të kuptohet se dy çepanllinjtë, Isaku e Kapllani, ishin në një mendje me të. Në një bisedë shoqërore të zhvilluar në një fshat të komunës së Gjerbësit, Kapllani e quante Zogun dallkauk. Është e vërtetë se ai, Kapllani, është pushuar së fundi nga puna për qëndrimin e tij antizogist.
Në ndihmë të fshatlindjes së tij
Në jetën e tij Kapllani ka qënë bamirës. Në vitin 1934 ai ideoi dhe pagoi paratë për të ndërtuar Gurrën e Madhe të Çepanit,nga dy mjeshtrit oparakë Brahime Shahin Muçaj,ku uji rrjedh papushim çdo stinë edhe sot e kësaj dite. Ka qënë e mbetet një vepër madhore për fshatin. Shtëpitë dy katëshe të familjes Bego në Çepan Kapllani i ndërtoi me ustallarë oparakë në vitin 1924, me një projekt që e mori në Strafickë. Këto shtëpi, porta dhe dritaret e së cilave me qemerë me mbulesë dhe me gurë të skalitur,me avlli të rrethuar me mur, me dyer druri bojëkafe, me tre harqe në hyrjen e brendshme kryesore etj, kishin gjithëpoaq vlera shumëplanëshe.Gjatë viteve 1943-44 dhoma të shtëpive të familjes Bego u shfrytëzuan për spitalin partizan të Çepanit dhe pas vitit 1945, u përdorën si zyra të administratës së lokalitetit, mjedise për shëndetësinë, etj. Sot prej atyre shtëpive dy katëshe e të bukurndërtuara, kanë mbetur vetëm disa pjesëza muresh, dritaresh dhe gurësh. Kapllan Bego ka qenë edhe ai që ideoi, organizoi punën dhe financoi në shumën më të madhe për ndërtimin e mekamit që ka qenë në mes të fshatit aty pranë Gurrës së Madhe. Ai, pastaj, këmbënguli në ecurinë pozitive fetare të këtij mekami të fshatit Çepan që njihet me emrin”Mekami i Dervish Hasanit”; ndërkohë në fshat, pak përpara tij ka pasë qenë ndërtuar edhe mekami i Dervish Myrtezait në lagjen Laçollarë (Kadillarë). Mekami i Dervish Hasanit si objekt kulti u ndërtua në qendër të fshatit, në fillimet e viteve ’30-të shekullit të kaluar deri në vitin 1966; aty ka shërbyer për një kohë të gjatë dervish Hasani nga Kolonja, i cili fillimisht u përkrah nga Kapllan Bego që të strehohej, ushqehej dhe pastaj të fillonte shërbesat fetare sipas kërkesave të normave të besimit të sektit mysliman bektashi. I lidhur me pronën e tokën Kapllani ishte njeri i mençur, dinte të shfrytëzonte momentet që sillte situata. Ashtu siç kishte bërë dikur i ati Asllan, ai me punën e vet, me të ardhurat që siguronte nga shitja e produkteve, nga paga prej funksionit shtetëror dhe nga “bollëku që sjell kallaballëku”, i një familjeje me shumë krahë pune mundi të kullandriste tokën e trashëguar nga paraardhësit e fisit. Përveç vëllazërisë së gjerë ai pajtoi edhe dy tre punëtorë sezonalë ose me afate disavjeçare. Efektivisht ishte më i kamuri i fshatit.Vetë Kapllani prirej nga mendimi për të ndihmuar bashkë fshatarët brenda koncepteve të kohës që jetoi.Krenaria e të qënit skraparli, kryelartësia e të quajturit kapedan, të dyja këto të trashëguara, cilësimi i hershëm si familje beu,(ishte koha kur ish e detyrueshme moralisht që të përdorej cilësimi “bej” deri në sferat më të larta fisnore e qeveritare, normë zakonore kjo, e ngulitur nga sundimi pesëshekullor turk), forca imponuese me bëma lufte dhe aftësi organizative, zotësia për t’iu përshtatur kërkesave të kohës që jetoi e luftoi, – të tëra këto e bënin Kapllanin të ishte ndër më të mëdhenjtë e fshatit Çepan për periudhën 1905-1940, por edhe ndër më të njohurit skraparas të atyre viteve. Këtyre treguesve, kur iu shtojmë forcën e argumentit, fuqinë dashamirëse të fjalës së tij dhe potencën e pasurisë çojnë në mendimin që Kapllani ka lënë gjurmë jo vetëm për progresin e fshatit Çepan por edhe më gjerë në Skrapar. Kapllan Bego jetoi thuajse në një kohë edhe me disa figura çepanllinjsh jo më pak të njohura në rrafshin rajonal e kombëtar, Ali Hasan Farmaqi (Çepani),Rustem Hajrullah Osmani (Çepani), Baba Tahir Shahin Osmani (Çepani) dhe Baba Zenjel Dume.
Gurra e madhe që ndërtoi Kapllan Bego,1934, është edhe sot 2025
Kapllan Asllan Bego- familje kulaku
Babai i tij, Asllani kish vdekur para vitit 1930; edhe Kapllani vdiq natyrshëm në prill 1939.Në krye të familjes tashmë ishte Besim Bego, i cili nuk zotëronte cilësitë pozitive,zgjuarësinë dhe aftësinë organizuese që kishte Kapllani.Pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, në vitin 1945-1946, përfaqësues të pushtetit të ri të porsavendosur, në rrethin e Skraparit, duke bërë vlerësimet e gjendjes ekonomike e financiare të atyre që ishin quajtur (apo që ua kishin ngjitur) “bejlerë e agallarë”,veçanërisht të tokës dhe bagëtive, si dhe qendrimin jo përkrahës e përparimtar ndaj pushtetit të ri popullor që mbajti Besimi, e cilësuan familjen e Besim A. Begos,vëllait tjetër pasardhës, familje kulake.Sipas direktivave të partisë dhe ligjeve të asaj kohe, organet përkatëse morën masa të rrepta duke konfiskuar dhe shtetëzuar pasurinë e familjes së madhe të familjes Bego dhe ndëshkuar vëllezërit e tij. Besimi, familjarisht u internua në Çermë të Lushnjës ku pati një fund tragjik; Hasani u shua në fshatin e lindjes nga sëmundja,kurse Seit A. Bego, vëllai më i vogël,(i pamartuar),u pushkatua qysh në vitin 1944.Është folur se ky pushkatim u bë gabimisht nga forcat e Br1S. Vëllai tjetër, Novruz A.Bego, njeriu i urtë e punëtor, me banim të përhershëm në fshatin Çepan, vuajti ndëshkimin e të qënit kulak i fshatit për një kohë të gjatë, sidomos nga ana psikologjike e pastaj nga anët social- ekonomike. Bashkëfshatarët, pavarësisht nga sa thuhej ndër zyrat e shtetit, ruajtën marrëdhëniet e mira e të sinqerta me Novrus A. Begon dhe dy djemtë e tij aq të mirë Ahmetin e Beharin; nuk e mënjanuan e nuk e ndanë kurrë atë familje nga gjiri i ngrohtë vëllazëror. Duhet theksuar se vetë Novruzi i urtë e gojëpaprishur e ngrysi jetën e tij vetëm duke punuar. Stërnipi i Kapllanit, Sajmir Ahmet Bego, sot,2025, është kryetar i njësisë administrative të Çepanit. Por duhet thënë, gjithashtu si një e vërtetë tjetër historike, se njëri vëlla i Kapllanit, Neki A. Bego, ishte pjesëmarrës në luftën guerile në Tiranë duke bashkëpunuar me Bedri Spahiun e Gogo Nushin; një nip i Kapllanit, Qemal Hysen Bego ishte pjesëtar aktiv me armë në dorë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, në Br 10 S, fillimisht si korrier i Zylyftar Veleshnjes e më pas si luftëtar e pas çlirimit ishte titulluar oficer i mbrojtjes. Në vijimësi, Qemal Hysen Bego, që me punë, djersë e drejtësi u bë Hero i Punës Socialiste, pavarësisht nga qendrimet jo dashamirëse të shumëkujt, nuk e harroi kurrë vendlindjen dhe ndihmoi aq sa mundi ecurinë e zhvillimit ekonomik të fshatit Çepan dhe banorëve të tij. Edhe sot në moshën 98 vjeçare ai militon fuqishëm si veteran. Vendlindjen nuk e harroi as Shkëlqim H.Bego, nipi tjetër i Kapllanit, i cili punoi mësues tërë jetën e tij në Berat. Nga Kapllan A. Bego deri në ditët tona na kanë ardhur këto dy thënie: “Mbrojtja e trojeve të mia dhe e fakir fukarasë më bënë mua firar kryengritës.” Dhe e dyta: “Ideologjia e komitëve është liria. Komitët i falen atdheut dhe qiellit ku qëndron Zoti.” Për Kapllanin dikur, është ngritur edhe një këngë: “Kapllan komiti ku fle/ nën kreshta, nën re ,/shteg më shteg ishe ndeshur,/me gjerdanin ngjeshur…/Fle aty në varr,/dimër e behar…” Ky skraparli dikur i dëgjuar por i lënë nën perden e harresës, për kohën që jetoi, aktiviteti atdhetar e demokrat i të cilit në interes të vatanit, të mëkëmbjes së Shqipërisë me reforma, me luftë e me kulturë, qoftë edhe vetëm me këto që janë hulumtuar deri tani, e ka pasë vendosur emrin e tij në sfondin e krenarisë së ligjshme ndaj nuk duhet lënë në errësirën e politikës.