Fatos Puto: Si i kam njohur Fadil Paçramin, Françesk Radin dhe rapsodët në minierën e Tuçit në Pukë

488
Sigal

VITET E MONIZMIT/ Mbresa nga miniera e Tuçit në Pukë dhe lëvizja artistike amatore e Fushë-Arrëzit

Në vështrim të parë, Fadil Paçrami, ish -ministër i Kulturës dhe i Arteve, ish- kryetar i Kuvendit Popullor, ish- dramaturg i njohur dhe Françesk Radi, i cilësuar si kantautori i parë shqiptar, nuk kanë patur ndonjë lidhje mes tyre, përpos faktit që, në të njëjtën kohë, të dy kanë kaluar disa vite në Fushë-Arrëz të Pukës, njeri si i internuar dhe tjetri  i ardhur nga Tirana për qarkullim në rrethin malor të veriut. Kjo periudhë koincidoi edhe me mbarimin e fakultetit dhe emërimin tim si mësues në shkollën e fshatit Tuç të Pukës, fshat që ishte bërë i njohur si për minierën e madhe të bakrit, ashtu edhe për stabilimentin e njohur të sharrave.

XXX

Ishte viti 1974 kur Fadil Paçrami, pas Pleniumit të IV të Komitetit Qendror të PPSH-së për goditjen e shfaqjeve të huaja në art dhe kulturë, u transferua nga Tirana në Fushë-Arrëz si drejtor i Minierës së Bakrit, ku qëndroi për disa muaj dhe më pas u dërgua në minierën e Tuçit si punwtor dhe seleksionues minerali. Duhet të ketë qenë mëngjes i hershëm i një dite të hënw vjeshte, kur në pritje të makinave të rastit për të udhëtuar drejt Tuçit, më së shumti skoda që ngarkonin mineral apo lëndë drusore, dallova një mesoburrë, i cili dukej se kishte të njëjtin hall si unë dhe që për nga pamja, veshja dhe komunikimi,  krijova përshtypjen se nuk ishte vendali. U prezantuam: “Unë jam Fadil Paçrami”- tha ai me gjysëm zëri, çka shkaktoi habi tek unë. Pas rreth 30 minutash pritjeje në stacionin e Fushë-Arrëzit, të dy e pamë veten të “rehatuar” në kabinën e një saurreli çekosllovak, tip automjeti ky që sfidonte atëherë rrugët e Shqipërisë duke transportuar minerale. Gjatë udhëtimit, Prenga, shoferi i saurrelit, sapo kishte marrë makinë të re dhe teksa po “fluturonte” nga gëzimi, nisi të na ngacmonte ne pasagjerëve: “Eh, mor mësues, mor Fadil! Po hypi pukjani në katër rrota s’ka zot nane që e  mban”! Unë qesha me të madhe ndërsa ky i fundit as që pipëtiu fare. Në muajt që pasuan pata mundësinë të gjendesha disa herë rastësisht me të në Klub-Restorantin pranë minierës, ku pas pune, në kushtet e të ftohtit të acartë grumbulloheshin minatorët dhe dy-tre arsimtarë në pritje të autobusit të punëtorëve që të çonte drejt Fushë-Arrëzit. Në momentin kur në klub hynte Fadili fillonin edhe batutat “hidh e prit” të minatorëve ose shakatë e zakonshme, që ai i përcillte me një lloj buzëqeshje indiferente. Në një rast, njeri nga puntorët iu drejtua: “Pash nerin, Fadil, si po ia ban me paret, bre burrë, pasi ne nuk na del, or ti, dhe ditët e fundit të muajit mbetemi krejt pa to”?! Në këtë moment sytë e të gjithëve u drejtuan nga Fadil Paçrami. Përgjigja e tij i la me gojë hapur punwtorët : “Unë në familjen time nuk mbetem asnjë ditë të muajit pa lekë. E dini pse? Sepse bashkë me gruan llogarisim të ardhurat çdo muaj dhe shumën totale të lekëve e pjestojmë për 30 ditë. Pastaj përgatitim 30 zarfa të vegjël, ku brenda çdo zarfi futim nga një sasi të barabartë lekësh. Kështu që ne si familje nuk mbetemi asnjë ditë të muajit pa lekë”- tha ai.  Ishte e kuptueshme që për pozicionet që kishte patur më parë në Parti dhe në Qeveri, mendimet që ai jepte të ndiqeshin me kureshtje nga minatorët. Vija re se Fadil Paçrami tregohej shumë i kursyer dhe i matur në fjalët që thoshte, ndërsa temë e “preferuar” për të ishin moti dhe bukuritë e natyrës.

XXX

Duhet të kem  qënë në vitin e dytë të qëndrimit tim si arsimtar në rrethin malor të Pukës, kur nëpërmjet një letre të ardhur nga Drejtoria e Kulturës së Komitetit Ekzekutiv, më njoftuan të paraqitesha pranë Pallatit të Kulturës së Fushë Arrëzit, për t’iu bashkuar formacionit muzikor të Estradës Profesioniste drejtuar nga kantautori i njohur Françesk Radi, i ardhur nga kryeqyteti për qarkullim në rrethin verior. Kisha dëgjuar shumë atëhere për të, pasi në rrethet e të rinjve ai krahasohej me këngëtarin e famshëm italian, Adriano Çelentano. Dy nga këngët ritmike të kompozuara prej tij pak vite më parë: “Adresa” dhe “Biçikleta” ishin bërë “hit” dhe mjaft të dashura për  të rinjtë e asaj kohe. Gjatë takimit tonë të parë më bëri përshtypje pamja e tij, veshja me gusto dhe flokët pak të gjatë. Iu bashkova kështu edhe unë, për pak kohë, emrave të njohur të këtij grupi këngëtarësh, si F. Radi e Vitore Rusha; rapsodëve virtuozë Ndue Shyti, Fran Pali e Frrok Haxhia (ky i fundit edhe aktor, humorist e bejtexhi që ngrinte shpesh sallën në këmbë), regjisorit Josif Papagjoni, aktorit Fran Vukaj. Sidoqoftë “shpirti” i asaj trupe ishte Franko. Ai zotëronte disa instrumenta si kitarë, kitarë bas, piano, mandolinë. Në Pukë ai njohu motivet popullore të veriut, mësoi të luajë në instrumentat popullorë, çifteli dhe sharki dhe nisi të bëjë këngë të reja, të ndryshme nga ato që kishte bërë në Tiranë. Në këngë të tilla si “Mollë e Kuqe”, “Oj, Zogo”, “Si Drenusha” etj, ai shprehte dufet e tij në mënyrë artistike. Në të vërtetë, gjatë viteve ‘70-‘80-të, muzika e F. Radit u ndikua pikërisht prej atyre motiveve, çka ndihet edhe në kompozimet e mëvonshme, ku spikat fryma e zonave të veriut. Në kujtesën time, Françesk Radi ka mbetur modeli i njeriut të mirë dhe artistit që fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm.

Shakat e minatorëve për Fadil Paçramin

Në momentin kur në klub hynte Fadil Paçrami fillonin edhe batutat “hidh e prit” të minatorëve ose shakatë e zakonshme që ai i priste me një lloj buzëqeshjeje indiferente. Sidoqoftë mbaj mend një rast, kur njeri nga puntorët iu drejtua atij: “Pash nerin, Fadil, si po ia ban me paret, pasi ne nuk na del, or ti, dhe ditët e fundit të muajit mbetemi krejt pa to”?! Në këtë moment sytë e të gjithëve u drejtuan nga Fadil Paçrami. Përgjigja e tij i la me gojë hapur punwtorët : “Unë në familjen time nuk mbetem asnjë ditë të muajit pa lekë. E dini pse? Sepse bashkë me gruan time, çdo muaj llogarisim të ardhurat dhe shumën totale të lekëve e pjestojmë për 30 ditë. Pastaj përgatitim 30 zarfa të vegjël, ku brenda çdo zarfi futim nga një sasi të barabartë lekësh. Kështu që ne si familje nuk mbetemi asnjë ditë të muajit pa lekë”.

“Shpirti” i trupës artistike ishte Françesk Radi

Iu bashkova kështu edhe unë, për pak kohë, emrave të njohur të këtij grupi këngëtarësh, si F. Radi e Vitore Rusha; rapsodëve virtuozë Ndue Shyti, Fran Pali e Frrok Haxhia (ky i fundit edhe aktor e humorist që ngrinte shpesh sallën në këmbë), regjisorit Josif Papagjoni, aktorit Fran Vukaj. Sidoqoftë “shpirti” i asaj trupe ishte Françesk Radi. Ai zotëronte disa instrumenta si kitarë, kitarë bas, piano, mandolinë. Në Pukë ai njohu motivet popullore të veriut, mësoi të luajë në instrumentat popullorë, çifteli dhe sharki, si dhe nisi të bëjë këngë të reja, të ndryshme nga ato që kishte bërë në Tiranë. Në këngë të tilla si “Mollë e Kuqe”, “Oj, Zogo”, “Si Drenusha” etj, ai shprehte dufet e tij në mënyrë artistike.