Bektash Bej Cakrani, ministri i thesarit që ngriti shtetin, i cili e vrau

2617
Sigal

Atë ditë që u vendos ekzekutimi, vjen Mehmet Shehu dhe Bektashi i thotë: “Këtë po prisnit Ju? Ky është soji më i lig që ka parë Mallakastra!”

Kastriot BIMO

 Historia

Nuk dua t’i hyj këtu etimologjisë së emrit Mallakastër, p.sh., versionit romak Mala Castra (kështjellë e keqe -vend i mallkuar), pasi duket më bindësi nga lufta e banorëve liridashës, as kuptimit që kjo trevë do të merrte në shumicën e mijëvjeçarit të fundit nga një dinasti e stërmadhe e quajtur së fundmi “Cakrani” Nuk dua t’i futem themelimit të saj qysh, në shek XII ,si princër pranë Dinastisë së madhe Mur Jusuf që i vendosi sundimtarë pranë territoreve të Jerusalemit, dhe as arsyes përse ata e ndërruan me atdheun e tyre, qoftë si vasalë të Sulltanit Selimit II. Nuk dua t’i futem analizës se, përse si klasë feudale opozitare e Stambollit, shqiptarët organizuan kryengritjen më të madhe të shek. XIX (ndaj Tanzimatit) dhe se pinjolli Veiz Bej Cakrani, si personazhi kyç i saj ishte financues dhe ushtaraku që ideoi e mori pjesë në betejat, si dhe letrën Mbretit Othon të Greqisë (O neos kuvaras, Athens, 1966) nga prijësit luftarakë, si Rrapush Kamdibashi (Rr. Hekali), Zenel Gjoleka, Hodo Nivica etj, dhe as sanksionet dhe rimëkëmbjen e dinastisë e trevës nga i biri Kahreman Bej Cakrani, anëtari i “Komitetit të Stambollit” dhe miku Abdyl Frashërit, Pashko Vasës, Mustafa Pashë Vlorës etj.

Kujtesa historike më detyron të ndalem te djemtë e këtij të fundit, ku fuqishëm spikasin Hajredin e Bektash Bej Cakrani, i pari firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë më 1912 dhe i dyti personazhi historik më shpërthyes me idealet kombëtare, por i lënë enkas në hije, duke fshirë kështu totalisht vetë periudhën dhe gjymtuar historiografinë e brishtë shqiptare. Do të duheshin volume të tëra për të përshkruar vetëm kronologjikisht veprën e tij, si në kohëzgjatje, por më shumë aktive në lëvizjen kombëtare, duke përbërë pjesën më vitale të saj.

Dihet se përkrahësit e Vagnerit dhe kundërshtarë të Verdit artikuluan arsyen e suksesit dhe madhështisë së këtij të fundit, kohëzgjatjen, që falë emrit nuk lejoi asnjë muzikant t’i afrohej panteonit të tij. Qëllimisht ata anashkaluan Verdin, veprën e tij të pavdekshme, që i la si thesar njerëzimit, kështu edhe shumë më keq tek ne: Fshihet personazhi dhe vepra, duke gjymtuar vetë periudhën historike, ku si në rastin e italianit, diamantin u përpoqën ta kthejnë në qymyr.

Heshtja ndaj figurave historike

Duke mos u përmendur as emri i tyre si figura historike, në mënyrë diabolike harrojnë që e vërteta shkëlqen shumë më fuqishëm në kohë të tjera, fakt që e bën figurën e këtij atdhetari të pazakontë të marrë një dimension të pamatë historik. Bektash Bej Cakrani si personalitet ka fillimet e tij me ndikimin patriotik që e ka nga librat e Sami Bej Frashërit, të cilat i merrte i vëllai më i madh Hajredin Beu në Stamboll, si mik i tij. Përmbledhjen letrare me krijimet e hershme për herë të parë si antologji, Bektash Bej ia bëri në moshën 15 vjeç duke ua kushtuar poetëve persë Saddiu dhe Shiraziu, në një botim në Kajro, kjo falë gjuhëve që zotëron, turqisht, persisht, frëngjisht, italisht si dhe gjermanisht dhe greqisht. (Dielli, Boston 1911) Mungesa e gjuhës amtare bënte që ai të shkollohej në Stamboll dhe Sorbonë (Paris) për drejtësi, por kurrë domosdoshmërinë e saj nuk e harroi. Në rrethet e Beratit, ku kishte shumë miq, ai duke biseduar për gjuhën dhe krahasuar Shqipërinë Osmane me shtetet e Evropës, konfliktohet publikisht me bimbashin (major) e Beratit, qendra më e madhe ushtarake e Vilajetit të Janinës, dhe e vret në mes të qytetit. (Basbakanlik Arsivi Instambul, vesika 2243…) Ky fakt bëri të atin Kahreman Bej të fillonte një kalvar të gjatë gjyqesh me perandorinë. Duke qenë element vital dhe i kudogjendur, në Vlorë në një kërkesë ndaj Portës së Lartë kundër shërbimit ushtarak në Jemen, në telegrafhanë, konfliktohet përsëri me 5 oficerë osmanë, për fat pa viktima këtë herë. Viti 1908 do të vinte me ngjarje, që rrodhën nga “Hyrjet” kushtetuta osmane, ku me të shpejtë kristalizojnë ëndrrën shumëvjeçare të Gjuhës Shqipe, Kongresin e Manastirit, ku shkon me gjithë të vëllain. Mes njohjes së shumtë të patriotëve korçarë, ata vendosin të ngrenë shkollën e parë në Toskëri (Dielli, Boston 1911) në një ceremoni të madhe dhe të spikatur me pjesëmarrjen e shumë patriotëve, kryesuar nga gjuhëtari Babë Dudë Karbunara, etj, me mësues korçarin Viskë Babatasi, ku madhështia ishte se sarajet e kompleksi shkollor do të kish konvikte, shkollë për mësuesit e trevës, si dhe mësimin e rrallë për kohën pjesëmarrjen e vajzave. (K. Karbunara, punët kombiare, ’37) Një zinxhir i tërë mësuesish do të shfaqeshin në Cakran, si firmëtari Thanas Floqi dhe kryeministri i Mbretërisë Koço Kota. Nga ana tjetër Bektash Bej është në kryesi të Klubit patriotik “Labëria” Vlorë me kryetar nderi Ismail Bej Vlorën (Qemali). Më 1910 shkojnë në “Manastirin e Dytë” dhe në 1911 shfaqen në Parlamentin Perandorak duke biseduar me Nexhip Bej Dragën dhe Hasan Bej Prishtinën, së bashku me Dervish Himën, Mihal Gramenon, Baki Gjebrenë, etj, për mundësinë e një kryengritje dhe sinkronizimin e saj me atë të veriut. Kryengritja kërkon “lëndën e parë” njerëzit dhe pushkët, por ushtaraku Hajredin Bej verën se aksioni i grabitjes së depove në Vlorë dhe Berat njëkohësisht, ishte marrë vesh kështu që Bektash Bej kërkon 1500 mauzerë nga Italia që mori në atë kohë Libinë, por nuk mundi, gjë që e bën të niset mes peripecive të panumërta të sjellë nga Austria 1300 pushkë me gjithë municion. Kryengritja e Toskërisë është fare e panjohur në historiografi, por përmendur vetëm tek epilogu i saj Memorandumi i Sinjës, ekuivalenti i atij të Gërçës. Lufta në Pazarin e Cakranit, një luftë ku shumë çeta me në krye Bektash Bej dhe krerë të tjerë të kryengritjes, pas dy ditëve luftë kapin të gjallë detashmentin e bimbash Ismail Bej Libohovës me 200 trupa dhe e lanë të lirë pas çarmatosjes, fakt që pati jehonë dhe çoi në gjyq bimbashin që i braktisi. Me fillimin e Luftës I Ballkanike ai së bashku me 1500 trupa pushtoi Beratin, duke bërë që garnizoni më i madh i Jugut, të kapitullonte. (Dielli, Boston, 1912) Hyrja e Austo-Hungarisë në krijimin e shtetit shqiptar, si barrierë kundër depërtimit sllav, shënonte jo pa probleme të jashtme dhe të brendshme Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë. Në krye të organizimit qëndron Bektash Bej që lajmëron Azis Pashë Vrionin për të marrë urgjent njerëzit nga Durrësi, ndërsa vëllai ushtaraku Hajredin Bej devijon rrugën delegacionit, ku flenë një natë në Hasturkaj, çifligjet e tij. Më tej ai e shoqëron delegacionin për në Vlorë, pasi kish batalionin mustafëz të Fierit nën kontroll. Aktin më të madh të historisë e dinë të gjithë, por ata nuk dinë se kush e mbulonte me dy elementët imediatë që operonte; 1- Me trupa e luftë në Jug kundër andartëve grekë, 2-Kush e financonte Qeverinë e Përkohshme? Bektash Bej do të mbulonte totalisht me financat e veta gjatë gjithë 1913 Qeverinë e Ismail Qemal bej Vlorës, ndërsa me trupa e luftë kundër grekëve në Jug, shkoi Hajredin Bej, që si senator ishte tashmë zëvendës i gjeneralit Mehmet Pashë Dërralla, Ministër i Luftës. Vajtja e delegacionit të qeverisë në Londër, i cili u ndalua rreptësisht prej Vjenës, kishte suportin financiar të Bektash Bej, dhe njëkohësisht dhe qortimin e rreptë të Kontit Berchtold, ministri i jashtëm austriak.

Me rënien e Qeverisë së Përkohshme

Me rënien e Qeverisë së Përkohshme dhe ardhjen e KNK-së në Vlorë, shkak i një konflikti koncesionesh i qeverisë me vëllezërit Cakrani, (Archive Française, 1913) merr fund aventura vetëqeverisëse shqiptare dhe vjen Princ Vidi, si sovran. Familjet e Mëdha ishin ato që në mungesë të ushtrisë i ofronin princit trupa për luftë, kështu duke qenë nga më kryesorët, Bektash Bej caktohet nga Princi në zonat më të rrezikshme, si Korça dhe Jugu, së bashku me gjeneralin holandez Veer. Mizoritë e grekëve u panë sidomos në fshatin Panarit (Korçë) dhe Kodërz (Tepelenë) ku ata gjetën mbi 200 trupa pa kokë. Në këtë kohë shfaqet Kryengritja islame e Haxhi Qamilit dhe në mbrojtjen e Jugut Bektash Bej me 500 trupa, në betejën e Lushnjës vriten afro 200, por edhe në Ballsh ku ai humbet nipin Ismail Klosin, shokët e luftës Hajredin Fratari, Baki Gjebrea etj. Humbjet ishin fatale, të ndihmuara nga klerikët islamë të zonës, si Sheh Ismaili i Çorrushit (i ati i Mehmet Shehut), që përkrah Mustafa Ndroqit dogjën Sarajet, Pazarin e Cakranit, Shkollën me gjithë fëmijë brenda. Ardhja e ushtrisë austriake u prit me kritika të ashpra të patriotit, se përse armatat perandorake nuk pushtuan dhe Korçën, po e morën francezët, gjë që bëri të pushkatohet Th. Gërmenji dhe Bektash Bej të internohej në Shkodër pranë komandës së tyre. Komanda austriake e Jugut bëri që të rindërtohen sarajet (Oggi, 1984) sipas projektit austriak, si dhe treva e shkatërruar ritmikisht në vitet e fundit me një numër të madh viktimash. Në fund të WWI, shërbimet austriake hedhin idenë e një pajtimi mes Bektash Bej dhe Ismail Bej, në Vjenë, që ndodhi më 1918 (I. Vlora, 1990) Në Qeverinë e Durrësit shkoi si përfaqësues vëllai Hajredin Bej, por shpejt e braktisi nga fryma pro italiane. Me gjithë të kaluarën, merr pjesë në funeralin e I. Qemalit, më 1919. Në Janar 1920 Bektash Bej, si gjithmonë shfaqet si personazh kryesor në Kongresin e Lushnjës, me forcat e tij mbrojtëse, me anën organizative e financuese, dhe atë atdhetare, ku ai është personi që zgjodhi qeverinë e S. Delvinës, përfshi dhe A. Zogollin si ministër të brendshëm. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje madhore në histori, do të pasonte një tjetër, Lufta e Vlorës, për të cilën kryeministri Delvina shkon vetë në Cakran tek Bektash Bej, pasi ai duke qenë senator nuk mund të futej në luftë. Këmbëngulja e Spiro Jorgo Kolekës, si ministër për luftën, nuk e ndaloi Bektash Bej për të hyrë në luftë, pasi nës vërtetohej një gjë e tillë, Italia do ti shpallte luftë menjëherë vetë Qeverisë së Tiranës, dhe pavarësia shqiptare, merrte fund..

Në pjesëmarrjen e tij si deputet në Parlamentin e Parë Shqiptar, ai kontribuoi jo pak për probleme të shumëfishta; si të brendshme, ashtu dhe të jashtme, ku veçojmë intervistat këmbëngulëse për të negociuar nga italianët kufiri jugor me Greqinë. Zhvillimet shqiptare nuk shkonin në drejtimin e parashikuar të atdhetarit, kështu që me vullnet të sforcuar ai dorëhiqet në fillim të vitit 1924, me të drejtë, pasi në parlamentin ku flitet me fjalë, po flitej me armë. Kjo solli vrasjen e Avni Rustemit dhe vrasja shkakun e përdorimit të ushtrisë kombëtare nga Krahu Demokrat për të fituar pushtetin me grusht shteti. Miku i tij, Theofan Noli, si kryeministër shkon për një hua në Bashkimin Sovjetik komunist, pasi Lidhja e Kombeve i mbylli derën. Rusët e dhanë huanë me kusht përhapjen e komunizmit. Bektashi dhe vëllai Hajredin Bej pas një letre me kritika të ashpra për huanë dhe shkuan tek Noli, ku debatuan me të, duke parashikuar profetikisht atë që do të ndodhte. Republikën e A. Zogollit patrioti e pa gjithmonë si zhvillim shqiptar, që do të sillte Monarkinë, larg rreziqeve historikë, Serbi e Greqi, por pro Italisë solli mërinë e tij deri në armiqësi. Ai që e zgjodhi që 24 vjeç ministër të brendshëm, u bë armiku më i madh i tij, dhe nga monarkisti më i madh, u kthye në republikanin më të vendosur. Ky fakt kulmon më 1932 me pjesëmarrjen në një “Shoqëri të fshehtë” kundër monarkisë, por në Kryengritjen e Fierit dhe shtabin e saj Bektash Bej ishte tashmë i pari. Me ardhjen e komandantit të gardës mbretërore dhe ushtrisë, gjeneral L.Gillardi në Fier, kryengritja u dekonspirua dhe lufta nisi. Por nga kush do të niste tjetër përveç atij që kish një jetë në luftëra?! Atentatin ia caktoi nipit të tij Jashar Cakranit, i cili pas vrasjes së Gillardit u burgos dhe torturua sa kaloi në vdekje klinike, por që në klinikat e Vjenës e Parisit, i ati Sulejman Bej Cakrani e ktheu në jetë djalin e vetëm. Dënimet me vdekje arrinin në 50 ku gjysmat ishin të mbiemrit Cakrani, përfshi nipërit Jashar e Kadri Cakranin (më vonë Komandant i përgjithshëm i Ballit), Kujtim e Namik Cakranin, bijtë e tij etj.

Pushtimi italian e gjeti në krye të Mallakastrës

Pushtimi italian e gjeti në krye të Mallakastrës për luftë, e sabotuar kjo nga armiku i vjetër tashmë, A. Zogu, por dukuri të reja do të testonin patriotin legjendë. Delegacioni që i çoi Viktor Emanuelit III Kurorën e Skënderbeut, së pari shkoi tek Bektash Bej si patrioti më i vjetër i pavarësisë i mbetur gjallë, por përgjigja, se nuk puth dorën e atij mbreti që e luftova më ’20-ën, i bëri të largoheshin. Problemi delikat ku nëpërmjet mirëqenies së stimuluar, po ngrihej një shtresë e pasur, totalisht proitaliane, në një kohë kur të gjithë ishin pajtuar tërë dëshirë me realitetin, e bëri atdhetarin të gjente rrugë të tjera si ajo e 1920-ës. Betejat e Ruzhdies, ku mbeti i vrarë nipi i tij Jashar Cakrani, e solli në një stad të ri përgjegjësinë e autoritetit të tij. Këtu shfaqen për herë të parë pikëpamjet komuniste nëpërmjet nipërve të tij, Qemal e Bilbil Klosi dhe personazhit të ardhur nga Spanja, Mehmet Shehu, përballë atyre nacionaliste përfaqësuar nga Kadri e Kujtim Cakrani, Tofik Cfiri etj. që për çudi nën kujdesin e përgjegjësinë e Kryetarit të Këshillit N-Ç të Mallakastrës, Bektash Bej Cakrani, zgjedhur njëzëri nga krahina më operonin së bashku. Pjesëmarrja e tyre duke mos qenë e barabartë, do të sillte konflikte e përçarje. Por falë programeve e veprave të tyre ato tashmë kishin ndodhur dhe shkak u bënë themeluesit e PKSH-së, jugosllavët M. Popoviç e D. Mugosha që komunistët i sollën fshehur në Mallakastër, ku në një nga këto kuvende të Bektash Bej, Kadri Cakrani dhe Mehmet Shehu u ndodhën shumë pranë goditjes mes tyre me armë. Me qëllim evitimin e përçarjes, patrioti legjendë thirri një kuvend në Povël (Mallakastër) prej afro 2000 vetësh, por ndër fshatra kish nxjerrë rreth 700 trupa të armatosur gati për luftë. Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste në Mallakastër përballë idealit kombëtar që mbronte Bektash Bej dhe përgatiste mbrojtjen, ishin në kulm të konfliktit, i cili përfaqësohej nga dy shokë mes tyre; djali i patriotit Kujtim Cakrani dhe Mehmet Shehu. Ata erdhën në një pikë kritike mosmarrëveshjeje, gati për mësymje, fakt që e bëri M. Shehun të ndërrojë mendje për të udhëhequr njësinë partizane krijuar nga aleatët anglezë, në Korçë.

Arrestimi nga italianët

Operacioni italian filloi befas dhe arrestoi patriotin duke e internuar në Porto Romano, si antifashist, duke ridjegur për të disatën herë sarajet. Ardhja e trupave gjermanë solli një problem të ri, pasi forcat italiane konsideroheshin dezertore dhe do të ekzekutoheshin nga gjermanët ish-aleatë. Në këtë atmosferë të ndezur çetat nacionaliste me në krye të birin, Kujtim Cakranin shkojnë në Skrapar ku ishte fshehur Divizioni “Perugia” i Beratit dhe shpëtojnë 7500 trupa prej tyre duke i shpërndarë, ndërsa mbi 500 prej tyre i mori në Cakran ku i ndërtoi një kamp dhe spital, ngjarje që nuk e përmend askush. Nga ana tjetër Kadri Cakrani, qarkkomandanti i Beratit dërgon një numër hebrenjsh nga Berati, tek Bektash Bej për t’i fshehur nga gjermanët. Atdhetari, i cili nuk ishte lodhur kurrë jetën e tij në luftëra, humbja e nacionalistëve do t’i sillte tragjedinë më të madhe. Ai nuk iku, me gjithë mundësitë, dhe u përball me ata që i udhëzonte dikur në luftë ndaj okupatorit, e që përballë patriotit të moshuar tashmë derdhën gjithë vrerin e tyre, ndaj sfidës së tij. Ata e dënuan me vdekje në një gjyq farsë me gjykatës nipin e tij që i kish mësuar luftën, Q. Klosin.

Përballë akuzës

Në fund, përballë akuzës, atdhetari bën deklaratën e tij të fundit, të thjeshtë dhe kuptimplote, si kish qënë jeta e tij në shërbim të kombit e që në të vërtetë tingëllon si një testament atdhetar në kohëra: “E quaj për detyrë të sqaroj para jush dhe opinionit publik akuzat që më bën zotni prokuror, akuza të cilat, po të ishin të vërteta, do të më ngarkonin me tradhti të lartë karshi popullit e atdheut, kurse e vërteta qëndron ndryshe, pasi unë qysh në moshën më të njomë e gjer më sot në moshën e thinjave të bardha, çdo gjë të shtrenjtë e të shenjtë të trupit e të mendjes sime ia kam kushtuar së mirës së përbashkët duke vepruar sipas parimit kryesor: “Çdo gjë për Atdhe, Atdheu mbi të gjitha!” Por një 90 vjeçar, anonim nga veriu, anëtar i skuadrës së pushkatimit, tregon se skuadra ndenji dy ditë në pritje, se “do të vinte një i madh, nga Tirana”. Atë ditë që u vendos ekzekutimi, vjen aty Mehmet Shehu.

-Këtë po prisnit Ju? Ky është soji më i lig që ka parë Mallakastra tonë dhe Shqipëria këtë murtajë! –Erdha të të shoh si do vdesësh Bektash Bej, foli M. Shehu

-Unë kam ngrënë 20 Qeveri dhe nuk pyes për ty, që je përballë meje nga unë aty, u përgjigj patrioti legjendë. Këtë ta dish! E bëmë këtë vend me shpresë se Shqiptarët do bëheshin njerëz një ditë. Shteti që bëmë na hëngri kokën, po ju këmbëzbathurit paskeni qenë soji më i poshtër në dynja, sa do t’ia hani kokën dhe atij! Unë di si vdes, po ty të humbtë varri, o turpi i Mallakastrës e i Shqipërisë!

Komentet e epilogut të një jete-luftë 74 vjeçare do të ishin totalisht të zbehta e të pavlera. Atdhetarët e kanë ngritur vetë me veprën Panteonin e lavdisë.

Në vend që në ndonjë stol parqeve, shatërvanëve, ku pranë monumenteve të tyre të munguar, t’u tregojmë fëmijve tanë diçka të vërtetë mbi kombin tonë të lashtë, vlerat e tij dhe heronjtë, që nuk janë prapa atyre të qytetëruar, shkojmë shpesh me zell shprehjes së Klemansosë, thënë jo pa ironi:-“Bota me baltë bën heronj,.. ne heronjve u hedhim baltë”..