Ambasadori i OSBE-së apelon nga Elbasani: Të hetohen krimet zgjedhore

305

Kushtet ndaj Shqipërisë: Shteti i së drejtës, demokratizimi, proceset zgjedhore

Sigal

Ambasadori i OSBE-së, Vincenzo Del Monaco zhvilloi, u ndodh dje në qytetin e Elbasanit, ku u takua me kryetarin e bashkisë, drejtorin e policisë dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare. Ambasadori Monaco kujtoi se ditën pas vrasjes në Elbasan të Pjerin Xhuvanit, përpara zgjedhjeve, OSBE bëri një deklaratë shumë të qartë, ndërsa shtoi se kanë besim te një hetim i shpejtë dhe se gjyqësori do të bëjë atë që duhet bërë.

– Pyetje: Opozita ka përshtypjen se, në këto zgjedhje, pati një krim elektoral. Cili është komenti juaj për gjithë këtë?

-Ambasadori: Mendoj se të gjithë e kemi lexuar raportin e ndërmjetëm të OSBE/ODIHR-it. Kur flasim për ankesat për procesin zgjedhor dhe ngjarjet kriminale që ndodhën gjatë procesit zgjedhor nuk më takon mua të gjykoj. Unë kam plotësisht besim tek autoritetet gjyqësore shqiptare. Siç ju kujtohet, ditën pas vrasjes në Elbasan, përpara zgjedhjeve, ne bëmë një deklaratë shumë të qartë dhe kemi besim te një hetim i shpejtë dhe se Gjyqësori do të bëjë atë që duhet bërë. Kështu funksionon në demokraci.

“Kushtetuta e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ka disa përparësi, nga shteti i së drejtës, demokratizimi, proceset zgjedhore”

-Pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve, sa pranë është Shqipëria me Bashkimin Evropian?

– Sikurse e dini, unë jam lindur e rritur në një nga vendet që ka themeluar Bashkimin Evropian, por nuk jam këtu në cilësinë e Kreut të Delegacionit të BE-së apo të ambasadorit të ndonjë shteti anëtar të BE-së. Kjo është një pyetje që duhet t’ua bëni kolegëve të mi të BE-së, jo mua. Ajo që mund t’ju them është se ne jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë. Po të lexoni mandatin që përfaqëson Kushtetutën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, do të shihni se aty ka disa përparësi, duke filluar nga shteti i së drejtës, demokratizimi, proceset zgjedhore, të cilat ndihmojnë shumë në arritjen e përparësive strategjike kryesore të Shqipërisë. Ama pa ngatërruar rolet, pasi unë me shumë krenari përfaqësoj OSBE-në në këtë vend.

“Ne bëmë një deklaratë shumë të qartë dhe kemi besim te një hetim i shpejtë dhe se Gjyqësori do të bëjë atë që duhet bërë. Kështu funksionon në demokraci”

– Z. Ambasador, meqë përmendët sigurinë, sa e motivuar dhe e vendosur ju duket policia shqiptare për të luftuar krimet elektorale dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë publike?

– Unë e kuptoj interesin që mediat dhe njerëzit kanë me të drejtë në pyetjet tuaja. Por çfarë përgjigjeje prisni nga unë? Unë jam takuar disa herë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, jam takuar disa herë me hierarkinë e Policisë së Shtetit, jam takuar disa herë me oficerë policie, pasi mora pjesë në trajnimin që OSBE-ja iu ofroi në prag të zgjedhjeve për ta përgatitur më mirë Policinë e Shtetit në garantimin e sigurisë pranë ditës së zgjedhjeve dhe gjatë saj. Ne u ofruam trajnim më shumë se 6 mijë punonjësve të policisë.