Ish-anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj: Jemi kthyer në një shtet “monarkik”, skeptik që KAS-KQZ  të vlerësojnë ankimimet e Opozitës 

413
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Hysen Osmanaj, ish- anëtar i KQZ-së në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se ka prova, që  është tjetërsuar  vullneti i zgjedhësve dhe kjo kryesisht para ditës së votimit, dhe se vota është manipuluar para se të futej në kuti. Mendoj që të gjitha fletët e votimit të pavlefshme duhet të rivlerësohen, pasi është një numër shumë i madh. Zoti Osmanaj shprehet skeptik në pritshmëritë për ripërsëritjen e zgjedhjeve në KZAZ, apo qarqe, ngaqë reforma zgjedhore ka ngecur në vendnumëro.

“Asnjë denoncim i opozitës gjatë fushatës zgjedhore nuk është marrë në konsideratë nga strukturat e tjera shtetërore, edhe KQZ-KAS do ta ketë të vështirë të marrë një vendim për përsëritjen e zgjedhjeve”

 

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

-Zoti Osmanaj, me sa jeni njohur, nga ankimimet e subjekteve zgjedhore në KAS dhe KQZ, a mendoni se ka prova të pakundërshtueshme për tjetërsimin e votës së votuesve?

– Pa diskutim që ka prova, që  është tjetërsuar  vullneti i zgjedhësve dhe kjo kryesisht para ditës së votimit, në shkelje të Ligjit Zgjedhor si,  përdorimi i fondeve publike në favor të fushatës zgjedhore nga PS, me tendera dhe koncesione nga burimet e buxhetit të shtetit, me administratën publike dhe me Policinë e Shtetit. Kufizimet për pandeminë u përdorën vetëm në dëm të opozitës. Fondet për tërmetin, ato nga buxheti i shtetit, por edhe ato ndërkombëtare u përdorën në favor të fushatës për Partinë Socialiste. Bota e krimit me investime, indimidime të elektoratit, me blerje votash dhe kartash identiteti, denoncime këto, të bëra nga opozita gjatë fushatës, të cilat kanë rënë në vesh te shurdhër të strukturave ligjzbatuese.

Disa ankimime të këtyre subjekteve bëjnë fjalë edhe për numërime fiktive të votave të subjekteve zgjedhore, në ato qarqe, ku mandati i deputetit nuk është marrë për disa dhjetëra vota. Mendoni se do të mund të provohen në KAS dhe KQZ këto denoncime?

– Këto ankimime, sa i takon numërimeve fiktive në qendrat e numërimit të votave duhen vërtetuar me fakte e prova, duke parë materialin zgjedhor. Ky është detyrim ligjor dhe kompetencë e KAS-it të vendosë.  Ligji aktual zgjedhor ka lehtësuar punën e KAS-it në raste të tilla, pasi edhe një anëtar i vetëm ka të drejtë pa debat e pa votim, të kërkojë provat në materialin zgjedhor dhe aty ku ka gjurmë, mund t’i numërojnë votat.  Këto shkelje besoj se nuk janë në masë. Vota është manipuluar para se të hynte në kuti.

“Mendoj që të gjitha fletët e votimit të pavlefshme duhet të rivlerësohen, pasi është një numër shumë i madh”

– A mendoni se ka bazë, në fakte të publikuara edhe deri tani, që komisionerë me laps kanë zhgaravitur, pikturuar mbi fletë votimi, duke i nxjerrë të pavleshme ato?  Në raste të tilla, nëse dokumentohet që në një KZAZ, numëruesi ka bërë të pavlefshme fletë votimi, a përsëriten aty zgjedhjet?

– Mund të ketë dhe raste të tilla, pasi ka plot komisionerë të papërgjegjëshëm, por KAS ka kompetencë t’i rivlerësojë dhe po qe se ndikojnë në rezultat, të vendosë për përsëritjen e zgjedhjeve, në ato zona ku ndikon ky fenomen. Mendoj që të gjitha fletët e votimit të pavlefshme duhet të rivlerësohen, pasi është një numër shumë i madh, numërim ky, qoftë dhe për të dalë me një konkluzion, se pse ka ndodhur ky fenomen.

Subjektet politike në ankimimet e tyre pretendojnë se duan përsëritjen e zgjedhjeve në 9 qarqe. Edhe nëse dokumentohen denoncimet, a mendoni se KQZ do marrë vendim për përsëritjen e zgjedhjeve në qarqe të caktuara?

– Është kompetencë e KQZ (KAS) të marrë vendim për përsëritjen e zgjedhjeve në një apo disa kuti votimi, kur ato ndikojnë në rezultat, në qarqe të caktuara apo dhe në të gjithë vendin, kur gjenden prova e fakte, por nuk mendoj se do ndodhin, pa dashur t’i paragjykoj vendimet e tyre, por kur shoh që asnjë denoncim i opozitës gjatë fushatës zgjedhore, nuk është marrë në konsideratë nga strukturat e tjera shtetërore, edhe ky institucon, do ta ketë të vështirë të marrë një vendim për përsëritjen e zgjedhjeve.

“Reforma zgjedhore përsëri ka ngelur në vendnumëro, pra edhe këto vendime janë shumë të diskutueshme dhe unë nuk pres gjëra të mëdha”

– A mendoni se mund të ndryshojë rezultati zgjedhor, pasi PD dhe LSI në ankimimet e tyre pretendojnë se tek rinumërimi i kutive dhe rivlerësimi i 83.000 fletëvotimeve të pavlefshme është rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit?

– Mbështetur në Ligjin Zgjedhor, vendimmarrja e KAS-it mund të jetë me votim të thjeshtë dhe, në disa raste, i cilësuar, me katër vota pro. Me votim të cilësuar vendos për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qendra votimi, në zona zgjedhore dhe në të gjithë vendin, si dhe në përsëritjen e zgjedhjeve të pjesëshme ose të plota, edhe vendimet për ankesat e subjekteve zgjedhore  vendi ndaj vendimeve të KZAZ- ve i merr me votë të cilësuar, të tjerat me votim të thjeshtë. Në këto raste, reforma zgjedhore përsëri ka ngelur në vendnumëro, pra edhe këto vendime janë shumë të diskutueshme dhe unë nuk pres gjëra të mëdha, pasi jemi kthyer në një shtet “monarkik”, pa institucione demokratike dhe pushtete të ndara dhe, si rezultat, nuk mund të bëhet fjalë për zgjedhje të lira dhe demokratike.

-Faleminderit!