Engjëllushe Kosturi: Romët pa arsim, pa formim profesional, pa punë

405
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nga Vepror Hasani

Praktikat e institucioneve shqiptare, asnjë krahasim me BE

Edhe të rriturit dëshirojnë  të arsimohen, shkollat për ta, nuk hapen

Problemet tona janë të shumta, – na tha Engjëllushe Kosturi, përfaqësuese e minoritetit rom. Implementimi i projekteve me komunitetin rom dhe egjiptian në qarkun e Korçës gjithnjë kanë mbetur në mes të rrugës, ashtu janë edhe sot, mbase edhe nesër. Për pasojë, tashmë gjen djem dhe vajza (dhe jo pak) të të dy komuniteteve pa përfunduar arsimin bazë, pa mundësi për formim profesional dhe pa mundësi punësimi, krejt pa të ardhme, për pasojë edhe pa mirëqenie. Planveprimet, premtimet dhe reformat vijojnë të mbeten në letër, veçanërisht kur bëhet fjalë për minoritetet. Për këtë arsye, edhe sot e kësaj dite gjejmë shumë pak ndryshime në mënyrën e jetesës dhe në mirëqenien ekonomike të dy komuniteteve të përmendura më sipër. Ata nuk po mundin të rimëkëmben e për pasojë vijojnë të ndihen jo të barabartë me pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare. Ndaj gjithnjë e më shumë  kërkesat tona do t’ia adresojmë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatit të Popullit dhe institucioneve të tjera që të mundim të bëjnë diçka, së paku për arsimim e minoritetit rom dhe egjiptian. Gjendjen do t’ua bëjmë të njohur edhe Rrjeteve të Organizatave Rome dhe Egjiptiane, edhe bashkive të këtij qarku ku jetojnë romë dhe egjiptianë.

Institucionet shqiptare asnjë ngjashmëri me BE
Praktikat e institucioneve shqiptare nuk kanë asnjë ngjashmëri me projektet evropiane. Mund të përmendim këtu programin “Leave no Behind”, (Askush të mos mbetet pas), të PNUD-it, i hartuar enkas për arsimin e shtetasve të komunitetit rom; “Rritja e Nivelit Arsimor të Adultëve Romë në Shqipëri”, zbatuar nga organizata “Qendra për të Drejtat e Gruas Rome” e shtrirë në Korçë, Pogradec, Lushnjë, dhe Fier; kemi edhe një donator të huaj, i cili mbështet një organizatë të shoqërisë civile, të rrjetëzuar në disa rajone të Shqipërisë, kryesisht për arsimimi dhe formimin profesional të qytetarëve. Madje falë mbështetjes së PNUD-i, Qendra për të Drejtat e Gruas Rome, bëri të mundur gjurmimin dhe identifikimin e individëve romë, burra dhe gra që kishin braktisur arsimin e detyruar. Programi u mundësonte atyre përfundimin e arsimit 9-vjeçar dhe ndjekjen më tej të arsimit apo formimit profesional. Në Bashkinë Maliq, koordinatore e projektit jam unë, – shpjegon Engjëllushe Kosturi, studente në Universitetin e Korçës, në programin Gjuhë-Letërsi, njëkohësisht gazetare në një prej TV kombëtare, – ku gjej hapësirën e informimit, ashtu siç kemi qenë të mbështetur edhe nga gazeta “Telegraf”, por nga institucionet arsimore nuk kemi patur përkrahjen e duhur.

Punojmë shumë, por jemi të shpërfillur
Punën në terren e filluam në shtator të vitit 2019, kryem takime të shumta me romët dhe egjiptianët. Shumë prej tyre u bënë pjesë e projektit, por u përballën me vështirësi të shumta: braktisja e shkollës kishte ndodhur vite më parë, tashmë ata ishin të mëdhenj në moshë, kishin vështirësi në asimilimin e programit mësimor, megjithatë arritëm t’i bindim se pa arsimin bazë, nuk mund të merrnin formimin profesional. Ndërkohë  kryem mbledhjen e të dhënave, të kërkesave, dhe mundësuam paraqitjen e anëtarëve të minoritetit rom pranë shkollës, shoqëruar me fotokopje të kartave përkatëse të identitetit; parapërgatitje këto për ngritjen e klasave dhe fillimin e programit mësimor sipas udhëzimit nr.17, i dt. 09.05.2018 për “Procedurat e ndjekjes së arsimit të detyruar nga nxënësit që nuk kanë ndjekur të paktën dy klasa të arsimit bazë dhe për arsimin me kohë të pjesshme në arsimin bazë”, dhe që përcakton procedurat e regjistrimit, kohëzgjatjen dhe kurrikullën etj. Madje  për ta bërë më të lehtë për institucionet arsimore Qendra për të drejtat e Gruas Rome ndau me ta eksperiencën e mëparshme të zbatimit të një projekti të njëjtë zbatuar gjatë viteve 2015- 2018 në Tiranë, Durrës, Fushë-Krujë. Berat dhe Shkodër,  por deri më tani në qarkun e Korçës asgjë.

Kemi dispozita ligjore, por s’ka shkolla për romët
Konkretisht, sot kemi dispozita ligjore dhe udhëzime që lejojnë çeljen e programit të arsimit të detyruar me kohë të pjesshme pranë shkollës “Agimi” Maliq, kemi një donator të rëndësishëm si PNUD që e sheh me interes rritjen e nivelit arsimor të minoritetit rom në vend, kemi të rritur, (burra dhe gra rome), që kanë bërë kërkesë dhe duan të nisë sa më shpejt një proces i tillë, por nga ana tjetër, institucionet lokale ngrenë supet, shkolla mbyll dyert dhe këto dy sjellje reflektojnë një diskriminim që ka shoqëruar dhe vazhdon të jetë i ndjeshëm edhe sot mbi minoritetin rom në vend. Edhe sot e kësaj dite ka mbetur e pandryshuar, edhe pse përsëritet, diskutohet dhe duket si një tokë e premtuar që herët a vonë do t’iu jepet dhe romëve në Shqipëri, është premtimi për “barazi dhe mosdiskriminim”. Barazia dhe mosdiskriminimi fillimisht duhet të nisë nga arsimi. Le të hapet shkolla “Agimi”, edhe për romët burra dhe gra që nuk e kanë mbaruar arsimin bazë, sepse dijet shkollore nuk duhet të ngjallin frikë, por të përkrahen si mundësi më tepër për zhvillimin e shoqërisë. Edhe pse shkollimi i romëve dhe egjiptianeve mbetet i rëndësishëm, sepse s’mund të marrin formimin professional, sërish shkolla nuk vihet në dispozicion për ta.