Xhevat Mustafa: Çmimet ngrihen drejt Surrelit e qiellit, qeveria me sytë drejt diellit!

318
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

A kemi qeveri, ministri të kësaj fushe, agjensi për mbrojtjen e konsumatorit, që të kujtojnë se jeta e njerëzve të thjeshtë, mirëqenia e tyre, çmimet, cilësia, pesha e artikujve të konsumit të përditshëm e jetik, e barnave mjekësore, nuk janë “vogëlsira” të thjeshta që sa herë që t’u duhet, t’ju rrëmbejnë me çdo rrugë e mjet votat?

Menjëherë pas 1 prillit 2021, ditës kur filloi indeksimi apo “rritja stratosferike” e gjasme pensioneve dhe sidomos, pas “fitorjes historike” të 25 prillit në Shqipëri, nga dita në ditë, ke frikë të dalësh në rrugë nga atentatet dhe të shkosh në tregje nga çmimet e çmendura. Në Tiranë, më 11-12 maj, në prag të Fiter Bajramit, 1 kg mish qingji, bashkë me kokën, shitej e blihej me 850 lekë, ndërsa i kecit 900 lekë, po aq sa edhe 1 kg mish viçi. Një pulë pularish kushton nga 350 lekë kg, ndërsa ato që reklamohen si bio apo fshati në 900-1.200 lekë. Edhe në dyqanet e tregtimit të peshqve çmimet gati janë dyfishuar në krahasim me 2013! Ikën nga dyqanet e mishrave e të peshqve dhe futesh tek ata të bulmetrave. Në këto 1 kg djathë i bardhë, edhe me jo pak niseshte apo kungull të miellëzuar, kushton nga 700-900 lekë; 1 kg djathë kaçkavall 700-1.300 lekë; 1 kg gjalp i ngrirë 700 lekë, ndërsa i shkrirë 900 lekë. 1 kokër vezë pule shitet dhe blihet me 12- 30 lekë. Në ëmbëltore dhe supermarkete 1 kg bakllava, më shumë me vaj palme se sa me gjalp, shitet e blihet me 700-1.000 lekë. Në tregjet e fruta zarzavateve të presin çudira dhe tmerre të tjera. 1 kg qershi shitet e blihet me rreth 1.200 lekë; 1 kg bamje 800-1.000 lekë; 1 kg mashurka dhe speca të kuqe rreth 250 lekë.

Nëpër furrat ku tregtohen bukëra, lemerisesh dhe nervozohesh nga ulja në peshë dhe rritja e çmimeve të disa lloje bukërash të konsumit të përditshëm e më masiv. Bukët e dikurshme rreth 1 kg dhe me çmim 80 lekë tani janë ulur në peshë, deri aty tek rreth 600 kg, por me të njejtin çmim. Edhe simitet janë rrëgjuar si madhësi e peshë e tani shumica blihen jo më me 10 lekë, por dyfish më shtrenjtë, edhe më shtrenjtë se sa në Gjermani…!? 1 bukë misri rreth 300 gram, në shumë dyqane, nga 30-40 lekë, që kushtonte para 1 prillit, tani blihet me 50 lekë. Del nga dyqanet në trotuare e nëpër to 1 llotari telebingo, me koificent tejet minimal fitimi, sikur të gjesh një grimcë ar nëpër rërën e plazheve buzë detit Adriatik, apo qoftë edhe të një llotarie tjetër, e ble me 200 lekë (kur më 2013 ishte 50 lekë). Po kështu në trotuare, nuk di se cilit lypës t’i japësh më parë nja 20 lekë…Apo si t’u shmangesh shitësve ambulantë të kompanive të internetit dhe të telefonave celularë, të cilat gjithashtu operojnë me çmime të rritura dhe me korrektesë të ulur. Vetëm kullat 20-30 katëshe, veturat shumë të shtrenjta, supermarketet, dyqanet luksoze me çmime zvicerane; më së shumti produkte drogërash dhe të lavatriçeve për pastrimin e parave të pista; kafenetë dhe qebabtoret plot klientë; agjensitë e shumta të këmbimit valuator; grupet e turistëve, bëjnë ndryshimin me 12 majin 1991. Natyrshëm, shumëkush prej qytetarëve mund të formulojë pyetjet: a kemi qeveri, ministri të kësaj fushe, agjensi për mbrojtjen e konsumatorit, që të kujtojnë se jeta e njerëzve të thjeshtë, mirëqenia e tyre, çmimet, cilësia, pesha e artikujve të konsumit të përditshëm e jetik, e barnave mjeksore, nuk janë “vogëlsira” që thjesht, sa herë që t’u duhet,  t’ju rrëmbejnë me çdo rrugë e mjet votat? Natyrisht, po në këto dyqane dhe po me këto çmime i blejnë shumicën e artikujve të konsumit të përditshëm edhe motrat dhe vëllezërit e majtë, që kanë 76 vjet që votojnë vetëm për PKSH-PPSH-PSSH-Rilindjen apo për Enverin, Ramizin, Fatosin, Edin…Vërtetë që shumë prej tyre mund të jenë më mirë financiarisht nga privilegjimi 76- vjeçar për ca pushkë të hedhura më 1942-1944, me të cilat kanë vrarë më shumë shqiptarë se sa italianë e gjermanë.

Apo pas 1990-s, nga rrëmbimi qysh më 1991- 1996 edhe i pushtetit ekonomik; nga privilegjimi i bijve dhe bijave nëpërmjet llotarive për azil në SHBA, duke ua “harruar” antiamerikanizmin histerik…? Megjithatë, përsëri, më së shumti, duhet t’i bëjnë llogaritë, të ndjejnë, mendojnë dhe votojnë më tepër si qytetarë, se sa si militantë të verbër, deri në monstruozitetin, sa disa të mos llogarisin veten e fëmijët për mbetjen përjetësisht në pushtet të partisë dhe kryetarit të zemrës. Mes ushtrisë së “popullit të majtë”, jo pak prej tyreve, u dridhen duart kur lexojnë çmimet e kur paguajnë. Duke e pasur kujtesën të freskët, mund të kujtojnë fare mirë se sot, çmimet janë rreth 50 % më të lartë se 8 vjet më parë, ndërsa pagat dhe pensionet nuk u janë rritur as 25% më shumë. Po më 25 prill përse nuk menduan më shumë si qytetarë, me paga e pensione qesharake për evropiano-perëndimorët dhe amerikano-kanadezët, me çmime, që ngrihen pa u ndalur drejt Surrelit dhe qiellit, ndërsa qeveria i mban sytë më shumë drejt diellit, pa u kujtuar që t’ua rrisë, të paktën, sa një dorë pupla të një gjelit? Mos vallë do të reflektojnë dhe ndërrojnë mend e votë më 29 nëntor 2044, kur të mbushen 100 vjet nga “fitorja mbi pushtuesit nazi- fashistë” dhe “pushtimi komunisto-socialisto-rilindas”? Deri atëherë: lum kush të rrojë, që përrallat e komunizmo-socializmo-rilindjes…t’i përjetojë!