Ilir Lluri: 140 -vjetori i lindjes së Çerçizit 1880-2020

105

Ninulla, kështjella e këngës

Kushtuar Hasos, nënës së Çerçiz, Bajo e Kapo Topullit

“Nëna e Bajos dhe Çerçizit me nuset e djemve, me bijat dhe mbesat jo vetëm që na shërbenin sa herë vinim, por edhe na qëronin udhën me pushkë në dorë kur ne largoheshim nga shtëpia. Kur mungonin burrat ato i zëvëndësonin. Me një fjalë ato ishin pjestare të lëvizjes sonë.”

Mihal Grameno

Kanë kaluar kohë nga festimi i datëlindjes sime më të vështirë në jetë. Isha i shtrirë në shtrat me temperaturë të lartë kur nëna duke më puthur në ballë më uroi:-“ Edhe 100!”  Ndryshe nga urimet e viteve të shkuara sytë e saj u shoqëruan nga një dritë që s’do ta harroj kurrë. Një dritë që lëkundej duke lënë pas një trazim të çuditshëm midis shkëlqimit dhe zbehjes, dashurisë dhe dhimbjes, ankthit dhe sigurisë. Vonë do të kuptoja se ç’farë përfaqësonte meraku i nënës.

Që prej asaj kohe urimet e datëlindjeve i kam ndarë me atë që më solli në jetë, me nënën. Sado e panatyrshme të duket, kjo më ndodh edhe tani, pas vdekjes së saj.

Këtë kujtim të fëminisë nuk do ta kisha bërë publik, në se gjatë leximeve për ndërtimin e skenarit të një dokumentari në kuadër të 140 -vjetorit të lindjes së Çerçiz Topullit, nuk do të kisha hasur në disa vargje të poetit gjirokastrit Ramis Harxhi. Ato janë shembulli më i mirë se si urimet për datëlindjen tonë i dedikohen edhe asaj që na sjell në jetë. Por ajo ç’ka i kthen në “lapidar” këto vargje është fakti se ato, janë urimi i fundit që Çerçizi mori përmes shtypit në 1914 me rastin e 34 vjetorit të tij të lindjes.

Lavdi zotit që e solli

Kët’ dragua përmbi dhe!

Rroftë dhe nëna që e polli

Se shembëll do t’jet’ për ne!

 

Nëna që e lindi Çerçizin ishte gruaja e patriotit të njohur, mikut dhe mbrojtësit të Koto Hoxhit Ago Topulli. Ajo quhej Haso. Portreti i saj ka mbritur tek ne përmes përshkrimit të Mihal Gramenos. Ndërkohë që çeta luftonte për jetë a vdekje në Mashkullorë, nënë Hasoja i largoi nga shtëpia disa gra që shkuan ta ngushëllonin duke ju thënë;

“Unë nuk kam nevojë ngushëllimi, se trimi po lufton si burrat për Shqipërinë. Siç e njoh unë Çerçizin, ai do të bjerë i vrarë me nder, dhe atëherë ejani ju motra, që të dëfrejmë dhe kërcejmë së bashku, se atëherë vdes e gëzuar që na la emrin e pafëlliqur.”

Në 23 Korrikun e vitit 1880 u zhvillua Kuvendi i Gjirokastrës i kryesuar nga Abdyl Frashëri. Shtëpia e parë e Gjirokastrës u vizitua pothuajse nga të gjithë delegatët. Në rastet e pritjes së lindjes së jetës, urimi më i zakontë për shqiptarin gjithmonë ka qenë: – me një djalë! Këto urime mori edhe Ago Topulli nga delegatët e kuvendit. Djem i duheshin Shqipërisë së asaj kohe, djalë pruri në jetë edhe nënë Hasoja në 20 Shtator të atij viti. Për shkak të rrethanave meret me mend ç’farë ninullash e shoqëruan përkundjen në djep të vogëlushit të saj;

Të më rritesh shëndet plot

Si lisi me degë plot

Të më bëhesh trim bir – o

Ti ngjash Skënderbeut – o

Të luftosh për Shqipëri

Si Abdyl bej Frashëri

Thonë se përkundjet dhe ninullat e nënës, lozin rol të rëndësishëm në përcaktimin e personalitetit të ardhshëm të fëmijës. Vetëm 25- vjet më vonë djaloshi i ardhur në jetë atë ditë të vjeshtës së parë, do të kthehej në kryeluftëtarin e Shqipërisë. Vargjet e krijuara prej tij në kulmin e rinisë duket sikur nuk janë gjë tjetër, veçse zgjatim i vargjeve të ninullës që nënë Hasoja i këndonte dikur:

 

Unë e mjera Shqipëri

Ndë errësirë gjer tani

Ç’do njeri që sot më ndih

Tërë jetën do t’ia di

Aksionet e çetës së Çerçizit janë të njohura për këdo. Ato nisin me vrasjen e dhespot Fotit në Korcë, të bimbashit Halil Boshnjaku në Gjirokastër dhe kulmojnë me luftën e 18 Marsit 1908 në Mashkullorë. Çeta përshkoi 180 fshatra duke zgjuar dëshirën për liri dhe përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe. Prandaj kudo ku ajo shkeli, shpërndau flamurin Kombëtar, portretin e Skënderbeut dhe abetaren e gjuhës shqipe.

 

Tradhëtitë që ju bënë çetës …

 

Gjatë gjithë veprimtarisë së saj çeta e Çerçizit u tradhëtua 8 herë.

Shtatë nga tetë tradhëtitë erdhën nga brenda rradhëve të saj.

Nga të gjithë tradhëtarët vetëm një ishte i huaj, ushtari turk Bash Çaushi.

Pasojat që lanë tradhëtitë

Tradhëtia e Rrapo Mashkullorit – solli shpërbërjen e çetës në shtator 1906

Tradhëtia e çobanit Ilo – solli dënimin me një vit burg në kalanë e Gjirokastrës të priftit të fshatit, Birçes, mikut të Çerçizit dhe 10 fshatarëve.

Tradhëtia e Vehip Xhaferrit, – u bë shkak për Luftën e Mashkullorës ku u vra antari i çetës, Hajredin Tremishti.

Nga të gjithë tradhëtarët, vetëm një e tradhëtoi çetën dy herë brenda 24 orëve, Vehip Xhaferri.

Nga të gjithë tradhëtarët, vetëm një u ndëshkua me plumb ballit, Vehip Xhaferi.

 

Si e fituan këngën lebërit Bajram Prongjia dhe Hito Lekdushi

Në burgun e kalasë të Gjirokastrës Bimbashi kishte burgosur babanë dhe vëllanë e antarit të çetës, Hajredin Tremishti. Kjo ishte një arsye më shumë pse atentati ndaj Bimbashit u mor përsipër nga Hajredin Tremishti dhe Asllan Starja. Por të dy herët që ata shkuan nuk e gjetën dot Bimbashin. Kur po bëheshin gati për të shkuar për herë të tretë, lebërit e çetës i thanë Çerçizit: – Kemi vendosur që Bimbashin ta vrasim vetë, se e kemi për turp që kënga t’ju këndohet toskëve. Pas vrasjes së Bimbashit atyre ju ngrit kënga:

Mu te furra në të dalë

Hito labi me Bajramë

Me Bimbashin ballë për ballë

Seç i bënë temenanë

Lajmi i vrasjes së Çerçizit dhe nënë Hasoja

Çerçizi u vra në fushën e Shtoit në Shkodër në 15 Korrik 1915. Vëllai i tij, Kapoja dhe familjarët e familjes së madhe Topulli u kujdesën që nënë Hasoja mos e dëgjonte lajmin e kobshëm të vdekjes, që hoxha këndoi nga Dullga e kalasë. Por sigurisht instikti i nënës kishte bërë punën e vet. Në librin e tij “Topullarët e Gjirokastrës”, Bajo Topulli i Riu e përshkruan kështu këtë moment: Dalëngadalë nënë Hasoja filloi të mbyllej në vetvete. Ajo nuk pyeti asnjëherë për fatin e Çerçizit, por sytë e saj fituan një tjetër dritë. Ato u bënë më të përhumbur.

 

Pa dashur këto rreshta më shtynë përsëri në vitet e fëminisë. Mu kujtuan fjalët e nënës teksa shikoja ngultas vështrimin e saj gati të paspjegueshëm, kur dergjesha i sëmurë; – Të kam si drita e syve!  Humbja e dritës së syve të nënë Hasos, nuk ishte tjetër gjë, vecse përjetimi i humbjes së Çerçizit. Ajo u nda nga jeta 3 vjet më vonë, e pa ngushëlluar dhe pa i folur askush për vdekjen e djalit të saj. Por pavarësisht kësaj, ajo e vajtoi të birin e vet. Heronjtë vajtohen ndryshe, heshturazi. Zëri i kësaj “race” nënash dëgjohet vetëm një herë. Kjo ndodh kur ato mëkojnë fëmijën, kur bashkë me qumështin e gjirit përcjellin ritmin e këngës ninullë, zjarrin, dritën dhe forcën që ato kanë brenda vargjeve të tyre. Pas shumë kohësh, Hasoja, nëna e Çerçizit, pavarësisht se nuk është vlerësuar nga askush, ka fituar edhe statusin, “nëna e kombit”.

Në djepin e saj u përkund dikur, një pjesë e historisë së ardhme e të lavdishme të këtij vendi, që lidhet me emrat e Bajos, Çerçizit e Kapo Topullit. Ç’do kohë ka heronjtë e vet. Por nuk e di pse së fundmi më ka qëlluar shpesh të mendoj se në ditët tona mungojnë heronjtë e vërtetë. Gjithmonë e më shumë dalin në pah heronj të sajuar. Ndoshta kjo vjen për shkak se, të vërtetët i përkund në djep dhe ju këndon ninulla nëna, ndërkohë që të rremët, i përkund, këndon e ju bën ojna fatkeqësisht një pjesë e shtypit. Duke i mbetur besnik parimit që urimet për datëlindjen duhet t’i ndajmë me nënat tona, theksoj se edhe urimet për 140- vjetorin e datëlindjes së Çerçizit, duhet t’i adresohen edhe kësaj nëne të madhe, kardhiqotes Haso. Kam shumë pak kohë që jam bërë gjysh dhe mezi pres të dëgjoj ninullat që ime bijë do t’i këndojë fëmijës së saj. Sigurisht që do të kisha dëshirën që e para ndër to, të ishte ajo që nënë Hasoja sa ishte gjallë, nuk arriti ta dëgjonte dot. Ky do të ishte vlerësimi më i mirë për këtë nënë që i dha kombit dy rilindas të mëdhenj.

Të më rritesh në liri

Të bëhesh për Shqipëri

U rritsh ti si deg’e lisit

Ti ngjash Bajos dhe Çerçizit

Hyrja në vargjet e një ninulle, është më e vështirë se pushtimi i një kështjelle.

 

 

FUND

 

 

Ëngjëll !  Në se të duhet për kompozim të faqes, po të nis edhe këto të dhëna.

 

 

Historia e Çerçizit dhe çetës së tij përmes artit

 

Odhise Paskali – autor i bustit të Çerçizit ngritur në Gjirokastër.

 

Burrat e lirisë – dramë  Teatri Profesionist i Gjirokastrës

 

Thanas Dino – autor

Bernard Kokalari – regjisor

Fane Bita – në rolin e Çerçizit

 

 

Liri a Vdekje – film artistik

 

Vath Korreshi – skenarist

Timo Flloko – në rolin e Çerçizit

Kristaq Mitro – rregjisor

Ibrahim Muço – rregjisor