Asije Hoxha: Ja dramaturgët, regjizorët, skenografët e dënuar dhe të burgosur pas plenumir të IV të KQPPSH. Dramat, komeditë e ndaluara dhe spektaklet e pezulluara

1039
Sigal

-Edhe në fushën e dramës u vunë në shënjestër dramat e Fadil Paçramit, të Minush Jeros, Petro Markos, Ibrahim Uruçit, Dhimitër Xhuvanit etj. Gjithashtu u dha orientimi që jo vetëm të kritikohej dramaturgjia, por edhe të viheshin në dukje  dhe të mbivlerësoheshin dramat e politizuara si: “Toka jonë”, “Cuca e maleve”,  “Halili dhe Hajria “, “Pas vdekjes” etj. Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve para Plenumit të IV të KQ, 1973 u organizua një takim i posaçëm vetëm për dramaturgjinë. Ishte i pranishëm  edhe Ramiz Alia. Në fokus të kritikave më të ashpra u vu Fadil Paçrami, që u cilësua si dramafabrikues, që i kundërvihej vijës së partisë në fushën e letërsisë dhe artit. Në takim disa krijues mbajtën një qëndrim kritik ndaj vetes  duke mohuar krijimtarinë e tyre. Kanë  qenë të rrallë ata që guxuan të mbrojnë veten. Një ndër ata që guxuan të mbrojnë veten  duke thënë të vërtetën ishte regjizori Kujtim Spahivogli. M Prençi i pranishëm në këtë takim kujton: “Duke mos ndjerë rrezikun, Kujtimi foli pa ngurrim, pa diplomaci. Kur të gjithë kritikonin Fadil Paçramin ai nisi kritikën ndaj të tjerëve nga pozitat e atdhetarit dhe të komunistit. Nga salla menjëherë e ndërpret Ramiz Alia:  “Kujtim lëri këto, flit për vete dhe për marrëdhëniet me armikun e partisë dhe të popullit Fadil Paçrami”. Pas një pauze Kujtimi nisi të thotë:-  Unë me shokun Fadil kam pasur marrëdhënie si regjisor-dramaturg, bile e kam nxitur të shkruante se ishte i talentuar. E kisha për nder që e kisha shok! Gjithkush do ta kishte për nder ta kishte shok! Ai kishte qenë antar i KQ të Partisë, Ministër i Kulturës, Kryetar i Kuvendit Popullor…O Kujtim !- e ndërpret sërish Alia. – Ç’janë këto, more? Fol për veten tënde!

Si e kupton ti situatën, si e ndjen ti luftën që bën partia ndaj ndikimeve dhe shfaqjeve të huaja? Ke bërë ti gabime, krahas anëve të mira që ke pasur? Për këtë fol!…por Kujtimi vazhdoi të flasë për disa drama të Paçramit, që i kishte vënë në skenë, që sipas tij sillnin risi në raportet e së vjetrës me të renë. Nuk e mendonte që vetëm për këtë diskutim do të  dërgohej punëtor krahu në Fier. Diskutantët filluan të kritikonin. Njëri kritikoi ashpër dramën “Studentja e vitit të fundit” të Ibrahim Uruçit, sepse personazhi kryesor Afërdita e braktis të dashurin dhe mjaftohet vetëm me një fjalë “Nuk e dua” . Ky nuk është argument, nuk është qëndrimi ynë. Ky është qëndrim liberal për “dashurinë e lirë” , që shkatërron familjen tonë socialiste, shprehet një diskutant i revoltuar. Në diskutime përmendeshin edhe emrat e dramaturgut Minush Jero, regjizorit Mihal Luarasi dhe skenografit Ali Oseku si modele liberale dhe moderniste, për nxirrjen e  realitetit socialist në dramën “Njollat e murme” , e cila u rikujtua dhe u vu në shënjestër  të kritikëve.

Drama “Njollat e murrme”, në Festivalin kombëtar të teatrove, në vitin 1969 , fitoi Flamurin e festivalit. Në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë u organizua një mbrëmje festive për dhënien e flamurit. Sipas shënimeve të Prençit pjesëmarrës në këtë shfaqje ishin dhe anëtarët e Byrosë politike Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia. Mehmet Shehu ndërmjet të tjerave tha: …Kjo dramë dhe ky spektakël pasqyron me ngjyra të ndezura realitetin tonë socialist në  zhvillim dhe rrugë të drejtë. Mesazhet e kësaj drame janë thikë për armikun dhe frymëzim për ne. Për suksesin e kësaj drame u informua edhe  Enver Hoxha, i cili kërkoi ta shihte.  Mbasi mbaroi shfaqja udhëheqësi duartrokiti ftohtë dhe u largua pa u ngjitur në skenë siç bënte zakonisht në shfaqje të tjera. Në Byronë Politike pas një mbledhje urgjente Udhëheqësi foli edhe për dramën: “ Drama nxin dhe shtrembëron realitetin. Personazhet nuk janë njerëzit tanë të edukuar dhe kalitur nga partia. Njollat që kanë ata nuk janë të murrme, por të zeza…Nuk i kemi ne doktorët të tillë, i cili nuk tundet nga shtrati për të shpëtuar një jetë njeriu. Autori dhe regjizori kanë gabuar. Kanë paraqitur  shtrembër realitetin”. Në  këtë mbledhje , i pari u ngrit Mehmet Shehu, dhe bëri autokritikë  duke mohuar veten dhe ngritur lart mendimet e udhëheqësit.

Pas autokritikës në kupolën e lartë filluan analiza dhe autokritika në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, në Lidhjen e Shkrimtarëve dha Artistëve. Autori  i dramës  Minush Jero  mbajti një qëndrim të rreptë ndaj veprës së tij. Ndërmjet të tjerave tha: “Unë jam një nxënës i mësuesit tim të madh. Temën e hartimit nuk e bëra mirë. Mësuesi më vuri notën katër.”… Ndërsa Luarasi  e nis ligjëratën e tij me një fjalë të urtë popullore që thotë: “Pas beteje dalin shumë trima”. Do ta them haptas. Askush nuk ka bërë vërejtje të tilla për dramën dhe spektaklin (kishte kaluar shtatë hallka censurimi). Ajo është pëlqyer nga të gjithë ju që jeni këtu në këtë sallë dhe jashtë saj. Është pëlqyer edhe nga udhëheqës të tjerë të partisë dhe të shtetit…” Mbas takimeve dhe diskutimeve të krijimtarisë letrare artistike u mblodh Plenumi i IV i KQ të Partisë. Plenumi u mbajt më 26 qershor 1973. Nëse Plenumi i XV 1965 goditi ashpër dhe dhunoi lirinë krijuese të shkrimtarëve dhe artistëve, Plenumi i IV 1973 ishte ndëshkuesi dhe vrasësi i lirisë krijuese të autorëve dhe i veprave, që kishin kaluar vijat e bardha. Në Plenum në fjalën e tij, E Hoxha  foli edhe për dramën dhe teatrin. Ndërmjet të tjerash ai tha: “Në zhvillimin e letërsisë dhe të artit të realizmit socialist, gjatë tërë rregjimit komunist partia dhe udhëheqësi i saj Enver Hoxha mbante ndezur luftën kundër çdo shfaqje liberale dhe ndikimeve të huaja në mendimin estetik, në letërsi dhe arte. Në qershor 1973 u mblodh Plenumi IV i Komitetit Qëndror të Partisë.

Citojmë disa fragmente nga fjala e Udhëheqësit në Plenumin e -IV- për të kuptuar terrorin e parapërgatitur ndaj shkrimtarëve dhe artistëve, që kishin  pasyruar në krijimtarinë e tyre elemente dekadente dhe moderniste nga kultura borgjezo-revizioniste: “Të gjithë këto, (elemente dekadente…) pavarësisht nga  ç’pozitë e gotitin marksizëm-leninizmin e socializmin, pavarësisht me ç’parrulla e argumenta dalin kundër tyre, bashkohen në synimin kryesor, në qëllimin për të treguar se kapitalizmi i ka kapërcyer kontradiktat e tija; se shoqëria borgjeze është përmirësuar; se tanimë kapitalizmi e socializmi po konvegojnë drejt një shoqërie të njëjtë; se s’ka më vend për luftë klasore; s’ka më vend për përmbysje revolucionare; s’ka më vend për ideale komuniste” … “Çdo ditë dalin shkolla dhe shkollëza “të reja”, që u përngjasin sekteve e herezive të panumërta fetare. Megjithëkëtë, ata kanë një bazë të përbashkët filozofike që është idealizmi me të gjitha stërhollimet e pafund të tij” … “Temat  dhe heronjtë kryesorë të artit dekadent modernist janë vrasësit, prostitutat, imoraliteti, patologjia sociale…Ne kemi vlerësuar dhe vlerësojmë vetëm artin revolucionar, përparimtar e demokratik të huaj, qoftë ky i së kaluarës ose i shekullit tonë….Ne do ta shfrytëzojmë atë në të ardhmen në mënyrë kritike, sepse kjo është e nevojshme për zhvillimin kulturor të masave, për edukimin ideoestetik të tyre si dhe për formimin e atyre shijeve që  i rezistojnë ndikimit degjenerues dhe vulgar, borgjezo-revizionist…në disa sektorë, si në ato të artit, të kulturës dhe të arsimit, organizatat bazë të partisë nuk kanë qenë kurdoherë në rolin udhëheqës, në krye të punës. Ato nuk janë marrë me problemet themelore të përmbajtjes së veprimtarive të këtyre institucioneve, nuk kanë ushtruar ndikimin dhe rolin e tyre, për kuptimin dhe zbatimin e drejtë të vijës së partisë…kanë dëmtuar në këtë drejtim konceptete e gabuara, sipas të cilave problemet e artit dhe të kulturës janë çështje që u përkasin kryesisht specialistëve dhe se organizatat bazë të partisë nuk kanë pse të përzihen në këto punë…. Organizata bazë në çdo rast mban përgjegjësi të plotë në zbatimin e vijës së partisë… Për vijën e partisë, specialist duhet të jetë çdo komunist”. Me këtë plenum udhëheqësi foli qartë dhe me urdhër. Në radhë të parë vija e partisë  vepra s’ka rëndësi.

Plenumi ritheksoi dhe sqaroi parimet themelore të metodës së realizmit socialist; nënvizoi rrezikun e madh që paraqitin të ashtuquajturat “kultura universale”, që në fakt janë arma ideologjike të superfuqive dhe kanë si qëllim zhdukjen e kulturave dhe të letërsisë kombëtare të popujve të vegjël; domosdoshmërinë e mbrojtjes dhe mbajtjes pastër të realizmit socialist; mbrojtjes të karakterit kombëtar dhe popullor të letërsisë dhe arteve; vlerësimit të traditave kombëtare dhe sidomos të traditës letraro-artistike të realizmit socialist etj.  Dhe të mendosh,-shprehet Mexhit Prençi,-Enveri rrallë shkonte të shihte spektakle teatrore. Nga ato që ka parë më shumë i ka ndaluar se i ka miratuar. Me shpatën e luftës së klasave vriste e priste si të donte, kë të donte dhe kur të donte. M Prençi vetëposhtërimin e krijuesve, të cilët para Plenumit të IV  të KQi dërguan një letër udhëheqësit e vlerëson një realitet të dhimbshëm:

   “ Artistët e skenës katër ditë para fjalës së diktatorit në Plenum i shkruanin:

“ Si ushtarë të partisë në frontin e skenës, do të mprehim gjithmonë vigjilencën ideologjike- revolucionare për të ruajtur të pastër dhe të paprekur freskinë e artit tonë socialist. Të pajisur me idetë e partisë dhe mendimet tuaja  shoku Enver ne u shprehëm të vendosur t’u themi ndal ndikimeve të huaja borgjezo -revizioniste…” botuar edhe në gazetën Drita, më 22 qershor 1973. Megjithë autokritikën e dramaturgëve, regjizorëve, skenografëve, drejtuesve të institucioneve të teatrit, të cilët me anë të kësaj letre humbën lirinë e mendimit krijues dhe njëkohësisht vetveten Enver Hoxha u tregua i pamëshirshëm ndaj tyre. Në gjininë e dramaturgjisë filloi dënimi i artistëve me motivacionin “armiq” të partisë dhe pushtetit. Me këtë akuzë u dënuan dhe u burgosën dramaturgë, regjizorë, skenografë, drejtues të artit, redaktorë etj. Para tyre ishte burgosur  funksionari i lartë i partisë dhe dramaturgu i realizmit socialist Fadil Paçrami dhe anëtari i KQ të PPSH Todi Lubonja për qëndrime liberale dhe shfaqje të huaja borgjezo-revizioniste. Dënimet ishin sa qesharake aq të pamotivuara. Mexhit Prençi rrëfen një episod nga gjyqi i regjizorit Mihal Luarasi ku studenti i tij  L Z  del si dëshmitar para trupit gjykues: “Ishim në Korçë në një veprimtari teatrore. Një ditë në lokalin e Shtëpisë së oficerave po pinim birra Korça me të pandehurin Mihal Luarasi. Gjatë bisedës ai më thotë se në drejtimin e teatrove nuk duhet të jenë komunistët, por specialistët e teatrit. Ai ishte  kundër politikës së partisë të udhëhiqte në teatër. Kryetari i gjykatës Irakli Bozgo i drejtohet Luarasit: I pandehur ç’ke për të thënë?  Përgjigjet Luarasi: Këto që thotë ky (nuk i përmend as emrin)  unë i kam pohuar në hetuesi, por me këtë njeri unë nuk kam biseduar kurrë për këto gjëra, sepse nuk denjoja të bisedoja me të. Salla shpërtheu në të qeshura si aprovim  të kësaj gjuhe satirike.

 

 

Dramaturgë, regjizorë, skenografë të dënuar dhe të burgosur pas Plenumit IV të K Q të Partisë

Duke shfletuar librin e Mexhit Prençit “Drama dhe spektakli i ndaluar”

Në harkun kohor 1945-1955 censura në dramaturgji ishte më e butë, jo agresive.Tematika e dramave përshkohej nga fryma revolucionare dhe patriotike. Në këtë periudhë teatri ishte në nivelin e amatorizmit. Në vitet 1955-1960 po hidheshin hapat e parë të teatrit profesionist. Teatrot profesioniste krijuan një realitet të ri artistik mbi baza profesionale, ndërsa në fillim të viteve 60 dramaturgët dhe regjizorët e rinj, që të afirmoheshin në fushën e teatrit, rritën profesionalizmin nëpërmjet spektakleve të tyre, duke futur një klimë liberale në përdorimin e mjeteve moderne regjisoriale dhe të mendimeve e mesazheve të reja. Partia e informuar për frymën liberale, që po përhapej në rrafshet e krijimtarisë pas plenumit IV për letërsinë dhe artet 1973, mori masa drastike staliniste duke dënuar në fushën e letërsisë dhe të arteve të gjithë ata që kishin shkelur vijat e bardha të Partisë. Në librin “Drama dhe spektakli i ndaluar” janë emrat e të dënuarve pas dy Plenumeve 1965 dhe 1973. vetëm në fushën e dramaturgjisë. Kështu të ndarë sipas  profilit lexojmë:

  1. Dramaturgë të burgosur .

Ethem Haxhiademi, Kin Dushi, Ibrahim Uruçi , Fadil Paçrami, Minush Jero.

  1. Dramaturgë të dënuar në punë të ndryshme:

Xhemal Broja – nga Shtëpia Qendrore e Krijimtarisë Popullore, – në internim në Lushnje.

Naum Prifti– nga revista Ylli ,-në Divjakë të Lushnjes.

Fatos Arapi-nga pedagog në universitet,-mësues në Vlorë.

Qamil Buxheli-nga kryeredaktor i revistës Ylli,- në Sukth të Durrësit.

Kolë Jakova – nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ,- në Bregun e Bunës dhe në malësi të Lezhës e të Mirditës.

Teodor Laço-nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe artistëve, -në teatrin Bylis të Fierit.

Ruzhdi Pulaha-nga Radio-Tirana,- mësues në Pogradec.

Petro Marko-në Himarë në profesion të lirë.

  1. Regjisorë e skenografë të burgosur:

Mihal Luarasi– nga regjizor,- në burgun e Spaçit

Ali Oseku– nga piktor skenograf, -në burgun e  Spaçit

  1. Regjisorë të dënuar dhe të persekutuar:

Kujtim Spahivogli-nga regjizor në Teatrin Popullor,-punëtor në Fier.

Pëllumb Kulla– nga dramaturg,- punëtor në Vlorë.

Lec Shllaku-nga regjizor në Shkodër,- regjisor në Elbasan.

Leka Bungo-nga regjizor në Tiranë,- elektricist në Fier.

Bujar Kapexhiu-nga regjizor,- punëtor në Valias, Tiranë.

  1. Studiues, kritikë, redaktorë të dënuar:

Bardhyl Kosova-nga drejtor i Teatrit Kombëtar,- mësues në Berat,

Kudret Velça nga – kritik e pedagog në Akademinë e Arteve -mësues në Dukat, Vlorë.

Mexhit Prençi– nga redaktor e kritik në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore,- në Kashar të Tiranës.

Miho Gjini –nga kritik dhe inspektor i teatrit ,-në prodhim, pastaj në burg.

  1. Drama dhe komedi të ndaluara:

40 drama u ndaluan dhe u hoqën nga qarkullimi si:

Dramat e  Gjergj Fishtës– “Juda Makabe”, “Gomari i Babatasit”…

Dramat e Et-hem Haxhiademit-“Pirrua”, “Akili”, “Aleksandri”. ..

Dramat e Naum Priftit –“ Plumba dhe shkronja” , “Rrethimi i bardhë” .

Drama e Dritëro Agollit- “Mosha e Bardhë”.

Drama e Skënder Luarasit -”Stuhi në prill”. Etj.

 

  1. Spektakle të pezulluara :

12 shfaqje u pezulluan si : Drama “I pazëvendësueshmi” me regjizor Piro Mani. Drama “Miku i Namikut” me regjizor Serafin Fanku. Drama “Ishin të gjithë  bijtë e mi” me regjizor Misto Zoto etj.Kësaj liste po t’i shtohen edhe poetët, piktorët, shkrimtarët nuk mbaron. Po përmendim vetëm disa që janë shprehje e frikës që i kishte kapur udhëheqësit se letërsia dhe arti po u dilte nga duart. Kështu poeti Xhevahir Spahiu nga gazetar u dërgua në prodhim në Valias, Agim Gjakova, – nga ATSH,-mësues, Teodor Laço,- në Fier, Koço Kosta ,-në fshat, Sadik Bejko,- në Gjirokastër, Faslli Haliti,-në Myzeqe, Frederik Rreshpja në burg, Pano Taçi,-në burg, Bajram Hysenaj, -në burg, Jorgo Bllaci ,-në burg , Visar Zhiti,-në burg, Bedri Myftari ,-në burg  etj. Vala e dënimeve përfshiu të gjitha organet e shtypit letrar dhe shtëpitë botuese. U larguan nga puna të gjithë gazetarët e gazetës “Drita”, redaktorët nga revista “Nëntori” etj. Po cili ishte mëkati i tyre? Drama kishte kaluar për t’u miratuar për botim ose për në skenë  në disa hallka censurimi. Hallkat për t’u miratuar për botim fillonin me leximin dhe miratimin ose jo të dramës nga redaktori përgjegjës, nga recensentët, nga redaksia e institucioneve botuese, nga drejtori, nga shtypshkronja. Edhe për dramat e pabotuara, por që viheshin në skenë kalonin në disa hallka. Hallka e fundit ishte sekretari i dytë i byrosë së komitetit të partisë të rrethit. Kujtim Spahivogli vetëm se doli në mbrojtje të krijimtarisë dramatike të Fadil Paçramit u dërgua në punë krahu për ta edukuar klasa punëtore në një ndërmarrje të Fierit. Ku gaboi regjisori K Spahivogli, që vuri në skenë drama të miratuar nga të gjitha hallkat e censurimit? Kujtoj Kujtimin ( e kam pasur në një lagje), një djalë simpatik dhe energjik, që kishte mbaruar studimet e larta për teatër shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Emërohet aktor në Teatrin Popullor. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Popullor ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti” etj. Por më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit“, “Në tufan“, “Shtëpia në bulevard“, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq” etj. Spahivogli ishte edhe drejtues i “Teatrit të të Rinjve”, i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të pak pjesëve, që vuri në skenë me atë trupë qe edhe komedia e njohur e Majakovskit “Banja”. Po ashtu, vuri në skenë edhe pjesë të dramaturgut Fadil Paçrami, dhe kur ky u godit rëndë nga plenumi i katërt i Partisë bashkë me të u dënua padrejtësisht edhe Kujtim Spahivogli. ..Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë në skenë. Në fillim punoi në disa fshatra, pastaj e çuan punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit në Fier.Vdiq në vitin 1987 në moshën pesëdhjetepesë-vjeçare, i sëmurë e i harruar, edhe pse kishte qenë një ndër regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar. Pas vdekjes, në vitet ’90 iu dha titulli “Artist i Popullit”.

Nesër do lexoni:

– Si u përplas me Gogo Nushin, intelektuali dhe personaliteti  i teatrit Xhemal Broja për Kosovën

Pas prishjes me Jugosllavinë Xhemalit iu hoq masa e internimit dhe emërtimi “armik i partisë”

– Më 14 dhjetor 1966, në një mëngjes të vrenjtur pa asnjë motivim e internuan  së bashku me familjen për 15 vjet në një sektor të Lushnjes

Mihal Luarasi: “Njollat e murrme” Enveri e kritikoi populli e brohoriste

Antarët e jurisë që dhanë çmimet, ishin mbledhur shuk në një qoshe, “dridheshin” si të akuzuar kryesorë

-Partia presion mbi gratë që të ndanin burrat dramatirgë që nuk shkruanin për Partinë

– Edi Luarasi një ndër aktoret më të talentuara e hoqën nga teatri dhe përfundoi  rrobaqepëse pasi nuk pranoi të ndahej nga Mihali