Hyqmet Zane: Persekutimi i Nikollë Dakaj, se s’hoqi Fishtën nga librat

219
Sigal

“Fiku e mos u korit” – Katoliku burri i arsimit në Malsinë e Madhe

Persekutimi komunist i Nikollë Dakaj, pse nuk pranoi heqjen e  Gjergj Fishtës nga librat shkollorë.

Zhurma të  mëdha që bëhen sot për arsimin dhe veçanërisht për shkollën dhe modelet e arsimimit, kanë një mangësi në thelbin e tyre. Jo se nuk janë të drejta, por janë të pambështetura në forcën e mendimit dhe shembullit që kanë dhënë bijtë e kombit që edhe luftuan për ta fituar arsimin, por edhe u bënë shembuj të arsimdashjes të brezave, edhe pse sistemi i diktaturës i përndoqi dhe i dënoi, i përbuzi dhe i poshtëroi.

Ky portretizim do i shkonte përpikmërisht për shtat figurës së shquar të Nikollë Zef Dakaj, birit të Malsisë së Madhe nga Traboini i Hotit. Është i njohur sa për nivelin e lartë të përgatitjes intelektuale si mësues, po aq sa edhe si një njeri që si shpërblim mori në jetë dënimet nga diktatura vetëm e  vetëm pse ai ishte pasardhës i burrave që luftuan për kombin dhe nuk mund të pranonin diskriminimin nga agjitacioni komunist.

Dy fjalë për Nikollë Zef Dakaj

Kreu studimet në Liceun Franceskan “Ilirikum “ në Shkodër me vlerësim “Shkëlqyeshëm” dhe më pas vazhdoi studimet e larta në Universitetin Antonianum të Romës në Itali.

Babai i Nikollës, Zefi mori pjesë në luftimet për ngritjen e flamurit Kombëtar në Deciç më në krye Dedë Gjo Lulin në vitin 1911. (shif. Universiteti Shtetëror i Tiranës, Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878–1912, të thëna këto zyrtarisht në botimin “Kujtime Veteranësh” të vitit 1962  (f. 373–381).

I brymosur me dije të larta dhe të thella, por me shpirt atdhetari, Nikollë Dakaj i kushtoi jetën arsimit kombëtar, gjuhës amtare, fjalës së lirë, të vërtetës në interes të atdheut dhe asnjëherë në interesin e tij personal, edhe pse me këto virtyte, u dënua dy herë: 15 vjet burgim nga Gjykata Ushtarake e Rrethit të Korçës (1946) dhe së dyti 10 vjet burgim për agjitacion e propogandë nga Gjykata e Shkodrës në vitin 1977. Arriti të lirohet gjallë me 09 shkurt 1987 dhe ndërroi jetë më 12 shtator 1988.

Me talentin e tij të jashtëzakonshëm kishte mundësi të përfitonte dhe të bëhej i famshëm, por zgjodhi qëndresën, siç thonë në Malësinë e Madhe : “Fiku e mos u korit”, çka e lartëson këtë njeri si mësues i vlerave që diktatura e përdhosi, por nuk ia uli dot vlerat. Gjatë këtij kalvari biblik çuditërisht gjeti forca për të vazhduar punën mbi letrat shqipe deri në grahmën e fundit.

Disa fjalë të vërteta për një atdhetar

Në kohën kur vendi ishte nën pushtimin italian, Nikollë.Dakaj braktisi Universitetin Antonianum të Romës në shkurt 1941për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut përmes urdhërit që shtroi Ernest Koliqi si ministër i Arsimit të Shqipërisë në atë kohë, si edhe rreth 400 normalistë dhe mësues të shkolluar për nevoja urgjente të arsimit shqip për të shkuar në të gjitha trojet shqiptare për hapjene shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe. Me këtë rast ai i doli kundër edhe përpjekjeve të forta të eprorëve të Universitetit të Romës dhe premtimit që do ta  mbanin aty më detyrë të lartë pas kryerjes së studimeve.

Kanë qenë këto vite kur Nikolla do të ishte profesor në Normalen e Elbasanit,  Liceun e Tiranës  dhe Liceun e Korçës, deri më 1946, në kohën kur edhe do të arrestohej.

Për pesë vite me rradhë, Nikollë Dakaj do të ishte botuesi më prodhimtar në të gjitha organet letrare të asaj kohe si përkthime poetike, esse, kritikë letrare, poezi etj, duke nënshkruar me emër të plotë ose me pseudonimet Basho Jona, Melibeu, N.D. dhe Ni.

Në vitin 1944 i sollën makinën tek dera e shtëpisë për t’u rikthyer në Romë për të vazhduar studimet aq shumë të dëshiruara, por Nikolla, asokohe 25 vjeçar , nuk pranoi të braktisë atdheun në ato momente vendimtare.

Aty nga fundi i vitit 1945 në Liceun e Tiranës kundërshton energjikisht zv.Ministrin e Arsimit Shemsi Totozani të ngarkuar nga lart për të komunikuar urdhërin e përjashtimit të At Gjergj Fishtës nga shkolla e re shqiptare. Pas tij u ngrit edhe Arshi Pipa, i cili theksoi se Fishta, Konica e disa të tjerë ishin themelet e arsimit e kulturës shqiptare. Nga kjo përballje Nikollë Dakaj në vitin 1946 përfundoi në burgjet e komunizmit, ashtu si edhe Arshi Pipa.

Me gjithë persekutimin e egër, burgimet, konfiskimet, humbjet, djegies së banesës, faljes së punës krijuese për një kafshatë bukë për fëmijët, por edhe për zemërgjerësi ka lënë një trashëgimi tepër të vyer që do të aktivizohej nga vlerësimi që meriton t’i bëhet këtij njeriu me vlera dhe virtyte atdhetare dhe intelektuale të larta.

Qendra e Studimeve Albanologjike në vitin 2009 organizoi sesionin shkencor “Vepra Postum”- “Nikollë Dakaj –Vlerat e një autori të rizbuluar”  kumtoi Kolec Topalli, Agron Tufa, Mehmet Çeliku, Vili Kasmi, Primo Shllaku, Klara Kodra, Evalda Paci.

Çfarë kanë thënë për Nikolla Dakaj

Agron Tufa : Nikollë Dakaj përkthyesi i parë i hekzametrit në shqip,…..Pas shpinës së poetit përkthyes qëndron nderi dhe dinjiteti i gjuhës amtare. I vetmi që ia ka dalë kësaj përballje të vështirë “homerike” na rezulton djaloshi i ri aso kohe, Nikolle Dakaj.

Gjon Shllaku : ….Po me gjithë humbjet e shkrimeve nga konfiskimet gjatë dy burgimeve të tij edhe djegies së banesës ku më vonë u bë Klubi i Vllaznisë, prap se prapë ka lanë punime në vlera të mëdha, me të cilat do të mbetet modelisti “par excellance” i autorëve të mëdhaj Klasikë.

  1. Jokli : “Letrat latine dhe greke e kanë gjetun në personin e Zotnisë Basho Jona ( N. Dakaj ) nji folës mendjehollë edhe të dijshëm. Meritimi i Z.B J asht mbi gjithçka i pamohueshëm”.

At Zef Pllumi : “N. Dakaj, aso kohe konsiderohej si nxanësi ma i mirë i Liceut “Ilirikum”.

M.Xhaxhiu : “N. Dakaj ishte prodhimtari më i madh në vitet 1940- 1943”.

Ato që e ngrenë edhe më lart figurën e Nikollë Dakajt, janë veprat e botuara si “Koineja e Gjuhës Shqipe”, “Antologji e Poezisë së Madhe Botërore”, “Fedri, Përrallat Ezopiane”.

Janë në kërkim edhe vepra të tjera të humbura, të cilat mund të jenë në duar të ndryshme ose botime të pazbuluara.

Kështu u fik pa u korit që nga lindja më 22 nëntor 1919 e deri sa mbylli sytë më 12 shtator 1988 Nikollë Zef Dakaj, si një model se mësuesi i sotëm duhet të jetë jo thjesht një rrogëtar, por një personalitet i arsimit në shërbim të brezave dhe si shërbim i madh për të ardhmen e kombit.

Çdo katolik i sotëm duhet të jetë krenar për këtë figurë të pakorritur, që nuk u përkul para persekutimit komunist dhe është një model i atij malsorit, që nuk shitet për interesa tek pushteti, siç edhe kanë bërë disa pasardhës të malsisë së veriut që e kanë shitur shpirtin tek bijtë e atyre që i gjymtuan jetën dhe veprën Nikollë Zef Dakaj.

Shpesh, siç pohon i biri Anton Dakaj, “babai (Nikollë Dakaj), i referohej Gjergj Fishtës që e kishte idhullin e tij duke e cituar – Ma mirë dekë / nën dhe m’u kja / se për të gjallë / me mbetë / nën shkja / – që  na bënte krenar të tanë jetës sonë”. Është një mesazh se Opën Ballkan dhe lëvizje të tjera kompromentuese të kryeministrit Edi Rama janë një përulje para shkjaut serb që mbetet i ai që ka shkruar historia dhe Fisha gjithnjë kundër shqitparëve.