Hyqmet Zane: Qeverisja si peshku që qelbet nga koka dhe nga bishti

298
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Arrestimet e atyre që kanë bërë abuzime me tenderat  ngjasojnë me ato barcoletat që tregohen nga shkodranët zakonisht. Ashtu si po shkojnë punët e këtij vendi dhe këtij populli, të vjen në mendje një postulat i njohur që thuhet se, “peshku qelbet nga koka”. Përdoret dendur për të tipizuar realitetin e një vendi si ky i yni, ku e keqja  e qeverisjes janë koka e peshkut që qelbet nga kreu. Dhe kjo ka domethënien e vet dhe është e provuar. Gjithnjë krahasimi bëhet për një qeverisje që, kur nuk shkon mirë, fajin e ka i pari i saj, por edhe për çdo gjë tjetër me rëndësi jetike, kjo shprehje gjen përdorim. Në këtë vendin tone, kjo shprehje ka gjetur sinkronizimin më të madh dhe që i ka sjellë një dëm të madh këtij populli.

Por e keqja është që, nëse “Peshku është qelbur nga koka” në këtë vend, duket se ai që e ka mbajtur në kurriz qelburinë e kokëpeshqëve, është populli. Në këtë rast më vjen në mendje ajo historia e një qytetari që, kur vajti në një lokal, kërkoi të hante një peshk. Pasi ia solli kamarieri, ai filloi t’i merrte erë nga koka dhe nga bishti. E pa kamarieri dhe i shkoi për t’i thënë se çfarë ka. Ia tha qytetari se, ky peshk është i qelbur. Por kamarieri i përgjigjet që ju po i merrni erë nga bishti, kurse dihet, që peshku qelbet nga koka. Në këtë rast, qytetari ia kthen “Ky peshk nga koka është qelbur që është qelbur, por ky peshk është qelbur edhe nga bishti”.

Gjatë një shekulli pas Pavarësisë, kemi provuar se gjithnjë, dështimet e qeverisjeve të njëpasnjëshme nuk kanë pasur si fryt qelbjen nga drejtuesit, por ka qenë edhe ky popull që ka pranuar dhe ka bashkëjetuar me këtë lloj qeverisje. Për fatin e keq është një popull që i është bërë shpërlarja e trurit nga ideologjia e së keqes, që kanë qeverisur duke ia hequr të menduarit me opozitarizëm popullit të vet. Jo pa shkak shkrimtari ynë i nderuar Ismail Kadare është shprehur “Nuk të vë faj, që je pa tru. Truri është si një lule, nuk rritet në çdo lloj ambienti….!”.

Nuk e di se sa e drejtë do të ishte të quhej “peshk qeveri me këtë lloj peshku popull” që po i ngjajnë njeri-tjetrit, janë si vëllezërit siamezë në të mira dhe në të këqija, ndaj dhe thuhet ajo shprehja që “peshku tanimë u qelbka nga koka dhe nga bishti”, se një popull që hesht apo fle gjumë, është i destinuar ose të vuaj ose të vdesë, siç e ka pohuar Ismail Bej Vlora. Për fatin e keq të tij dhe tonin, këtij populli i mungon integriteti dhe ka pajtueshmëri me çdo lloj pushteti, i mungon shpirtëzimi i jetës së vërtetë dhe me dinjitet, tamam ashtu siç e ka tipizuar Sadrazam Princ Said Halim Pasha (Nipi i Mehmed Ali Pashë Kavallës), kur shprehet kështu “Atdheu shpirtëror është vlerë më e madhe se dheu në të cilin jetojnë njerëzit . Popujt që i kanë humbur, vlerat fetare dhe kombëtare, edhe nëse jetojnë në tokat e tyre, janë të robëruar”.

Nuk kam besuar kurrë se ky vend nuk bëhet, por në këto 100 e ca vjet po përjertojmë një dritë – hije të vërtetë sa më shumë se me të mirën dhe vlerat e vërteta njerëzore si komb, kemi përqafuar antivlerat, të keqen, kemi bashkëjetuar pa protesat dhe të mëshiruar. Edhe pse janë të blerë, ka ekrane televizive që po thonë e çfarë nuk thonë, për të vërtetat që po përjetojmë dhe përballë tyre dalin ca këshilltarë të pushtetit, që po kërkojnë të na bindin me justifikime për ato që tashmë janë të pajustifikuarat e një qeverisje, që është kthyer në një piranie që ha, gërryen, dhe zhduk gjithçka jetësore.

Është rasti të rikujtoj atë bisedën e ndodhur dhe të thënë në vitin 1936 mes Lef Nosit dhe Harri Fulltz, të shkollës së mirënjohur amerikane, kur shkoi në Llixhat e Elbasanit, pronë e familjes Nosi. Konfidencialisht në shkëmbim e sipër bisedash Fullzti i thotë Lefit se kishte bërë një eksperiment me nxënësit konviktorë të shkollës teknike. U kishte pakësuar ushqimin konviktorëve dhe askush nga fëmijët nuk kishte vajtur tek ai për të protestuar. “Prita e prita, – kishte thënë Harri, – por më kot, askush nuk erdhi të më thoshte, qoftë edhe një fjalë të vetme. Me këtë dua të them, kishte nxjerrë konkluzionin e tij drejtori Fulltzi se, – kur nuk protestojnë fëmijët për një padrejtësi si kjo që u bëra unë, me një qëllim të caktuar, kjo tregon se këtë ndjesi mosproteste e kanë të frymëzuar në shtëpitë e tyre nga prindërit e tyre”. Me një fjalë, një popull që hesht dhe kur proteston anatemohet nga koka e peshkut të qelbur, të qelb mandej edhe bishtin e këtij peshku.

Verbimi i një populli që në vend që të shohë realitetin e qeverisjes së tij me shumë probleme dhe ngërçe të pazgjidhura jetike, blihet për pesë para në zgjedhje, siç edhe u blenë zgjedhjet e 25 prillit dhe duartrokiti varfërinë dhe krimin, paqëtohet dhe bashkëjeton me të keqen dhe mosprotesta ndaj çdo të keqeje, që kjo kokë peshku i bën trupit të popullit, e mban të kalbëzuar këtë shoqëri. Fakti që gjithçka është mbrujtur me korrupsion në çdo qelizë të jetës nga ai nëpunësi i thjeshtë  e deri tek kryebashkakiakët që po ikin si koka turku nga megakorrupsioni, fakti që krimi ka marrë rrugët dhe është bërë i frikshëm,  fakti që jemi bërë një e keqe edhe në vendet evropiane për trafikimet e të gjitha llojeve, nuk duhet të çuditeni se injoranca, varfëria, gangsterizmi qeveritar, i shkon për shtat filozofisë leniniste, kur udhëheqësi i revolucionit rus që përfundoi në stalinizëm, Lenini, mendohet se ka thënë se “Do i zhys njerëzit në varfëri ekstreme që t’i bëj të harrojnë Zotin!” thuhet se vitet e fundit lideri komunist u V. I. Lenin u zhyt në sëmundje të rënda, të cilat e bënë të harrojë veten dhe gjithçka tjetër.

Besohet se Zoti e toleron jobesimtarin, mëkatarin dhe gjynahqarin dëmi i të cilit kufizohet vetëm tek vetja e tij, por nuk e toleron zullumqarin i cili merr në qafë njerëzinë. Ndoshta është kjo një thënie që motivon protestat e një populli që nuk e duron dot të bëhet si një peshk që qelbet nga koka dhe nga bishti, nga zullumet që ka bërë.

Thuhet e çfarë nuk thuhet, edhe ambasadorët flasin kur u vjen midea e interesave, por në këtë vendin tonë po bëhen më të zezat, po dalin sheshit më të qelburat e qeverisjes dhe ka një pjesë popullore të ashtuquajtur të majtë, të indoktrinuar që i bëhet palë së keqes e injoruar nga fati që e ka kapur. George Bernard Shou duket se e ka thënë enkas për shqiptarët atë tërheqjen e vëmendjes kur thotë, “Kini kujdes nga dituria e rreme; është më e rrezikshme se injoranca”, a thua se tipizon atë kategori qytetarësh, që për një vend pune dhe një rehati personale, bëhet edhe megafon për të justifikuar edhe të keqen që edhe vetë ata, e jetojnë me dëshpërim të pashprehur.

Porse të fitosh zgjedhjet me blerje të votuesve dhe të tallë një ambasador që të thotë se ishin zgjedhje të mira, dhe nga ana tjetër, nuk ka fenomen të jetës publike që Shqipëria të mos futet në listën e të zezave, dhe kryeministri i vendit të bëjë gjyqtarin dhe prokurorin si shejtan-budalla si i thonë fjalës si “evlija”, kësaj i thonë hidhu hi syve të gjithëve, edhe ndërkombëtarëve dhe bëhu popull “i lumtur” në mizerjen tënde.