Trafiku/10 mijë euro për të kaluar në BE. Tonin Vocaj: 25 të arrestuar në Shqipëri të përfshirë në rrjetin kriminal

199
Sigal

Lulëzon trafiku i  emigrantëve, ja si funksionte skeme 5-10 mijë Euro për ‘ëndrrën evropiane’

Prej vitit 2018, fluksi i emigrantëve të parregullt të ndaluar në Shqipëri është rritur në mënyrë eksponenciale, duke e kthyer vendin në një korridor të rëndësishëm të lëvizjes së emigrantë drejt vendeve të BE-së. Referuar të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në Shqipëri për 10 muajt e vitit 2021 janë shënuar 14,013 emigrantë të huaj të parregullt. Përgjatë periudhës Tetor 2017-2021 numri mesatar i emigrantëve të huaj të parregullt të kapur në vend është 1,272 persona.

Një hetim i koordinuar nga Eurojust (AJA) kundër katër grupeve të strukturuara të trafikut të qenieve njerëzore mes Italisë Greqisë dhe Shqipërisë, u përmbyll të mërkurën me arrestimin e 47 personave, nga të cilët 25 vetëm në Shqipëri.Në një njoftim të SPAK që drejtoi hetimet për palën shqiptare bëhet me dije se grupet që vepronin në Turqi, Greqi, Shqipëri dhe Itali kishin trafikuar 1120 persona, kryesisht emigrantë nga vende të Lindjes së Mesme.

Nga hetimi  rezultoi se 2 grupe vepronin në në Itali, 1 grup në Shqipëri dhe 1 grup në Turqi. “Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 000 deri në 10 000 Euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare, duke ju mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin me destinacion përfundimtar vendet e BE-së”, thuhet në njoftim.Në një konferencë të përbashkët për shtyp mes autoriteteve të policisë dhe prokurorisë italiane dhe asaj shqiptare u bë me dije se hetimet për grupin kishin filluar pas një episodi trafiku në prill të vitit 2020. Atëherë Policia e Shtetit raportoi arrestimin e 2 personave që u akuzuan se kishin vjedhur një gomone në Greqi. Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit, gomonia ishte e vjedhur në Greqi dhe dy të arrestuarit Paulin Koçi, 25 vjeç, dhe Dushan Spahiu, 43 vjeç, u referuan në Prokurori për akuzën e “trafikut të mjeteve motorike”.

Por në një njoftim paralel Ministria e Mbrojtjes, e cila ishte bërë pjesë e aksionit përmes Rojes Bregdetare e cila kishte bllokuar gomonen, raportoi se të arrestuarit dyshoheshin për trafik klandestinësh. Ministria e Mbrojtjes e fshiu më pas këtë njoftim duke pretenduar se bëhej fjalë për lapsus.

Tonin Vocaj: 25 të arrestuar në Shqipëri të përfshirë në rrjetin kriminal

Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj ka dalë në një konferencë për shtyp në lidhje me operacionin e kryer në disa shtete, mes të cilave edhe në Shqipëri për goditjen e katër grupeve kriminale në fushën e trafikut të emigrantëve të paligjshëm.Në fjalën e tij, Vocaj u shpreh se në kuadër të këtij aksioni të përbashkët mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, u bë i mundur arrestimi në vendin tonë i 25 personave, 18 prej të cilëve shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj, të gjithë të përfshirë në këtë rrjet të mirëorganizuar.Sipas Vocajt, të arrestuarit i merrnin nga 5 deri në 10 mijë euro për person emigrantëve të paligjshëm, me qëllim dërgimin e tyre në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa shtoi se janë sekuestruar mjete lundruese, skafe, një anije velierë dhe sende të ndrysyhme që përdoreshin nga trafikantët për kryerjen e transportit të emigrantëve.