Elbasani, me sasinë më të madhe të mbetjeve të pamenaxhuara

175
Sigal

Inceneratori i dështuar, Elbasani ndër qarqet me sasinë më të madhe të mbetjeve të pamenaxhuara

Elbasani rezulton ndër qarqet me sasinë më të madhe të mbetjeve të pamenaxhuara gjatë vitit 2020 edhe pse qeveria shqiptare ka investuar 21.6 milionë euro për ndërtimin e incineratorit për përpunimin e mbetjeve në këtë qytet.

Të dhënat bëhen të ditura në raportin vjetor të Institutit të Statistikave. Sipas dokumentit, Elbasani ka gjeneruar gjatë vitit 2020 më shumë se 92 mijë tonë mbetje, nga të cilat 23.3 për qind e tyre nuk janë menaxhuar. Nisur nga kjo e dhënë, Prefektura e Elbasanit renditet në 3 qarqet me nivelin më të lartë të mbetjeve të pamenaxhuara pas Dibrës me 35.5 për qind dhe Kukësit me 33 për qind të totalit të mbetjeve.

Raporti zbulon se gjatë vitit 2020 incineratori i Elbasanit ka përpunuar vetëm 10 mijë tonë ose 11 për qind të mbetjeve të gjeneruara. Ndërkohë, rreth 51 mijë tonë rezulton se janë depozituar në landfille dhe 14 mijë tonë mbetje janë ricikluar.

Ndërkohë në gjithë vendin sasia e mbetjeve urbane të menaxhuara për banorë ishte 369 kg. Qarku me sasinë më të lartë të mbetjeve të menaxhuara për frymë rezulton ai i Gjirokastrës me 728 kg, i ndjekur nga Fieri me 480 kg. Nga ana tjetër, qarku me sasinë më të ulët të mbetjeve të menaxhuara për frymë ishte Korça me 237 kg, e ndjekur nga Shkodra dhe Dibra me 231 kg.

Referuar të dhënave konstatohet se 80 për qind e mbetjeve të gjeneruara janë depozituar në landfille, 18.1 përqind janë ricikluar, 1.1 për qind janë djegur në incineratortë dhe 0.5 për qind janë hedhur në natyrë në mënyrë të parregullt.

Kujtojmë se 1 muaj më parë Prokuroria e Posaçme vendosi sekuestrimin e incineratorit të Elbasanit pasi gjeti shkelje në procedurat për koncensionin e trajtimit të mbetjeve. Ndërkohë, administratorja e kompanisë koncensionare ‘Albtek Energy’, Stela Gugallja është në kërkim për korrupsion të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash.