Normales së Elbasanit i ka mbetur vetëm muzeu
Erdhi dhe iku 7 Marsi si Dita eMësuesit dhe ajo që ra më shumë në sy ishte një atmosferë e vakët dhe mungesa e entuziazmit. Kanë qenë të privilegjuar ata mësues a mësuese, që morën urime nga nxënësit, apo ndonjë tufe lule. Për një mësues të vjetër apo veteran të Normales së Elbasanit është trishtim bilanci që i bëhet gjendjes së arsimit në Elbasan si edhe në të gjithë Shqipërinë. Por dua të fokusohem në një aspekt të veçantë të arsimit në Elbasan, ku Normalja “Nderi i Kombit” ka qenë binjakja e këtij qyteti, që duket se vit pas viti ka humbur edhe bijtë e saj, por edhe lavdinë.

Si investigues mora vesh se tek muzeu i Normales në shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasn ishin mbledhur drejtuesit e pushtetit – kryebashkiaku, kryetarja e këshillit të Qarkut dhe Prefektja duke dashur të bënin një urim për Ditën e Mësuesit. Më erdhi mirë që nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kishin ardhur veteranë të arsimit. Nuk e di se kush i kishte ftuar, ndoshta drejtori i gjimnazit siç quhet tashmë ish shkolla pedagogjike, pak rëndësi ka. M’u tha se ishin edhe një normalist si Tomor Arianiti dhe profesori Panajot Lena. U ndjeva mirë për vlerësimin që iu bë ish pedagogut tim Tomor Arianiti, ish nëndrejtor i ILP “A. Xhuvani”- Elbasan, njerit nga orientuesit e krijimit të ILP. Do të doja vërtet të isha edhe unë si dikur kur organizoja bashkë me Shoqatën Normalisti takime të tilla. Edhe pse kryetari i fundit i kësaj shoqate Rudolf Deliana ndrroi jetë para disa ditësh pa zhurmë dhe asnjë vëmendje pushteti, mendoj se kjo shoqatë prestigjoze që ka degët e saj edhe në Kosovë, në Mqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi do të duhej të ishte në ballin e kësaj feste të mësuesit.
Pa bujë dhe pa ndonjë spikatë pushteti u mblodh tek Muzeu i Normales, si i vetmi institucion që ka mbetur nga lavdia e dikurshme. Falë punës së “Mësuesit të Merituar” Genc Trandafili, e gjithë potentja Normale ka mbetur verëm një muzeum, që vizitat tek ai janë vetëm privilegj i ndonjë miku apo drejtuesi të lartë. Me një fjalë muzeu i Normales ka mbetur si një relikë, që ka vetëm vlerën se “na ishte dikur” Normalja.

Sa intelektualë me emër të arsimit kanë dëshiruar dhe kanë kërkuar me ngulm që shkolla pedagogjike të ishte “Normalja Universitare” si vazhdimësi e asaj shkolle të parë më të lartën që u bë djepi i përgatitjes së mësuesve, që mbushën të gjitha trojet me mësues për hapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe në trojet përtej kufijve të Shqipërisë. Ata normalistë të lavdishëm ishin heronjtë e mendjes dhe të penës, që nuk luftuan armikun me pushkë, por me dijet që përhapën. Ndihmoi në këtë akt madhor që është konsideruar si “Pavarësia e dytë e Shqipërisë” që bëri ministri i arsimit i asaj kohe më 1940 Ernest Koliqi, që urdhëroi rreth 400 normalistë burra dhe gra të bëheshin pishtarët e arsimit shqip në trojet jashtë kufijve. Dhe ata ia dolën dhe disa prej tyre mbetën atyre trojeve dhe nderohen edhe sot e kësaj dite. Por për fatin e keq pushteti, ky pushtet edhe kur shkoi një vit më parë në Kosovë nuk e dinte që kryetari i veteranëve të arsimit normalist ishte një elbasanas Mehmet Gjevori, i mirënjohur dhe i nderuar në Kosovë, që edhe familjen e ngriti atje dhe jetoi me lavdinë e Normales duke qenë edhe autori i abetares së parë që u formatua në Kosovë.

Profesor Arianiti kujton se “kur vajtëm në Prishtinë në vitin 1991 na bënë një respekt ekstra, na pritën dhe na mbështetën, na shoqëruan në çdo familje dhe një ditë na pyetën se e njihnim Hasan Dylgjerin ? – Po, – u thashë, e kemi elbasanasin tonë. U gëzuan dhe shprehën konsideratat e mëdha për mësuesin Normalist, që ishte aty në Gjilan bashkë me të vëllain e tij Tajar Dylgjerin. Ata tregonin se Hysenin e futën në burg e akuzuan si nacionalist shqiptar, e torturuan si dikur nazistët dhe kur u kthye në Shqipëri e shihnin shtrembër se e mendonin si agjendt të UDB. Por në Kosovë e kishin idhull për vlerat e një mësuesi të devotshëm”.
Emra të tillë si Mehmet Gjevori e Hasan Dylgjeri apo Jonuz Balla në Tetovë dhe shumë e shumë të tjerë kanë mbetur në kujtesën e përfaqësimit dinjitoz të Normales sonë. Thuhet se Jonuz Balla, të cilin e kam njohur dhe intervistuar, shërbeu në Tetovë dhe u bë shembulli i mësuesit dinjitoz dhe të përkushtuar, por pas Luftës II Botërore serbët e burgosën dhe e dënuan. Por familjet e nxënësve të tij e mbajtën dhe u kujdesën për të dhe derisa u lirua nga burgu dhe erdhi në Shqipëri. Kur erdhi këtu e akuzuan si agjent të UDB dhe e futën në burg. Pikërisht mësuesin e nderuar dhe të përkushtuar, atdhetarin dhe njeriun e mrekullueshëm, që si profesion njihte vetëm mësuesinë se ishte normalist i nderuar.
Janë histori që kanë ndodhur, por që harrohen të kujtohen se Normalja u mbyll dhe për shumë normalistë ai akt i mbylljes së saj është një krim kombëtar. Nuk thuhet asnjë fjalë për të nderuarin Vasil Kamani, 20 vjet drejtorin e Normales dhe më pas drejtorin e parë të ILP “A. Xhuvani”.

Pushteti mblidhet si fshehurazi dhe feston “Ditën e Mësuesit”, ditën e asaj ngjarjeje që na bën krenar si shqiptar, por që tallavatë dhe tam-tamet e festave për të ngrënë ballakume apo për shfaqje folkloristike që bëhen me zhurmë dhe kur mbarojnë nuk mbetet asgjë në mendje veç plehrave në rrugë e sheshe. Porse për Normalen “Nderi i Kombit” nuk bëhen proklamime të mëdha, as që i merret modeli i shkollimit, kur mësuesit normalistë u bënë modeli i përfaqësimit të kësaj shkolle me emër dhe me dinjitet.
Gjendja e arsimit të sotëm sidomos në këto 11 vjet është kthyer në një arsim formal, mësues pa mësuesi, nxënës pa dije, letra e vetëm letra, aspak disiplinë dhe braktisje pa fund, edhe pse fasadat e shkollave janë bërë të bukura. Ashtu si unë edhe shumë mësues të vjetër e sidomos ata pak normalistë, që kanë mbetur gjallë ndjehen të zhgënjyer. Avdul Sulejmani nga Galbaqi i Çamërisë që sot jeton në Durrës në moshën 94 vjeçare shprehet : “do të doja të isha përsëri një normalist se e doja profesionin e mësuesit dhe u bëra një mësues i mirë. Por këto kanë mbetur vetëm si relike se më duket se arsimi është degjeneruar në gjithëçka. Nxënësi nuk ka respekt për mësuesin, mësuesi ka rënë në nivelet e ulta, degët e mësuesisë në universitete sidomso në Elbasan, në kryeqytetin e arsimit mbarkombëtar janë mbyllur. Kam keqardhje që në këtë moshë përjetoj të tilla realitete për arsimin për të cilin thuhhj se si të jetë arsimi sot, do të jetë kombi nesër”.
Fakti që edhe pushtetarët e sotëm mblidhen vetëm tek një muze i Normales si relike e një shkolle me emër si “Nderi i Kombit” dhe sot nuk kemi një muze të arsimit mbarkombëtar dhe më keq akoma modeli i mësuesisë së Normales nuk përfillet fare, ky është mjerim i madh i vendit tonë kur atë e drejtojnë njerëz me vizione oligarkësh dhe me mendësi paranojakësh. Më duket se po na shoqëron një fatkeqësi kombëtare e harresës dhe fshirjes së kujtesës së Normales që ishte Universiteti i Parë Shqiptar më 1 dhjetor 1909.




















