Ana ishte ulur dhe kish marr një libër për të lexuar, por nuk e kishte mendjen aty. Ju kujtua diçka që kishte lexuar për pasionin. Çfarë është pasioni, përse trajtohet si një uri që mbasi ushqehesh përfundon! Pasioni për të dashuruar një njeri, një qenie me botë ndjenjash e një trupi të gjallë, të lëvizshëm shuhet, ndërsa pasioni për një vegël muzikore; një violinë, pjano, vazhdon gjithë jetën. Ai është objekt i ngurtë që t’i i jep tingull, i jep shpirt, i jep gjithë pasionin tënd shpirtëror, një lidhje e fortë e ndërthurur aq shumë gati e rrezikshme në varësinë e saj. Ti nuk shkëputesh dot, është obsesion, do ta mbash me vete, të qetëson, të frymëzon, trazon shpirtin tënd. Ti shkon diku tjetër, jashtë gjithësisë njerëzore.
Pasioni për njeriun qenka një pjatë e shijshme që kënaq dëshirat e nevojat trupore dhe kaq. Jo jo jo, mua nuk më ndodh kështu! Ndoshta unë duhet të kem problem me ato vatrat e trurit, që merren me urinë. Kishte parë një emision për obezitetin. Njerëz të tillë kishin probleme me urinë e vazhdueshme, që varej nga këto vatra. Truri im ka probleme me pasionin! Unë e dua dhe e puth njësoj atë me dëshirë si dikur në puthjet e para. Prania e tij më ngroh, më jep një qetësi që e ndjej, më përshkon. Molekulat që dalin nga qenia e tij hyjnë brenda qenies time, më trazojnë, më përkëdhelin. Hapi librin dhe u çudit se në të gjeti letrën që aq shumë e kish kërkuar me vite. Ishte letra që i kishte shkruar ai. E mori, duart ju dridhën. U kujtua sa emocion i kishte shkaktuar ajo letër. E hapi dhe filloi të lexojë: -Të kam thënë sa të dua ndonjëherë! Ta kam thënë me fjalë! Se di, jo nuk besoj. Unë flas pak, po ta them tani. Të dua ! E di çfarë është prekja jote për mua! Çfarë ndodh tek unë kur duart e tua më lodrojnë mbi trup, kur buzët e tua prekin. Kthehem i gjithi në shpirt, jam ndjenjë dhe shikoj si përpëlitet trupi im. Nuk jam masë e prekshme, nuk jam i bukur a i shëmtuar, nuk jam i lodhur, i stresuar, nuk di çfarë është mendimi, jam rrymë, jam dritë, ngrohtësi, frymë. Jam fllad, nuk jam i dukshëm, por i trazueshëm, depërtues, i ëmbël, therës, i qetë, i paqtë. Nuk ka tik tak. Kur pranë nuk të kam, të thërras. E ndiej që ti hyn tek unë, rrotullohesh, shtriqesh dhe vesh trupin tim. Unë jam ti, lëviz me ty. Nuk ka rëndësi ku je, çfarë bën, çfarë mendon, unë të kam me vete çdo kohë. Ti je qenësia ime, kështu do jetë gjithmonë. S’e mendoj, e ndjej këtë.
Kam dëshirë të vështroj pa fund. Ti nuk e di si të shikoj vjedhurazi kur bëhesh gati në mëngjes, si vishesh, lyesh. Të vështroj kur lexon një libër, mundohem të kap çfarë përjeton. Kur më del gjumi natën të shikoj kur fle, afrohem dhe marr erën tënde. Të vështroj kur lyen flokët, kur lyen thonjtë, si hekuros këmishat e mia. Të vështroj dhe gjithmonë jam kurioz si lëviz, si flet, si reagon. Gjithmonë jam i etur për të të njohur ty. Puthje! Ana e mori letrën dhe e mbështeti në gjoks, por kur ktheu kokën, ndjeu praninë e tij. Shiko çfarë gjeta, letrën tënde. Ti e di sa e kam kërkuar, se kuptova si ishte këtu në këtë libër! Letrën e kisha unë për vite të tëra, e mbajta për ta dhënë sot. Nuk kishte nevojë të shkruaja tjetër, asgjë nuk ka ndryshuar. Çdo herë do të shkruaja të njejtat fjalë. Ajo u ngrit dhe shkoi pranë tij, mbylli sytë dhe i tha më prek. Ndjeu duart e tij që dridheshin lehtë mbi fytyrën e saj. Ikën të dy në një botë që ishte vetëm e tyre, në një hapësirë kur shpirtrat ishin të lirë. Çdo gjë është larg, ata jane si një yll, kanë hapsirë.
Eva Gjoni




















