Fuat Memelli: Rrufetë që erdhën nga Vlora pas festivalit të 11

1027
Sigal

Si erdhi në TVSH, Todi Lubonja, drejtori me kulturë të gjerë dhe me prirje liberale. Brezi i regjisorve, kolegë ve dhe operatorve nga Shanaj, Lati, Pepo, Kule, Gurashi, Gajo, Kuke etj. Festivali i 11-të, si u dënua Fadil Paçrami dhe spikerat që bënë histori në RTSH

Fuat Memelli:  Kur shkova në TVSH gjeta, Mevlan Shanajn, Petro Latin, Ylli Pepon, Vladimir Grillon, Alfons Gurashin, Gazmir Shtinon, Mërkur Bozgon, etj 

Si erdhi në TVSH, Todi Lubonja, drejtori me kulturë të gjerë dhe me prirje liberale 

-Fryma liberale e Todi Lubonjës kulmoi në Festivalin e 11-të që u mbajt më 22-25 dhjetor të vitit 1972.

-Prezantues të Festivalit të 11 ishin Edi Luarasi e Bujar Kapexhiu, ndërsa regjisor Mihallaq Luarasi.

-Festivali i 11 pati muzikë të bukur dhe ritmike, veshje më elegante dhe një çlirim nga qëndriumi statik i këngëtarëve.

– Por, gëzimi nuk zgjati shumë pasi Enver Hoxha i cili e kishte ndjekur nga Vlora ku ishte me pushime, lëshoi rrufetë për organizatorët e në radhë të parë për Todi Lubonjën

-Nuk harrohen operatorët Stefan Gajon, Pali Kuken, Bujar Kokonozi, Valter Qarri, Astrit Omeri, Ilir Kasneci, Gaspër Shllakun, Bujar Kore, Naun Lasku, Agim Kuri, Esat Çuçllari

– Si u dënua Fadil Paçrami, sekretar i komitetit të partisë së Tiranës për artin e kulturën

-Nuk mund të le pa përmendur Kiço Fotiadhin, Virgjil Kulen Silvana Braçen, Zerina Kuken, Dhimitër Gjokën, Tefta Radin

Albert Z. ZHOLI

Fuat Memelli mbetet ndër agzetarët e parë të RTSH. Në këtë 60-vjetor të TVSH ai ka shumë kujtime. Ai punoi plot 42 vjet si gazetar bujqësie, por dhe si realizues i dhjetëra filmave dokumentarë për bujqësinë. Qysh në rini ishte ndër nismëtarët e krijimit të gazetës “Studenti i bujqësisë”. Më pas, vijon si një ndër gazetarët e parë të televizionit të parë shqiptar për çështjet e bujqësisë. Ai më pas u “ankorua” në Ministrinë e Bujqësisë ku ka ndërruar plot 15 ministra, pa u larguar (për shumë vite) as dhe një ditë nga kjo ministri me të cilën kishte lidhur jetën.

-Si e ëprkujtoni sot pas 60 vjetësh hyrjen në auditoret e RTSH-së?

Kjo ngjarje e shënuar në historinë e Televizionit Shqiptar, më zgjoi plot kujtime edhe mua, si shumë të tjerëve që kanë patur fatin të punojnë aty. Ishte një punë që nuk e kisha ëndërruar. Botimet në shtyp qysh student dhe sidomos kursi dy vjeçar i gazetarisë që mbarova tok me rreth 20 studentë të tjerë nga fakultete të ndryshëm, ndikuan në rrugën time gazetareske. Një pjesë e studentëve si Namik Doklja, Qemal Sakajeva, etj, filluan punë në shtyp, Zhuliana Jorganxhi në radio e disa në televizion. Ishte shtatori i vitit 1969, kur hyra në godinën e Radio Tiranës, në katin e parë të të cilës ndodhej studioja e regjistrimit dhe transmetimit. Me 60 vjet jetë, ai tani mund të quhet i “moshuar”, por më i moshuar se ai është brezi im që punoi aty, i cili i ka kaluar të 70-at. Por, njeriu rron me kujtime. Disa “copëza” kujtimesh që nuk i ka tretur koha, do të tregoj edhe unë nga ato vite kur TVSH-ja ishte ende “fëmijë”.

 


-Cilët ishin gazetarët apo drejtuesit që gjete aty që më vonë do bëheshin kolegët e tu?

Atë kohë jo vetëm studioja por mbaj mend se edhe ato pak zyra të televizionit, ndodheshin në godinën e Radio Tiranës. Në zyrën ku shkova unë gjeta Andon Deden, Mevlan Shanajn, Petro Latin, Ylli Pepon, Vladimir Grillon, Alfons Gurashin, Gazmir Shtinon, Natasha Çipin, Tomor Toporen, Milto Bakën, Dhimitër Rëmbecin, Mërkur Bozgon, Kadri Metohun si dhe piktorin e parë të dekorit, Edi Hila e ndihmësen e tij, Sofika Ziri, etj. Shumica ishin ishin të rinj, beqarë, me moshë 23-25 vjeçare, që nisnin rrugën e bukur të televizionit. Shefi im dhe i disa redaktorëve të tjerë ishte Kliton Gilani, njeri me kulturë e shumë fisnik. Shef tjetër ishte Fuat Bozgua, njeri i shkathët dhe me kulturë i cili ishte numri dy i televizionit, ndërsa drejtor i TV qe Klimi Misja një njeri i mirë, i dashur e që nuk i bënte keq njeriu, ndërsa drejtor i përgjithshëm ishte Thanas Nanua. Kameraman në studio qe Beqir Dërhemi, i cili kishte filluar para nesh. Ai është kameramani i parë i TV-së. Tok me të ishin kameramanë në studio edhe Stefan Gajo e Pali Kuke. Spikere ishte Stoli Beli, e cila bënte edhe emisione, është e para spikere në TVSH-së. Punohej me film negativ 16 mm, i cili montohej nga gazetarët e operatorët, në fund të korridorit.
Pas ndonjë viti e ca, u ndërtua godina e re e televizionit e projektuar nga një grup specialistësh, kryesuar nga inxh. Alfred Xhufka, i cili u bë edhe kryeinxhinier. U shtuan programet televizive me koncerte që regjistroheshin aty por edhe në natyrë; u shtuan dokumentarët e më pas edhe filmat televizivë me regjisorët e shquar Mevlan Shanaj, Albert Minga e më vonë edhe Ylli Pepo. Më pas erdhi nga Kinostudioja Kristaq Dhamo, ndërsa Vladimir Prifti kishte qenë në Institutin e Arteve e më pas në Ersekë, të dy regjisorë të shquar, por që nuk vazhduan shumë vite në televizion. Në godinën e re erdhën më vonë një brez tjetër regjisorësh që gjithashtu lanë gjurmë të pa shlyera si Jani Tane, Osman Mula, Esat Teleiti, etj. Nga Kinostudioja erdhi edhe regjisori i montazhit, Ismail Balla, i cili hodhi bazat e montazhit profesional. Ai punoi tok me montazhieret e para të filmit si Flora Gjika, Nadia Orjeti, Mimoza Tafaj e më pas Fatbardha Kraja, Rezarta Kokalari, etj. “Brumi” ku zinin fill emisionet e shumta, ishin redaktorët, idetë dhe skenarët e të cilëve materializoheshin më pas në ekran. Ndër redaktorët me emër do të përmendja Xhemal Maton me emisionet shkencore, i cili më vonë mori edhe titullin regjisor. Gjurmë të pashlyera lanë Andon Dedja me emisionin “Shqipëria –atdheu ynë”, Petro Lati me emisionin e fëmijëve e pastaj të “Enciklopedisë televizive”, Azis Gjergjin me emisionin “Ngjarje dhe data”, Flamur Topi me emisionin “Trupi dhe shëndeti”, Vladimir Grillon me emisionin sportiv, Gëzim Gjyrezin me emisionet e artit e të rinisë, Dhimitër Pecanin me emisionet e trashëgimisë kulturore, Bajram Hoxha me emisionet ekonomike, etj. Nga operatorët që u bënë mjeshtra do të veçoja Stefan Gajon, Pali Kuken, Bujar Kokonozin, Valter Qarrin, Astrit Omerin, Ilir Kasnecin e më pas Gaspër Shllakun, Bujar Koren, Naun Laskun, Agim Kurin, Esat Çuçllarin, operatorin e zërit Kristaq Kristo, etj. Për mua “zemra” e televizionit ishte montazhi. Aty si të thuash“gatuheshin” gjithe filmimet e bëra ne teren ose ne studjo. Në montazhin elektronik u bënë nga më të mirët, Andon Beqari, Fedra Rama, Milena Panajoti, etj. Nuk mund të le pa përmendur spikerin e shquar, të ndjerin Kiço Fotiadhi si dhe një brez tjetër të mëvonshëm si Virgjil Kulen një nga më të mirët, i cili u bë edhe drejtor i TV-së, Silvana Braçen e Zerina Kuken, Dhimitër Gjokën, i cili vazhdon edhe sot, Tefta Radin, një nga femrat ikonë të ekranit, Angjelina Xharën, spikerin dhe regjisorin e njohur, Xhelil Aliu, etj. Inxhinier me emër kanë qenë Emil Plumbi, Gjergj Shteto, Çlirim Balluku, Genc Tomço, etj, ndërsa teknikët e parë ishin Natasha Shpuza, Spiro Qirko dhe Vezir Hoxha. Teknikë të tjerë duarartë që mbanin gjallë pajisjet televizive ishin Jani Melja, Gjergji Capo, Mina Shagla, etj.

-Si e mban mend ardhjen e Todi Lubonjës? Cfarë solli ai në TVSH? Si u prit dhe si eci puna e tij?

Ardhja e tij solli progres, por edhe tronditje. Një fytyrë të re mori radioja e televizioni kur në vënd të Thanas Nanos erdhi drejtor i Përgjithshëm Todi Lubonja, njeri me kulturë të gjerë dhe me prirje liberale. Ai mbështeti kuadrot e aftë dhe filloi të largojë të paaftët . Mbaj mënd që dha porosi për redaktorët që për të kaluar “provimin” e qëndrimit ose jo në televizion, sejcili të përgatiste një emision me temën që deshte vetë dhe kur të transmetohej, të njoftonte Todin për ta parë. Unë zgjodha për temë të “provimit” një telereportazh me sharrëtarët e Fushë-Arrësit. Shkuam aty bashkë me Tomor Toporen i cili në fillim punonte operator e më pas kaloi redaktor. Qëndruam disa ditë aty dhe përgatitëm një emision të bukur për punën dhe jetën e sharrëtarëve të cilin e titullova ”Miniera e gjelbër”. Në orën e transmetimit isha aty pasi muzika dhe titrat futeshin direkt. Sapo mbaroi emisioni, Todi mer në telefon Fuat Bozgon, shef i programacionit në TV i cili ishte në transmetim dhe i thotë: “E pashë emsionin e atyre djemve dhe më pëlqeu shumë. I thuaj që e kaluan provimin”. Prej lajmit që mora, fluturoja nga gëzimi. Ndër njerëzit që largoi Todi Lubonja ishte drejtori i Televizionit, Klimi Misja. Më erdhi keq për atë njeri të mirë. Nga trishtimi Klimi u sëmur, pësoi një paralizë dhe u nda nga jeta para kohe. Fryma liberale e Todi Lubonjës kulmoi në Festivalin e 11-të që u mbajt më 22-25 dhjetor të vitit 1972. Prezantues ishin Edi Luarasi e Bujar Kapexhiu, ndërsa regjisor Mihallaq Luarasi. Festivali pati muzikë të bukur dhe ritmike, veshje më elegante dhe një çlirim nga qëndrimi statik i këngëtarëve. Por, gëzimi i festivalit të bukur, nuk zgjati shumë. Enver Hoxha i cili e kishte ndjekur nga Vlora ku ishte me pushime, lëshoi rrufetë për organizatorët e në radhë të parë për Todi Lubonjën. Filluan mbledhjet për dënimin e festivalit i cili sipas diktatorit kishte shfaqje të huaja, që nuk pajtohshin me moralin komunist. Të deleguarit e komitetit të partisë e Komitetit Qëndror, vinin e shkonin. Dihen masat ekstreme që u morën. Todi u shkarkua dhe u çua në Lezhë ku më pas u arrestua. Drejtor i përgjithshëm rikthehet Thanas Nanua, i cili kishte dalë në pension por erdhi me propozim të Enver Hoxhës. U dënua regjisori i festivalit, Mihal Luarasi, këngëtari Sherif Merdani, Justina Aliaj etj, u larguan redaktoret me emer si Qemal Xhomo e Kostandin Leka, piktori Edi Hila, etj. Stina e pranverës që kishte filluar të lulëzojë në radio e televizion, u përmbys. Thanasi që njihej për frymën e tij konseravatore u rikthye me dorë të hekurt dhe rehabilitoi njerëzit që kishte larguar ose ulur në detyrë Todi lubonja. Pas Pleniumit të 4-t fryma liberale në art e kulturë u dënua në të gjitha instancat, në qendër e në rrethe. U dënua Fadil Paçrami, sekretar i komitetit të partisë së Tiranës për artin e kulturën, etj. Më pas filloi një fshesë tjetër në radio e televizion jo vetëm e atyre që ishin marrë me festivalin, por u kaluan në “sitë” biografitë e gjithë punonjësve.

-Kjo fshesë erdhi deri tek ty?

Vazhdonin me orë të tëra mbledhjet e partisë. Unë nuk isha në parti por fjalët dilnin. Të gjithë ishin në tension. Ndihesha i qetë pasi nuk e futja vetën te njerzit me “njolla”, pasi kisha motrën komuniste, xhaxhanë po ashtu, një kushëri të parë të babajt dëshmor, emrin e të cilit e mbante shkolla e fshatit. Isha edhe në tabelën e nderit dhe e ndjeja veten të sigurt. Gazetari Andon Dede, një nga më të aftët dhe kurajozët e televizionit, më thoshte:”Kap ndonjë njeri se situata është e vështirë”, por unë vazhdoja shërbimet nëpër rrethe. Pas pak ditësh ishin “kopsitur” mirë personat që do largoheshin nga televizioni. Kur shkoj në mëngjes në punë, polici nuk më lejoi te hyj në godinë.”E ke emrin në listë, më tha, nuk kam çfarë të bëj”. Pësova një trishtim të madh. Më pas takova drejtorin e TV Marash Hajatin, i cili më tha:”Jeni larguar për qarkullim”. Në kuadër ku gjithashtu u ankova, më treguan dosjen time, e cila shumica ishte e zezë. Kishte vetëm një rresht që gjatë luftës familja ka mbajtur qëndrim të mirë e pastaj vazhdonte me emrat e dy kushërinjve të mi të dytë, njëri i vrarë në kufi ( siç doli më pas, ishte vrasje nga shteti) ndërsa tjetri ishte nxënës i shkollës së mesme që kishte tentuar të kalonte kufirin. U mundova ta sqaroj , por ishte e kotë. “Ne i besojmë këto që ke në dokumente”, më tha punonjësja e kuadrit. Më pas mësova se karakteristikën time e kishte nxirë një sekretar partie i fshatit bashkë me ndonjë tjetër dhe jo vetëm mua, por edhe disa sinicarëve të tjerë. Shumica e të larguarve përfunduan në rrethet e veriut, ndërsa mua pas gjashtë vjet pune në TV, më çuan agronom në kooperativën e Petrelës . Isha me fat që nuk përfundova në veri si shumë të tjerë pasi nuk dihej se kur mund të kthehesha. Pas tre vjetësh u riktheva në sektorin e filmit të Ministrisë së Bujqësisë, ku vazhdova punën me dokumentarë dhe emisione për bujqësinë, të cilët transmetoheshin në televizion. Pra, në një farë mënyre më larguan nga dera dhe u futa nga dritarja. Me këtë punë u mora deri në vitin 2011 kur dola në pension. Por, kudo që punova, televizioni mbeti dashuria ime e parë dhe kjo dashuri nuk harrohet. Historia e plotë e Televizionit Shqiptar është pasqyruar në librin e shkrimtarit dhe komentatorit të shquar sportiv, Skifter Këlliçi. Unë solla vetëm disa “copëza” kujtimesh nga puna ime 6 vjeçare aty, 1969-1975, ku isha redaktor i parë i emisioneve të bujqësisë. Më pas e vazhduan këtë punë Tomor Toporja, Shkëlqim Aliaj, Thoma Tole e së fundi Marash Mirashi. Të më falin shumë punonjës të tjerë që kanë punuar aty dhe i kushtuan jetën televizionit e që nuk mund t’i përmend. Një gjë duhet theksuar: TVSH-ja u rrit e u forcua në radhë të parë nga pasioni e përkushtimi i krijuesve dhe sektorit teknik, pa harruar edhe bashkëpunimin me radion nga erdhën disa gazetarë, spikerë, teknikë e inxhinierë.


***
Brezi i kolegëve të mi në televizion, ka dalë në pension.

Një pjesë jetojnë në Shqipëri, të tjerë në emigracion, disa edhe kanë ndruar jetë. Pas viteve ’90, në Shqipëri lindën televizione privatë si Top Chanell, TV Klan, Neë 24, Vizion Plus, e plot të tjerë . Dy të parët kanë ecur përpara dhe ia kaluan televizionit të “ moshuar”, por nuk duhet harruar se disa nga kuadrot që i ritën këto televizione si dhe shumë filmime të vjetra, i kanë nga TVSH-ja, i cili mbetet pionieri i televizioneve në Shqipëri.
Boston, 29 prill 2020, dita kur në Tiranë u përkujtua 60 vjetori i TVSH-së.