28 të shëruar/ Ja sa pacientë janë të shtruar në dy spitalet COVID, vetëm një në terapi intensive

315
Sigal

Bashkë me numrin e ulët të rasteve të reja në 24 orë, me vetëm katër persona pozitivë, lajm i mirë vjen edhe nga gjendja e pacienteve në dy spitalet COVID në vend.

Dr. Rovena Daja, nga Instituti i Shëndetit Publik, njoftoi gjatë deklaratës së sotme për mediat, se të shëruar në 24 orët e fundit janë edhe 28 qytetarë.

“682 qytetarë janë shëruar, ose rreth 78% e të gjithë të prekurve. Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 24 pacientë dhe vetëm një prej tyre është në terapi intensive”– theksoi ajo.

Sipas saj, me pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.

“Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11332 testime, nga të cilat, 10802 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike”– tha specialistja e ISHP-së .