Frank Shkreli: Thank you, America! Gjysëm shekulli në Amerikë- një falenderim

654
Sigal

Frank Gjeto Shkreli sot feston 70-vjetorin e lindjes. Nga një fshat i Ulqinit në Ëndërrën Amerikane. Arsimimi dhe karriera 50 vjeccare e ish-Drejtorit të Zërit të Amerikës për Euro-Azisë dhe simbolit të Fjalës së Lirë. Patriot i bashkimit kombëtar, malli për trojet dhe bijtë e shqipes.

Nga një fshat i humbur i Ulqinit, në Ëndërrën Amerikane

Nga Frank Shkreli

Ish Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

“Lindur në vende të tjera, por duke besuar se mund të jeni të lumtur në këtë vend, ligjet tona e pranojnë  të drejtën  tuaj për t’u bashkuar  me ne në shoqërinë  tonë, të bindur se do të respektoni rregullat  dhe ligjet tona”. –Komunikim i Thomas Xhefersonit me bashkëkohasin  e tij dhe politikanin, Hugh Ëhite, 1801, mbi politikën  amerikane  të  imigracionit.

Këtë shkrim modest po e shkruaj si një reagim ndaj një interesimi të një miku, i cili, si të gjithë ne është i shqetësuar  nga ngjarjet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vrasjes brutale të një afrikano-amerikani, nga një polic i bardhë në Miniapolis të shtetit Minesota, dhe protestave të mëdha që vazhdojnë ende – disa madje, mjaft të dhunshme – anë e mbanë vendit, – më pyeti nëse e dua gjithnjë Amerikën, si përpara.  Duke qenë se ky vit shënon 50-vjetorin e arritjes  time  në këtë vend  dhe me 9 Qershor, festoj 70-vjetorin e lindjes, m’u duk si një rast i përshtatëshëm që t’i përgjigjëm mikut tim, me këtë rast.

Viti 1970, 50-vjet më parë ,  -“Mirësevjen në Shtetet e Bashkuara!  –Në emër të Presidentit të Shteteve  të Bashkuara dhe të popullit Amerikan, ne të urojmë mirëseardhjen në të këtë vend të madhërishëm”

Viti 2020  është një vit shumë i rëndësishëm për mua dhe për familjen time.  Ky vit, shënon dy ngjarje të  rëndësishme në jetën time. Është një vit jubilar, mund të them, pasi shënon 70-vjetorin e lindjes dhe njëkohësisht edhe 50-vjetorin e ardhjes time dhe të familjes, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kërkim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, i bindur se do i gjëja këtu dhe se do të isha i lumtur  në këtë vend.  Gjatë dekadave të kaluara, në një mënyrë ose në një tjetër,  jam munduar të shënoj  çdo përvjetor të ardhjes në Amerikë, herë në heshtje, herë me ndonjë të veçantë të rastit – dhe nga koha në kohë – kam kujtuar me ndonjë shkrim modest edhe individë  ose organizata në këtë vend që kanë lehtësuar  ardhjen time këtu, ose që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën dhe karrieren time.  Por në këtë 50-vjetor të ardhjes time në Amerikë,  e shoh të arsyeshme, pikë së pari,  të falënderoj  të Madhin  Zot për të gjitha të mirat dhe bekimet që më ka dhënë mua dhe familjes  time në këtë vend  të adaptuar dhe, njëkohësisht, të ndaj me miqtë, dashamirët dhe shokët e mi, një mirënjohje të thellë personale dhe të veçantë  ndaj  Amerikës – një falenderim pra, nga zemra ndaj këtij vendi që më ka pranuar me krahë hapur, duke më ofruar të gjitha mundësitë për të qenë i suksesshëm dhe i lumtur në këtë vend, siç ishte shprehur Xhefersoni.  Këtë falenderim, këtë mirënjohje të thellë, e konsideroj si një obligim timin moral,  personal dhe familjar,  që madje edhe gjysëm  shekulli pas arritjes sime në këtë kontinent, mund t’i them këtij vendi me gojë plot: THANK YOU AMERICA! Faleminderit  Amerikë!  Jo se ky vend nuk i ka problemet e veta politiko-shoqërore, siç jemi dëshmitarë të protestave masive aktualisht, disa prej tyre edhe të dhunshme,  për vrasjen brutale të një afrikano-amerikani  nga një polic i bardhë.  Dhe jo se jeta ime në këtë vend ka qenë pa sfida dhe pa vështirësi të llojlojshme, por jam mirënjohës për mundësitë që ky vend të ofron për një jetë më të mirë,  –që me punë të rëndë dhe disiplinë,  – mund t’i përballosh me sukses sfidat dhe problemet dhe të shkosh përpara në jetë.  Është e vërtetë se askush në këtë vend nuk të jep asgjë falas, por duhet ta fitosh me mund e djersë.  Atëherë dhe sot,  imigrantëve si unë, Amerika u ofron lirinë dhe mundësitë për të qenë i suksesshëm,   çdo gjë tjetër , është në dorën tënde.

Washington:  Kryeqendra e “Zërit të Amerikës”, në afërsi të Kongresit Amerikan, ku kam kaluar 30-vjetët më të bukura dhe më të frytshme  të jetës sime,  1974-2003.

Në shkrimet e tij  mbi imigracionin,  Thomas Xhefersoni,  krye-autori  i Shpalljes  së  Pavarësisë së  Shteteve të  Bashkuara,  e ka cilësuar shpërnguljen nga një vend në tjetrin,  si një e “drejtë natyrale” të njeriut.  Ai ka shkruar se në Amerikë,  “Ne dëshirojmë të sigurojmë një vendstrehim  të shenjtë, për të gjithë ata që keqeverisja  në  Europë mund t’i detyrojë të kërkojnë liri dhe lumturi në vende të tjera…”,  -ka shkruar Xhefersoni në kohën e tij.  Ky premtim, në thelb, vazhdon  edhe sot, megjithëse situatat  gjatë historisë amerikane  kanë ndryshuar, ashtu siç po ndryshojnë edhe sot.

Për fat të mirë timin, dhe për “arsye të keqeverisjes  në  Europë” , shekullin e kaluar, siç është shprehur Thomas Xhefersoni, – duke justifikuar pranimin legal të imigrantëve  në Amerikë në zanafillat e këtij shteti, – pikërisht,  50-vjet  më parë (1970),  Amerika më ofroi mua dhe familjes sime, ashtu si shumë të tjerëve, një “vendstrehim të shenjtë”, siç e kishte cilësuar  Xhefersoni strehimin  politik  të  imigrantëve  të ardhur në atë kohë në atdheun e tij të ri, kryesisht nga Europa.

Fillimisht,  me të ardhur  në Amerikë  50-vjet  më parë, unë  u vendosa  në Nju Jork, ku jetova për 3 vjet e gjysëm  me prindërit të cilët kishin ardhur këtu, nja 6 muaj para meje,  edhe ata, si shumë familje  të tjera shqiptare, emigruan me qëllim për të filluar një jetë të re në Amerikë, ashtu siç bënin  shumica  e bashkatdhetarëve tanë në atë kohë  azil-kërkues politikë, kryesisht, kundërshtarë të  komunizmit, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare  në Amerikë, aty nga fundi i 1960-ave dhe fillimi i 70-ave, kryesisht nga trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi.  I ri nga mosha, isha plot shpresë dhe entuziazëm për të ardhmen time në botën e re, për një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara, megjithëse  xhepat  i kisha bosh. Është përfolur dhe flitet shumë  për “ëndrrën amerikane”, në kuptimin  se mundësitë e barabarta këtu,  shërbejnë si një fyrmëzim për sukses dhe arritje të mëdha, sidomos  në pikëpamje  materiale.  Por, 50-vjet  më parë, si refugjat politik në Amerikë, unë  kisha vetëm një ëndërr, si shumë të rinj të arratisur nga komunizmi në atë periudhë: – për të jetuar i lirë, duke nënkuptuar se në liri do ia dilnim, megjithë  vështirsitë në  të cilat mund të hasnim. Kur kam zbritur  në Nju Jork në vitin 1970, as nuk dija, as nuk kisha dëgjuar , se cila është kjo “ëndërr”,  por për të cilën dëgjova më vonë, dhe natyrisht si e tillë, as nuk e prisja realizimin  e kësaj ëndërre, pasi ishim të kënaqur  me një “kafshatë bukë, në liri”.  Thuhet se liria nuk  është asgjë tjetër, veçse një ëndërr:  liria e mohuar për t’u fituar, liria e vërtetë  për t’u gëzuar dhe për t’u jetuar – me të drejta dhe me përgjegjësi indivduale, në përputhje me “ligjet tona”, sipas Xhefesonit.  Por, në të vërtetë, gjatë viteve, më në fund, unë e zbulova këtë ëndërr, duke përjetuar “ëndërrn” time amerikane. Nuk  do ta harroj kurrë vitin 1976,  – jo vetëm se shënon vitin që kemi lidhur  martesën  me bashkshorten time, Vitoren,  – por që ka shënuar edhe 200-vjetorin e themelimit  të Shteteve të Bashkuara,  – viti i këtij përvjetori historik të këtij vendi, – kur në një gjykatë  të  Washingtonit ngrita dorën për të bërë betimin si shtetas i ri i Shteteve të Bashkuara, me të gjitha të drejtat, privilegjet dhe përgjegjësitë e një qytetari të lirë amerikan. Në vetëvete,  kjo ishte një ëndërr që e kisha të vështirë  ta besoja.  Pesë vjet e gjysëm pasi kisha zbritur në aeroportin Kennedy  të Nju Jorkut, tani, zyrtarisht, kisha të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi, si çdo amerikan tjetër që jetonte këtu, gjysh pas gjyshi. Pjesën më të madhe të jetës time prej gjysëm shekulli në Shtetet e Bashkuara e kam kaluar në Washington,  ku kam punuar për 30-vjet për  “Zërin e Amerikës”  dhe ku, me bashkshorten time Vitoren,   kemi rritur e shkolluar  djalin e dy vajzat.  Ishte kjo periudha e jetës sime në kryqytetin e Shteteve të Bashkuara që, në të vërtetë, ka përmbledhur  pikat më kulminante të jetës dhe të karrierës sime,  dhe deri diku mund të them,  se ajo përvojë ka ndikuar, së bashku me traditën time familjare, edhe në formimin e identitetit  tim, sot e kësaj dite. Po flas  për përvojën time në përgjithësi,  duke qenë i vetëdijshëm,  se pse jo,  të gjithë  ata që kanë ardhur para dhe pas meje në këtë vend,  – përfshirë  shumë  bashkëatdhetarë shqiptarë,  – të kenë pasur të njëjtin fat. Por si rrjedhim, modestësisht, më duhet të them,  – në këtë 50-vjetor të ardhjes time në Amerikë,  – se për çdo gjë që mund të kem arritur në jetë,  në karrierë dhe në familje,  ia kam borxh Amerikës:  -Për mundësitë që më ka ofruar dhe për të drejtat dhe liritë që më ka garantuar, siç çdo qytetari tjetër.  Këtij vendi, i cili nuk pyet se nga vjen, çfarë feje ke, çfarë gjuhe flet ose kush janë prindërit tu.  Amerika më dha lirinë dhe mundësitë dhe me punën time, shpesh jo të lehtë, – i ardhur nga një fshat i humbur në rrethin e Ulqinit,  – kam jetuar ëndrrën amerikane,  me të mirat dhe me sfidat,  si shumë bashkatdhetarë të mi nga të gjitha trojet shqiptare.  Jo, jo  nuk isha unë i vetmi,  kishte dhe ka shumë si unë,  madje edhe shumë më të suksesshëm se unë,  të cilëve Amerika ua ka dhënë mudësinë për të zhvilluar  talentet e tyre në fusha të ndryshme.  Në  këtë fakt,  qëndron ai misteri  tërheqës  i Amerikës,  se të drejtat dhe mundësitë janë të barabarta për të gjithë,  nëqoftëse  i përveshesh  punës, seriozisht.  Por unë dhe shumë bashkatdhetarë  të mi shqiptarë,  që kanë gjetur strehim në këtë vend,  nuk e duam Amerikën, vetëm e vetëm,  për arsye dhe interesa vetjake,  materiale e  tjera.  Jo!  Ne,  shqiptaro-amerikanët, dhe veçanërisht unë, në këtë 50-vjetor  të ardhjes time këtu, e dua Amerikën  edhe për rolin e veçantë  që Shtetet  e Bashkuara  kanë luajtur gjatë historisë,  në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve dhe të  identitetit  Kombëtar të tyre, anë e mbanë trojeve  të veta.  Fan Noli ka thënë se i kemi shumë borxhe Amerikës. Dihet  tanimë  roli i Amerikës në mbrojtje të  Shqipërisë  nga përpjekjet  grabitqare tokësore të fqinjëve të saj në fillim të shekullit të kaluar, që kishin për qëllim të venin në dyshim edhe vet ekzistencën e Shqipërisë si shtet i pavarur,  në veçanti dhe identitetin e shqiptarëve si komb,  në përgjithësi.  Unë,  si shqiptaro-amerikan,  jam i bindur,  se Kombi shqiptar,  megjithë  baticat dhe zbaticat gjatë histories,  nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e Kombit amerikan për çlirimin dhe pavarësinë  e Kosovës,  në fillim të këtij shekulli,  dhe mbrojtjen e pavarësisë  së Shqipërisë,  ç’prej fillimit të shekullit të kaluar. E dua pra Amerikën,  sepse nuk besoj të ketë ndonjë tjetër komb në botë, që ndihma dhe roli  i  Amerikës  të ketë qenë  aq  i pazëvendësueshëm,  siç ishte për ekzistencën e dy shteteve shqiptare,   Shqipërisë  dhe Kosovës.  Se çfarë bëjnë sot Shqipëria dhe Kosova me këtë histori mbështetje të Amerikës  ndaj Kombit shqiptar,  është krejtësisht  në dorë të tyre.  Kjo është një pyetje tjetër dhe një shqetësim serioz për të gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë dhe Kosovës.  Kam drojë se “Pro-amerikanizmin” e pushtetarëve shqiptarë, vetëm me fjalë, nuk e beson kush më, pasi gjithkush shikon veprat tuaja! Pro-amerikanizëm  do të thotë,  mbi të gjitha,  ndarje vlerash,  përfshirë, vlerat e lirisë, barazisë, drejtësisë, të drejtat e njeriut dhe zgjedhje të lira, ndër të tjera, vlera njerëzore. Pothuaj 50-vjet më pare kisha shkruar një artikull modest në anglisht, për gazetën e kolegjit  “Lehman” në Nju Jork, me të cilin isha përpjekur  të shprehja ndjenja e para dhe falënderimet e mia ndaj Amerikës,  që më kishte pranuar si refugjat, duke më ofruar mua dhe familjes,  strehim dhe liri.  Megjithëse i ardhur rishtas  si refugjat në këtë vend të madh,  në shkrimin e gazetës  së kolegjit “Lehman” si student, kisha theksuar disa prej arsyeve se pse e doja Amerikën, bazuar në përvojën  e shkurtër  vetëm  prej  2-3 vitesh në këtë vend.  50-vjet më vonë, arsyet dhe ndjenjat, se pse e dua Amerikën për mua sot, në moshën 70-vjeçare, nuk kanë ndryshuar  shumë ç’prej asaj kohe.  Në thelb, arsyet mbeten  të njëjta.  Nuk ishte as ana materiale për një jetë më të mire, as edhe karriera për të cilën jam krenar,  por ishte Liria!  Liria për të  ndjekur  lumturinë.  Jo se Amerika ishte, atëherë ashtu si edhe sot,  një vend i përsosur dhe që nuk  kishte problemet e veta, 50-vjet më parë, ashtu siç i ka edhe sot sfidat dhe problemet e mëdha,  me të cilat përballet si shoqëri, siç po përjetojmë sot protestat  masive,  disa edhe me dhunë, anë e mbanë Amerikës.  Vrasja e një afrikano -amerikani nga  policia ishte një akt vrasës dhe kriminal.  Si të tillë e konsideron shumica e amerikanëve, prandaj  ndodhin  protesta, madje edhe me dhunë, me shkatërrime pronash,   si një mjet për të tërhequr vëmendjen ndaj një situate,  që nuk mund të tolerohet më.  Unë jam i bindur,  se pasi të jenë ftohur gjakrat, edhe ky incident i tmerrshëm do të shërbejë për diçka më mirë.  Shoqëria amerikane,  ashtu si edhe në të kaluarën në raste të tilla protestash të mëdha shoqërore, do nxjerrë mësime serioze nga kjo vrasje, si dhe nga reagimet e popullit amerikan  ndaj këtyre ngjarjeve.  Ku tjetër kemi parë që policët, madje edhe shefat e policisë, anë e mbanë  Shteteve të Bashkuara t’u bashkohen protestuesve për të dënuar  vrasjen e një njeriu të pafajshëm nga një polic i radhëve të tyre?  Edhe kjo është një arsye se pse e dua Amerikën,   për të drejtën që të ofron që të kritikohet çdo gjë dhe gjithmonë,  duke filluar nga presidenti e deri tek polici i nivelit më të ulët, me qëllim përmirësimin  të gjendjes. Por, si atëherë ashtu edhe sot, për një refugjat që arrin  në këtë vend, me gjithë të metat e saj, Amerika mbetet, prapëseprapë, një vend që gjithnjë inkurajon realizimin e ëndërrave të  tua.  Mbetet si një vend,  ku me punë të rëndë dhe duke respektuar  rregullat dhe ligjet,  jo vetëm që mund të përparosh, por madje,  nëqoftse i përveshesh  punës me disiplinë, mund  të realizosh  ëndërrat tua,  sado ambicioze qofshin ato.  50-vjetë më vonë, Amerikën  e dua edhe sot,  sepse mbetet gjithnjë një vend që frymëzon, një vend që beson në aftësitë e tua  dhe mundëson  një të ardhme më të mirë për ty dhe familjen, nëqoftëse vetë  je serioz për të ardhmen tënde e të familjes.  Është, pikërisht, ky besim në mundësitë që të ofron Amerika, ai që bind çdo vit, miliona njerëz nga e mbarë  bota, të largohen nga vendlindja, ashtu siç jam larguar edhe unë 50-vjetë më parë –për arsye të ndryshme – por kryesisht, për të gjetur lirinë në këtë vend dhe “për të qenë të lumtur”,  siç është shprehur Thomas Xhefersoni në agimin e këtij shteti planet.  50-vjet më  parë, për mua ishte – pikërisht, ky besim, i kthyer në premtim, në mundësitë dhe në garancinë që ofronte ky vend për të gëzuar të drejtat dhe liritë,  si një refugjat politik si unë,  – i padëshiruar në vendlindje, i nëpërkëmbur,  pa të drejta dhe pa liri,  – një njeri i pashtet dhe i paatdhe – zyrtarisht i klasifikuar si refugjat,“stateless”,  nga autoritetet  ndërkombëtare të imigracionit  në Itali.  Ishte kjo ndjenjë se nuk i përkisje askujt dhe se askush nuk interesohej, as nuk kujdesej për ty,  por ishte gjithashtu ajo forca dhe vendosmëria që i kishin rrënjët në këtë besim dhe premtim,  që më ka shtyrë mua dhe shumë të tjerë si unë, në atë kohë, që të rrezikonim edhe jetën,  duke kapërcyer  ilegalisht  kufijtë shtetrorë, për një jetë më të mirë dhe të lirë në Perëndim. Mikut tim i cili donte të dinte nëse e dua gjithnjë Amerikën,  megjithë problemet e mëdha që ka ndeshur gjatë historisë, përfshirë edhe protestat masive të ditëve të fundit, është realizimi i këtij premtimi, si atëherë,  ashtu edhe sot,  – që mbetet një besim i patundur i imi në fjalët e Thomas Xhefersonit se,“Duke besuar se mund të jeni të lumtur në këtë vend” , dhe në besimin,  se ligjet e këtij vendi garantojnë të drejtën time, sipas Xhefersonit, “për t’u bashkuar me ne, në shoqërinë tonë, i bindur, se do të respektoni rregullat dhe ligjet tona”,   – mbetet,  mik i dashur,  ajo  FORCA  e brendshme që më detyron  të jem mirënjohës  ndaj këtij vendi,  edhe në këtë 50-vjetor të strehimit tim në Amerikë. Është pra, ky detyrim  moral  personal, që në këtë 50-vjetor  të arritjes sime  dhe të familjes në këtë vend,  të them: “Faleminderit, Amerikë, përgjithmonë, si në kohë të mira ashtu dhe në kohë të vështira!  Thank You!  Ashtu si edhe 50-vjetë më parë edhe sot: “ I love America!”  Një shprehje kjo,  po aq e bindshme, domethënëse dhe moralisht e detyrueshme për mua, – në këtë 50-vjetor dhe në 70-vjetorin e lindjes,  – ashtu siç ishte për mua edhe para 50 –vitesh,  kur kam zbritur  në Nju Jork, për herë të parë. Si atëherë,  kur kam shprehur të njëjtat ndjenja mirënjohjeje dhe falënderimi ndaj këtij vendi,  ashtu po bëj edhe sot,  me këtë shkrim modest për informacion për familjen time të ngushtë dhe më të gjërë,  si dhe për miqtë, kolegët dhe dashamirësit e mi të shumtë,  të cilët i falënderoj,  gjithashtu nga zemra për miqësinë, mbështetjen dhe respektin e vazhdueshëm në këtë 50-vjetor  të strehimit tim  në Amerikë dhe në 70-vjetorin e lindjes,  –kudo qofshi në Amerikë, Shqipëri,  Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

NGA MALËSIA NË AMERIKË

Kujtime  me fotografi  për familjen dhe kolegët, vetëm disa kujtime nga origjina, jeta dhe veprimtaria ime.  Kurrë mos i harro rrënjët e origjinës,  nëqoftëse do të jesh i suksesshëm në jetë,  sipas një shprehjeje të vjetër.

Lugina e Shkrelit, Malësi e Madhe

Trojet  stërgjyshore të autorit në katundin  Amull  afër Ulqinit, (lartë) ku kam lindur 70-vjet  më parë, më 9 Qershor, 1950

Gjyshi im,  Luk Toma i Shkrelit,  (krenaria e familjes dhe shtylla e fisit tonë të madh),  para shtëpisë ku kam lindur, Amull – Ulqin, 1950.

 

Kisha e Shkrelit, Malësi e Madhe, afër së cilës i kemi trojet e origjinës  stërgjyshore të familjes tonë.  Mbiemrin Shkreli, e kemi ruajtur në familje, si trashëgimi e të parëve tanë nga kjo krahinë e Shqipërisë. Me ketë emër do u njohin se kush jeni! 

 

Prindërit e mi të paharrueshëm: Nana Mrika dhe Baba Gjeto Shkreli,  –me shumë vuajtje e mundime na  kanë rritur ne,  4  fëmijët e tyre: Dranja, Toma, Frani e Terezja.

Gjimnazi  klasik, (shkolla e Mesme),  në Rijeka të Kroacisë, 1965-1969, para se të arratisesha për në Itali. Si seminarist, aty mora bazat e shëndosha të një edukate klasike.

Autori – refugjat politik në Romë- 1969,   dhe  SHBA -2015

Statuja e Lirisë  në  Nju Jork -ikonë e lirisë dhe e Shteteve të Bashkuara: shenjë mikëpritëse për emigrantët që vijnë nga larg, me mbishkrimin: “Më jepni të lodhurit, të varfërit, turmat e kruspulluara, ata që dëshirojnë të marrin frymë lirisht”.

Në  hyrje të  ndërtesës së “Zërit të Amerikës” – “Zërit të së Vërtetës”, siç njihet nga shumë shqiptarë,  si visitor,  2020.  “Zëri i Amerikës ka mbi supe një përgjegjësi të madhe si mbartës  i së vërtetës.  Barra për të thënë të vërtetën nuk  është e lehtë të mbartet”,  ka thënë ndër të tjera,  Presidenti  Xhon Kenedi në fjalimin me rastin e 20-vjetorit  të  “Zërit të Amerikës”, në vizitën e tij  në kryeqendrën e VOA-s, 26 Shkurt, 1962.  Për  30-vjet,  jam munduar t’a mbroj të vërtetën, si një përgjegjësi morale dhe si  një  barrë shoqërore.  

 

 

Zyra  e  vogël  ku e kaloj  të shumtën e kohës tani, në pension.

Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të  Departamentit  Amerikan  të  Shtetit në  Shqipëri  dhe monitorues i zgjedhjeve  të para pluraliste në atë vend, Mars/Prill 1991.  Rrugët ishin bosh si sot në kohën e koronavirusit.

Dita e pensionimit nga “Zëri i Amerikës”, 2003.

Me  botuesin e gazetës “Telegraf”, Z. Agim Çiraku dhe me  Drejtorin e kësaj gazete, Z.Engjëll  Musai,  në promovimin e tre vëllimeve të  “Demokracia nuk pret” – një përmbledhje  e nja 25-30%  e shkrimeve,  që tani kanë arritur në rreth 1000 artikuj, e që botohen rregullisht në gazetën “Telegraf” të Tiranës, Shtator, 2018

Nga Promovimi i tre vëllimeve “Demokracia nuk pret” në Tiranë, Shtator, 2018

 

 

Bashkëshortja ime Vitorja, gjithmonë pranë meje.

Në fund të fundit, asgjë nuk ka më të shenjtë se familja. Krenar për secilin prej tyre!

 

Gëzuar 70-vjetorin e lindjes miku ynë, Frank Gjeto Shkreli!

I dashur Frank! Mes  shumë  urimesh  që Ju  keni marë dhe do të vazhdoni të merni nga të gjithë miqtë dhe dashamirësit tuaj anembanë botës, pranoni ju lutem në emër të gazetës “Telegraf”, stafit të saj dhe botuesit  Agim Çiraku, urimet më të përzemërta  në këtë 70 -vjetor të ditëlindjes! Prania Juaj dhe shkrimet Tuaja janë dhe do të mbeten modeli i gazetarisë profesionale, pasi Ju mbeteni simbol i Lirisë, Fjalës së Lirë dhe të Drejtave të Njeriut.  Në këtë ditë të veçantë, urimi shkon edhe për prindërit Tuaj, të cilët Ju sollën në jetë dhe që Ju  me punën, përkushtimin dhe vizionin largëpamës, arritët majat më të larta të karrierës shoqërore  dhe politike, ëndërr  e çdo prindi. Si bir i Kombit  Shqiptar, Ju meritoni vlerësimet, mirënjohjen dhe respektin maksimal,  për të gjithë kontributin në shërbim të bashkimit kombëtar,  si  pasardhës i denjë i Heroit të Kombit shqiptar,  Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Zoti Ju bekoftë dhe ju dhëntë shëndet juve, familjes suaj dhe gjithçkaje keni për zemër.

Mirësisht

Engjëll Musai

Drejtor i Gazetës “Telegraf”