Lush Susaj: Manifesti i 18 tetorit 1912 dhe barbaria ndaj shqiptarëve

737
Sigal

Trupat e Jankoviçit, marshuan në drejtim të Shqipërisë duke vrarë, djegur e shkatërruar

Serbia, Manifesti i 18 tetorit 1912 dhe ç’po ndodh sot pas 107-vjetësh

 

Prof. Dr. Lush SUSAJ

 

Shqiptarët kanë vuajtur gjatë nga mosnjohja dhe sjellja e tyre e gabuar ndaj historisë së interesave dhe aleancave politike e shtetërore ballkanike. Nëse për popujt e shtetet e tjera të botës, ngjarjet, dramat dhe katastrofat historike e shoqërore kanë shërbyer dhe shërbejnë si objekte të kujtesës dhe analizës së vazhdueshme filozofike, politike e shoqërore, tek shqiptarët ka ndodhur e kundërta, harresa dhe mungesa e analizës filozofike e politike të ngjarjeve dhe fenomeneve. Kësaj situate, para së gjithash i ka kontribuar periudha e zezë e pushtimit osman, nga ku filluan dhe morën jetë një varg aleancash e marrëveshjesh rajonale me jo pak elementë e sjellje të njohura antishqiptare dhe antievropiane. Në këtë kontekst, vlen të sjellim në kujtesë faktin si si edhe ekspedita e fundit osmane e vitit 1910 kundër popullsisë dhe territoreve shqiptare, ka qenë në akord dhe shërbim të plotë të një pushtimit të ri të territoreve shqiptare, pushtim që u shoqërua me humbje të mëdha të territoreve dhe popullsisë shqiptare në rajon.

Ky fakt u duk edhe më mirë me datën 17 Tetor 1912, kur shtetet aleate Ballkanike, ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Perandorinë Osmane, dhe i shpallen luftë asaj, duke e konsideruar dhe trajtuar Arbërinë, Dalmacinë, Dardaninë, Thesprotinë dhe Desartinë Ilire, si territore dhe popullsinë e tyre si popullsi osmane.

Manifesti i njohur i datës 18 tetor 1912

Në vazhdën e goditjeve të sa më shumë elementëve substancialë që i lidhin shqiptarët me historinë, qytetërimin dhe rrënjët e tyre ilire-evropiane, duhet parë dhe kujtuar edhe manifesti i njohur i datës 18 tetor 1912. Në rreshtat e këtij manifesti, fjalë për fjalë është shkruar:“Unë e kam urdhëruar armatën time trime për të marshuar dhe vringëlluar armët e sajë në luftë me Turqinë për çlirimin e trojeve serbe dhe të vëllezërve serbë muhamedanë dhe Shqiptarë, për t’ia sjellë edhe atyre lirinë e barazinë dhe për t’i çliruar nga zgjedha turke”. Ky manifest i shkruar dhe proklamuar para 106 viteve, përmban atë demagogjinë dhe mënyrën e neveritshme të mashtrimit dhe të fshehjes së qëllimit të vërtetë të përmes fjalëve e shprehjeve të tilla si “për çlirimin”. “për zhvillimin”, “për bashkëpunimin”, “për luftën”, “vëllazërinë” etj. Në të vërtetë, menjëherë pas manifestit ku flitej “për çlirimin”, armata e ushtrisë së Petrit filloi një tjetër ekspeditë e goditje shkatërrimtare për shqiptarët. Në krye të kësaj barbarie ndaj shqiptarëve ka qëndruar vetë mbreti Peter. Ndërsa në krah ka pasur Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Gjeneral Leitnant, Radomir Putnik.

Në këtë ekspeditë, armatën e parë e ka komanduar komandanti Oberst Vojoviç, të dytën gjeneral Stephanoviç dhe të tretën gjeneral Jankoviçi. Dihet nga të gjithë fakti, se si pas shkatërrimeve e vrasjeve masive në Prizren, Gjakovë, Pejë etj., trupat e Jankoviçit, morën urdhër nga Petri dhe marshuan në drejtim të Shqipërisë duke vrarë, djegur e shkatërruar çdo gjë shqiptare që u dilte përpara. Këtë dimension “lirie” kishte paraparë e rezervuar Petri për popullsinë dhe për ato territore shqiptare që kishin ngelur pa u gllabëruar nga marrëveshjet dhe shpërblimet e njohura sllavo-otomane të viteve 1850-1878, nga ku fqinjët përfituan Plavën, Gucinë, Hotin, Grudën, Ulqinin Zetën dhe Troplicën me një territor gjeografik rreth dy herë më të madh se territori i sotëm i Kosovës. Këtë model lirie e fqinjësie kishte paraparë manifesti i datës 18 tetor 1912. Mesa duket, edhe në këto 106 vite, për nga mendësia dhe thelbi i sjelljes ndaj Kosovës dhe territoreve të tjera shqiptare, shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Pavarësisht nga ato që shkruheshin në manifestin e mbretit, shkatërrimet, vrasjet dhe masakrat që ndodhën në atë periudhë të viteve 1912-1914 në terren, shkaktuan zemëratë e tmerr në mbarë opinionin ndërkombëtar. Këtë fakt e tregon edhe gazeta “Daily Croniche” e datës 12 nëntor 1912, ku shkruante se: “Me mijëra shqiptarë janë vrarë nga ushtria serbe në vendbanimet e tyre. Vetëm në rrethinat e Prizrenit janë vrarë e masakruar rreth 5000 shqiptarë. Nga ushtria serbe, është shkatërruar, djegur tërësisht dhe bërë rrafsh me tokë çdo gjë që ishte shqiptare”. Nuk duhen harruar as faktet e shkruara historike dhe as jetët e dëshmorëve tonë që tregojnë se si një bashkërendim dhe gjenocid i ngjashëm kishte ndodhur edhe më parë, saktësisht në kohën e luftërave të ashtuquajtura Ruso-Osmane të viteve 1845, 1871, 1876, 1877 dhe 1878. Dihet fakti se si në atë periudhë, shumë shqiptarë nga Kosova Lindore, u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre dhe u shpërndan në vendet e tjera të Ballkanit, e ku sot e kësaj dite jetojnë e vazhdojnë të quhen “muhaxhirë”.

Historia duhet kujtuar e lexuar për të kuptuar edhe më mirë faktin, se nga sjelljet dhe nga politikat e vjetra e të reja orientale, ka buruar dhe do të burojë vetëm shkatërrimi territorial dhe shkombëtarizimi ynë përmes dobësimit të vazhdueshëm të lidhjeve tona historike, kulturore e gjenetike me rrënjët ilirike dhe me qytetërimet evropiane. Edhe nga manifestet, nismat, projektet politike dhe demagogjia orientale e këtyre 106 viteve, njëlloj si më parë, kanë prevaluar dhe përfituar vetëm interesat dhe aleancat antishqiptare. Nga modelet dhe loja orientale, nuk mund të burojë asgjë e mirë për interesat shtetërore e politike të shqiptarëve.

Për të kuptuar se si këto interesa dhe aleanca antishqiptare kanë ekzistuar dhe janë konsoliduar në vite e shekuj, po sjellim ndërmend disa fakte të njohura e që tregojnë për mënyrën se si për shkak të goditjeve të vazhdueshme në thelbin e ekzistencës dhe të identitetit tonë ilir-evropian, në 150 vitet e fundit, edhe territoret, edhe popullsia dhe kapacitetet dhe shanset zhvillimore të shqiptarëve kanë ardhur duke u reduktuar. Qysh nga beteja e parë antiosmane e vitit 1385 (në Savër të Lushnjes), e deri në vitin 1912, pushtimi ushtarak dhe politik otoman dhe i aleatëve realë të këtij pushtimi, del në pah fakti që për shqiptarët është programuar dhe zbatuar strategjia e njohur e zhdukjes së trashëgimisë gjuhësore, kulturore, fetare dhe shtetformuese, nga ku e ka zanafillën edhe humbja e popullsisë dhe territoreve, bashkë me dyzimet dhe ndarjet shpirtërore, shoqërore, kulturore e tradicionale të panevojshme e të pa dëshirueshme.

Në lidhje me këtë realitet historik, K. Jereqek, ka shkruar se: “…..edhe pse organizimi qytetar ishte i rëndësishëm edhe për Ilirët, sllavët e bënin sllavizimin dhe turqit turqizimin e shqiptarëve, herë ndaras e herë në bashkëpunim”. Ndërsa shkrimi i gazetës “Reichpost”, i datës 20 mars 1913, tregon edhe më shumë për brutalitetin dhe mënyrën e hapur të bashkëpunimit oriental e antishqiptarë të atyre që goditën identitetin dhe rrënjët tona ilire, duke na dëbuar, vrarë, regjistruar apo dhe konvertuar me dhunë në kultura dhe në popullsi dhe etni të tjera të ndryshme nga ajo ç’farë ishim e jemi. Në këtë artikull (20 Mars 1913) është shkruar: “Në rrethin e Janjeves, mbi 400 vjet nga sot, jetonin rreth 8000 Shqiptarë Katolikë, të ashtuquajtur, Laramanë apo Katolikë të Fshehur. Kur aty mbërritën Serbët, me qindra nga këta Laraman deshën që haptazi të deklarohen që janë Katolikë. Kur përfaqësuesi i shtetit serb të instaluar rishtas dëgjoi për këtë dëshirë dhe vetëdije të tyre, tha: Ose mysliman ose Ortodoks. Jo katolik!”.

Po në këtë periudhë, një tjetër gazetë e madhe e kohës me emrin “Neue Freie Press”, ka shkruar se: “Me 7 Mars, soldateska e prirë nga një pop Ortodoks, në rrethin e Gjakovës deshti me forcë të konvertojë popullatën katolike në besimin ortodoks. Mbi 300 vetë, gra, burra dhe fëmijë, nën kërcënimin me vdekje, duhet të konvertoheshin. Popi Ortodoks iu tha: Ose nënshkruani deklaratën se e keni pranuar fenë ortodokse ose këta ushtarë të Zotit, do i dërgojnë shpirtrat e juaj në ferr. Te gjithë e nënshkruan përveç Patër Angjelit, rezultati ishte skena më trishtuese (vrasja e priftit), e paparë në atë shekull”.

Për shqiptarët, leximi dhe kujtesa e manifestit të 106 viteve më parë, nuk është asgjë më tepër, se një rast i mirë për të kujtuar dhe kuptuar pasojat e manifesteve, deklaratave, projekteve dhe platformave orientale nga të cilat, nuk ka buruar dhe nuk mund të burojë asgjë progresive as shtet-formuese. Personazhet dhe komitët politikë të këtyre 106 viteve, pavarësisht nga ato që kanë deklaruar e shkruar sa për demagogji e material arkivor, kanë gabuar rëndë sa herë që kanë besuar tek projektet dhe modelet orientale. Kanë gabuar akoma më rëndë sa herë që kanë harruar thelbin e vazhdimësisë dhe ekzistencës sonë kombëtare që qëndron në historinë, në rrënjët, në identitetin dhe në orientimin tonë të përjetshëm europerëndimor dhe euroatlantik.