Frank Shkreli: Mirënjohje për mësuesit e shkollës së parë në gjuhën amtare shqipe në rrethin e Ulqinit

732
Sigal

 

Kohët e fundit më ra në dorë libri monografi “Shkolla Fillore “Bedri Elezaga” 1869 –2019 Katërkollë” e autorit Rexhep Lleshi, botuar në Maj të vitit 2019 në Ulqin. Autori i librit, Rexhep Lleshi është një ndër veteranët e arsimit të Anës Malit në rrethin e Ulqinit, jo vetëm si mësimdhënës por edhe njëri prej udhëheqësve në këtë fushë, i cili ka shërbyer edhe si drejtor i shkollës fillore, që mban emrin e “Bedri Elez Aga”, shkolla e parë shqipe në këto troje shekullore shqiptare (1941-1943), për fshatrat Katërkollë, Selitë, Krythë, Sukubinë, Amull e të tjera.

Në parathënjen e redaksisë thuhet se në monografinë kushtuar shkollës së parë shqipe në këto troje, autori ka përdorur dokumentacione arkivore të shkollës dhe të shtetit, akte, libra të botuar për këtë histori si dhe revista, fotografi dhe deklarata gojore të pjesëmarrësve që kanë luajtur role me rëndësi në mirëvajtjen e kësaj shkolle gjatë dekadave, disa prej të cilëve jetojnë ende. Përveç rrjedhës historike të arsimit në këtë trevë shqiptare gjatë dekadave, libri “Shkolla Fillore Bedri Elezaga”, përshkruan gjithashtu edhe historinë dhe gjeografinë e rajonit që mbulonte kjo shkollë, në rrethin e Ulqinit. Në 15 kapitujt e librit flitet për periudha të ndryshme të historikut të shkollës para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Por, për qëllime të këtij shënimi, unë do të përqëndrohem në kapitullin e pestë të librit që mbulon periudhën e vitit 1941-19143, një periudhë kjo që edhe sipas vet autorit, Rexhep Lleshit, është një periudhë që për arsye politike, “është lenë pa u përmendur deri në ditët e sotëme, e që përkon me vendosjen e parë të kurrikulës dhe punës sipas planprogramit (tërësisht) në gjuhën shqipe”.  Materialin për këtë kapitull të librit mbi shkollën e parë në gjuhën shqipe në rrethin e Ulqinit, autori e bazon në “fakte të dokumentuara nga arkivat, nga fotografi, dëftesa dhe gojëdhëna nga ish-nxënësit e diplomuar nga kjo shkollë”, e të cilët më vonë kanë dhënë mësim në këtë ent arsimor.

Autori pranon se kjo periudhë është e varfër nga pikëpamja e dokumentacionit, pasi për arsye politike që dihen, thotë se “nuk janë ruajtur dokumente pedagogjike shkollore mbi veprimtarinë e kësaj shkolle. Por, autori përfshin disa dokumentacione shtesë në lidhje me shkollën e parë shqipe në rrethin e Ulqinit në vitet 1941-1943, duke zbardhur mëtej një histori të zhvillimit të arsimit shqip gjatë këtyre viteve, anë e mbanë trojeve autoktone shqiptare, përfshirë rrrethin e Ulqinit. “Nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, nën okupimin Italian, përkundër rrethanave që çonin drejt një gjendjeje të rëndë jetësore, në vitet shkollore 1941/42 e 1942/43 Ministria e Arsimit e Shqipërisë, ashtu si edhe në vendet e tjera me popullsi shqiptare, edhe këtu në Anë të Malit të rrethit të Ulqinit, (ajo Ministri dërgon mësues të rinj me bazë pedagogjike të përgatitur për punë me nxënës në gjuhën shqipe). Kështuqë, për herë të parë mësimi organizohet dhe zhvillohet në gjuhën amtare shqipe”, shkruan autori i “Librit Shkolla Fillore ‘Bedri Elezaga’”.

Mësimet, sipas të dhënave, u organizuan për nxënësit e disa fshtarave për rreth, përfshirë Katërkollën, Ambullin, Brajshën, Këllëznën e poshtme, Selitën dhe Shasin, fillimisht, gjithsej me rreth 30 nxënës në objektin shkollor në Katërkollë, tani shkolla e vjetër. Në këtë kapitull jepen edhe emrat e nxënësve të parë të shkollës shqipe dhe mësuesëve të parë të ardhur nga Shqipëria me urdhër të Ministrit të Arsimit të Shqipërisë, mësues si Prenkë Jakova, Viktor Kiçi dhe Prek Shiroka nga Shkodra, për vitin 1942/43.

Autori thekson se mësuesit kishin për detyrë zhvillimin e mësimit të rregullt e të punëdorës me nxënësit, por edhe organizimin e kurseve kundër analfabetizmit me njerëz më të moshuar. Ndërsa përgjegjës i këtyre shkollave ishte Jahja Domnori nga Shkodra, një mësues me përgatitje shkencore e kulturore, ndërkohë që shërbente edhe si drejtor i shkollës fillore në Ulqin.