Përse një libër-monografi, për komandant Rustem Peçin

75
Sigal

Falënderim

Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë ata që na mbështetën në përgatitjen dhe botimin e këtij libri: Ministrinë e Mbrojtjes; drejtuesit e Akademisë Ushtarake “Skënderbej”; drejtuesit dhe punonjësit e Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura; familjen Peçi; bashkëshorten e Rustemit, Gjylfari Peçi; mbesën, Joniada Hito; Fatmir Lelin; miq e të afërm të saj; kolegë e bashkëpunëtorë të Rustem Peçit; kolegët tanë historianë, studiues e publicistë; redaktorin e librit, Dr. Dorian Koçi; autorin e parathënies, gjeneral, Bardhyl Nuredini; korrektorët e librit; shtëpinë botuese “Enja” etj… Është dhe ndihma e kontributi i tyre i çmuar, në realizimin e këtij projekti. (Autorët e librit )

Përse një libër-monografi, për komandant Rustem Peçin

Rustem Peçi

Ka shumë arsye që shërbejnë si shtysë për të shkruar një monografi, por gjithsesi, një ndërmarrje e tillë, ndryshe nga gjinitë e tjera të publicistikës, apo të krijimtarisë letrare e artistike, mbart në vetvete një sërë vështirësish, që duhen përballur e kaluar me sukses, për të arritur tek synimi: një libër i kompletuar, që qaset me realitetin, që pëlqehet nga lexuesi e përcjell mesazhe për brezat që vijnë. Në rastin e monografisë për ushtarakun madhor, Rustem Shefqet Peçi, drejtues për shumë vite i institucionit arsimor ushtarak ku përgatiteshin e diplomohej armata e oficerëve aktiv të Ushtrisë së Shqipërisë, duhet thënë që pati disa specifika, që konsistonin në lehtësimin e kësaj ndërmarrje, për shkak të dokumenteve të shumta arkivore, kujtime të kolegëve e vartësve, por edhe shumë vështirësi që kërkonte përzgjedhja e materialeve, sistemimi i këtyre kujtimeve, gjithmonë nën peshën e përgjegjësisë profesionale për të bërë më të mirën.

Së pari, njohja jonë nga afër me vetë komandant Rustemin, qenia për periudha të ndryshme kohore, dëshmitarë në rrugëtimin e karrierës së suksesshme të tij, njohja e karakterit, aftësive profesionale e komanduese, ishin një realitet që na e lehtësonte jo pak punën që kërkonte përgatitja e këtij libri.

Së dyti, dokumentet e shumta në arkivat (ushtarake e ato kombëtare) që lidheshin me jetën, shkollimin brenda e jashtë Shqipërisë së komandant Rustemit, (që nga dosja personale e dokumente të tjera, shënime të tij, kujtime familjarëve e kolegëve) të linin hapësira për të punuar. Vështirësi, por më tepër përgjegjësi, kërkonte seleksionimi i tyre dhe përfshirja në strukturën e librit. Mendoj se bëmë atë që duhet.

Së treti, angazhimi i familjarëve të komandant Rustemit, ishte maksimal. Po ashtu dhe gatishmëria e miqve të Rustemit, kolegëve e vartësve, strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë  dhe Arkivit Qendror të Ushtrisë, na e lehtësuan ndjeshëm mbarëvajtjen e punës. Në këtë kuadër, më shumë gatishmëri prisnim nga kolegët e bashkëpunëtorët e Rustem Peçit në Komitetin Kombëtar të LANÇ, që ai e drejtoi për shumë vite.

Falë kësaj gatishmërie e mbështetje, ne arritëm ta përfundojmë këtë libër. Sigurisht, mund të ketë këndvështrime të tjera, mendime për ndonjë material të përzgjedhur, për ndonjë material a dokument që ndoshta duhet të përfshihej në këtë libër dhe kjo, është normale. Por ne menduam se gjithçka që përzgjodhëm e paraqitëm, ishte në përputhje e në të mirë të objektivit tonë. Me këtë paraqitje e ballafaqim me lexuesin, studiuesit, familjarët, miqtë e kolegët, shpresojmë që të kemi sjellë një libër sa më të plotë, për ushtarakun që ka lënë gjurmë në historikun e arsimit ushtarak në Shqipëri, intelektualin dhe aktivistin e palodhur shoqëror, komandant Rustem Shefqet Peçin. (Autorët e librit )

Libër me vlerë për patriotin e madh, ushtarakun e lartë e njeriun frymëzues, që, edhe përballë vështirësive e padrejtësive, nuk e humbi kurrë besimin në të vërtetën dhe në Shqipërinë që ëndërroi.

 

Gjeneral Brigade, BARDHYL NUREDINAJ

Komandant i Akademisë së Forcave të Armatosura

Historia e një kombi është e gdhendur në veprat dhe sakrificat e bijve të tij më të përkushtuar. Ndër këto figura të shquara, një vend të veçantë në historinë e kombit shqiptar, zë ajo e komandant Rustem Peçit. Vepra që sot kemi në duar i kushtohet Rustem Peçit, ushtarakut madhor të Ushtrisë Shqiptare, patriot i palëkundur dhe aktivist i devotshëm i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Jeta dhe vepra e tij përfaqësojnë një model frymëzues të qëndresës, përkushtimit ndaj detyrës dhe ndjenjës së lartë atdhetare. Në këtë vepër monografike hidhet dritë mbi rrugëtimin e tij, duke e parë jo vetëm si një ushtarak të shquar, por edhe si një figurë historike që i kushtoi jetën mbrojtjes së lirisë dhe sovranitetit të Shqipërisë. Me një karrierë të pasur në fushën ushtarake, Rustem Peçi u dallua për aftësitë strategjike dhe vendosmërinë e tij në mbrojtjen e interesave kombëtare. Ai nuk ishte thjesht një ushtarak i farkëtuar me vlera dhe cilësi të spikatura, por edhe një drejtues dhe organizator i aftë, i cili diti të përballet denjësisht me sfidat dhe përgjegjësitë që i diktonte koha. Edhe pse në një moshë fare të re, kontributi i tij gjatë LANÇ ishte i çmuar. Ai qëndroi krah për krah me luftëtarët e lirisë, e pas luftës, falë arsimimit dhe formimit të tij ekselent si ushtarak karriere, roli i tij në forcimin e ushtrisë shqiptare ishte thelbësor. Karriera e tij e gjatë dhe e larmishme përfshiu shumë detyra të rëndësishme, ndër të cilat edhe ajo e drejtimit të Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në një periudhë të trazuar politikisht, në kushtet e izolimit total të vendit tonë. Në 11 vitet e drejtimit të tij, ky institucion elitar përgatiti breza të shumtë oficerësh, që patën burim frymëzimi Komandant Rustem Peçin. Vizioni i tij si drejtues mbetet shembull edhe në ditët e sotme, kur Akademia e Forcave të Armatosura hedh hapa të sigurt si institucion elitar, modern dhe bashkëkohor, në përgatitjen e plejadës së re të drejtuesve ushtarakë. Vizionarë të tillë nuk njohin kohë, ata i paraprijnë asaj dhe mbeten përherë aktualë. I tillë ishte dhe mbetet, komandant Rustem Peçi! Por, ashtu si shumë figura të shquara të historisë sonë, edhe komandant Rustem Peçi nuk i shpëtoi sfidave të kohës. Pavarësisht kontributit të tij të madh, ai u përball me vështirësi dhe padrejtësi, që vendosën në provë forcën e tij shpirtërore dhe besnikërinë ndaj idealeve të larta për të cilat kishte luftuar. Megjithatë, ai nuk u thye kurrë, duke mbetur një shembull i qartë i dinjitetit dhe qëndresës në kohë të vështira. Kjo monografi është një përpjekje për të përjetësuar Rustem Peçin, në ato përmasa dhe vlera që koha dhe shoqëria shqiptare e njohu. Ky punim i arrirë është realizuar mbi dokumente historike, dëshmi dhe analiza të studiuesve, por edhe në kujtime të miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve. Autorët mjeshtërisht synojnë të sjellin para lexuesve profilin shumë dimensional të komandant Rustemit, si ushtarak dhe intelektual i shkëlqyer, por edhe si njeri me vlera humane të admirueshme. Vepra që sot kemi në duar, është homazh për patriotin e madh, ushtarakun e lartë dhe njeriun frymëzues, që, edhe përballë vështirësive e padrejtësive, nuk e humbi kurrë besimin në të vërtetën dhe në Shqipërinë që ëndërroi. Kujtimi dhe vepra e Rustem Peçit mbeten një testament i gjallë i asaj çfarë do të thotë të jesh në shërbim të vendit dhe popullit tënd. Të jetosh një jetë plot dinjitet, mes betejave dhe idealeve, mes dritës dhe territ… dhe përherë të zgjedhësh dritën, për të ndriçuar përjetësisht në udhën e historisë së kombit!

 

Refuzimi i një propozimi të Rustem Peçit dhe, mirëkuptimi nga ana e tij…

Nga Kujtim BORIÇI

…Është orë e vonë e 3 tetorit 2016, moment në të cilin po afronte dhe mbyllja e gazetës. Vështroj në telefon e, shoh që thirrja vinte nga Sulë (Sulejman) Domi, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, një personalitet e ish-ushtarak madhor dhe ish-deputet në disa legjislatura, i Kuvendit të Shqipërisë. Njihesha nga afër prej shumë kohësh me ‘të, kisha bashkëpunuar me ‘të sistematikisht, me intervista e nëpërmjet shkrimeve që sillte në gazetë për botim. Takoheshim e pinim dhe kafe me ‘të, por marrëdhëniet tona, realisht, ishin me objektin që përmenda sa më sipër. Bile, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore, kishte disa kohë që nuk ishim takuar.

-Më fal se është orë e vonë e të shqetësova, por kam një porosi të rëndësishme nga Komandanti (Rustem Peçi).

-Nuk ka problem gjeneral, në punë jam. Pa hë, ç’është kjo porosi, ma thoni. Se isha me komandantin paradite dhe nuk më tha gjë-iu përgjigja.

-Jo jo, do të ta thotë vetë ai. Takoheni në orën 09:00 tek zyra e tij, tek veteranët. Do jem dhe unë aty,- vazhdoi bashkëbiseduesi.

-Pa tjetër, urdhri i komandantit është ligj,- iu përgjigja.

I thamë “natën e mirë’, njëri-tjetrit, për t’u takuar të nesërmen.

E premte, 4 tetor 2017. Dola më shpejt nga shtëpia dhe në 08:00, tek kafe-librari ‘Agolli’, ngjitur me godinën e Organizatës së Veteranëve të LANÇ, pasi kishim lënë takim me dy kolegë. Dhjetë minuta para orës së lënë, u futa tek veteranët. Rustemi, bashkë me Sulën, ishin ulur në tavolinë në lokalin në katin e parë të godinës. Përpara kishin kafe, e nga një gotë raki. Shoh, që në vendin ku do ulesha unë, në tavolinë, ishte një gotë rakie-dopio. ‘E hëngra’, thashë me vete… U përshëndetëm..

-Ulu aty, merre gotën, pije dhe ‘gëzuar’- tha Rustemi me atë zërin e vrazhdë, urdhërues, por që dihet se ‘mbulonte’ afrimitet e dashuri.

-Po ç’është kjo dopio që në mëngjes, komandant- i thashë unë instinktivisht, duke e ditur se nuk kisha shteg të shmangesha, pasi këmbëngulja, mund të sillte dhe një gotë tjetër pas saj si ‘ndëshkim’.

-Pije mo pije, se të rregullon, se mbase dhe ti je çoroditur si këta të mitë dhe, të sjell në vete. Se nganjëherë, ju gazetarët dukeni si në një botë tjetër…- vazhdoi Rustemi me të njëjtin qëndrim.

U ula, kapa gotën, i trokitëm. Por Rustemi ja nisi menjëherë, me ton të prerë, duke komunikuar një vendim të tijin.

-Dëgjo ti. Nga sot, do drejtosh gazetën ‘Kushtrim Brezash”, ta bësh ashtu siç duhet, siç e dua unë. Se këto që kam, nuk janë në terezi. Se u ringjallën pinjollët e kolaboracionistëve dhe po hedhin baltë mbi LANÇ, heronjtë, dëshmorët dhe partizanët trima që çliruan Shqipërinë. E këta të mijtë, po i godasin me ‘pambuk’… Hajt suksese- tha Rustemi dhe bëri trokitjen e gotave, duke e quajtur të mbyllur këtë bisedë.

…U befasova. U përpoqa t’i shpjegoj se me gjithë dëshirën, e kam të pamundur, pasi kam një kontratë me gazetën që punoj, se kam angazhime me botimet e librave dhe se puna me gazetën e veteranëve, mi ‘lidh duart”… Duke parë këmbënguljen time, pamundësinë reale ta merrja këtë detyrë, duke më parë në sy, ofroi një zgjidhje tjetër.

-Mirë, bëji të dyja, apo të tria… -shtoi ai në vazhdim.

Vazhduam bisedën e argumentet, ku ndonëse kundër parashikimit, ai u bind në këmbënguljen time. I premtova se do të jem vazhdimisht bashkëpunues dhe me gazetën e veteranëve.

Shënim: Pas dy-tre ditësh, teksa pinim kafe me kolegun, Xhoten e dy shokë të tjerë tek bar-kafe Agolli, kalon afër nesh dhe drejtuesi i gazetën së veteranëve, e ndryshme nga herë të tjera, jo vetëm nuk u afrua tek ne, por u shmang enkas. Takimi im me Rustemin, ishte mësuar dhe përflitej në ato mjedise. U mora lejë kolegëve në tavolinë, u ngrita dhe e takova. I thashë se unë nuk e pranova atë propozim dhe ai të rrijë rehat për këtë. Por, nëse unë kam arsyet e mia, dikush tjetër mund të vijë t’u zëvendësojë dhe se Rustemit nuk ia hedh, nëse ai është bindur në vetvete për diçka…

Copëza me kujtime, për Rustem Peçin

Nga, Bernard ZOTAJ

Mjeshtër  i Madh

-01-

Vite më parë më korrik 1965, Rustem Peçi vjen në Ramicë për një gëzim familjar të familjes Zotaj. Xhaxhai im, Agron Zotaj, ishte tifoz i ekipit të “Partizanit”. Këtë e mësoi Rustemi dhe në dollitë që ngriheshin atëherë, e që piheshin me fund, me xhaxhain piu për çdo sportist nga një dolli…

-Këtë e kemi për Panajot Panon, këtë e kemi për… dhe dollitë piheshin me radhë… fundi kuptohet për xhaxhain…

Kështu e takova për herë të parë komandantin e ardhshëm tim, Rustem Peçi. Ishte viti 1965.

-02-

Rustemi vjen në Orikum, në familjen e vëllait tim Kastriot Zotaj, me disa shokë që kishin qenë në inspektim në repartet e Pashalimanit. Unë isha në vitin e tretë të shkollës së mesme të përgjithshme “Hasan Pulo” dhe kthehem nga shkolla, kur e gjej në shtëpi komandant Rustemin…

Mbesa, Elas ishte e sëmurë dhe kishin kërkuar një doktor për ta vizituar, por radha më takoi mua për ta vizituar… futem në kuzhinë dhe me një përshëndetje për miqtë e ardhur, shkoj tek mbesa dhe i vë dorën në ballë, temperatura i ishte ulur pak.

-Do kalojë- thashë, – duket më mirë.

Rustemi u çudit se më mori për doktor.

-Kaq i ri ky doktor, – u shpreh, kur pa veprimet e mia…

Vëllai Kastriot i tha se është vëllai dhe studion në gjimnazin “Hasan Pulo” të Orikumit…

-Hajde këtu doktor, më tha komandanti dhe më përqafoi…

-Këtej e tutje unë do ta thërras “doktor”… dhe kështu më thirri një jetë të tërë…

-03-

Me komandant Rustem Peçin jam takuar në vijimësi, në familjen e tij kur ju larguan nga jeta prindërit, por edhe veprimtari që lidheshin me veteranët dhe me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. U aktivizova me shkrime historike edhe në gazetën “Kushtrim Brezash”. Komandanti shkrimet e mia i vlerësonte. Kështu në Konferencën 11 të Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ, u zgjodha anëtar i komitetit dhe i kryesisë dhe mbuloja problemet e historisë ushtarake.

-04-

Takimi i fundit me komandantin ka qenë shkurt 2021, kur COVID kishte bërë punën e vet e shumë njerëz na kishin ikur nga jeta. Komandanti në telefon më pyeste vazhdimisht… më uroi për vlerësimin që më bëri bashkia e Vlorës me titullin “Mirënjohje e qytetit të Vlorës”. Ishte data 7 shkurt 2021. Ky ishte komandant Rustem Peçi që një jetë qëndroi dinjitoz dhe frymëzoi me veprën dhe shembullin e tij qindra breza të rinj, studentë ushtarakë, që ndoqën Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Deri në fund të jetës ishte modeli i ushtarakut dinjitoz dhe i veteranit të përkushtuar në mbrojtje të vlerave dhe idealeve të shenjta të LANÇ-it. Kujtimi i Tij do të rrojë gjatë, sepse e gjatë ishte vetë jeta e Tij, përpjekjet dhe sakrificat me të cilat u përball ai dhe familje e Tij stoike e fisnike e Picarit të Kurveleshit.