Sot 110- vjetori i lindjes së Nënë Terezës

872
Sigal

Nga Asije Hoxha

Mesazhi i Nënë Terezës aktuale për ditët që po kalojmë 

Jeta është mjaft e çmuar, mos e shkatërro atë”

Fjala e Nënë Terezës në marrjen e Çmimit Nobel për Paqe në 1979

Si u njoh bota me bamirësen ndërkombëtare Nënë Tereza ? Në vitin 1979 mori Çmimin Nobel për Paqe. Fjala e saj mbajtur në marrjen e çmimit Nobel, në Oslo të Norvegjisë, preku të gjitha zemrat, që dëgjuan përkushtimin deri në flijim të Nënë Terezës ndaj njerëzve në nevojë:  -“Unë zgjedh varfërinë e njerëzve tanë të varfër, -e filloi Nënë Tereza fjalimin, – por ndjehem mirënjohëse të marr “Çmimin Nobel” në emër të të uriturve, të zhveshurve, të pa strehëve, të gjymtuarve, të verbërve, të lebrozëve, të gjithë njerëzve, që ndjehen të lënë pa dashuri, pa kujdes në gjithë shoqërinë tonë, njerëz që i janë bërë barrë shoqërisë dhe përbuzur prej kujtdo… Le të lutemi së bashku: Le të falënderojmë Zotin për mundësinë që na dha të mblidhemi të gjithë sot këtu, për këtë dhuratë paqeje, që na sjell ndër mend se jemi krijuar për ta jetuar këtë paqe, se Jezusi erdhi mes nesh që të na e sjellë këtë lajm të mirë tek të varfrit. Ai duke qenë Zot, u bë njeri si ne në gjithçka, përveç mëkateve dhe shpalli qartë se kishte ardhur të na jepte këtë lajm të mirë. Ky lajm ishte paqja tek të gjithë ata me dëshirë të mirë. Kjo është diçka, që ne të gjithë e duam -paqe zemrës… Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ai vdiq në kryq që të tregojë një akoma më të madhe dashuri; dhe ai vdiq për ty e për mua dhe për atë lebrozë, për atë burrë duke vdekur nga uria dhe atë person lakuriq shtrirë rrugëve jo vetëm të Kalkutës, por të Afrikës, Nju Jorkut, Londrës, Oslos dhe ai këmbënguli të duam njeri-tjetrin, ashtu siç na do secilin prej nesh. Ne e lexojmë shumë qartë në Bibël: “Të duash siç të kam dashur unë, siç më ka dashur im Atë, të dua unë”; … Nuk mjafton të themi: “E dua Zotin, por nuk e dua fqinjin”.  Shën Jani thotë se je gënjeshtar kur thua se do Zotin, por s’do fqinjin. Si mund ta duash Zotin që nuk mund ta shohësh, nëse nuk do fqinjin me të cilin jeton? Është e rëndësishme të kuptojmë se që dashuria të jetë e vërtetë, duhet të dhembë… Kurrë nuk do harroj ca kohë më parë, rreth katërmbëdhjetë profesorë erdhën nga Shtetet e Bashkuara nga universitete të ndryshme  në Kalkuta, në shtëpinë tonë. Kishin qenë në shtëpinë për të vdekurit. (Ne kemi një shtëpi për të vdekurit në Kalkuta, ku kemi mbledhur prej rrugëve mëse 36 000 njerëz, prej të cilëve mbi 18 000 kanë pasur një vdekje të bukur. U kthyen në shtëpi tek Zoti). Pra këta profesorë erdhën në shtëpinë tonë, e ne folëm gjatë për dashurinë, dhembshurinë…Njëri më pyeti: “Nënë, të lutemi, na thuaj diçka që ta mbajmë mend”. U thashë: “Buzëqeshini njeri-tjetrit, lërini kohë për njeri-tjetrin në familjen tuaj. Buzëqeshini njeri-tjetrit!”  Kurrë s’mund ta harroj vizitën time në atë shtëpi ku jetonin gjithë ata prindër djemsh e vajzash, futur në atë institucion të harruar! Kur shkova, pashë se i kishin të gjitha plot, por të gjithë sytë i mbanin tek dyert. Dhe nuk pashë askënd të buzëqeshte. U ktheva dhe pyeta motrën pranë: “Pse? Pse këta njerëz, që kanë gjithçka, sytë i mbajnë tek dera? Pse nuk buzëqeshin? Unë jam mësuar të shoh buzëqeshje në njerëzit tanë, edhe atë të vdekjes – buzëqeshje”. Ajo më tha: “Kështu është çdo ditë. Ata presin duke shpresuar se një djalë a vajzë do vijë t’i shohë. Vuajnë, sepse janë harruar”! E shihni pra, këtu e gjen mungesën e dashurisë! Kjo varfëri është tamam këtu, në shtëpinë tonë, bile nuk kujdesemi të duam. Ndoshta në familje kemi dikë, që ndjehet vetëm, i sëmurë, ose i shqetësuar, sepse të gjithë kemi ditë të vështira. A jemi ne aty? U jemi ne pranë? Nëse bëhesh një pishtar drite për paqen në botë, atëherë vërtet Çmimi Nobel i Paqes është një dhuratë e popullit Norvegjez.  Zoti iu bekoftë! Do shpërbleheni për këtë!

1Shenjtërimi i Nënë Terezës në 2016

Një portret i madh i Nënë Terezës ishte varur në Bazilikën e Shën Pjetrit gjatë ceremonisë.

Nënë Tereza shpallet shenjtore nga Kisha Katolike e Romës. Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, i njohu  Nënë Terezës mrekullinë e dytë, që i hapi rrugën shenjtërimit të saj. Njohja e saj si shenjtore iu

atribua dy shërimeve të të sëmurëve, të njohura si mrekulli nga Vatikani. Në një meshë kanonizimi ditën e diel, më datë 4 shtator 2016, Papa Françesku, në prani të 120 mijë pelegrinëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit tha formulën për kanunizimin e murgeshës me origjinë shqiptare, të njohur si “shenjtorja e të varfërve”, dhe e shpall shenjtore. Duke folur në latinisht, Papa tha: “Pas shqyrtimit të duhur dhe

lutjeve të shpeshta për ndihmë hyjnore nga Nënë Tereza dhe duke kërkuar këshillat e shumë vëllezërve peshkopë, ne e deklarojmë dhe e përcaktojmë Terezën e Bekuar të Kalkutës, të jetë një shenjtore, dhe e regjistrojmë atë mes shenjtorëve, duke dekretuar se ajo do të nderohet si e tillë nga e gjithë Kisha”.

 Jeta e hershme

Lindi në Shkup, më datë 26 gusht 1910. Ajo ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Tri ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut nga

Prizreni dhe Drane Bojaxhiut nga Novosella e Gjakovës. Kola dhe Drania patën 5 fëmijë. Gonxhja mësimet e para dhe gjimnazin i mori në një shkollë shqipe në Shkup, por në gjuhën serbo-kroate. Në

rininë e saj kishte tri pasione: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, të Irlandës. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. “Kurse nëna Drania dhe motra Age, shkuan në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore (jetuan në rrugën e Kavajës te familja Zajmi.) Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave.

Nënë Tereza Misionare e Bamirësisë

Nënë Tereza shkruan: – Më tha dikush njëherë se ai, as për një milion dollarë nuk do ta prekte me dorë një të sëmurë. – Ju përgjigja: – As unë nuk do ta bëja, po të ishte puna për para. Nuk do ta bëja edhe po të më jepnin dy milionë. Mirëpo unë e bëj atë me kënaqësi. Unë nuk i kushtoj vëmendje numrave, rëndësi kanë vetëm njerëzit. Nuk lodhem asnjëherë duke përsëritur se atë për të cilën të varfrit kanë nevojë nuk është mëshira, por dashuria. Dashuria është produkt i çdo stine. Gjërat e vogla duhen bërë me dashuri të madhe. Unë kam besim në atë dashuri të madhe, që duhet të dalë nga zemrat tona. Ajo duhet të fillojë në shtëpi, në familjen time, me fqinjët matanë rrugës dhe me ata me derën ngjitur. Dhe pastaj kjo dashuri duhet të shkojë tek “të gjithë”. Nënë Tereza shkruan se kur ishte e vogël, babai i thoshte: “Nëse do të ndihmosh një njeri lëre dhuratën te dera ose te dritarja, që ai mos të të shohë.” Ndjenja e bamirësisë u kultivua që në fëmijëri tek ajo dhe do ta udhëheqë gjatë gjithë jetës. Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë (1951), një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende të botës. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që vdesin nga HIV/AIDS

gërbula dhe tuberkulozi. Ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, për jetimoret dhe shkollat. Në 1982, në kulmin e Rrethimit të Bejrutit, Nënë Tereza shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital ushtarak duke ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm ndërmjet ushtrisë izraelite dhe guerileve palestinezë. E shoqëruar nga punëtorët e Kryqit të Kuq, ajo udhëtoi përmes zonës së luftës deri tek spitali i shkatërruar për të zhvendosur pacientët fëmijë. Në vitin1991, Nënë Tereza vjen për herë të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të

Bamirësisë në Tirane.. Deri në vitin 1996, Nënë Tereza punonte në 517 misione në më shumë se 100 vende të botës. Nënë Tereza fliste rrjedhshëm 5 gjuhë: bengalisht, shqip, serbisht, anglisht dhe hindisht. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe

trajtonte 47,000 të gërbulur në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80.

 

2 –Nënë Tereza asnjëherë nuk e mohoi origjinën e saj shqiptare

Nënë Tereza shprehet: “Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht zemrës së Jezusit.”. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët, që

merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Por Shqipëria heshtte. Republika Popullore

Socialiste e Shqipërisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për të marrë pjesë në varrimin e saj më 1974. Madje këtë vizë nuk ia dhanë as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri në fillim të viteve ‘90. Shqiptarja

trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Nënë Terezës, për të ardhur në Shqipëri iu desh të dërgonte tri letra. Ajo i kishte dërguar më parë letër Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, Presidentit te Republikës në vitin 1989, të cilit i theksonte se: “për 60 -vjet kam vizituar shumë e shumë vende jashtë atdheut tim”. Më në fund, e para pasaportë (për këtë rast ishte thjesht diplomatike) e dhëne për nënshtetas të huaj me origjinë shqiptare iu dha pikërisht Nënë Terezës, e cila vizitoi Shqipërinë më 1989. “E pranoj me kënaqësi, -tha – sepse është pasaporta e vendit tim.” Kur mori çmimin Nobel në vitin 1979, amerikanët i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pasaportën amerikane, por ajo nuk pranoi.

Nënë Tereza është nderuar me çmime dhe me nderimet më njerëzore.

Më 1962 iu dha Çmimi i Paqes “Ramon Magsaysay” . Në vitin 1979 mori Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës“. Në vitin 2016

Kisha Katolike e Romës e shpalli shenjtore.

Navaz Sharif, kryeminstri i Pakistanit, është shprehur se ajo ishte “…Një individ i rrallë dhe unik që kishte jetuar për qëllime më të mëdha. Përkushtimi i saj i përjetshëm për t’u kujdesur për të varfrit, të sëmurët dhe të pafatët ishte një ndër shembujt më të lartë të shërbimit për humanizmin tonë.” Ish Sekretari i Përgjithshëm i KB, Javier Pérez de Cuéllar është shprehur: “Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqe në botë. Ish- Presidenti i Shteteve të Bashkuara Ronald Reagan, në vitin 1985 ka dekoruar Nënë Terezën me çmiminMedal of Freedom”. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani

ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Ndër titujt e shumtë që i janë dhënë Nënë Terezës përmendim disa: -Medalja e Lirisë, shpërblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes, shpërblimi më i lartë i Rusisë . Shtëpinë e saj ndërtuar në një lagje të zhurmshme në “Bose Road”, e kanë vizituar personalitete, si mbretëresha e Britanisë, ish presidentët e Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush e Xhimi Karter, Jaser Arafati, princesha Diana e shumë të tjerë. Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë.

Si testament jetësor Nënë Tereza na ka lënë mesazhe, që janë edhe sot aktuale në

përballje me sfidat e jetës:

  1. Jeta është mundësi, jetoje.
  2. Jeta është lumturi, shijoje.

3 .Jeta është jetë, lufto për te.

  1. Jeta është bukuri, admiroje.
  2. Jeta është ëndërr, realizoje.
  3. Jeta është sfidë, ndeshu me të.
  4. Jeta është detyrë, përmbushe.
  5. Jeta është lojë, luaje.
  6. Jeta është e çmuar, kujdesu për te.
  7. Jeta është pasuri, mbaje.
  8. Jeta është dashuri, kënaqu.
  9. Jeta është mister, njihe.
  10. Jeta është premtim, plotësoje.

14.Jeta është vuajtje, kapërceje.

  1. Jeta është këngë, këndoje.
  2. Jeta është betejë, pranoje.
  3. Jeta është aventurë, guxoje.
  4. Jeta është fat, bëje.
  5. Jeta është mjaft e çmuar, mos e shkatërro atë.