KLSH mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës

391
Tema “Fuqizimi i Auditimit të Jashtëm përmes bashkëpunimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me organizatat e shoqërisë civile”

Në datën 19 prill 2017, në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës u organizua nga Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës një tryezë e rrumbullakët, me temë “Fuqizimi i Auditimit të Jashtëm përmes bashkëpunimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me organizatat e shoqërisë civile”. Në këtë aktivitet, Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga Sekretarja e Përgjithshme, znj. Luljeta Nano dhe auditueset znj. Nikoleta Piranjani dhe znj. Joana Troqe.
Fjala e hapjes u mbajt nga Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, z. Besnik Osmani, i cili, prezantoi tematikën e këtij organizimi dhe ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit të Institucionit Suprem të Auditimit me organizatat e shoqërisë civile dhe mediave. E ftuara e nderit e këtij aktivitet ishte Dr. Nazia Mintz-Habib, Drejtore e Kërkimeve në Qendrën për rritjen e kapaciteteve pranë Universitetit të Cambridge në Angli. Diskutimi i saj bazohej në praktikat më të mira të bashkëpunimit mes institucioneve supreme të auditimit dhe organizatave të shoqërisë civile. Vendet në zhvillim kanë një detyrë të vështirë, theksoi Dr.Mintz-Habib pasi atyre u duhet të përballen me një sfidë e cila në mënyrë të përmbledhur shprehet me “Të arrish shume rezultate, duke pasur pak burime”. Mënyra e vetme për të arritur këtë është kontrolli i asaj çfarë është më e mira për shoqërinë duke luftuar korrupsionin dhe duke rifituar besimin tek qytetarët. Ajo foli dhe për rastin e Kosovës specifikisht, një vend me mundësi të mëdha rritjeje, dhe ku momentalisht funksionojnë rreth 500 Organizata Jofitimprurëse. Dr. Mintz-Habib theksoi se Institucionet Supreme të Auditimit duhen konsideruar si “watch dog” të institucioneve publike, dhe si ndihmës të tyre për të garantuar një punë të mirë të qeverise në menaxhimin e fondeve publike, pasi cilësia e një shteti pasqyrohet në cilësinë e institucionit suprem të tij. Ajo përmendi disa shembuj konkret për të treguar marrëdhënien e SAI-t me shoqërinë publike për vende si Bangladesh, Tanzania dhe Afrika e Jugut. Në mbyllje, ajo theksoi që SAI-t duhet t’i konsiderojnë raportet e auditimit të tyre si informues të veprimtarisë së qeverisë tek qytetarët duke synuar rritjen e mëtejshme dhe transparencën e lartë. Në vijim, fjalën e mori znj. Luljeta Nano, Sekretar i Përgjithshëm në KLSh duke theksuar rëndësinë, prioritetin dhe filozofinë menaxheriale institucionale referuar marrëdhënieve të KLSH-së me palët e interesit që janë organizatat e shoqërisë civile organizatat e profesionisteve dhe trupat akademike, mbështetur në parimet e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit. KLSH gjatë periudhës 2012-2016 ka nënshkruar 24 marrëveshje bashkëpunimi me organizata jo fitimprurëse dhe universitete duke evidentuar faktin se KLSH i konsideron këto organizata si asete te cilat gjenerojnë jo vetëm ekspertiza profesionale të fushës por dhe një partneritet mjaft dobiprurës dhe konstruktiv. Sekretari i Përgjithshëm solli në vëmendje te auditorit marrëdhënien produktive që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka me Universitetet e Shqipërisë, e treguar kjo edhe në organizimin e aktiviteteve te përbashkëta, si ato të analizave vjetore që KLSh i kryen me pjesëmarrjen e trupave akademike pranë ambienteve të tyre, për të qenë më transparente me studentët, profesoriatin, mediat etj apo dhe kontribute të tjera në fushën e punimeve shkencore të fokusuara kryesisht në aspekte të auditimit dhe të menaxhimit të financave publike. Në vëmendje të të pranishmeve u përcoll eksperienca inovative e KLSH-së në drejtim të përdorimit të instrumentit tashmë prej disa vitesh të instrumentit “ Peer- Review” me organizata profesioniste të fushës dhe ato civile, e theksuar kjo edhe në Kongresin e Abu Dhabit të INTOSAI-t Dhjetor 2016 në të cilën u theksua përparësia që institucionet supreme të auditimit duhet tu japin përdorimit të mekanizmave të vetëvlerësimit apo edhe të kryerjes së vlerësimeve të jashtme nga trupa të pavarura siç është instrumenti i peer review dhe që padyshim prodhojnë raporte të besueshme dhe objektive. Konkretisht KLSH prej vitit 2012 e kryen procesin e sigurimit dhe kontrollit të cilësisë të veprimtarisë audituese referuar kërkesave të ISSAI duke aplikuar instrumentin e mini peer-review në bashkëpunim me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit. Madje për vitin 2016 KLSH, Raportin e Sigurimit të cilësisë të rezultuar nga ky proces ia paraqiti dhe Kuvendit si pjesë e Raportit të Performancës së vitit 2016. Në të ardhmen, KLSH synon rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit interaktiv me organizatat e shoqërisë civile, mediave dhe trupat akademike dhe trajtimin e tyre si partnerë profesionale të fushës me qëllim zhvillimin institucional dhe rritjen e transparencës kundrejt publikut të gjerë. Rektori i UBT, Prof. Dr. Edmond Harizaj përmendi bashkëpunimin që Zyra Kombëtare e Auditimit ka me këtë universitet dhe ndër të tjera sugjeroi kryerjen e trajnimeve me auditorë të jashtëm me qëllim rritjen e cilësisë dhe performancës. Më pas, Z. Artan Canhasi, menaxher i programit KDI foli për përforcimin e sinergjisë mes Institucionit Suprem të Kosovës dhe shoqërisë civile duke kryer auditime në forme partneriteti mes tyre dhe audituesve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për të evidentuar rastet e korrupsionit., z. Faik Ispahiu, Drejtor ekzekutiv i Internews Kosova foli për vështirësinë e “gjuhës” së auditimit e cila e bën shpesh herë të pamundur kuptimin e raporteve të auditimit nga qytetarët. Të dy përfaqësuesit e mediave binin dakord për punën që duhet bërë për rritjen e bashkëpunimit mes Zyrës Kombëtare të Kosovës dhe Prokurorisë, për trajtimin e mëtejshëm të rasteve të evidentuara në raportet e auditimit, si dhe marrjen e masave për zbatimin e rekomandimeve nga subjektet, pasi për 2016 niveli i zbatimit të tyre ishte relativisht i ulët, rreth 20-30%. Z. Ispahiu sugjeroi gjithashtu, publikimin e projektraporteve dhe jo vetëm raporteve përfundimtare të auditimit, me qëllim rritjen e transparencës së punës audituese kundrejt qytetarëve, si dhe kryerjen e auditimeve të ndërmarrjeve publike, pasi këto të fundit momentalisht auditohen nga auditues të jashtëm të kontraktuar nga vetë subjektet, duke rritur dyshimet për vërtetësinë e këtyre auditimeve. Më pas fjalën e mori znj. Ardiana Bunjaku, Drejtore ekzekutive e SHKCAK, e cila lidhur me sugjerimet e ngritura nga fjalimet e mëparshme, nënvizoi se është e pamundur publikimi i projekt raporteve për shkak të kontratës që ekziston mes subjekteve dhe auditorit ku përcaktohen detyrat dhe përgjegjësitë e auditorit dhe ruajtja e informacionit. 

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani falënderoi të pranishmit për sugjerimet dhe diskutimet e tyre, duke përmendur disa nga problematikat me të cilat haset Zyra Kombëtare e Auditimit, ku përmendim bashkëpunimin e dobët mes ZKA dhe Prokurorisë, nivelin e ulët të zbatimit të rekomandimeve. Në mbyllje, ai vendosi për rritjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile, e realizuar kjo nëpërmjet takimeve 4 herë në vit mes tyre dhe ZKA; krijimin e një axhende për shqyrtimin e raporteve të auditimit; vlerësimin e integritetit; nisjen e një projekti të përbashkët për auditimin e jashtëm publik si dhe asistencës së shoqërive publike kundrejt ZKA në rritjen e kapaciteteve për auditimet e performancës.