Prof. Dr. Agron Fico: Mirënjohje gjimnazit “Asim Zeneli” të Gjirokastrës

1803
Sigal

Gjirokastra, qyteti i dijes dhe njerëzve të shquar, kishte gjimnazin “Asim Zeneli” si trurin e vet arsimor. Kjo qendër arsimore e krijuar gati një shekull më parë u bë fidanishte për breza të tërë të rinjsh që kanë punuar dhe punojnë në fusha të ndryshme të ekonomisë, shkencës, kulturës, artit.

Histori me shumë nder

Gjirokastritët janë shquar për dashurinë e prushtë për arsimin, kulturën dhe dijen, në një hark kohor historik. Lufta kundër pushtimit islamik-osman ishte njëherazi me armë, por edhe me penë, me përpjekje për të mësuar gjuhën shqipe. Shembulli i Koto Hoxhit, Pandeli Sotirit e Bajo Topullit dëshmon se ata janë luftëtarë dhe pedagogët e parë të arsimit gjirokastrit. Qytetarët gjirokastritë u përpoqën që në fillim të shekullit të kaluar të kishin një shkollë të mesme dhe godina e shkollës së mesme u ngrit që më 1904, vetëm e vetëm me ndihmën e popullit, por dyert i hapi më 1923.

“Me themelimin e shkollës së mesme të Gjirokastrësshkruan muzikologu Lefter Dilo– u ngrit një lyce, por njëkohësisht edhe lyceu i parë mikst në Shqipëri.” Ky sukses u arrit me përpjekjet e popullit gjirokastrit, që kishte flakur me kohë fanatizmin dhe konservatorizmin, dhe kishte pranuar që djemtë dhe vajzat të mësonin në të njëjtën shkollë. Çelja e shkollës, në nëntor 1923, në qytetin e Gjirokastrës u prit me gëzim dhe hare nga populli, i cili dërgoi djemtë dhe vajzat e veta në këtë institucion kaq të domosdoshëm për arsimimin. “Çupat me çanta në duar shkuan në Lyce -shkruan në Ditarin e vet demokrati patriot Jorgji Meksi- themeluan të parin Lyce nacional mikst, për gëzim të qytetarëve e përkundra armiqve të errësirës mesjetare. Gjirokastra tregoi edhe një herë se është në ballë të arsimit dhe progresit…” Mësimet në fillim në këtë gjimnaz në përgjithësi jepeshin nga profesorë francezë dhe drejtori ishte po ashtu francez. Gëzimi i çeljes së gjimnazit të parë për Gjirokastrën nuk e zhduku shqetësimin e arsimtarëve atdhetarë të popullit tonë, sepse tekstet vinin nga Franca dhe mësohej historia e Francës dhe jo e Shqipërisë. Gjimnazi i sapo krijuar u bë edhe qendër e zhvillimit muzikor dhe artistik. Lyceu i dha Gjirokastrës brenda tetë muajve të parin grup të mandolinës, të përgatitur nga arsimtari Pano Hido. Gjimnazistët ndihmuan edhe për zhvillimin e teatrit. Përgatitën pjesë nga Molieri, pjesën “Berberi i Seviljes”, të Bomarshesë. Paratë e mbledhura nga këto shfaqje i dhuruan në fondin për ngritjen e përmendores së luftëtarit të madh të lirisë, Çerçiz Topulli.

Gurë pengese në rrugën e gjimnazit të ri (Lyce)

 

Përparimi i nxënësve ishte i shkëlqyer. Vajza e djem me zell, të përkrahur edhe nga prindërit, ndiqnin shkollën rregullisht dhe mësonin me vullnet të fortë çdo ditë. Pas 2-3 viteve të jetës së gjimnazit u dukën qartë edhe qëndrimet djallëzore të mbretit Zog, i cili shihte te gjimnazistët kundërshtarët e ardhshëm politikë. Madje vënia e ministrisë së Arsimit në duart e fashistëve italianë e vështirësoi jetën e gjimnazit të Gjirokastrës. Populli me protesta e peticione u ngrit kundër mbylljes së gjimnazit. Në një telegram në emër të popullit të Gjirokastrës drejtuar mbretit Zog shkruhej: “Të tronditur prej lajmit të papritur dhe fort të hidhur të vendimit për mbylljen e Lyceut tonë, ngarkohemi nga populli i dëshpëruar të bëjmë apel.”

Përpjekjet dhe kundërshtimi i popullit vazhdoi, madje edhe kur u ngritën më vonë shkolla gjysmake ose profesionale, u ngritën me ndihmën e popullit të Gjirokastrës, me fondet e mbledhura dhe me punët e bëra nga specialistët e tij. Në sfidat dhe vështirësitë e fashistizimit të arsimit shqiptar nga regjimi i Zogut, u rrit edhe kundërshtimit të popullit ndaj regjimit tradhtar, që e shiti vendin tek Italia fashiste. Në luftën e drejtë kombëtare kundër pushtuesve fashistë e nazistë, nxënësit e gjimnazit morën pjesë aktive me armë dhe 30 prej tyre ranë dëshmorë. “Me plot nderim kujtoj një pjesë që ranë dëshmorë për liri e pavarësi të Mëmëdheut tonë të dashur gjatë Luftës Nacional-çlirimtare.” – shkruan atdhetari dhe senatori i mësimit gjuhës shqipe, Thoma Papapano

Profesorët – Pishtarë të mësimit dhe edukimit

 

Në këtë hark kohor gati 1-shekullor të shkollës së mesme të Gjirokastrës, që njihet si gjimnazi “Asim Zeneli”, kanë punuar një varg mësuesish të shquar, që është e vështirë t’i përmendësh të gjithë. Ruaj nderim të veçantë për mësuesit e mi, si Thoma Papapano, Muzafer Asllani, Ferhat Karagjozi, Vehbi Bala, Kolë Papajani nga Elbasani, Mikel Koka nga Durrësi dhe çifti fisnik Arta dhe Luigj Franja e të tjerë. Ata ishin pishtarë të dijes dhe mësimdhënies, edukatorë të përkushtuar, silleshin si prindër, të pyesnin për familjen dhe, nëse të ndodhte ndonjë ngjarje e hidhur ose e gëzuar, të shprehnin ngushëllime ose urime. Kjo ngrohtësi njerëzore krijonte edhe atë energji pune dhe nderimi që zgjaste edhe kur largoheshe nga shkolla. Me dhimbje kujtoj se disa prej këtyre mësuesve u keqtrajtuan, duke u shpallur të papërshtatshëm për të punuar në shkollë. Nxitësi dhe frymëzimi i këtij qëndrimi antinjerëzor ishte vetë drejtori i shkollës, Eqerem K, njeri arrogant dhe vetëm me shkollë të mesme. Profesor Vehbi Bala ishte themelues i rrethit letrar të gjimnazit “Asim Zeneli” ku bënin pjesë Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Bekim Harxhi, Agim Shehu etj. Edhe mësues të lëndëve të tjera ngrinin rrethe shkencore për nxënësit më të mirë jashtë orëve të mësimit për shkencën dhe dijen në fusha të ndryshme. Rrethi letrar nxirrte edhe atë që quhej “Gazeta e murit” me shkrime të anëtarëve të tij. Në këtë gazetë u shfaqën edhe shkëndijat e para të talentit të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit e të tjerë. Është e natyrshme që Gjirokastra dhe vetë gjimnazi të krenohet për Ismail Kadarenë, një nga shkrimtarët më të shquar dhe më të lexuar të rruzullit tokësor.

 

Vazhdim i një tradite të bukur

 

Kthehesha në Gjirokastër pas shumë vitesh. Kthehesha nga Nju Jorku dhe Gjirokastra më kishte pranuar si “Qytetar Nderi”. Vizitën e parë e bëra në gjimnazin e dashur “Asim Zeneli”. Ishte i paharruar për mua dhe time shoqe, Lirinë, takimi me drejtoreshë Almën dhe disa mësues të gjimnazit. Na pritën në drejtori dhe biseda mori rrjedhën e punës mësimore. Drejtoresha, një drejtuese e shkathët dhe bujare, na tha se maturantët e gjimnazit “Asim Zeneli” atë vit i kishin plotësuar të gjitha kërkesat e pranimit për në universitet e kështu kishin zgjedhur degët që dëshironin.

Unë, që ndihesha si kolegu i tyre, shtova se “Është e vërtetë se nxënësit tuaj që ndjekin Fakultetin e Mjekësisë, ku jap mësim anglisht, shquhen sa për shkallën e lartë të zotërimit të gjuhës angleze, aq edhe për seriozitetin dhe zellin që tregojnë në auditor.” Ato mësuese që takova ishin si drita, të thjeshta, të palodhura në punën mësimore, edukatore të rralla, të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme për misionin e tyre fisnik. Ndjeja dhe kuptoja se ato ishin vazhduese të denja të kolegëve të tyre para-ardhës që mësuan dhe edukuan dhjetëra e dhjetëra gjimnazistë që i dhanë një emër të nderuar gjimnazit “Asim Zeneli”.

Epilog

 

Kam qenë katër vjet gjimnazist te “Asim Zeneli”. Ishte periudha më e bukur e jetës, mbushur me gëzime dhe ëndërrime për të ardhmen. Krahas punës mësimore bënim edhe veprimtari jashtë shkollore. Pothuajse çdo të shtunë bëheshin mbrëmje vallëzimi në sallonin e katit të katërt të gjimnazit, vizita në vendet historike të krahinës etj. Në pushimet e verës shkonim ose me brigada kulturore nëpër fshatra ose në aksione kombëtare. Në vitin e tretë shkuam në ndërtimin e “Rrugës së Dritës” në Mirditë. Puna fizike ishte e rëndë për moshën tonë dhe kushtet ishin të vështira/ këto lloj aksionesh do t’i shërbenin edukimit proletar të brezit të ri!

Poeti i madh Ismail Kadare i ka kushtuar një poezi këtij aksioni të rinisë së gjimnazit “Asim Zeneli” në “Rrugën e Dritës” në poezinë me titull “Lamtumirë”:

Ja… larg zvogëlohet Ferr-Shkopeti,

Atje mes kodrash lamë Ferr-Shkopetin,

Shikimet për një çast andej po tretin

E mallëngjimin ne s’e fshehim dot… 

Mësonim fort, me ambicien për të arritur rezultate të larta si garanci që të fitonim të drejtën për vazhdimin e studimeve në universitet, ndofta edhe në universitete të shteteve të huaja, aso kohe mike të Shqipërisë. Në gjimnazin “Asim Zeneli” punova vetëm një vit si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Isha kthyer në Gjirokastër pas përfundimit të studimeve universitare, bashkë me të paharruarin Bekim Harxhi, me mikun tim të shtrenjtë Taxhudin Sako, Agim Shehun dhe disa të tjerë për matematikë, kimi etj. Në darën e dhimbjes për sëmundjen e pashërueshme të nënës po provoja edhe sfidat e hapave të parë të mësimdhënies. Nxënësit me punën dhe sjelljen e tyre dhe me përkrahjen e prindërve ma lehtësuan edhe detyrën mësimore. Ndjehesha mirë se kisha kolegë dhe specialistë të aftë të tillë si Muharrem Bejleri, Bekim Harxhi, Agim Shehu, Tomorr Tusha, Vangjel Kostaqi etj. Kujtim Dedej, drejtor dhe mësues i matematikës, me përvojën e pasur dhe përkushtimin krijonte një mjedis pune dhe bashkëpunimi miqësor.

Gjimnazi “Asim Zeneli” ishte ndër shkollat e mesme më të mira në Shqipëri. Ishte vatra e edukimit patriotik dhe me dije bashkëkohore të nxënësve të brezave të ndryshëm. Figurat kryesore të këtij gjimnazi, pishtarët e ndritur, ishin mësuesit e tij, me dashuri për nxënësit, në marrëdhënie të ngrohta e bashkëpunimi me prindërit, ata ishin edukatorë dhe misionarë të përkushtuar, me integritet të lartë profesional dhe njerëzor. Kudo ku kam qenë, në Tiranë, Pekin ose në Nju Jork, kam ruajtur dhe ruaj kujtime të paharruara nga puna e tyre, dhe u jam mirënjohës përgjithmonë.