Protesta e përgjakshme në SHBA, Bundestagu shton masat, më shumë forca policore në gatishmëri

224
Sigal

Presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble ka kërkuar që godina e Reichstagut të mbrohet më mirë nga policia e shtetit. Shkaku i kësaj kërkese ishte sulmi i dhunshëm në Kongresin e SHBA.

Pas sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit amerikan në Uashington, Policia e landit të Berlinit ka organizuar më shumë forca policore për mbrojtjen e zonës rreth ndërtesës së Reichstagut. Kjo është raportuar nga gazeta “Bild am Sonntag”, e cila citon një letër nga presidenti i Bundestagut Wolfgang Schäuble (CDU) drejtuar deputetëve të Bundestagut gjerman.

Schäuble theksoi në letër, sipas “Bild am Sonntag”, se ai vetë ka kërkuar një raport nga Ministria e Jashtme për trazirat në SHBA dhe se ai “do të sqarojë vetë me qeverinë federale dhe landin e Berlinit, se çfarë vendimesh duhet ndërmarrë për sigurimin më të mirë të Bundestagut nga sulme të ngjashme”.

Schäuble fajëson Presidentin e SHBA Trump

Schäuble e ka fajësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë presidentin amerikan në largim Donald Trump për incidentin e ditës së mërkurë, ku ithtarët e Trumpit u futën në Kongresin amerikan, që rezultoi me pesë persona të vdekur në rrethana të ndryshme. Politikani i CDU-së e kritikoi këtë si një “sulm ndaj parlamentit dhe demokracisë nga një turmë e mashtruar nga një president që ka humbur zgjedhjet”.

Një zëdhënës i policisë ka njoftuar të enjten se masat mbrojtëse për ndërtesat e rëndësishme në kryeqytetin e Gjermanisë do të “përshtaten”. Kjo ka të bëjë me ndërtesën e Reichstagut, por edhe objektet e SHBA-së në Berlin.

Söder akuzon grupet radikale në Gjermani

Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder (CSU) i tha “Welt am Sonntag” rreth ngjarjeve në Uashington: “Nga mendimet e këqija vijnë fjalët e këqija, e më pas edhe veprat e këqija. Kjo është arsyeja pse ne në Gjermani jo vetëm që duhet të forcojmë masat e sigurisë për mbrojtjen e institucioneve demokratike, por duhet të mbikqyrim edhe grupet radikale që mund të krahasohen me ato në SHBA”. Mbrojtja e kushtetutës duhet të luajë një rol qendror.

“Edhe kur shihet se mbështetja e AfD-së në sondazhe po bie, ende ekziston rreziku që një turmë me shpjegimin se po e kundërshton Coronën, një lloj RAF-Corone, mund të ngrihet dhe zhvillohet në Gjermani, e kjo mund të shndërrohet në një element agresiv dhe të dhunshëm”, tha Söder.

Në Berlin pjesëtarët e lëvizjes së ashtuquajtur “Querdenker” (ata që mendojnë ndryshe) janë futur në gusht në shkallët e Bundestagut gjatë një demonstrate./DW