Ulja e temperaturave por edhe ngricat kanë cuar në falimentim fermerët e juglindjes së vendit. Në fshatrat Rëmbec dhe Dërsnik të Korçës ata shprehen se dëmet janë të konsiderueshme dhe theksojnë se ndihen të braktisur nga shteti pasi nuk ka asnjë ndihmë prej tij në asnjë nga fatkeqësite natyrore.
Një prej fermerëve në Rëmbec ka mbjellë 10 dynym mollë, por prej tyre ka qenë i detyruar të presë 4 dynym, pasi prej vitesh nuk kishte më prodhim për shkak të kushteve të pafavorshme dhe mungesës së ndihmës.
Një tjetër fermer në Dërsnik tregon se ka mbjellë 5 hektarë me dardhë dhe 1 hektar me qershi, por edhe këtë vit, si çdo herë tjetër, është përballur me dëme të mëdha pa asnjë mbështetje institucionale.
Në kushte të tilla shumë fermerë janë thuajse të falimentuar të goditur rëndë nga fatkeqesia natyore dhe të harruar nga shteti.