Fitim Çaushi: Përligjia e dekadencës muzikore sot, me mbrojtjen nga Festivali i 11

43
Sigal

Nuk mund të krahasohet, gjendja e muzikës shqiptare e para disa viteve me gjendjen e muzikës sot!

Festivali 62 solli tri problem; largimi nga trualli kombëtar; imitimi i keq i muzikës të huaj; shfrytëzimi diletantesk i folklorit.

Kritikën e Enver Hoxhës për festivalin e 11 e mbështet edhe diskutimi i Agim Prodanit: “Në festivalin e 11 u abuzua me temën intime, erotike.

Festivali XI i këngës në RTV, përdoret si gozhda e Nastradinit nga mercenarë dhe insekte propagandistike. Vazhdon të shkruhet edhe sot, se Festivali i XI u trajtua nga udhëheqja e kohës si i “rrezikshëm”. Nëse do të lejoheshin konceptimet e para liberale të festivalit të 11 pa i vënë ato në kontroll, muzika shqiptare do të shkonte, sikurse po shkon sot; një muzikë dekadente me influenca banale plot surrogate, jo vetëm në fushën e krijimit, ku muzikës i mungon elementi kryesor melodia, por edhe në atë të interpretimit, ku dalin në skenë gjysëm lakuriq, me përdredhje e ulërima kafshësh. Nuk mund të krahasohet, gjendja e muzikës shqiptare në periudhën e socializmit me gjendjen e muzikës sot, sepse realiteti i sotëm pjell një kulturë dekadente. Kritizerët dhe armiqtë e socializmit, qëndrojnë ende pas një kritike që i bëri udhëheqësi i Shtetit Shqiptar, festivalit të 11, ndërkohë që ka pasur qindra kritika për festivalet e pas viteve ’90, nga kompozitorë të ndryshëm dhe i tërë populli. Muzika e lehtë sot, e ka humbur misionin e saj edukativ, si formë e ndërgjegjes shoqërore, e ka humbur edhe misionin si përfaqësuese e artit kombëtar. Ajo shërben për ç’edukimin estetik dhe çoroditjen ideologjike e morale, fillesat e të cilës gjenden pikërisht në festivalin e 11, prandaj ky festival qëndron shumë i adhuruar nga dekadentët dhe mercenarët e sistemit shrfytëzues të kapitalizmit. Roli i artit dhe muzikës ishte përcaktuar veç të tjerash edhe në Plenumin e 15 të KQ të PPSH, për Letërsinë dhe Artet në vitin 1965: “Problemi kryesor i letërsisë dhe arteve është pasqyrimi me vërtetësi dhe më i gjerë e më i thellë i luftës, i jetës dhe i punës së popullit, i idealeve dhe i aspiratave të tija”. (Dokumente kryesore të PPSH, vëllimi i IV, f. 563)

Kjo direktivë u ishte bërë e njohur tërë artistëve në Lidhjen e Shkrimtarëve, në kolektivat artistike ku punonin dhe përmes propagandës së madhe, nuk mbetej veçse ta zbatonin të gjithë artistët, sepse ishte ligjore, e saksionuar qysh në plenumin e vitit 1946 “Populli ynë ka nevojë për më shumë bukë, por ka nevojë gjithashtu për më shumë kulturë dhe arsim… për atë kulturë që ta bëjë popullin më të zotë të punojë dhe të prodhojë.” Për këtë mision i nxori populli artistët me shkollë dhe për këtë direktivë të botuar publikisht, i paguante për punën e përditshme dhe u kishte siguruar jetën, që ta frymëzonin dhe edukonin popullin në Shqipërinë e prapambetur të pasçlirimit. Jashtë kësaj direktive; për të pasqyruar me vërtetësi dhe me gjerësi e thellësi luftën, jetën dhe punën e popullit, idealet dhe aspiratat e tij, nuk mund të dilte askush. Ishin të lirë ata artistë që dëshironin të mos pasqyronin direktivat e Partisë e Pushtetit, të jipnin dorëheqjen dhe të kërkonin punë tjetër. Askush nuk i impononte, sikurse askush nuk mund të ishte i lirë të prodhonte muzikë të shëmtuar. Në fillim të janarit 1973, dolën vërejtjet e para për festivalin e 11 në gazetën “Drita”. Pikërisht këto vërejtje, për formën dhe tematikën e cunguar, u shtruan edhe nga Enver Hoxha në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor në janar 1973, të cilat u konsideruan plotësisht të drejta nga disa kompozitorë seriozë:

Simon Gjoni: “Në disa krijime, sidomos në muzikën ritmike, trajtoheshin tema të huaja për realitetin tonë, një botë e vockël, erotike intime, ku kënaqësia e lumturia kërkohej jashtë çdo raporti me shoqërinë… kjo justifikohej gjoja mbi preferencën e rinisë mbi llojin e muzikës, për përshtatshmërinë e moshës, për muzikë të kohës. Festivali i 11 kishte varfëri tematike, të mikrobotës. Lirizmit intim subjektiv të mbyllur, iu përgjegj muzika ritmike e deformuar, që s’kish gjë të përbashkët me shqiptaren. Kënga e A. Balliçit “Rruga e Dibrës”, “Në ekranin e televizorit” A. Xhunga, “Dhoma nr 23” e F. Shehut, nuk shprehnin realtetin e jetës sonë, aspiratat e rinisë sonë, ishin jashtë traditës sonë dhe larg tabanit kombëtar…” (Drita, 7 janar 1973)

Në analizën që i është bërë festivalit të 11 në seksionin e muzikës në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në 11 shkurt 1973, prof. Zhani Ciko ka referuar: “Festivali i 11 i këngës në radiotelevizion serviri vetëm një tip kënge, tipin ritmik me një tematikë tepër të ngushtë. S’është e rastit që në këtë festival një pjesë e krijuesve tanë më të mirë nuk sollën realizime me vlerë në këtë gjini. Një profilizim i tillë i ngushtë brenda një tipi kënge, solli edhe ngushtësinë tematike, në përmbajtje, një reduktim të aspekteve jetësore. Në këto këngë pati tri prirje negative, të cilat cënojnë frymën e vërtetë shqiptare në këtë gjini: Largimi nga trualli kombëtar i disa krijimeve, imitimi i asaj muzike të dobët të huaj, e cila ka vetëm një llustër të jashtme, gjoja moderne, shfrytëzimi diletantesk i folklorit tonë të pasur, i futur në mënyrë jo organike në këngë Tish Daija, “Natën vonë”, edhe pse krejt diletanteske, prirja për të trasplantuar intonacionet bajate, e madje të vjetëruara të muzikës së huaj, u panë edhe tek “Rruga e Dibrës” e A. Balliçit, F. Radit, F. Shehu e ndonjë tjetri. Prirja e shartimeve artificiale e të elementëve të muzikës sonë me të huajën, u dukën në copëza instrumentale të muzikës xhaziste, të cilat u ishin ngjitur artificialisht disa këngëve me intonacione popullore: Ç. Zadeja, E Shëngjergji, A. Xhunga, A. Lalo. Kjo varfëri frymëmarje melodike, u duk tek shumica e këngëve të festivalit, më tepër u evidentua V. Çuni, T. Hoshafi, G. Laros, K. Gjini.” (Drita 11 shkurt 1973)

A nuk janë të mjatueshme këto prirje negative për t’u kritikuar ai festival? Në diskutimin e tij kompozitori Tish Daija bëri autokritikë: “Në kohën e përgatitjeve për festivalin e 11 u krijua një atmosferë me synim jo shumë të qartë, “të bëjmë një festival modern”, që më përfshiu edhe mua. Prandaj u përpoqa të bëj diçka ndryshe dhe dola nga vetvetja, dola nga tabani ku duhet të mbështetemi dhe nuk krijova asgjë të mirë. Kënga ime ishte e dobët. Ne na ka gëzuar gjithmonë vlerësimi i madh që i kanë bërë Partia dhe shoku Enver kompozimeve tona të bukura dhe origjinale, me frymë kombëtare dhe revolucionare, që i kanë kënduar atdheut, popullit, ndjenjave të njerëzve tanë”. (Drita, 11 shkurt 1973) Sikundër shihet, muzikantët janë gëzuar, kur i lavdëronte Enver Hoxha për krijime që i këndonin popullit, përse mercenarët e sistemit të kapitalit të jenë sot kaq të irrituar për kritikën e festivalit të 11 dhe të heshtin për festivale antikulturë?!

Në diskutimin e tij Tasim Hoshafi theksonte: “Problemet kryesore duhen parë në prizmin ideoestetik, për të evidencuar karakterin tendencioz të tij, i parë si një fenomen jo i rastit. Por si një pjellë e një liberalizmi…” (Drita 11 shkurt 1973) Festivali, duke shkelur parimet ideoestetike, evidentoi një festival modernist, që s’kishte asgjë të përbashkët me artin kombëtar shqiptar dhe jetën e popullit. Kjo është dëshmi, se festivali i 11 kishte difekte serioze jo thjesht në planin estetik, por në planin politik, që e përligjin kritikën e Enver Hoxhës, i cili duhet të vlerësohet dhe jo të kritikohet, sepse ai e shpëtoi këngën dhe muzikën shqiptare në ato vite, krahasuar me festivalet e sotme.

Prof Çesk Zadeja do ta thellonte më tej difektin e festivalit të 11: “Te metat serioze që dolën në festivalin e 11, janë të lidhura me shumë çështje ideoprofesionale, që e kanë burimin tek një kuptim tepër i ngushtë, i disa parimeve të krijimtarisë. Ngushtimi i tematikës, prirja vetëm tek erotika intime, kuptimi metafizik i raportit të traditës me novatorizmin, problemet e marrëdhënieve të krijuesit me folklorin, e shumë të tjera sollën këtë festival. Është tipik shembulli i Tish Daisë, një ndër kompozitorët më rezultativ, që për hir të “novatorizmit” u largua nga toka amtare. Kënga e tij doli pa jetë, e varfër. Problemi qëndron, se jo ndonjë element i materialit folklorik i jep patentë kombëtare veprës, por tërësia e zhvillimit të këtij materiali origjinal e të formës popullore”. (Drita, 11 shkurt 1973).

Pedagogu i Institutit të Arteve, Sandër Çefa, në diskutimin e tij theksonte: “Festivali i 11 nuk na mbiu pa pritur dhe as nuk na e solli dikush. Mund të them me bindje, se ky festival, përveç arsyeve të tjera është një mishërim i padrejtë dhe gjysmak i çështjeve të krijimtarisë sonë në përgjithësi, shterpësim dhe ngurim i mendimit kritik. Fesivali i 11 u pri nga kënga pulsive, ritmike, vallzuese, u drejtua vetëm nga mjetet e saj shprehëse, duke i shfrytëzuar ato në maksimum e duke i përdorur vend e pa vend. Këngën e Tish Daisë “Natën vonë”, e përshkon hovi rinor, por më duket se s’ka asgjë shqiptare. Kështu mund të them edhe për këngën e E. Shëngjergjit “Mbrëmja e fundit”, dhe të Agim Krajkës etj. Po t’u shtojmë këtyre këngëve hyrjet e mbylljet pulsive, të disa këngëve të tjera, që nuk kanë ndonjë lidhje me materialin tematik, me ritmin, emocionin e përmbajtjes së këngëve, si ajo e Prodanit, e Avni Mulës, e J. Mingës, e T. Hoshafit, duke u shtuar edhe mjediset pasionale të instrumenteve solist, saks, bateri, pyesim; çfarë do të na dalë? Do të na dalë fakti se kornizën e festivalit nuk e kanë bërë këngët, përkundrazi, korniza e festivalit ka qenë forma, sipas së cilës janë bërë këngët e kompozitorëve”. (Drita, 11 shkurt 1973)

Kritikën e Enver Hoxhës për festivalin e 11 e mbështet edhe diskutimi i Agim Prodanit: “Në festivalin e 11 u abuzua me temën intime, erotike… Për fat të keq ne kthehemi në muzikantë të rëndomtë, pjesëmarrës të infektuar… Pse s’flasim dhe nuk kritikojmë të metat, që vëmë re para dhe gjatë një festivali? Duhet të pranojmë se bëhemi individualistë dhe harrojmë, se ndodhemi para një aksioni kolektiv, nacional, ideologjik dhe artistik. Kohët e fundit vërehet tendenca që të krijojmë këngë ritmike, por i veshim këto me kostum të huaj, i referohemi harmonisë, orkestracionit të huaj. Në këto raste elementët kombëtarë edhe kur ekzistojnë, zbehen, zhduken. Disa këngë tonat i karakterizon fragmentarizmi, u mungon ndërtimi organik”.(Drita, 11 shkurt 1973)

Tendencën e “modernes”, e ka kritikuar edhe kompozitori Tonin Harapi: “Në këngët e këtij festivali, mungonte qartësia e figurës artistike. Ne nuk duhet të largohemi nga principi i melodies, që është elementi më i rëndësishëm i muzikës, melodia është konkretësia e mendimit. Ky festival u zhvillua nën emrin e së resë, modernes, thyerjes së normave të vjetra, kush i përfaqëson këto norma të vjetra, unë nuk e kam marrë vesh kurrë”.(Drita 11 shkurt 1973)

Gaspër Çuçia, do të pranonte: “Në këtë festival nuk u arrit niveli i kërkuar ideoestetik. Këngët dolën me dobësi të theksuara përsa i përket ngjyrës kombëtare. Edhe regjia e ka dëmtuar mjaft festivalin. Teksti shumë i dobët dhe loja estradeske e konferencierëve, bëri që ky festival të mos kishte seriozitetin e duhur”. (Drita 11 shkurt 1973) Përse do t’i detyronte Enver Hoxha të pranonin si të gabuar festivalin e 11 dhe nuk i detyroi të pranonin edhe festivale të tjera, si të gabuara?!

Enver Hoxha ka pasur të drejtë në kritikat e tij, u devijuan parimet ideoestetike dhe mbështetja në krijimtarinë popullore, që duhet të përbënin shtyllën e krijimtarisë muzikore në festivalin 11. Tasim Hoshafi gjatë diskutimit theksoi: “Modernia ekziston kur vepra mbështetet me të dyja këmbët në intonacionet dhe frymën e muzikës tonë popullore. Të bëjmë një luftë konseguente kundër përuljes ndaj të huajës”. (Drita 11 shkurt 1973)

Këtë e theksonte edhe Sandër Çefa: “Secili popull ka zakonet e veta, jetën dhe artin e vet, si rezultat edhe ritmin dhe pulsin e tij. Skemi pse vëmë mbi platformën tonë jetësore një tjetër natyrë të përzier dhe të papastër. Nuk dihet se kur ka lindur si problem i muzikës tonë folklorizmi, si një problem që nuk e lë gjoja krijimtarinë tonë për të hedhur hapa të mëdha drejt modernes. Të gjitha veprat tona mbështeten në krijimtarinë tonë popullore. Ne si muzikantë i drejtohemi folklorit vetëm atëherë kur kemi nevojë për të dhe nuk edukohemi përditë, siç ushqehemi me klasikët, romantikët. Ne po marim nga muzika popullore anën e jashtme dhe nuk po futemi thellë. Ne nuk i shohim fenomenet e kësaj muzike në kompleksitetin e tyre, melodinë dhe ritmin të gërshetuar me emocionin e përmbajtjes. Karakteri kombëtar i artit nuk është një nocion që nuk ndryshon dhe që nuk zhvillohet dialektikisht, por edhe nuk mund të ndryshojë sa herë që dëshirojmë e si dëshirojmë ne, nuk është një kategori që lidhet vetëm me formën dhe njerëzit mund ta interpretojnë në mënyra të ndryshme sipas zhanreve dhe gjinive të artit”.(Drita, 11 shkurt 1973)

 

Vijon