Gratë oficere në rrjedhën e histories/ Suzana Jahollari dhe Kujtim Boriçi, sjellin për lexuesit vëllimin e dytë mbi veprimtarinë dhe jetën e gruas ushtarake

1148
Sigal

Libri “Oficeret shqiptare në rrjedhën e historisë”, kontribut i madh në njohjen me jetën dhe veprimtarinë e gruas ushtarake në histori

Doli në qarkullim libri “Gratë oficere në rrjedhën e historisë

– Del në pah roli i vajzave shqiptare, komandante e komisare të afta, që  kanë dhënë dhe jetën për mbrojtjen e vendit nga pushtuesit

Mirënjohje dhe falënderim

Pas një pune njëvjeçare, mundëm që të botojmë pjesën e dytë të librit “Gratë oficere në rrjedhën e historisë…”. Sigurisht, ndërmarrje të tilla të vështira, nuk mund të ndërmerren e realizohen pa kontributin e gjerë të të interesuarve e dashamirësve, studiues, publicistë, drejtues të institucioneve shtetërore, të vetë grave oficere brenda e jashtë Shqipërisë. Dhe ndonjë hezitim apo pengesë aty ku dhe nuk pritej, nuk mundi të pengojnë këtë angazhim të një grupi shumë të madh të të interesuarve Ka qenë ndihma e pakursyer dhe angazhimi i dhjetëra kolegëve, ushtarakë madhor, drejtues të rëndësishëm të institucioneve shtetërore, shkrimtarë e historianë, që u bënë pjesë e stafit që përgatiti këtë libër, duke qenë dhe garanci dhe për pretendimin e të qenit të tij, sa më cilësor.. Ndaj falënderimi jonë si autorë të librit, shkon për të gjithë ata që u angazhuan në mënyra e forma të ndryshme, u bënë pjesë e këtij libri gjatë përgatitjes, deri në botimin e tij. Pa pretenduar dhe në pamundësi ti përmendim të gjithë, falënderimi jonë është për Zëvendësministrin e Mbrojtjes Petro Koçi; Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral Bardhyl Kollçakun; Presidentin e SHKURSH, Thoma Konduri; z. Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve; profesorin e historianin Bernard Zoto; ushtaraken e pedagogen e talentuar e të papërtuar, Liliana Mero që ka një ‘peshë’ të konsiderueshme në këtë projekt; ushtarakun e njohur e mikun tonë Perikli Koliçi; ‘Kryekomisar’ Skënder Doda, oficer madhor në Ministrinë e Brendshme, publicist e autor librash; pedagogun e Akademisë Ushtarake “Skënderbej”, Agim Gjini; z. Zyhdi Kroj, President Nderi i SHKURSh; shkrimtarin dhe poetin ushtarak, mikun tonë Arben Duka; shkrimtarin dhe poetin e njohur ushtarak Sali Frangu; të palodhurin, poetin emigrant në SHBA, Veri Talushllari; kolegen Nadire Xhakolli; Drejtorin e Gazetës “telegraf”, z. Engjëll Musai; të talentuarën, oficeren e poeten kombëtare Ilirjana Sulkuqi; Prof. Dr. Luan Nikollarin, mjekun e funksionarin e lartë në Institucionet Shëndetësore të Ministrisë së Mbrojtjes; Aqif Bozhiqi, kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Greqi; gazetarin e kolegun Xheladin Çelmeta, ushtarakun e publicistin Gëzim Loka; oficeret e reja në karrierë Anisa Ndoci, Ervjena Sevdari, Erisa Ferko, Kristina Dajko, Pavlina Lala etj… Mirënjohje e falënderim për të gjithë…Për pjesën e tretë të këtij libri që është në proces, lutemi të gjithë grave shqiptare oficere (aktive dhe në rezervë) dhe të tjerëve që duan të sjellin materialet me jetëshkrim, dëshmi ngjarje apo kujtime për ‘to, të kontaktojnë me autorët në rrjetet sociale apo si më poshtë: Numrat telefonikë 0682097756 dhe 067306983; e-mailet: [email protected], [email protected] dhe [email protected]. Faleminderit!

Autorët e Librit, Suzana Jahollari dheKujtim Boriçi

II

Thoma Konduri

 Një libër me vlera të veçanta historike

Kol.(R) Thoma Konduri

 President i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë (SHKURSH)

 Pas afro një viti më parë, autori Kujtim Boriçi me bashkautorin Maksim Fejzulla, nëpërmjet një ceremonie të veçantë në “Tirana Internacional”, të mbështetur plotësisht nga Ministria e Mbrojtjes, si një nga aktivitetet kryesore të SHKURSh, promovuan pjesën e tretë të enciklopedisë “Skënderbegasit ndër vite…”.Sot kemi në duar një libër tjetër të kësaj natyre, pjesën e parë të librit “Gratë ushtarake të Shqipërisë”, me autor Kujtim Boriçin dhe Suzana Jahollarin, një nga ushtaraket madhore të Shqipërisë, aktualisht Prefekte e Qarkut të Tiranës.

Dua të theksoj që në fillim, se ky libër, jo vetëm është në vazhdën e enciklopedisë së skënderbegasve, por për tematikën, materialin dokumentar , ngjarjet historike, personazhet e sjellë në të, është krejt i veçantë. Ai është një libër me vlera të veçanta historike, pasi nëpërmjet profesionalizmit të autorëve, rregullave të monografisë historike, sjellë një kontribut pak të panjohur por tejet i rëndësishëm, rolin e grave dhe vajzave shqiptare oficere, brenda vendit dhe ne trevat ku banojnë shqiptarët, në Kosovë, Maqedoninë Veriore, Malin e Zi e në shtete të tjera ku ato shërbejnë, të cilat kanë lënë e vazhdojnë të lenë gjurmë si ushtarake karriere, krahas kolegeve të tyre të ushtrive aleate të NATO-s.

E pohoj këtë përcaktim me bindje të plotë, pasi si mbështetës i kësaj ndërmarrje të vështirë të autorëve Johollari e Boriçi, e kam konstatuar, e kam njohur dhe jam angazhuar konkretisht në përgatitjen e tij, së bashku me drejtues të shoqatës në qendër e në rrethe si dhe me koleget tona oficere brenda dhe jashtë Shqipërisë. Por në këta pak rreshta të prezantimit të librit, nuk do të ndalem në përmbajtjen e vlerësimin e tij, pasi kam bindjen e plotë se edhe ju të dashur lexues, të çfarëdo kategorie, kur ta lexoni, jo vetëm do të më jepni të drejtë për këto që pohoj, por do të dëshironi të bëheni pjesë në pjesën tjetër të librit, me kontributin tuaj, ose së paku, do të dëshironi që pjesa tjetër e tij, të jetë sa më shpejt në duart tuaja.

Por dua të theksoj disa veçori që autorët, tashmë të provuar me publikimet e shumta të deritanishme në këtë fushë, në përgatitjen e këtij libri voluminoz, janë treguar profesionistë të formuar, kanë ditur të grumbullojnë materiale të shumta arikivorë dhe të pa publikuara deri tani, kanë siguruar qindra dëshmi që lidhen me lëndën, kanë siguruar foto të ngjarjeve të rëndësishme në shekuj ku ka spikatur roli i vajzave shqiptare, tribune popullore, komandante e komisare të afta, që nuk kanë bërë kurrë kompromis por kanë dhënë dhe jetën për mbrojtjen e vendit nga pushtuesit apo për të përmbushur detyrat që u janë ngarkuar, në përmbushje të  betimin që kanë bërë. Mbi të gjitha, autorët kanë ditur ta seleksionojnë këtë material, ta ndajnë në kapituj të veçantë, në mënyrë që historia e lavdishme e grave shqiptare, ushtarake karriere, të jetë sa më e plotë, sa më e thjeshtë për t’u njohur e kuptuar nga lexuesi, sa më rrezatuese për mesazhet që kjo histori të përcillet nga brezi në brez.

Do të përmend dhe diçka tjetër, faktin që në këtë libër, sillen portretet e tribuneve popullore shqiptare që kanë qenë krahas burrave të armatosur që nga koha e Ilirëve, në periudhën e pushtimit turk, në luftën heroike Nacional-Çlirimtare, në ringritjen e ushtrisë shqiptare pas fitores së lirisë më 1944 e në vazhdim, por dhe rolin e grave oficere shqiptare në ushtrinë e Kosovës, në Maqedoninë Veriore apo shtete të tjera evropiane e deri në SHBA. Ndonëse kontributi i grave oficere në Forcat e Armatosura të Shqipërisë njihet pak, në opinion, kontributi i grave shqiptare, oficere në ushtri të tjera, veçanërisht në Kosovë, njihet fare pak. Këtë kontribut e sjellin  mjaft mirë në këtë libër autorët.

Për vetë specifikën që ka një botim i tillë, mund të ketë dhe mangësi, qoftë në përfshirjen e personazheve apo dhe kontributin e  oficere në strukturat policore, në institucionet e sigurisë apo në sistemin e administratës së burgjeve.

Por siç e theksova, ky është volumi i parë dhe në të ardhmen e afërt, ka mundësi që ndonjë mangësi të plotësohet. Ritheksoj se ky libër me vlera të veçanta historike, është dhe një vlerësim  për rolin e grave dhe vajzave shqiptare, kolegeve tona oficere që kanë përqafuar e përqafojnë me dëshirë misionin e vështirë por fisnik të oficerit të karrierës, duke i shërbyer shoqërisë dhe kombit.

I falënderoj autorët dhe i siguroj që do të jemi krah tyre në përmbushjen e këtij misioni fisnik e atdhetar, ndriçimin, pasqyrimin dhe pasurimin e historisë ushtarake të kombit.

III

Libri “Oficeret shqiptare në rrjedhën e historisë”, kontribut i madh në njohjen me jetën dhe veprimtarinë e gruas ushtarake në histori

Gjeneral Brigade Dr. Manushaqe SHEHU

Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura

Libri “Gratë oficere në rrjedhën e historisë”, është një përpjekje e lavdërueshme dhe një kontribut i veçantë i autorëve Suzana Jahollari dhe Kujtim Boriçi për të përgatitur një botim enciklopedik me vlera për gratë luftëtare dhe komandante në histori, e që shumë prej tyre dhanë jetën në periudha të ndryshme të historisë tonë kombëtare për lirinë, pavarësinë, ndërtimin, zhvillimin e ruajtjen e shtetit të pavarur e modern shqiptar.Ka kaluar mbi gjysmë shekulli në Forcat e Armatosura që vajzat dhe gratë shqiptare kanë nisur studimet në Shkollën e Bashkuar dhe të përpjekjeve shumë vjeçare në ushtri. Këto ishin përfaqësuese të një brezi që ecën në gjurmët e 7.000 vajzave e grave trimëresha partizane, por edhe më parë që kishin rrëmbyer armët për mbrojtjen e vendit dhe çlirimin e tij.Libri reflekton të gjitha gratë ushtarake që figurojnë si të tilla në të gjithë dokumentacionin e shtetit shqiptar. Ky është një botim i cili jep një ndihmesë dhe kontribut të madh në njohjen me jetën dhe veprimtarinë e gruas ushtarake në histori. Shpresoj se ky libër do të jetë një ndihmë për të gjitha institucionet shtetërore, për Ministrinë e Mbrojtjes, për kërkuesit e historianët, si dhe të gjithë familjarëve që kanë emrin e grave ushtarake që kanë bërë emër të mirë në histori dhe paraardhësit e tyre të krenohen për veprën dhe luftën titanike të bëra nga gjyshet e nënat e tyre. Praktika e ndjekur për hartimin e këtij libri, puna me materiale dokumentare, arkiva, puna kërkimore, pyetësorët, shtypi ushtarak, si dhe libra me temë nga Forcat e Armatosura, na sjellin një bibliografi të një jetë të gjatë të pioniereve të para ushtarake që me guxim hapën rrugë dhe shtigje të reja për gruan shqiptare. Kjo përvojë ishte një dëshmitare e një emancipimi të saj, e cila me guxim dhe kurajë, me durim dhe këmbëngulje, me vullnet dhe pasion, bëri që ushtria të mësonte prej tyre. Nëpërmjet faqeve të librit dalin personazhe të grave me uniformë në vite që me punën e tyre dinjitoze e integruan atë në ushtrinë shqiptare, duke bërë të përbashkët pjesëmarrjen e tyre në pozicion të barabartë me burrat. Vajzat dhe gratë shqiptare u arsimuan dhe shërbyen në radhët e Forcave të Armatosura me dinjitet. Libri është reflektim i një pune të gjatë e voluminoze të gruas ushtarake gati më shumë se gjysmë shekullore e cila ka qenë bashkudhëtare në historinë e Forcave të Armatosura, duke lënë gjurmë të arta në të gjithë treguesit e gatishmërisë luftarake. Libri na jep të dhëna të reja ku bëhet evidentimi dhe njohja e vlerave të ushtarakeve shqiptare, për të cilët deri më sot nuk kemi pasur të dhëna të plota. Pavarësisht se libri është një renditje dhe klasifikim i emrave të grave ushtarake, por pas secilit emër qëndron një histori e madhe, një jetë aktive në shërbim të atdheut. Janë pikërisht këto vlera të mëdha njerëzore, ato që i japin kuptim historisë, ato që përbëjnë ngjarje të mëdha në jetën e një kombi e shteti, ato që evidentojnë rolin e gruas ushtarake në përcaktimin e zhvillimeve të rëndësishme historike të Forcave të Armatosura. Historia e Shqipërisë, është histori lufte për mbijetesë, e përpjekjeve për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin kombëtar, e sakrificave të mëdha për liri e mëvetësi, ku gruaja shqiptare dhe ajo luftëtare dhe ushtarake ka lozur një rol parësor. Libri është historia e gruas ushtarake e këtij kombi.Pas Luftës së Dytë Botërore gratë ishin pjesë e Forcave të Armatosura në shumë vende, ku u bënë dhe prioritete të politikave dhe strategjive shtetërore për barazi gjinore. Shqipëria si vend anëtarë i Aleancës ka një përqindje të ndjeshme të grave me uniformë. Sot në karrierën ushtarake gratë me uniform janë gjenerale, drejtuese, kolonele dhe numri i tyre po rritet. Shqipëria dhe Forcat e Armatosura krenohen me përparimet që ka bërë gruaja ushtarake, ajo sot është më e sigurt, më e përparuar, më pranë familjes së madhe evropiane, e barabartë me gruan ushtarake të aleancës në NATO. Kjo është pjesë e meritës së tyre. Kjo na detyron që ndaj tyre, na bën t’u jemi mirënjohës duke i vlerësuar për punën e tyre, duke ndjerë krenari për sakrificat e bëra në rrugëtimin e tyre me uniformë ushtarake.

Nesër do lexoni

-Historiku i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”

-Vendi dhe roli i grave oficere në ushtri e polici. 

-Përfaqësimi i personelit femër në Forcat e Armatosura