-Si do “flakin” tej fukarallëkun pensionistët me krijimin e Fondit Sovran, nëse SHELL do hedhi ndonjë kacidhe?!
– Ju z. k/ministër keni 10 vjet që qeverisni vendin dhe pse nuk ndalët vjedhjen dhe shkatërrimin e pasurive natyrore, hidrokarbure dhe minerare?
-Kryeministri me lugën bosh lutet për Shpiragun, ndërsa disa shtete “po përgatitin ҫisternat që të importojnë naftë nga Shqipëria”
-Me Shpiragun më e kënaqur është qeveria, sepse ndodhej në një pozicion politik shumë të rënduar nga korrupsioni me konҫesionin e inceneratorëve, sterilizimit, check-up-it…
-Qëllimi i Shpiragut ishte për të zhurmuar dhe jo se u zbulua vërtet vendburimi i paparë, me naftë si e Arabisë Saudite!
– Të bësh politikë me Shpiragun që po zvarritet 22 vite në kërkim, kjo është ҫmënduri.
– Me ardhjen tuaj në qeveri, pothuajse të gjitha konҫesionet ju i transferuat nga oligarkët e Saliut tek oligarkët tuaj,
Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike
Specialist dhe ish-shef i kabinetit të vendburimeve në ish-Institutin Gjeologjik të Naftës, Fier.
Është një shkrim i diktuar nga intervista e k/ministrit Edi Rama me zv-k/ministren Balluku, para ca gazetarëve, ku ri-deklaruan zbulimin e naftës në Shpirag, pikërisht një ditë pas turneut në sondën e shpimit. . Sot ne këtu, bashkë me Ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, për të folur për zbulimin e rëndësishëm. Testi do të fillojë në tetor”! Shprehje pa kuptim, kontraditore, sepse flasin “për zbulimin e rëndësishëm” pa testuar pusin! Sado që metodat gjeologo-gjeofizike vrojtuese apo matjet, që kryen sot industria hidrokarbure gjatë dhe në fund të shpimit janë të avancuara, të dhënat që ato japin e kanë të domosdoshme ballafaqimin me testin e pusit mbi fluidmbajtjen dhe më pas studimin e tij, për një kohë të mjaftueshme, në mënyrë që specialistët të vlerësojn aftësinë debituese të rezervuarit, vetitë e tij, qëndrueshmërinë e rrjedhjes në kohë, natyrën e fluideve, matjet termobarike, etj. Vetëm pasi janë siguruar këto të dhëna, gjykohet nëse kemi një vendburim hidrokarburesh me vlerë ekonomike rentabël apo me grumbullim sporadik të tyre, që në praktikën tonë ka patur disa të tillë dhe sidomos në rezervuarët karbonatik. Këtë praktikë pune nuk e kemi vetëm ne, por tërë industria botërore e naftës. Pra, kjo e bë të pabesueshëm dhe të parakohshëm deklarimin e këtij zbulimi në Shpirag nga k/ministri. Për 2-3 ditë rresht buҫitën ekranet e studiove televizive nga propoganda zhurmuese e qeverisë dhe turma e lëpirsave të saj mbi zbulimin imagjinar të “gjigandit Val d’Agri shqiptar”, të cilën po e vazhdojnë akoma tellallët e saj, kryesisht gazetarë dhe ekonomistë, që flasin me siguri absolute për rezervuarin, teknologjinë, rezultatin, “fitimin” që do marrë shteti etj., si me qenë gjithologë. S’kishte gjë të re, por këtë propogandë helmuese, që qeveria ka vite që e ka filluar, e freskon ҫdo 2-3 muaj me të njëjtën melodi dhe sazexhinjë, që luajnë “veglat frymore”. Këtë radhë është më interesante se aktivizohen dhe ca specialist, që nuk po e hedhin tamam vallen me ritmin e qeverisë, por shumica e luajnë belin aq mirë ashtu siҫ e do ajo, ndërsa ҫifti k/ministror, që kërceu të njëjtën vals, për t’i bërë qejfin pensionistëve, pasi ata janë shumicë në Shqipëri se rinia ka marrë gomonet për në Angli, i “siguruan” se dhe këta do e “flakin” tej fukarallëkun me krijimin e Fondit Sovran, sigurisht nëse SHELL do hedhë ndonjë kacidhe në arkën e shtetit. Tani të gjithë po qetësohen, dëgjojnë tellallët dhe me lugën bosh luten për Shpiragun, ndërsa disa shtete po përgatitin ҫisternat që të importojnë naftë nga Shqipëria se kursejnë transportin, pasi lindja e mesme u afrua tani! Tani më e kënaqur është qeveria, sepse ndodhej në një pozicion politik shumë të rënduar nga korrupsioni me konҫesionin e inceneratorëve, sterilizimit, check-up-it, vjedhjen e fondeve të BE për bujqësinë, mandatin e Xhaҫkës për grabitjen e pronave si familje investitori strategjik, denoncimet e përditshme mbi vjedhjen e pasurive hidrokarbure dhe minerare nga politikanët, qeveritarët bashkë me konҫesionarët në vëndburimet ekzistuese, që është pasuria më e madhe e zbuluar nga shqiptarët në 5 dekada të sistemit të kaluar me paratë e popullit, e plot afera të tjera korruptive, që dalin përditë për këtë qeveri. Me këtë shou të fuqishëm mediatike dhe propogandën e saj, që sigurisht ka faturën e shpenzimeve nga pas, qeveria ja tërhoqi vëmëndjen popullit nga skandalet e saj tek Shpiragu, por rezultati akoma është larg. Qëllimi ishte për të zhurmuar dhe jo se u zbulua vërtet vendburimi i paparë, me naftë si e Arabisë Saudite, se qeveria si “konsulente shkencore” e SHELL ka vite që e ka shpallur atë. Unë jam me kompaninë, e cila akoma s’ka të dhëna të plota që ta deklarojë atë dhe të japë verdiktin e saj nëse do vazhdoj me konturim-vlerësimin apo do iki andej nga erdhi.
Pse qeveria zgjodhi Shpiragun?
Sepse ajo e di mirë sa i interesuar është populli ynë për pasuritë natyrore të naftës, gazit, kromit, bakrit etj., dhe se varfëria e tij, boshatisja e vendit dhe pakënaqësia publike në rritje kundër saj, lidhen pikërisht me vjedhjen dhe korrupsionin e tyre. Prandaj me këtë turne zhurmues-propogandistikë-mediatikë, ajo pothuajse e qetësoi publikun, me premtime tepër të ekzagjeruara dhe gënjeshtra, se gjoja vetëm Shpiragu do ndryshojë jetën e tyre dhe jo ato që ne kemi zbuluar, por ndërkohë i garantoi hajdutët që të vazhdojnë të qetë vjedhjen dhe shkatërrimin e vendburimeve. Lind pyetja, kjo ishte zhurma e fundit e propogandës për Shpiragun? JO, ajo do bëhet akoma më e madhe nëse rezultati do jetë pozitiv, sepse aty fillon faza më interesante ku këta hajdutë do ndajnë fitimin me konҫesionarin! Nëse SHELL nuk do jetë i kënaqur me testin dhe ikën, qeveria që tani e hodhi gurin se ai do vazhdojë me kërkimin në Bodard dhe në Dumre që po punon Kompania Italiane ENI. Pra, ne s’duhet të mërzitemi se do kemi prapë haheng, por me sazexhinjë të rinj dhe të mbajmë lugën fort! Që ka naftë në zonën e Shpiragut, këtë e kanë treguar me fakte specialistët e Institutit të Naftës që për dekada kryen dhjetra studime shkencore gjeologo-gjeofizike, analiza laboratorike etj., projektuan dhe shpuan disa puse, pikërisht aty pranë ku kompania Shell ka marrë ca barrela naftë dhe gaz, por kërkimi u ndërpre për arsye ekonomike, që ҫuan në ndryshim të sistemit politik. Pra, Shelli i mori falas të gjitha studimet tona dhe po shpon puset. Në këtë rrëmujë mediatike edhe me jehonë ndërkombëtare, nga intervistat e specialistëve më bën përshtypje heshtja e tyre mbi idenë e servirur se ky zbulim është i njëjtë me Val d’Agrin, në Italinë Jugore, i zbuluar në vitin 1991 dhe vënë në shfrytëzim në 1996-tën me 24 puse, që operohet nga ENI me 61%/SHELL 39% të kapitalit. Asnjëri nuk e kundërshtoi me fakte gjeologjike se Shpiragu nuk ngjan me atë, sepse:
Val d’Agri është në një zonë tektonikisht të rrudhosur, ka një model strukturor gjeologjik tjetër, kurse ne kërkojmë strukturë nën një mbihypje të madhe. Me këtë model ne kemi dështuar në Karbunarë dhe Delvinë.
Kompleksi i rrudhosur ku është Val d’Agri ka kontakt direkt me Platformën Apuliane dhe është pjesë e saj, e cila ka influencuar në modelin strukturor, në vetitë e rezervuarit dhe mbushjen e tij me hidrokarbure.
Kjo situatë gjeologjike ngjason me bregun perëndimor gjatë vijës bregdetare nga Vlora në vazhdimin jugor, ku Greqia ka zbuluar naftë në Katakolon (tokë) dhe po e zgjeron në det, prandaj zona e shelfit tonë detar është me interes. Zonat e rrudhosura në kontakt me platformën janë me perspektivë të lartë kërkimi.
Në zonën e Shpiragut, brezi Beratit, që është pjesa më lindore e zonës tektonike Jonike, ne jemi shumë larg influencës së Platformës Apuliane. Ambienti sedimentimit ndryshon, sepse gëlqerorët në Val d’Agri (Kretak–Eocen) janë facie e ujrave të cekëta me influencë të lartë dolomitizimi, përmbajnë lëndë organike që është fosilizuar (poroziteti organik), karakteristika këto të zonave platformike, ndërsa në zonën Jonike kjo facie është e ujrave të thella, prandaj krahasimi nuk qëndron, (Skica më poshtë).
Të bësh politikë me Shpiragun që po zvarritet 22 vite në kërkim, pas rezultatit të parë në vitin 2001 dhe ta propogandosh atë si Arabi Saudite, kur akoma jemi larg rezultatit për të lejuar vjedhjen e shkatërrimin e vëndburimeve të naftës/gazit, që prodhojnë rreth 1.5 milion ton naftë/vit dhe shteti merr vetëm 2-3% Royalty Tax, kjo është ose ҫmënduri ose keq-qeverisje! Çifti K/ministror, ҫdo 2-3 muaj flet kodra pas bregut, me një fjalor teknik komunikimi në nivel shumë të dobët, i pakuptueshëm, na tregon daltën e shpimit ku njëherë e quajtën “kokat e pompës” dhe tani “kokat e sondës” apo “thyerja e përsëritur e sondave si rezultat i formacionit gjeologjik” dhe broҫkulla të tjera, ndërsa në anën tjetër dalin tellallët e tyre të vetëquajtur “ekspertë”, flasin po me atë fjalor, sepse me të tillë janë mbushur gjithë institucionet shtetërore të rëndësishme të naftës. Kjo është fytyra e kësaj qeverie që predikon “meritokracinë” dhe mbush institucionet me injorantë, servilë, hajdutë dhe mafiozë që vetëm gënjejnë publikun, pa u skuqur dhe zverdhur, sa herë qeveria gjëndet keq me aferat korruptive dhe në periudha zgjedhjesh.
Shpërthyen mediat e qeverisë nga propoganda e tyre, kurse për mendimet dhe sugjerimet e specialistëve, nuk pyet njeri, bile kanë urrejtje për këta njerëz të ndershëm që i dhanë kaq shumë Shqipërisë dhe nuk fituan asgjë nga kjo pasuri. Deri tani predikuan teorinë e naftës rëndë bituminoze në vëndburimet tona, se gjoja nuk përdoret për makinat, deri sa ja arritën qëllimit dhe shkatërruan Rafinerinë e Ballshit, pasi i prishte punë oligarkëve të tyre. Tani k/ministri, me gjysëm zëri, në vend të ndjesës për gabimet e rënda të tij dhe qeverisë që ai drejton, mohon arritjet në zbulimin dhe shfrytëzimin e pasurive natyrore, ku midis broҫkullave të tij shtoi se: “Për fat të keq për shkak të keq-administrimit, keq-qeverisjes, keq-kuptimit të madh dhe abuzimit historik me burimet tona natyrore nuk është se kemi pasur deri tani ndonjë pasuri të jashtëzakonshme në dispozicion”. Burimet e shfrytëzuara në vite kanë qënë burime modeste, të keq-përdorura, faktikisht konҫesionet e bëra në të shkuarën kanë qënë skandaloze. Megjithatë edhe kjo pasuri është keq-shfrytëzuar duke u gjetur përballë situatash kontraktuale të blinduara dhe të pamundura për t’u axhustuar! Skandale dhe gënjeshtra ordinere nga k/ministri, që mohon pasuritë e vendit tij. Hiqet “sikur lindi sot” dhe nuk njeh historinë e zbulimit dhe kontributin e tyre në ekonomi në të shkuarën. Këtë e bën qëllimisht, që të ligjërojë interesat oligarkike-kolonialiste të qeverisë tij, që vjedhin ato bashkë me konçesionarët dhe që janë më të mëdha se interesat e popullit.
Ju z. k/ministër keni 10 vjet që qeverisni vendin dhe pse nuk ndalët vjedhjen dhe shkatërrimin e pasurive natyrore, hidrokarbure dhe minerare, të pezullonit kontratat dhe të ri-shtetëzonit ato? Pse nuk i keni denoncuar ata para jush për këto abuzime, por vazhduat lojën e tyre, bile dhe me keq se ata, sepse:
Me ardhjen tuaj në qeveri, pothuajse të gjitha konҫesionet ju i transferuat nga oligarkët e Saliut tek oligarkët tuaj, me të njëjtën tip kontrate dhe pas tyre fshehët “aksionerët” e rinj të bandës tuaj politike.
Disa nga vendburimet, kompanitë konçesionare i shfrytëzuan, i vodhën sa deshën, nuk i paguan detyrimet shtetit dhe u largua. Atëherë pse qeveria juaj nuk i ri-shtetëzoi ato, por i dha prapë me konҫesion tek oligarkët dhe miqtë tuaj hajdutë, po me atë tip kontrate? Pra, kontratat nuk ishin të blinduara!
Jo shumë larg, ju firmosët dhënien me konҫesion tek oligarkët tuaj disa vendburime gazi me 1-2 puse në shfrytëzim, pa garë, pa tendër dhe po me atë tip kontrate, si e vlerësoni këtë veprim? Pra, ato 5 kacidhe që shkonin në arkën e shtetit nga shitja e gazit në furrat e bukës, ju edhe ato ja falët privatit!
A keni dijeni ju se sa qeveritarë dhe politikanë nga të gjitha qeveritë, Nano-Berisha-Rama, fshihen si “aksionerë” pas konҫesioneve në vendburimet e pasurive natyrore, që vjedhin dhe ndajnë fitimet me konҫesionarët? dhe nëse nuk i dini pse nuk denonconi në SPAK që të hetoj këtë grabitje?
Mos vallë qeverisë tuaj dhe personalisht ju, gjatë gjithë këtyre viteve, ju ka munguar dëshira për të menaxhuar pasuritë natyrore minerare? Pse nuk i keni dëgjuar mendimet dhe sugjerimet e specialistëve për keq-administrimin e tyre, por keni heshtur? Kush ka përgjegjësi për këtë?
Zotërinj, mund të na thoni saktë kur pritet zbulimi Shpiragut, se vetëm dy pika në rezervuar njihen, një tek puset 1, 2, 4, ku është marrë ca naftë gjatë testimit dhe tjetra në pusin 5 që janë afër midis tyre? Sa kohë merr shpimi i puseve të konturim-vlerësim-shfrytëzimit? A janë mjaft ato dhe investimet që ofron Shelli në infrastrukturë deri tek shitja e naftës/gazit nëse ai vazhdon, se kontrata me termat e saj mbahen sekret, sa do nxirret, sa fiton privati dhe sa shteti? Pse s’ka transparencë për Shpiragun dhe vendburimet ekzistuese, sepse kompanitë operojnë pasuritë që janë pronë publike! Këto janë thënë në disa shkrime nga ne specialistët, bashkë me sugjerimet tona, por qeveria juaj vetëm ka heshtur, nuk ka dashur të na dëgjojë dhe diskutojë me ne për një zgjidhje më të mirë. Rastësisht, nga intervistat e tellallëve të qeverisë tuaj në TV, fiksova pak terma të kontratës, që jepen në skicën më poshtë, ku mund të interpretohet fitimi:
E “sigurtë” për shtetin është vetëm Royalty Tax prej 10% të naftës që do nxirret, sigurisht vetëm nëse nuk abuzohet në raportimin e prodhimit, e cila është detyrim ligjor për konҫesionarin që ta paguajë atë për të vazhduar aktivitetin. Kjo tax në SHBA është 12.5% dhe në vende të tjera më shumë.
Konҫesionari që në fillim josh shtetin me vlerën 1% të nxjerrjes të naftës, se fitimi në këtë fazë është i ulët, investimi vjen në rritje më shpejt se fitimi dhe faktori “R” do qëndrojë gjatë midis 0<R<1.50. Me shpimin e puseve vendburimi futet tërësisht në shfrytëzim. Në këtë fazë nëse nxjerrja e naftës rritet siҫ flitet, investimet gradualisht ulen dhe fitimi rritet. Faktori “R” mundet të kalojë mbi vlerën 1.50 dhe shteti humbet fitimin 1% të nxjerrjes naftës, por merr përqindjen e njerës nga vlerat në intervalet 1.50-2.00; 2.00-2.50 ose atë mbi vlerën 2.50. Pra, shteti do të marrë vetëm përqindjen e fitimit që i përket vlerës në intervalin e ri, pra 5%, 10% apo imagjinaren 15% të nxjerrjes të naftës. Gjasat janë që shteti do marrë 5% fitim se konҫesionari e di fitimin nga nxjerrja e naftës dhe llogaritë investimin që të kontrollojë faktorin “R”, pra gjithësej 10 + 5 = 15%.
-Nesër do lexoni:
– Bazuar në të dhënat e testimit në puset Shpirag-1, 2, 4, nëse vërtetohet zbulimi, ai është gaz-kondensat me kat të vogël nafte
– Në Delvinë, ku të dhënat nuk janë të plota, kati i naftës interpretohet sa gjysma e atij në Cakran dhe nëse kati naftës do jetë aq sa në Delvinë, rezervat janë të vogla
– Me këtë kontratë dhe me këtë qeveri të korruptuar, SHELL duhet të jetë më se i kënaqur dhe s’ka pse abuzon, se këtë fitim nuk e merrë dot në asnjë vend të botës
– Nafta kanë squfur dhe jo acid sulfurik, por ja që nga ju “shkencëtarët e qeverisë” ne do mësojm shumë gjëra