Dr. Inxh. Isuf Tushe: Perspektiva shelfit detar, Zona Ekskluzive Ekonomike (ZEE) dhe lojërat politike qeveritare

15
Sigal

Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike

Specialist dhe ish-shef i kabinetit të vendburimeve në Institutin Gjeologjik të Naftës, Fier

 

Figura 1: Energean completes acquisition of stake in Block 2, offshore Greece

Mora shkas të shkruaj këto rreshta mbështetur në një artikull të botuar në 7-8 janar/2021 në Offshore Magazine, i cili është po ai që ka paraqitur Profesor Vladimir Marku në Facebook tek Armata e Naftëtarëve, gjithashtu, njoftimi origjinal gjendet dhe në Ueb-in e kompanisë me titullin: Energean kompleton blerjen e aksioneve në Bllokun 2, deti Grek, etj. Në artikull konfirmohet shkurt se Energean, një kompani ndërkombëtare kërkim-prodhimi për gaz, ka përfunduar blerjen e 50% të gjithë aksioneve që zotëronte kompania Franceze, Total, e cila kishte liҫencën e operatorit në Bllokun-2, që shtrihet në sipërfaqen e shelfit detar përgjatë gjithë bregut perëndimor të Greqisë dhe më në veri, në ujërat tona territoriale të Jonit. Pra, me këtë blerje ky bllok do të operohet nga kompania Energean, e cila tashmë ka rritur në 75% aksionet e saj dhe pjesën tjetër prej 25% e ka kompania Greke Hellenic Petroleum, që është një nga kompanitë më të mëdha në Ballkan në fushën e rafinerimit dhe shpërndarjes së naftës.

Për ne nuk ka shumë rëndësi se cila kompani konçesionare ka patur apo ka tani liҫencën për të operuar Bllokun 2 në bregun perëndimor të Greqisë. Ky është thjeshtë një lajm i publikuar ku konçesioni i ujërave të shelfit detar ndërron konçesionarin, operatorin, por rëndësi ka fakti që kjo marrëveshje konçesionare duhet të ketë vite që është firmosur midis Qeverisë Greke, Axhensisë Helenike të Burimeve Hidrokarbure, dhe kompanisë operatore Franceze Total, pa përfunduar akoma akt marrëveshja mbi kufirin e hapësirës detare midis dy vendeve tona. Ky lajm ka shumë rëndësi, sepse nëpërmjet tij ne mësojmë se ujërat tona territoriale, në zonën e diskutueshme të kufirit tonë detar me Greqinë, pjesërisht, mund të jenë dhënë me konçesion për llogari të shtetit Grek, pa konsoliduar ligjërisht marrëveshjen e detit. Pra, mesa duket, kjo është bërë fakt i kryer, një punë e mbaruar, pa marrë aprovimin e Qeverisë Shqiptare, ku ajo, Qeveria Greke, e ka caktuar atë zyrtarisht vetë dhe ndoshta ligjërisht e ka miratuar në parlament. Kështu pra, kufiri i shelfit detar është vendosur sipas dëshirës saj ose ka zbatuar marrëveshjen e Qeverisë Berisha, që firmosën Basha-Bakojanis më 27 prill/2009, të cilën Gjykata Kushtetuese e nulifikoj atë më 15 prill/2010 apo të ndonjë marrëveshje tjetër të fshehtë, sepse pas humbjes së Berishës, në vitin 2013, Qeveria Greke dhe qeveria jonë bashkëpunuan intensivisht dhe në konspiracion të plotë për këtë çështje. Në të kundërtën, n.q.se qeveria jonë nuk di gjë për këtë problem, ajo, Qeveria Greke, kërkon të na bind ne se ajo është në të drejtën e saj, prandaj ne duhet të pranojmë gjithçka që ajo ka bërë. Këtë veprim antishqiptar, ashtu sikurse dhe synimet e tjera grabitqare ndaj vendit tonë, ajo e shoqëron me presionin se do na pengoëj për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian (BE) dhe nëpërmjet manovrave ushtarake që po bën me Turqinë, po për të njëjtin problem, kufirin detar midis tyre, indirekt na tregon ne forcën dhe na kërcënon të rrimë urtë, se ata janë një vend i mirarmatosur, shumë i fuqishëm dhe ne vasalët e saj të nënshtrohemi dhe të bëjmë çfarë do ajo. Ky është direkt një cënim i kufirit shtetëror, i sovranitetit ose një pushtim i heshtur territorial i kufirit tonë detar nga shteti Grek.

Pozicioni gjeotektonik i Shqipërisë në trekëndëshin Itali-Shqipëri-Greqi, sidomos kufiri jonë bregdetar, është i favorshëm dhe na bën ne një ndër vendet më të pasura në Europë përsa i përket rezervave të zbuluara deri tani dhe perspektivës për kërkim-zbulimin e rezervave të reja hidrokarbure, në tokë dhe zonën e shelfit detar. Kjo mendoj se lidhet me ndërtimin gjeologjik të favorshëm dhe kontaktin tektonik që ka territori ynë tokësor (zona e rrudhosur) me Platformën Apuliane apo siç quhet shpesh Pllaka Tektonike e Adriatikut, kufiri lindor i së cilës maskohet nga trashësia e madhe e depozitimeve Neogjenike të Ultësirës Pranë-Adriatike (UPA). Në këto depozitime janë zbuluar vendburimet e gazit natyror, me rezerva të konsiderueshme, në gjithë shtrirjen e zonës bregdetare nga Panaja deri në Durrës, perspektivë e cila duhet të vazhdoj edhe në shelfin detar (offshore). Më kujtohet që në vitin 1993, bazuar në punimet sizmike dhe të dhënat e puseve të rrallë të shpuar deri në atë kohë, bashkë me kolegët E. Seiti, Sh. Nazaj, E. Prrenjasi, K. Mushka dhe V. Ndrio, realizuam studimin regjional mbi modelet strukturore, rezervuarin dhe vlerësuam rezervat prognozë të naftës dhe gazit, në gjithë hapësirën e shelfit tonë detar Adriatiko-Jonik, deri në kontakt me zonën e rrudhosur (ofshore). Nga një panoramë e përgjithshme më kujtohet se nga studimi u evidentuan një gamë e madhe objektesh, në disa formacione gjeologjike, që dukeshin me perspektivë për kërkim-zbulimin e rezervave të reja.

Po ashtu, pikërisht në vazhdimin Juglindor të shelfit tonë detar, në bregdetin Peloponese, në vitin 1981 kompania shtetërore DEP-EKY, ka zbuluar vendburimin e parë në perëndim të Greqisë (figura 2), Ëest Katakolon, me naftë dhe gaz kondensat, në gëlqerorët Kretak-Eocen, me mbulesë argjilat e Pliocen-Kuaternarit, i cili zhvillohet pjesërisht në tokë dhe pjesërisht në ujërat e cekëta dhe të thella në detin Jon, ku kanë shpuar puset Ëest Katakolo-1, 1A dhe South Katakolo-1.

Deklarojnë se pusi Ëest Katakolo-2, i shpuar dhe testuar në vitin 1982, prodhonte 1,200-1,400 bbls/ditë naftë, dhe zgjerimi i mëtejshëm i tij është ndërprerë, sepse në atë kohë ka rënë çmimi i naftës. Në fund të vitit 2016, ky vendburim, ju dha me konçesion kompanisë Energean, e cila ka projekt-plan konturimin dhe zhvillimin me puse nga toka në shelfin detar Jonian, ku parashikon të zbulojë rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi.

Figura 2: Ëest Katakolon field lies partly onshore and partly ofshore in the Ionian Sea of Greece

Rreth 10 vjet më parë, m’u dha mundësia të punojë me një projekt studimi për një vendburim nafte në Turqi, që shtrihet në kufi me Iranin. Ai zhvillohet në tokë, pikërisht në zonën e kontaktit të Platformës Arabiane me brezin e rrudhosur gjeosinklinal, Zagros Belt. Këtu, Turqia ka zbuluar disa vendburime në formacionin karbonatik, të cilët shtrihen në një zonë me marrëdhënie tektonike të njëjta, sikurse është kontakti i Platformës Apuliane, në shelfin tonë detar, me brezin e rrudhosur të zonës tektonike Jonike. Pra, nga përplasja e këtyre dy elementeve tektonik dhe zhvillimi gjeologjik i tyre, janë krijuar kushte të favorshme për formimin dhe ruajtjen e grumbullimeve hidrokarbure, në vet përhapjen e platformës, në zonën e rrudhosur dhe formacionet Neogjenike të UPA. Sipas këtyre shembujve, ekzistenca e kushteve të njëjta gjeotektonike, pavarësisht vendndodhjes, në gjeologji, është një argument i fortë për të prognozuar perspektiva kërkimi për zbulimin e hidrokarbureve. Pra, përsa më sipër, vërehet se zona e shelfit tonë detar ka shumë interes për kërkim-zbulimin e rezervave të naftës dhe gazit.

Me ato pak informacione që kanë rrjedhur, rezulton se në sipërfaqen e diskutueshme të shelfit detar, janë kryer punime sizmike dhe studime ku prognozohen objekte kërkimi me interes në Zonën Ekskluzive Ekonomike (ZEE), të cilët Qeveria Greke kërkon detyrimisht t’i përfshijë brenda territorit të saj, duke zgjeruar padrejtësisht kufirin detar në drejtim të territorit tonë. Po ashtu, Qeveria Greke nuk jep detaje mbi produktivitetin prognozë të tyre, mbase qeveritarët tanë janë në dijeni, por për publikun ka mungesë të plotë transparence. Megjithatë, në fillim duhet të caktohet pozicioni gjeografik i vijës ndarëse të kufirit detar midis dy vendeve tona, mbështetur në ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare mbi detin, pavarësisht nëse ato vërtetohen apo jo, i përkasin Shqipërisë ose Greqisë, apo ndahen midis nesh dhe perspektivës për kërkimin e hidrokarbureve. Pra, për këto probleme shumë delikate dhe kaq të rëndësishme, që kanë të bëjnë me pronësinë e pasurive natyrore kombëtare në ZEE të shelfit detar kërkojnë korrektësi maksimale dhe duhet të zgjidhen sipas radhës, me diskutime shkencore, me negociata dhe konsensus midis ekspertëve të fushës nga të dy vendet tona. Prandaj qeveria jonë, nuk duhet të neglizhojë, ajo duhet të bëjë përpjekje maksimale, të jetë e vëmendshme në çdo kohë, korrekte dhe transparente me vendimet kolegjiale që marrin grupet e punës.

Në rast se në ZEE ka vendburime hidrokarburesh që na përkasin neve, pavarësisht fuqisë ekonomike që sot ne nuk e kemi për t’i zbuluar ato apo paaftësive tona për të afruar kompani serioze konçesionare me kapital investues, ato janë pasuri kombëtare natyrore, të cilat do t’i shërbejnë zhvillimit ekonomik të vendit tonë, në një perspektivë të afërt dhe afatgjatë, ku do sjellin të ardhura monetare për brezat tonë. Në variantin tjetër, kur vendburimet i ndan kufiri midis dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Greqisë, prapë ka zgjidhje. Specialistët e fushës punojnë bashkë midis tyre dhe bëjnë vlerësimin e kapacitetit naftë-gaz mbajtës, që ndodhet aty dhe sa i takon çdo shteti, llogarit shpenzimet për kërkim-zbulimin, zhvillimin, shfrytëzimin, fitimin, dhe çdo shtet merr pjesën e tij në ecuri. Në botë ka plot raste të tilla, ku kufiri shtetëror tokësor apo detar ndanë pasuritë natyrore. P.sh midis Kuvajtit dhe Arabisë Saudite është zbuluar një vendburim i fuqishëm gazi, i cili zhvillohet dhe shfrytëzohet me marrëveshje të përbashkët midis tyre dhe ndajnë fitimin sipas pronësisë hidrokarbure. Po ashtu, shpimi i puseve të thellë në Gjirin e Meksikës, midis SHBA-së dhe Meksikës, ka vite që vazhdon, ku secili shpon për hesap të tij dhe ato po afrohen pranë kufirit që ndan hapësirën detare ndërmjet tyre, por nga studimet gjeologo-gjeofizike mendohet se aty ka shtratime të përbashkëta hidrokarburesh. Pra, çdo gjë zgjidhet mbi bazën e marrëveshjeve konsensuale midis shteteve, bile edhe në zgjedhjen e kompanive konçesionare. Perspektiva e kërkimit të hidrokarbureve në tokë, vazhdimisht vjen duke u reduktuar, prandaj po merr zhvillim të madh kërkimi në hapësirat detare, pavarësisht thellësisë ujërave ku ato shtrihen. Ky është një problem tashmë i zgjidhur, sepse perspektiva e kërkimit të tyre ndiqet hap pas hapi nga zhvillimi teknologjisë, e cila ka interesin e saj.

Marrëveshja e kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë ka vite që është kthyer në pazar politikanësh ku prapa secilës palë fshihen interesa të forta politike, ekonomike, ndoshta dhe përfitime monetare. Kjo çështje nuk është problem që e zgjidh politika, Kryeministri, ministri jashtëm apo gjykatat ndërkombëtare sado të specializuara qofshin ato. Këtë çështje e zgjidhin ekspertët e fushës, të cilët Shqipërisë nuk i mungojnë, sepse zëri i disave prej tyre dëgjohet shpesh në media, dhe institucionet shkencore. Ne kemi Institutin e Topografisë Ushtarake, i cili është direkt përgjegjës për të trajtuar dhe zgjidhur shkencërisht problemin e kufirit detar me Greqinë apo Italinë, bazuar edhe në gjyqin ku Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, dënoi vendin tonë në 1946 për incidentin e Korfuzit në hapësirën detare midis nesh dhe Greqisë, dhe duke zbatuar me rigorozitet marrëveshjet, ligjet apo konventat ndërkombëtare mbi ndarjen e detit. Unë nuk jamë specialist i kësaj fushe dhe nuk mund të jap mendim apo të prononcohem mbi saktësinë teknike të këtij kufiri, por do të sugjeroja që Qeveria apo Presidenti Republikës të qëndrojnë larg këtij problemi dhe të mjaftohen vetëm me dhënien e detyrës këtij institucioni. Ato s’kanë pse të diktojnë specialistët që do punojnë në këtë projekt, sepse është institucioni përgjegjës ai që zgjedh ekspertët më me përvojë për këtë problem, i cili është i një rëndësie tepër të veçantë. Ai nuk duhet të vihet kurrë në shërbim të politikës, por vetëm në shërbim të interesit kombëtar apo ekonomisë vendit, për të cilën është ngritur, dhe mban përgjegjësi ligjore për punën e tij. Kjo është praktika e veprimtarisë së institucioneve shkencore në demokraci, pavarësia e tyre nga politika, dhe m.q.se ka rëndësi të veçantë, marrëveshja e re, duhet të diskutohet në parlament dhe mandej të kalojë për miratim në Gjykatën Kushtetuese. Bile kjo e fundit duhet të ndjek në ecuri zbatimin e vendimit të saj në 2010 për marrëveshjen e 2009, ndërsa qeveria duhet ta konsiderojë vehten thjesht një postier letrash mbi vendimet përkatëse dhe si dëshmitar okular që duhet të asistojë gjatë negociatave apo diskutimeve teknike midis ekspertëve përkatës të dy vendeve. Përgjegjësia duhet të mbështetet në ligje, ajo është personale për çdo ekspert dhe institucionale konsensuale për ata që nënshkruajnë atë.

Kemi vite që dëgjojmë pallavra politikanësh, drejtues të qeverive apo ministra të Jashtëm të dy vendeve që drejtojnë negociatat mbi marrëveshjen e detit. Në mungesë të plotë transparence dhe atdhetarizmi, bëjnë bisedime private dhe marrin vendime me kokën e tyre, me arrogancë, dhe akoma më keq, Greqia bën dhe miraton ligje në parlament sipas dëshirës, mbi zgjerimin e kufirit detar në favor të saj, dhe publikisht provokon se fituam aq e kaq metër katror sipërfaqe detare, kurse shteti jonë hesht, në vend që t’jua bëjë të qartë shtetit Grek se distanca prej 12 milje nuk mund të zbatohet në këto zona të ngushta të shelfit detar midis vendeve tona. Nga i vjen kjo rritje e sipërfaqes atyre?, Përveçse duke abuzuar mbi sipërfaqen e ujërave tona territoriale. Kemi vite që jemi kthyer në vasal të bindur të tyre, zbatojmë kërkesat dhe ligjet që apriori miraton shteti grek, siç është rasti i varrezave Greke në territorin tonë, etj. Ne nuk kemi detyrime të zbatojmë ligjet e tyre ashtu sikurse dhe ata ligjet tona, ne si çdo komb tjetër në botë, duhet të kemi pavarësinë dhe integritetin tonë territorial, që mbrohet me ligj, ndryshe humbet kuptimi i shteteve. Amerika ka 50 shtete, çdo shtet administron pasuritë e tija dhe brenda kufirit vet zhvillon aktivitetin ekonomik, apo politik. Atë që bën sot Greqia, që miraton ligjin për t’u zgjeruar me 12 milje, e kemi bërë ne vite më parë dhe e ka çdo shtet, por ne jemi të ndërgjegjshëm se ky nuk zbatohet në zonat e ngushta, prandaj ne duhet të kundërshtojmë hapur me forcën e logjikës provokimet e tyre dhe jo të heshtim apo të shajmë zërat tonë kritikë.

Ne s’kemi pse të nxitohemi për t’jua zgjidhur sa më shpejt kërkesën dhe agresivitetin e tyre, sepse me kohën gjërat evoluojnë, njerëzit ndërgjegjësohen dhe problemet zgjidhen më drejtë. Mos edhe qeveritarët tanë duan të heqin nga këmbët pasuritë kombëtare të shelfit detar ashtu siç bënë me vendburimet ekzistuese të naftës dhe gazit, që kanë krijuar një katastrofë të vërtetë ekonomike? Veton që vuri K/ministri ynë në dakortësim me atë të Greqisë për të çuar çështjen e detit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë është e nxituar, sepse ne nuk kemi ende një projekt-marrëveshje të konfirmuar zyrtarisht nga institucionet tona për kufirin detar, ku të evidentohen zonat me mosmarrëveshje, që janë të pa negocjueshme midis nesh dhe palës Greke, mandej kjo mund të çohej në Hagë për një zgjidhje më të drejtë dhe të paanshme. Atëhere, cilën marrëveshje do gjykojë Gjykata e Hagës?, atë të Sali Berishës që i fali Greqisë rreth 350 km2/102 milje2 sipërfaqe detare apo projekt-marrëveshjen e fshehtë që negocioj qeveria e tanishme që nuk është bërë ende transparente, e cila mund të jetë po aq grabitqare sa ajo që mbron akoma krimineli Berisha dhe Greqia? N.q.se atje dërgohen këto dy projekt-marrëveshje për gjykim, që mund të jenë kopje e njëra-tjetrës, dhe po të shtojmë këtu imazhin e keq që ka krijuar vendi ynë në botë për shkak të korrupsionit të lartë shtetëror, ajo me siguri do vendos në favor të shtetit Grek. Kufiri i hapësirës detare do të caktohet aty ku ata e duan dhe kjo sipërfaqe i është dhënë me konçesion për kërkim kompanisë Energean. Prandaj, zgjidhja më e drejtë e kufirit detar dhe ZEE, midis nesh dhe Greqisë, realizohet vetëm nëpërmjet negociatave dhe marrëveshjeve dypalëshe konsensuale të ekspertëve të fushës.

Greqia ka territor tokësor, gjeologjikisht, të aksidentuar, pa perspektivë kërkimi dhe është shtet shumë i varfër përsa i përket rezervave hidrokarbure, por ka të ardhura të konsiderueshme nga përpunimi i naftës bruto që importon nga lindja mesme, prandaj ajo kërkon të rriti rezervat e saj në zonën e shelfit dhe insiston me forcë, për të zgjeruar padrejtësisht kufijtë e hapësirës detare, midis shteteve fqinj dhe është bërë problematike në rajon. Kërcënimet apo presionet e vazhdueshme që po i bën ajo qeverive tona, në gjithë këto vite, se me votën e saj do pengojë hapjen e negociatave të vendit tonë me BE janë tashmë të njohura. Ajo po i shfrytëzon mirë dobësitë e politikanëve tanë në qeverisjen 30 vjeçare, paaftësinë e tyre, ambiciet për pushtet, korrupsionin masiv në të gjitha nivelet shtetërore, varfërinë e popullit dhe dëshirën tonë për Europën. Në rastin pozitiv, K/ministri/Qeveria do të fitojë pikë dhe vazhdon ëndrrën e saj për të ngrohur gjatë karrigen fitimprurëse të pushtetit, në të kundërtën hapësira detare i falet Greqisë me duart e tyre “të pastërta” dhe nëpërmjet Gjykatës të Hagës, në këmbim të votës për Europën, qeveria del “pa faj”, po ashtu dhe Sali Berisha që i kërkon Greqisë të çojë marrëveshjen e tij të 2009 në gjykatën ndërkombëtare. Pra, të dy palët janë në unison, sepse kanë të njëjtin objektiv, që hapësirën detare t’ja falin Greqisë dhe kështu fitojnë pafajësinë para popullit.

Atëherë çfarë do bëjmë me shtetet “skeptike” si Franca, Holanda, Gjermania apo ndonjë tjetër, që janë po ashtu kundra hapjes negociatave me BE, çfarë do t’i falim në këmbim të votës, sepse fatkeqësisht, gjeografikisht ato nuk janë as në kufi me ne që ti falim ndonjë copë tokë, se detin po ja japim Greqisë. Këto janë allishverishe korruptive mafiozësh, që politikanët tanë po luajnë me kufijtë shtetëror për të na çuar në Europë. Zanafillën e kanë që në qeverisjen e Berishës dhe paturpësisht vazhdojnë akoma deri në ditët e sotme, sepse janë zhytur në korrupsion, ku janë përfshirë të gjithë deri në nivelet më të larta shtetërore dhe mungesën e vullnetit për të ndëshkuar atë. Shpesh, ndaj BE, dëgjojmë të bëhen kërcënime, presione me prishje të stabilitetit në rajon, dhe shantazhe që lexohen qartë si kjo se po nuk na hapët ju portën ne nuk na bëhet vonë, do shikojmë tregjet e lindjes, ndërkohë populli pret dhe shikon drejt perëndimit. Pikësynimi i tyre është i qartë që Europa të na pranojë kështu si jemi, të korruptuar dhe pasuruar mirë, të pandëshkuar dhe pa plotësuar kushtet që ajo kërkon. Tani është hapi i parë për të hapur negociatat me BE dhe më pas fillon periudha tjetër, ajo është më e vështirë se ka të bëjë me anëtarësimin në BE. Kohëzgjatja e saj varet nga përshtatja dhe plotësimi i kushteve që ajo kërkon, atëhere prapë kështu, me këto ritme, me gënjeshtra dhe me mashtrime, me shitje territoresh, me falje apo kolonizimin e pasurive publike do vazhdojnë këta politikan? Me këto mafiozllëqe dhe ritme ne dhe për 30 vite të tjera nuk na pranon Europa dhe deri atëherë gjithçka është kolonializuar. Europa nuk blihet dhe nuk lëshon në rregullat dhe ligjet e saj që ka vendosur vet, sepse ato janë baza mbi të cilën ajo u ngrit dhe funksionon, ndryshe ajo do ishte bërë si Shqipëria. Pra shkurt, kjo klasë politike, në heshtje dhe marrëveshje të plotë, pa lëre se çfarë shprehen publikisht, nuk e do Shqipërinë në Europë, por kërkon të na mbajë në këtë situatë kaotike duke e transformuar të gjithë vendin në koloni të tyre, sepse vetëm kështu vjedhin dhe trashëgojnë pasuritë. Po çfarë do bëhet dhe ku po shkojmë kështu? Po shitet dhe po falet gjithçka, mbi dhe, nën tokë. Politikanët pasurohen, populli varfërohet dhe largohet nga vendi. Vërtet këta sharlatan na kanë bërë gazi botës me paaftësinë drejtuese të tyre dhe grykësinë për të vjedhur dhe pasuruar sa më shumë. Dhënia me konçesione afatgjatë 25 deri 99 vjet e pasurive publike apo shitja e tyre tek të huajt për qëllime klienteliste dhe përfitime personale, është kthyer tashmë në modë dhe ngjajnë me kolonitë e Britanisë Madhe apo Francës qindra vite më parë, që uzurpuan Amerikën, Kanadanë, Afrikën, Australinë, Azinë dhe disa vende të botës.

Janë përdorur dhe po përdoren akoma variante shumë më të sofistikuara investimi, që fillon me Shqipëria 1 EURO, lëpirjen dhe favoret që po u bëjnë shteteve apo investitorëve të ndryshëm deri në lindjen e mesme, për të investuar me çdo kusht në Shqipëri, shitja apo falja dhe dhënia me konçesion e pasurive natyrore, si nafta, gazi, minierat apo pasurive publike, fitimprurëse në çdo cep të vendit, tokat, fushat pjellore apo rezervatet në bregdet, lumenjtë, malet, etj., çdo gjë ka dal jashtë kontrollit dhe është vënë në shitje, sikur të jenë domate, pa plan fare, pa ligje, pa garë, pa vendime, pa referendum popullor, por vetëm të vijnë të investojnë apo ndërtojnë ku të duan dhe çfarë duan, duke përdorur ca shprehje qesharake, pa kuptim dhe mashtruese: arabët bëjnë shumë pushime se kanë naftë shumë. Vërtetë arabët kanë shumë naftë z. K/ministër, por nuk kanë aq shumë minerale, atëherë po populli ynë që i ka të dyja, sepse jetojmë në një vend të pasur me naftë, gaz, minerale të çmuara, me ngjyra dhe pa ngjyra, kemi ar, argjend, alumin, etj., pse i kemi harruar fare pushimet?- dhe kemi 30 vite që endemi rrugëve të botës? Të gjitha këto matrapazllëqe të kësaj klase politike, nuk bëhen për interesa kombëtare, por për të mashtruar popullin dhe mbrojtur pasuritë që na kanë grabitur në këto 30 vite dhe vazhdojnë akoma. Tani janë në një garë të ashpër propagandistike nga premtimet boshe para popullit dhe deri tek riciklimi politikanëve të korruptuar që u ka perënduar dielli me kohë, si këta që ngrohin karriget dhe nuk i lëshojnë dot, sepse benefitet që i japin ato janë të ëmbla dhe me bollëk, ashtu dhe ata, “mjeranët”, që kanë 8 vite që i kanë humbur ato dhe nuk po kënaqen me vilat apo “lëmoshat” milionëshe që u hedh ky pushtet, sepse duan më shumë. Një luftë e egër mafiozësh për t’i zhvatur gjithçka publike vendit dhe popullit tyre, nuk duan t’ja dinë fare për ligje apo për këshillat e SHBA-së, BE-së, apo ndonjë ambasade si Gjermania, Anglia, etj., çdo gjë shkon në vesh të shurdhër, ata bëjnë atë që kanë piketuar. Këto gjëra që po aplikohen aktualisht tek ne, nga këto banda politike grabitqare mbi pasuritë publike të vendit tonë, ku vet ata fshihen pas tyre, janë një formë kolonializmi. Kjo situatë duhet ndalur me çdo kusht, sepse çdo ditë që po kalon populli po humbet kontrollin dhe pronësinë mbi to. Ato po i gëzojnë të tjerët, politikanët.