Koalicionet, çështje e ezauruar, Damian Gjiknuri: Votimi me detyrim është model arkaik

11

Për votën e diasporës socialisti mendon se vota duhet të bëhet me postë dhe se sipas tij ajo dihet të llogaritet tek vendbanimi i fundit që kanë pasur.

Sigal

Socialistët dhe demokratët vijojnë dialogun për Reformën Zgjedhore përmes mekanizmit të ri të ngritur pranë Komisionit të Ligjeve. Takimet e këtyre tre javëve të para nuk kanë ende një rezultat konkret. Në publik përfaqësuesi i opozitës ka artikuluar disa kërkesa që do të vendosin si propozime për t’u pranuar nga socialistët. Më kryesorja për ta mbetet kërkesa për rikthimin e koalicioneve në modelin që ishte përpara se socialistët të bënin ndryshimet kushtetuese të Korrikut të 2020. Por Damian Gjiknuri në një intervistë për Klan i pret të gjitha shpresat që kjo kërkesë të ketë ndonjë shans për t’u pranuar. “Është një çështje e ezauruar. Komisioni i Venecias doli në konkluzionin që partitë e kanë mundësinë që të bëjnë koalicione. Formulimi i koalicioneve nuk ndikon aspak në pabarazinë e palëve në zgjedhje”, tha Gjiknuri. Por gjithsesi Gjiknuri, nuk jua mohon të drejtën demokratëve për ta parashtruar dhe socialistëve për të dëgjuar çdo propozim. Përfshirë dhe atë për ta bërë votimin e detyrueshëm, siç thotë Bylykbashi, edhe pse shanset për t’u pranuar janë pothuajse zero për ta. “Një model shumë arkaik që edhe vetë Greqia nuk po e zbaton më”, tha ai. Pothuajse zero sipas Gjiknurit janë shanset për të pranuar edhe propozimin tjetër atë për të rritur ndëshkimin penal për veprën e shitblerjes së votave. “Shitblerja e votës këtu dënohet më shumë se sa krimet tjera, më shumë se sa plagosja. Po shkojmë në kufij ekstremë të absurditetit”, tha Gjiknuri. Ajo që socialistët kanë jo vetëm vesh për të dëgjuar, por dhe vullnet për të bashkuar votat me opozitën, sipas Gjiknurit është depolitizimin e administratës zgjedhore dhe kanë gati dhe modelin. “Kemi propozuar një formulë që ka si themel rastësinë në alokimin e emërimit të komisionerëve. Aftësinë e KQZ për të emëruar dhe shkarkuar dhe jo partitë politike, por administrata patjetër. Dhe pse jo nga çdo qytetar, nga Dhoma e Avokatisë, etj”, tha ai. Propozimin gati e kanë dhe për mënyrën sesi do votojnë emigrantët dhe si do llogaritet vota e tyre. “Mendoj nëpërmjet postës. Vota të llogaritet tek vendbanimi i fundit që kanë pasur”, tha ai. E sa i takon llogaritjes së mandateve Gjiknuri thotë se Gjykata Kushtetuese nuk e ka rrëzuar herësin ndërsa sa duhet të jetë ai sipas Gjiknurit ka vend për diskutim me demokratët. “Çështja është se çfarë lloj herësi do të jetë dhe unë besoj që këtu ka hapësirë për diskutim”, u shpreh Gjiknuri. Të gjitha këto çështje, por dhe shumë të tjera që vijnë si rekomandim i OSBE/ODIHR-it grupi i dialogut duhet t’i përfshijë në kodin elektoral brenda këtij sesioni parlamentar.