Ja numëruesit që “favorizuan” me vota partitë në 14 maj. Pas verifikimi: A do t’i ndëshkojë KQZ-ja?

42
Sigal

Nga Fatjon Kaloçi

“Kush ka numëruesit, botën ka”. Kjo mund të thuhet edhe për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Nga verifikimi i 526 qëndrave të votimit që u bë në muajin nëntor nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve duket qartë se numëruesit kanë favorizuar në llogaritje të votave disa parti, ndërsa disa të tjerave ua kanë hequr ato dhe rrjedhimisht, vullnetin qoftë të një votuesi të vetëm e kanë tjetërsuar.

Kujt i kanë dhuruar pa të drejtë më shumë vota numëruesit?

Partia që rezulton se ka përfituar si dhuratë nga numëruesit, më shumë vota sesa partitë e tjera në kontrollin e 526 qëndrave të votimit rezulton Partia Demokratike e Lulzim Bashës. Asaj në 14 maj 2023 nga numëruesit e KZAZ-ve në 42 bashki i janë “dhuruar” pa të drejtë 139 vota plus. Partia e dytë që duket e favorizuar në llogaritjen e votave që kanë dhënë numëruesit rezulton të jetë Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ku në favor të saj janë llogaritur 100 vota më tepër që sipas verifikimit të KQZ nuk i takonin asaj.

Partia Demokratike e Lulzim Bashës + 139 vota të dhëna pa të drejtë nga numëruesit e 14 majit.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet + 100 vota të dhëna pa të drejtë nga numëruesit e 14 majit.
Partia Republikane + 84 vota të dhëna pa të drejtë nga numëruesit e 14 majit.
Bindja Demokratike + 57 vota të dhëna pa të drejtë nga numëruesit e 14 majit.
Partia Social Demokrate + 54 vota të dhëna pa të drejtë nga numëruesit e 14 majit.
Partia Agrare + 45 vota të dhëna pa të drejtë nga numëruesit e 14 majit.

Hiq nga ana vër në mes, numëruesit gllabëruan votat e partive të mëdha në 14 maj

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” rezulton të jetë vjedhur më shumë nga numëruesit e 14 majit 2023. Pas tij subjekti që duket se i janë marrë votat është edhe Partia Socialiste që fitoi zgjedhjet. Kështu verifikimi i KQZ në muajin nëntor i disa qëndrave të votimit nxorri të dhëna se koalicionit “Bashkë Fitojmë” i janë “ngrënë” 101 vota në kutitë e verifikuara, ndërsa Partisë Socialiste të Shqipërisë 74 vota.

Bashkë Fitojmë – 101 vota të “hequra” pa të drejtë nga numëruesit e 14 majit
Partia Socialiste e Shqipërisë – 74 vota të “hequra” pa të drejtë nga numëruesit e 14 majit
Fryma e Re Demokratike – 62 vota të “hequra” pa të drejtë nga numëruesit e 14 majit.
Aleanca Liberale e Djathtë – 49 vota të “hequra” pa të drejtë nga numëruesit e 14 majit.
Lëvizja e Legalitetit – 20 vota të “hequra” pa të drejtë nga numëruesit e 14 majit.
Lëvizja Bashkë – 14 vota të “hequra” pa të drejtë nga numëruesit e 14 majit.


Shfaqjet apatike të KQZ dhe pandëshkueshmëria e administratës së saj zgjedhore

Shqiptarët thuajse çdo vit zgjedhor shohin sesi KQZ shprehet se këto zgjedhje ishin më të mira se të tjerat pararendëse. Por vetë KQZ deri tani nuk ka treguar se di të ndëshkojë “të vetët” kur bëhet fjala për procesin e fundit zgjedhor. Vetë KQZ tha se pjesa më e madhe e Pajisjeve Elektronike të Identifikimit nuk funksionuan. Përtej kostove të mëdha financiare për to, KQZ duket se mbron “mos gjetjen e arsyeve” se përse ndodhi kjo dhe se nëse ndokush është ndëshkuar nga armata e operatoratorëve të zgjedhur prej vetë saj. Me tone të buta e melankolike nëpër mbledhje, KQZ duket se më së shumti është e gatshme të atribuojë faje jashtë vetes së saj, ndërsa për përgjegjësitë e saj, për ndëshkueshmëritë qoftë edhe të një devijimi të një vote të vetme ky institucion mjaftohet me deklarata vizive, që më së shumti i ngjasojnë një qarravitje intelektuale, që nuk ndëshkon as të vetët e administratës zgjedhore të përfshirë në këtë proces. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndëshkime KQZ për pas verfikimin e saj për numëruesit e 14 majit.

Të dhënat e verifikimit të 526 qëndrave të votimit

Disa të dhëna që u raportuan për zgjedhjet e 14 majit nuk rezultuan ashtu siç tregoi verifikimi paszgjedhor. Në Shqipëri, 1 edhe 1 nuk ka problem nëse nuk bëjnë dy e aq më tepër kur gabimet bëhen nga administrata zgjedhore. Numri i votuesve, numri i fletëve të votimit të përdorura apo të papërdorura, të dëmtuara ose jo, të vlefshme ose jo, që u dhanë pas zgjedhjeve të 14 majit nga vetë KQZ rezultuan të ndryshme nga verifikimi që ky institucion bëri. Në zgjedhjet vendore të 14 Majit, në Himarë 56 vota edhe pse i përkisnin partisë “Fryma e re Demokratike” numëruesit ia kaluan të tëra sikur të ishin të një partie tjetër asaj “Bindja Demokratike” dhe madje i pasqyruan si në favor të saj. Në Durrës, 51 vota iu “dhuruan” Partisë Demokratike të Bashës edhe përse nuk i përkisnin asaj. Rezultatet e verifikimit paszgjedhor të bëra për afro 10% të qëndrave të votimit të zgjedhjeve të 14 majit treguan të tjera paqartësi. Në zgjedhjet e 14 majit, në të cilat votohej me dy fletë votimi, një për Kryetarin dhe tjetra për Këshillin. Verifikimi tregoi se për 93 qëndra të votimit në Tiranë, numri i fletëve të papërdorura për Kryetar ishte 38946 ndërsa për Këshilltar ishte 37319. Në një situatë ideale ky numër duhej të ishte i barabartë. Por gjatë procesit të votimit fletët edhe mund të dëmtohen. Verifikimi i nëntorit tregoi se 375 fletë të dëmtuara ishin për Kryetar, ndërsa 307 ishin për Këshillin, e thënë ndryshe për sa janë dëmtuar më shumë fletë për kryetarin, duhej të kishte një numër më të vogël fletësh votimi të papërdorura sesa për këshillin. Në Tiranë në 14 maj, për 93 qëndra votimi u tha se votuan gjithësej 30201 votues. Por pas verifikimit të nëntorit ky numër rezultoi 30045 votues dhe se në kuti u gjetën 30050 fletë votimi. Por Tirana nuk është e vetmja ku shfaqen më së shumti këto lëvizje numerike, të cilat edhe pse të vogla në shifra i përkasin një kampioni prej 10% nga totali. Në Vlorë, Fier, Korçë, Dibër, Gjirokastër, Kukës, Lushnje etj, të dhënat e verifikimit treguan se fletët e gjetura në kuti ishin më shumë sesa numri total i votuesve respektivë për qëndrat e përzgjedhura për verifikim. Në 15 qëndra votimi në Lushnje numri i fletëve të votimit të papërdorura u shfaq ndryshe nga sa ishte thënë në 14 maj. Verifikimi tregoi se ky numër ishte 5756, ndërsa në 14 maj KQZ tha se ky numër ishte 6480.

Në 24 nëntor 2023 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi procesin e kqyrjes së mëpasshme të fletëve të votimit dhe dokumentacionit zgjedhor, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore. Verifikimit paszgjedhor i’u nënshtruan 10% e qendrave të votimit për zgjedhjet e datës 14 Maj 2023. KQZ verifikoi mënyrën e vlerësimit të fletëve të votimit nga grupet e numërimit dhe mënyrën e plotësimit të dokumentacionit zgjedhor nga komisionet e nivelit të III-të për 526 Qendra Votimit. Qëllimi i këtij procesi është të verifikojë rregullsinë dhe saktësinë e veprimtarisë së administratës zgjedhore përgjatë administrimit të procesit dhe vlerësimit e numërimit të votave.

Verifikimi i votës për Këshillat

Tirana
Numëruesit në KZAZ-të e Tiranës për 93 qëndra votimi duket se në 14 maj kanë mbajtur me “hatër” disa parti, në numërimin e votave për këshill. Verifikimi i nëntorit tregoi numërimi në 14 maj i kishte dhënë 38 vota më tepër Partisë Republikane. Po ashtu edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet nga numëruesit e 14 majit 2023 kishte marrë 37 vota më tepër seç i takonin. Edhe Partia SocialDemokrate dukej se kishte përfituar më tepër seç i takonin 12 vota plus të dhëna nga numëruesit e 14 majit 2023 në mënyrë jo të drejtë. Partisë Konservatore i ishin shtuar 7 vota, ndërsa Partisë Socialiste i ishin “dhuruar” dy vota më tepër. Numëruesit në 14 maj “kishin ngrënë” nga votat e disa partive të tjera, respektivisht 16 vota Partisë Agrare, 14 vota Lëvizjes Bashkë dhe 8 vota koalicionit Bashkë Fitojmë.

Durrësi
Në Durrës, verifikimi tregoi se në 34 qëndra votimi, numëruesit kishin “ngrënë” më shumë nga koalicioni Bashkë Fitojmë. Verifikimi i muajit nëntor tregoi se 21 vota duhej ti akordoheshin këtij koalicioni kjo pasi numëruesit në 14 maj nuk i kishin numëruar në favor të Bashkë Fitojmë. Partia Demokratike e Lulzim Bashës në Durrës duket se është mbajtur me hatër nga numëruesit e 14 majit 2023. Verifikimi tregoi se Partisë Demoratike së Lulzim Bashës në 14 maj i janë llogaritur 51 vota më tepër në mënyrë jo të drejtë. Mes partive që u favorizuan me vota nga numëruesit e 14 majit në Durrës rezultojnë Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet me 16 vota të shtuara për të dhe favorizim u duke se pati edhe për subjektin Partia Agrare me 14 vota.

Shkodra
Edhe në Shkodër, Partia Demokratike e Lulzim Bashës, rezultoi nga verifikimi i nëntorit se numëruesit e 14 majit i kishin dhënë 49 vota më tepër e që nuk i përkisnin kësaj force. Kolaicionit Bashkë Fitojmë i ishin ngrënë nga numëruesit e 14 majit rreth 15 vota, ndërsa Aleancës Liberale të Djathtë në Shkodër numëruesit i kishin hequr po ashtu 18 vota.

Devoll
Në 5 qëndra votimi në Devoll, verifikimi i muajit nëntor nga KQZ tregoi se numëruesit e 14 majit i kanë hequr pa të drejtë 36 vota koalicionit Bashkë Fitojmë. Verifikimi tregon se numëruesit e 14 majit kanë mbajtur me “hatër” Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet duke i numëruar 30 vota më tepër që sipas KQZ nuk i takonin.

Selenicë
Në Bashkinë Selenicë në 4 qëndra votimi verifikimi tregoi se Partia Demokratike e Lulzim Bashës në 14 maj u privilegjua nga numëruesit të cilët i kanë dhënë 12 vota plus pa të drejtë, ndërsa verifikimi i nëntorit i KQZ tregoi se 10 vota i ishin hequr nga numëruesit e 14 majit koalicionit “Bashkë Fitojmë” ndonëse i përkisnin këtij koalicioni. E favorizuar nga numëruesit e 14 majit në Selenicë u pa edhe Partia Social-Demokrate së cilës i idhin dhuruar 5 vota pa të drejtë.

Vlorë
Në Vlorë verifikimi i 23 qëndrave të votimit tregoi se Partia Demokracia Sociale nga numëruesit kishte përfituar 14 vota jo të drejta, ndërsa këta numërues i kishin hequr Partisë Socialiste 10 vota. Numëruesit e 14 majit kishin mbajtur me hatër kolacionin Bashkë Fitojmë me 7 vota që nuk i takonin dhe Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet me 4 vota më shumë.

Lezhë
Në Lezhë verifikimi tregoi betejë shifrash mes Partisë Socialiste dhe koalcionit Bashkë Fitojmë. Numëruesit në 14 maj i hoqën 9 vota Bashkë Fitojmë që sipas verifikimit të nëntorit të KQZ duhet t’i akordoheshin Bashkë Fitojmë, ndërsa Partia Socialiste nga numërimi në 14 maj në Lezhë, në 13 qëndra votimi numëruesit i “dhuruan” asaj më tepër seç i takonin. Verifikimi tregoi që 10 vota nuk i përkisnin Partisë Socialiste. Po në Lezhë 7 vota i ishin llogaritur nga numëruesit pa të drejtë në favor Partisë Fryma e re Demokratike.

Dibër
Në 10 qëndra votimi në Dibër verifikimi tregoi se 19 vota ndryshe nga sa i kanë llogaritur në 14 maj, i takonin Partisë Socialiste. Numëruesit e 14 majit në Dibër nuk i kishin llogaritur ato në favor të kësaj force.

Peqin
Numëruesit e 14 majit në Peqin në 5 qëndra votimi i kishin akorduar 31 vota më tepër Partisë Republikane. Sipas asaj që nxori verifikimi i KQZ këto vota nuk duhej t’i akordoheshin kësaj partie. Numëruesit i “hëngrën” 25 vota Partisë Socialiste në Peqin.

Bulqizë
Në Bulqizë 8 vota duket se janë llogaritur pa të drejtë për Partinë Ardhmërija Shqiptare dhe po ashtu numëruesit në 14 maj i kanë dhënë “dhuratë” edhe 2 vota Partisë Republikane. Verifikimi i nëntorit tregoi se 1 votë i ishte “ngrënë” Partisë Socialiste nga numëruesit.

Gjirokastër
Në Gjirokastër verifikimi i 7 qëndrave të votimit tregoi se numëruesit në 14 maj i kishin hequr pa të drejtë 12 vota koalicionit Bashkë Fitojmë, dhe se i ishin shtuar po pa të drejtë Partisë Republikane po aq, pra 12 vota.

Krujë
Në 9 qëndra votimi në Krujë verifikimi tregoi se Partisë Agrare i ishin dhënë pa të drejtë në favor të saj 46 vota. Ndërsa 32 vota i ishin “ngrënë” Partisë Socialiste dhe 14 i ishin hequr Partisë Lëvizja e Legalitetit. Edhe 7 vota të Partisë së Unitetit për numëruesit e 14 majit nuk i ishin numëruar kësaj force.

Sarandë
Në 5 qëndra në Sarandë që u verifikuan në KQZ u pa se numëruesit në 14 maj i kishin shtuar 6 vota pa të drejtë PD së Bashës dhe 6 të tjera i ishin “marrë” Partisë Socialiste. Po ashtu 7 vota i ishin llogaritur më tepër në 14 maj Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet e njohur ndryshe si PDIU.

Vau i Dejës
Në Bashkinë Vau i Dejës verifikimi i nëntorit tregoi se Partisë Socialdemokrate i ishin numëruar në favor të saj 18 vota plus që sipas KQZ nuk i takonin, ndërsa e dëmtuara e madhe në 5 qëndrat e Bashkisë Vau i Dejës mbetet Aleanca Liberale e Djathtë, së cilës i janë hequr 15 vota në 14 maj. Bashkë Fitojmë, PS dhe PD e Bashës në 14 maj nga numëruesit patën favor edhe pse s’u takonin respektivisht 5, 6 dhe 5 vota.

Cërrik
Në 6 qëndra votimi në Cërrik verifikimi tregoi se 8 vota i janë dhënë jo në mënyrë të drejtë Partisë Demokratike së Lulzim Bashës, ndërsa Partisë Socialiste i janë hequr 2 vota nga numëruesit e 14 majit.

Dimal
Në 5 qëndra votimi në Dimal, verifikimi i KQZ tregoi se nga numërimi i 14 majit i janë dhënë Partisë Republikane 8 vota më shumë sesa duhej, ndërsa koalicionit Bashkë Fitojmë numëruesit e Dimalit i kanë “ngrënë” 5 vota që sipas KQZ duhej të shkonin në favor të Bashkë Fitojmë. E favorizuar nga numëruesit e 14 majit ishte edhe Partia Social-Demokrate me 3 vota plus që nuk i takonin.

Shijak
Në Shijak në 5 qëndra votimi të verifikuara nga KQZ rezultoi se PD e Bashës kishte marrë dhuratë 8 vota, që nuk i takonin. Verifikimi i muajit nëntor tregoi se këtu numëruesit u kishin ngënë 2 vota LZHK, 1 PS, 1 PDS dhe 1 Aleancës Liberale të Djathtë.

Himarë
Në 4 qëndra votimi në Himarë, verifikimi i KQZ tregoi se numërimi i 14 majit i ka hequr pa të drejtë 56 vota partisë “Fryma e re Demokratike” dhe ja ka shtuar ato pa të drejtë partisë “Bindja Demokratike”. Po ashtu 10 vota i ishin dhuruar pa të drejtë “Aleancës Arbnore Kombëtare”. Numëruesit i kishin llogaritur 7 vota më pak Partisë Agrare.

Klos
Në Bashkinë Klos, në 3 qëndra votimi verifikimi i KQZ tregoi se 10 vota i ishin dhënë në mënyrë jo të drejtë Partisë Socialiste. Po ashtu favori i numëruesve të 14 majit në këtë bashki u pa edhe tek partitë Republikane dhe Balli Kombëtar, që i ishin shtuar 3 vota secilës pa të drejtë.

Zgjedhjet e 14 Majit, shqetësim i Komisioni Evropian u shpreh në Progres Raportit për Shqipërinë


Zgjedhjet e 14 Majit ishin një nga pikat e trajtuara me shqetësim në progres raportin për Shqipërinë, ku Komisioni Evropian njohu parregullsitë e përmendura dhe nga OSBE/ODIHR gjatë zgjedhjeve lokale të 14 Majit në të cilat përfshihen që nga shitblerja e votës, përdorimi i aseteve publike si dhe keqpërdorimi i administratës shtetërore, presion ndaj votuesve etj “Ka pasur një pjesëmarrje të ulët të votuesve, veçanërisht në mesin e të rinjve. Sipas gjetjeve të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, një fushë loje e barabartë midis kandidatëve nuk ishte e garantuar për shkak të një interpretimi të ngushtë dhe formalist të dispozitave të kodit zgjedhor.” theksohet në progres raport. Raporti vuri theksin tek nevoja që Parlamenti duhet të reformojë menjëherë Kodin Zgjedhor, duke marrë në konsideratë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për diasporën dhe votën e saj në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme problematika si më sipër të mos cwnojnë procesin zgjedhor.

Precedenti i Rrogozhinës, dyshimet për manipulim të votave pas rinumërimit çuan në përsëritje të zgjedhje

Ankesat për manipulime gjatë zgjedhjeve të 14 majit nuk u dëgjuan fillimisht nga KAS. Në këtë qytet kandidati i PS fitoi me shumë pak vota diferencë, ndërkohë që opozita pati pretendime se zgjedhjet u manipuluan. KAS rihapi kutinë e burgut ku kishte pretendime, por rezultati nuk ndryshoi. Koalicioni Bashkë Fitojmë ju drejtua Kolegjit Zgjedhor, i cili ka vendosur përsëritjen e zgjedhjeve kjo pasi të martën e 6 qershorit, KAS vendosi ndryshimin e tabelës së rezultateve për bashkinë Rrogozhinë pas rinumërimit të votave për 55 qendra votimi, duke ngushtuar rezultatin mes dy kandidatëve me vetëm 21 vota më tepër për kandidatin e Partisë Socialiste, Edison Memolla. Sipas tabelës së re të rezultateve, për këtë bashki janë 10237 vota të vlefshme, 273 vota të pavlefshme, 5129 vota për kandidatin Edison Memolla dhe 5108 vota për Shkëlqim Hoxhën e “BF”-së. Por koalicioni Bashkë Fitojmë ju drejtua Kolegjit Zgjedhor, i cili duket se ka vendosur që procesi të ripërsëritet.