Dr.Hasan Shkëmbi: Lufta e Yjeve, fantashkencë apo kërcënim real për forcën hapësinore të SHBA-së dhe aleatëve të saj

147
Sigal

Lektor në Universitetin LUARASI
Një iniciativë futuristike strategjike e mbrojtjes e SHBA-së e lënë në mes  

Historikisht, Iniciativa Strategjike e Mbrojtjes (SDI), e quajtur “Programi i Luftës së Yjeve” ishte një sistem i propozuar fillimisht nga Presidenti Regan, në një fjalim televiziv më 23 mars 1983. Programi propozoi strategjinë e sistemit mbrojtës të SHBA-së ndaj potencialit nga sulmet nga armët bërthamore strategjike balistike nga vendet armike. Për shkak se pjesët e sistemit mbrojtës që Regan mbrojti do të bazoheshin në hapësirë, sistemi i propozuar u quajt “Star Wars”, sipas armës hapësinore të një filmi fantashkencë të të njëjtit emër. Atëherë pse plani i mbrojtjes i “Luftërave të Yjeve” të Reganit, që sot vlerësohet largpamës, mbeti fantashkencë? Në aparencë ishte një plan që lexohej si trillim shkencor: Një sistem i armatosur me një sërë lazerësh me rreze X të bazuara në hapësirë do të zbulonte dhe shmangte çdo armë bërthamore, që shkonte drejt SHBA-ve. Nga ana e tij, Regan tha se me këtë plan donte të shmangte Harmagedonin bërthamor, por kritikët e quajtën SDI të largët dhe të shtrenjtë. Në fakt, Programi ngjalli një debat të nxehtë si midis ekspertëve të armëve, ashtu edhe mes zyrtarëve publikë mbi implikimet e tij ushtarake dhe politike. Politikanët dhe shkencëtarët argumentuan se SDI ishte tepër ambicioz. Disa të tjerë argumentuan se skema ishte e pazbatueshme, se ajo inkurajonte më tej një garë armatimi dhe se ajo minonte bazat e marrëveshjes për kontrollin e armëve bërthamore. Testimi vazhdoi në një numër pajisjesh të lidhura me SDI, por shpërbërja e B. Sovjetik në 1991 ndryshoi kushtet e një mbrojtjeje të tillë. Programi “Star Wars” ngeci dhe gjatë 10 viteve qeveria amerikane shpenzoi afro 30 miliardë dollarë për zhvillimin e konceptit, por programi futuristik mbeti pikërisht i tillë – futurist. Ai u hoq zyrtarisht nga Presidenti Bill Clinton në 1993.

“Fantashkenca” reganiane e rivalitetit gjeopolitiko-hapësinor midis fuqive   

Hapësira qiellore ka qenë gjithmonë një mjedis konkurrence gjeopolitike, sidomos sot në epokën dixhitale dhe konflikteve mes shteteve. Sa aktual duket sot Programi futuristik SDI i Reganit. Çfarë do të thoshte Ronald Regan nëse do të ishte gjallë sot dhe do të shihte Havain apo Japoninë të jetonte me frikë, të panikuar nga alarmi i rremë i një sulmi me raketa bërthamore nga Koreja e Veriut.? Pheniani vetëm gjatë muajit shkurt 2023 lëshoi 4 raketa strategjike të lundrimit. Ai ka lëshuar disa raketa balistike me rreze të shkurtër drejt bregut lindor dhe verior të Japonisë duke rrezikuar sovranitetin. Testi i raketave anti-satelite të Rusisë shton problemin e përkeqësuar të mbeturinave hapësinore. Me siguri, Presidenti Regan sot po të jetonte do të pyeste: “Pse e braktisët Iniciativën time të Mbrojtjes Strategjike? Por Ronald Regan kishte të drejtë që SDI – e quajtur nga shtypi si “Luftërat e Yjeve” – përdori epërsinë teknologjike të SHBA për të mashtruar kërcënimin bërthamor të BRSS, duke fituar Luftën e Ftohtë. Shtypi liberal dhe akademikët ende i nënçmojnë “Luftërat e Yjeve”. Megjithatë, historia dhe dëshmitë e aleatëve dhe kundërshtarëve mbështetin SDI-në e Ronald Reganit. Mbrojtjet e mundshme të bazuara në hapësirë fituan Luftën e Ftohtë dhe nëse vendoseshin do t’i kishin bërë raketat bërthamore të vjetruara. SDI mundi Perandorinë e së Keqes– Rusinë.


Rivaliteti gjeo-hapësinor i Kinës e Rusisë dhe shqetësimet
e sotme të sigurisë

Në kontekstin e sotëm të konkurrencës intensive gjeostrategjike dhe luftës hibride, rreziku në rritje i arsenalit ushtarak të teknologjisë hapësinore ka alarmuar politikbërësit euro-atlantik si dhe strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes të këtyre vendeve që të punojnë së bashku drejt vendosjes së normave dhe rregullave të reja për mbrojtjen e operacioneve hapësinore dhe infrastrukturës kritike. Ndërsa dikur hapësira ishte parë si një peizazh virtual, por me garat e tanishme hapësira konsiderohet si një fushë e “minuar” operacionale nga satelitët ushtarakë të vendeve që kërcënojnë sigurinë kombëtare e globale. Vërehet një garë për “kolonizimin” ushtarak të hapësirës nga Kina dhe Rusia. Pentagoni është i shqetësuar për forcën hapësinore të dislokuar nga Kina dhe Rusia në vazhdimësi. Kina tani numëron 347 satelitë ushtarakë operacionalë, për të cilët Pentagoni vlerëson se përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për SHBA-në. Në vitin 2022, Kina mori drejtimin në lëshimet në hapësirë të satelitëve ushtarakë, duke zëvendësuar Rusinë si fuqia e dytë hapësinore dhe ulur SHBA-në nga froni, theksoi edhe raporti mbi “Aktivitetet Hapësinore në 2022”, publikuar nga Qendra për Astrofizikë në Universitetin e Kembrixhit në Massachusetts. Vitin e kaluar, SHBA arritën gjithsej 72 lëshime nga 78, ndërsa Rusia arriti të realizonte 21, kur Kina tentoi 64 lëshime për të arritur 62. Këto lëshime vendosën në orbitë qindra satelitë civilë dhe ushtarakë. Për ato që lidhen me mbrojtjen, Kina është në krye me 45 satelitë të vendosur në orbitë kundrejt 30 për SHBA dhe 15 për Rusinë. Nga 700 satelitë operacionalë kinezë, 347 janë të dedikuar për qëllime ushtarake, duke përfshirë 35 të lëshuar në gjashtë muajt e fundit. Pekini do të kishte dërguar pajisje lazer për të sulmuar satelitët dhe bllokues për të çaktivizuar GPS ose shërbimet e komunikimit. Në fakt, Teknologjia nga HaëkEye 360 Inc. ,ka zbuluar dhe gjeolokuar ndërhyrje të gjera GPS mbi Ukrainë, duke filluar disa muaj përpara pushtimit rus. Një teknologji e tillë madje do t’i lejonte ata të devijojnë trajektoren e një sateliti dhe bllokimin e tij. Forcat ushtarake përdorin bllokues GPS për të errësuar dhe mbrojtur trupat, objektet dhe pajisjet kritike nga sulmi dhe mund të jenë një tregues kryesor i aktivitetit ushtarak të ardhshëm. Për të shkatërruar satelitët e armikut, vendet armike mund të kishin dërguar satelitë kamikazë, por edhe Asat (aktivitete kundër satelitit), raketa të modifikuara balistike për të rrëzuar objektivat hapësinorë . Përdorimi i tyre është në kundërshtim me Traktatin e Hapësirës së Jashtme të vitit 1967, i cili rregullon përdorimin e armëve në hapësirën e jashtme. Vetëm katër vende e kanë testuar tashmë këtë municion: Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia dhe India. Shërbimet amerikane kanë zbuluar tashmë manovra armiqësore nga Kina. Në vitin 2021, një raport i Pentagonit pretendonte tashmë se Pekini ka një arsenal anti-satelitor që kërcënon ata në orbitë të ulët. Sateliti kinez TJS-3 i lëshuar në vitin 2018 u zhvendos përgjatë brezit gjeostacionar, duke u ndalur për të parë më nga afër satelitët amerikanë, USA 233 dhe 298. Këta satelitë të dedikuar për komunikimet ushtarake, ofrojnë inteligjencë jo vetëm në SHBA, por edhe për Britaninë, Holandën, Kanadanë dhe Australinë. Fluturimi i balonit kinez mbi qiellin e SHBA-së ditët e fundit dëshmon edhe sipas burimeve zyrtare të SHBA-së për atë që Kina ka një program survejimi me balona të lartësive të mëdha për të mbledhur të dhëna zbulimi. Në këtë garë, Rusia përbën një kërcënim “akut”, por dhe Kina sipas gjeneralit amerikan Saltzman, përbën “kërcënimin më të menjëhershëm”. Ai përmend gjithashtu burimet ruse hapësinore që janë më pak efikase se ato të Kinës, por ato do të përfaqësonin “një kërcënim akut” sulmesh ose ndërprerjesh ndaj satelitëve amerikanë. Kina dhe Rusia sipas gjeneralit Saltzman “synojnë dobësitë e mundshme amerikane për të eliminuar avantazhin amerikan në hapësirë”.   Ata presin që hapësira të jetë çelësi i luftës së ardhshme duke mundësuar sulme me precizion me rreze të gjatë. Siç dëshmohet më lart edhe nga lufta në Ukrainë, hapësira kibernetike, siguria dhe mbrojtja po ndërthuren gjithnjë e më shumë me konkurrencën gjeo-hapësinore duke kërcënuar paqen dhe sigurinë e vendeve, dhe kjo prirje sigurisht që do të vazhdojë. Dihet se që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, satelitët janë bërë një armë e fuqishme për operacionet ushtarake, shërbimet e inteligjencës, gjurmimin e lëvizjeve të trupave gjatë natës, zbulimin e tankeve të fshehura etj. Në sajë të gjeolokimit të trupave dhe vendkomandave ushtrisë ruse janë asgjësuar rreth 12 gjeneralë. Sigurisht në të ardhmen këto sfida të reja të sigurisë dhe mbrojtjes duhet të përballen me përgjigje të shpejta bazuar në inovacionin e teknologjisë dixhitale në përshtatje me realitetin e ri gjeopolitik të sotëm, i cili kërkon më shumë se kurrë një angazhim dhe lidership të fortë transatlantik.