Engjëll Musai: KQZ dhe 5 mijë lekëshi i votës për trushpëlarët  e “kuzhinës së barit”…

90
Sigal

Parimi klasik 50 -vjeçar i Luftës së Ftohtë  se “do të hamë dhe bar dhe parimet nuk i shkelim”, vazhdon të jetë i ngulitur në trurin e atyre që moralin e kanë kthyer në ves. Dhe populli thotë që ‘vesi ikën bashkë me njeriun’. Por çuditërisht ndodh që këtë ves t’a dëgjojmë edhe nga internacionalistët e instaluar në Tiranë, dhe jo pa qëllim. Ata e dinë mirë se ‘drutë zgjidhen sipas mushkave që ngarkon’, pavarësisht llojit të ballkonit se ku përgatiten. Diktatura komuniste i varfëroi shqiptarët dhe i ktheu në skllevër me qëllimin final që t’i blinte për copë buke. Kështu ka ndodhur edhe në këto 10 vitet e fundit të “rilindjes antikombëtare”, ku nga makinat e sigurisë kombëtare dhe Policisë së Shtetit, ndaheshin paratë për blerjen e votës. As më shumë dhe as më pak, por fiks 5 mijë lekë! A nuk ndodhi në zgjedhjet e kaluara, si të përgjithshmet, ashtu edhe ato të pjesshme lokale ?! Madje pagesa 5 mijë lekëshe është e stampuar edhe raportin e OSBE-ODIHR. Por ndërkombtarët e Tiranës heshtën dhe  pushtetit politik nuk ja ndjen. Dhe përse do të thonte dikush? Sepse gjoba për blerjen e votës, në të gjithë dimensionin e saj, por edhe xhepat nga të cilat dalin janë simbolik nga KQZ. Pra nëse shpërndan para me VKM, u jep pensionistëve 5 mijë lekë , 1 muaj para zgjedhjeve , apo punëson provizorisht militantë, ndëshkimi ligjor është vetëm 3 mijë lekë?! E çfarë janë 3 mijë lekë gjobë për një pushtet , ku hashashi i serave, kokaina që mbyti portet shqiptare,  trafiku i heroinës, kontrabanda , pastrimi i parave, tenderat, PPP-të, investitorët strategjikë  etj.,. qarkullojnë mbi 10 miliard euro në vit?! Ja kjo është arsyeja që KQZ-ja bënë sikur ulëret edhe pse po kërcen në “gojën e ujkut” , qoftë edhe të atij  ‘ujku’ që paraardhësit e 5 mijë lekëshit të sotëm, e quanin të rrezikshëm edhe po të mbetej ‘me 1 dhëmb’.