Viktor Gjikolaj: Romani ’’Koncert në fund të dimrit’’ është shumë i mirë! Shkrimtari nuk është komunist…

246

Dy episode nga Kurbneshi për Kadarenë

Sigal

-Dorëshkrimi ishte dhënë për botim kur në fund të vitit 1981 u gjet i vrarë kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu.

-Ndërkaq, në roman Kadare kishte treguar se si Mao Ce Duni kishte zhdukur pasardhësin e tij Lin Biao nëpërmjet një aksidenti ajror

Sapo e kisha lexuar romanin,’’Koncert në fund të dimrit’’ të shkrimtarit tonë të madh. Në mënyrë instiktive u ndodha para librarisë së qytetit të vogël. Pyeta për një libër nëse kishte ardhur. Librashitësja ma bëri me shenjë se nuk e kishin sjellur akoma. Pasoi një grimë heshtje. Mos ki marak, sa të vijë…Biseda u ndërpre, pasi aty kaloi Prenga, një zyrtar i rëndësishëm lokal, por edhe një lexues e artdashës i njohur. Ai vuri re se doja të shkëmbeja ndonjë mendim . U ndal. E mbarove? Shtanga një çast, por ai nuk më la të mendohem. Po, për romanin e kam fjalën. Më dha mundësinë të hyja në bisedë. Po, mbrëmë e mbarova. Bukur si gjithëherë, i thashë Prengës. Hodhëm disa hapa pa folur. Ai e theu heshtjen, duke më thanë se edhe unë e kam lexuar. Pata drojë me i kërkuar mendimin e tij për romanin. Ai e vuri re hezitimn tim,- shikoi pak rreth e rrotull, më vuri dorën në supin tim e më tha: Po ta them trup e shkurt si thomi ne mirditasit. Romani është shumë i mirë, por shkrimtari nuk është komunist!… Nuk e prisja këtë kumt të tij kaq hapur. Pastaj, nga goja e një komunisti të bindur e të zgjedhur në forumet e Partisë në rreth. Ishte prag dimri. Ndryshe nga motet tjera, një erë deti ( kështu i thonë vendasit erës që fryn nga perëndimi), po frynte vrulltas…Bashkëfolësin e prisnin në një takim pune. U ndal, më shtrini dorën, duke më thënë: Koncert në fund të dimrit…

Zbrita fillikat shkallëve të shtëpisë të kulturës, që të çonin në udhën kryesore, duke thënë me vete: Vërtetë ky dimër i gjatë, po merr fund?!…

Kuurrë!…

Një ditë më parë qe dhënë lajmi i largimit të Kadaresë nga Shqipëria. Dola herët nga shtëpia për punë. Nga grupi i vogël i personave, që po shkonin te dyqani i bukës, u ndal dikush. Në mënyrën se si ishte veshur, m’u duk se qe njëri prej shokëve të mi, por kur u afrova , pashë se ishte Drita, një mësuese, që kishte filluar punën atë vjeshtë. I pëlqente letërsia dhe shpesh këmbenim libra me sho-shojnë. Ty po të pres, më tha ajo. U njatjetuam. Pyetja e saj qe e beftë: Si thua ti, a mund të hiqet nga historia e letërsisë Kadareja?!

Nuk u mendova asnjë grimë. I thashë prerë, sikur gjithçka të ishte në dorën time. Kurrë, kurrë!

Ajo u gëzua shumë sikur të ishte një vendim i formës së prerë. Kurrë, tha ajo me vendosmëri, me gëzim e krenari. Më përshëndeti me dy gishtat e ngritur lart, duke përsëritur, kurrë, Viktor!

Ishte fundvjeshtë…

Kush është ky roman?

Romani u fillua më 1978 dhe u mbarua tre vjet më vonë. Dorëshkrimi ishte dhënë për botim kur në fund të vitit 1981 u gjet i vrarë kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu. Ndërkaq, në roman Kadare kishte treguar se si Mao Ce Duni kishte zhdukur pasardhësin e tij Lin Biao nëpërmjet një aksidenti ajror. Kështu, ndonëse në nëntor të atij viti dorëshkrimi kishte marrë çmimin e parë kombëtar, Kadarenë e njoftojnë se botimi i tij ishte ndaluar me urdhër të Komiteti Qendror. Kritika vlerësoi se ishte një tallje me sistemin politik dhe kundërvënie e hapur ndaj ideologjisë komuniste, dhe ushqente racizëm mes kinezëve dhe shqiptarëve. Në një dokument sekret thuhet: Romani është një satirë dhe një përqeshje me komunizmin, me parimet dhe idetë e tij, është një ironi dhe tallje nga pozitat e një liberali europian. Kjo satirë dhe tallje fshihen nën idenë e goditjes së socializmit kinez dhe majtizmit të tij. Gjer këtu është disi e fshehtë. Por ajo shfaqet haptazi në faqet e romanit përmes ideve dhe frazave të dykuptimta, me të cilat është e mbushur gjithë vepra, ironizohen dokumentet e Partisë dhe veprat e shoku Enver . Bashkë me ironinë përzihet edhe zymtësia e gjendjes: Shkarkime, arrestime, burgosje, mbledhje, kritika dhe autokritika. Ironitë dhe sarkazmat ndaj socializmit dhe terminologjisë që ne përdorim si dhe talljet me gjërat e shenjta e mbushin gjithë romanin e I.Kadaresë. Është e çuditshme se autori gjithmonë kur flet për socializmin, për Partinë, për organizatën bazë dhe mbledhjet e saj shprehet me ironi e përqeshje. Këto përshkrime e bëjnë socializmin si një zymtësi, ku njerëzit dridhen për fatin e tyre dhe për fatin e të afërmve dhe në përgjithësi për të ardhmen. Autori e zhvesh personalitetin e njerëzve në socializëm, e bën pa vlerë. Është e qartë ideja e shkatërrimit të njeriut, e frikës, etheve, e pasigurisë, që krijon lufta e klasave në socializëm, sipas autorit.

Romani do të mbesë shtatë vjet pa u botuar dhe do të dalë në dritë vetëm në vitin 1988, tre vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës. Me ribotimin shumë pak gjëra i ishin ndryshuar tekstit të romanit, as ato që u kritikuan më 1981. -Po armiqtë?-kishte dashur të pyeste Kramsi. – Mos vallë armiqtë i bënin më mirë komunizmit se ithtarët e vet? Pikërisht – qe përgjigjur Mao Ce Duni. -Komunizmi, më tepër se për çdo gjë ka pasur përherë nevojë për armiq. Dhe do të ketë nevojë përherë. Madje…

Ai kishte nënqeshur një copë here, por nuk kishte vazhduar frazën. Kramsi, megjithatë e kishte kuptuar: madje edhe kur ata mungonin duheshin krijuar.

— Ismail Kadare, Koncert në fund të dimrit, fragment nga kap.8 Ky roman merr si temë aleancën e Republikës Popullore të Shqipërisë me Kinën dhe prishjen e saj. Romani u kthehet përmasave epike të Dimrit të madh, me të cilin ka mjaft paralele dhe prej titullit mëton të jetë një vazhdim. Këtu i jepet lexuesit një tablo tjetër të historisë më të re shqiptare, një vështrim grotesk mbi shkëputjen dramatike të Shqipërisë nga Kina postmaoiste më 1978. Autori në fakt e kishte filluar ta shkruante atë në kohën e prishjes së aleancës kino-shqiptare, por e botoi vetëm më 1988.

Varianti epik i Kadaresë për ngjarjet e viteve shtatëdhjetë u jep jetë përsëri disa karaktereve që i kemi njohur në Dimrin e madh: Besnik Struga, Skënder Bermema dhe Marku, të gjithë shtatëmbëdhjetë vjet më të mëdhej dhe më me përvojë. Por romanit nuk i mungon polemika, dhe as tonet antikineze. Njëkohësisht, ai përmban mjaft kritikë për shpersonalizimin e individit në kushtet e socializmit.