Emigrimi dhe viza/ Gjermania miraton ligjin e ri të emigracionit, mundësi për shqiptarët

419
Sigal

Ja ndryshimet në procedura. Viza online në BE, qytetarët procedurë digjitale për të udhëtuar në zonën Shengen

Parakusht për të marrë vizën e punës është një kontratë pune e rregullt në Gjermani. Nuk nevojiten as njohuri të veçanta të gjuhës gjermane. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të emigracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat.

Gjermania synon të lejojë në të ardhmen mbi 50 mijë punëtorë të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor që të vijnë për punë në Gjermani. Këtë e miratoi qeveria gjermane të mërkurën (29.03.2023) në kuadër të draftit të ri të ligjit të ri të emigrimit të fuqisë punëtore. Ministri gjerman i punës Hubertus Heil tha në konferencën e shtypit në Berlin se ky kontigjent do të dyfishohet nga 25 000 që është aktualisht në maksimumi 50 mijë në vit. Por ministri shtoi se ka plane që kjo rregullore të zgjerohet edhe për vende të tjera.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ekziston që nga viti 2015 dhe u mundëson shtetasve të gjashtë vendeve të BP (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, KosovëMaqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi që kanë.

Parakusht për të marrë vizën e punës është një kontratë pune e rregullt në Gjermani. Nuk nevojiten as njohuri të veçanta të gjuhës gjermane. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të emigracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat. Sipas Burimeve të DD deri më 31 dhjetor 2022, në Regjistrin Qendror të të Huajve, (AZR) figuronin rreth 62 000 emigrantë me leje qëndrimi në bazë të kësaj rregulloreje.

Njohja e diplomave mund të bëhet edhe në Gjermani

Por drafti i prezantuar nga Ministri gjerman i Punës dhe Çështjeve Sociale Hubertus Heil dhe ministrja e Brendshme Nancy Faser përmban edhe risi të tjera.

Sipas ministrit Heil, të huajve nga vendet e treta do t’u ofrohen tri mënyra për të ardhur në Gjermani: nëpërmjet kualifikimit, përvojës së punës dhe sistemit të pikëve. E para ekzistonte edhe me parë, në ligjin e emigracionit të fuqisë së kualifikuar, që kishte hyrë në fuqi para pandemisë. Por drafti i ri i koalicionit të qendrës së majtë ka bërë disa lehtësime:

Kështu për shembull, është ulur paga minimale vjetore që nevojitet për të marrë kartat blu: Për momentin ajo është 49 581 euro, duke përbërë kështu 1,25-fishin e pagës vjetore mesatare bruto në Gjermani. Për të rinj dhe me më pak përvojë madje nën 40 mijë euro.

Veç kësaj, kush ka mbaruar një shkollë të lartë ose një shollë profesionale prej së paku dyvjeçare, ka të drejtë të vijë për të kërkuar punë në Gjermani, edhe pa e bërë njohjen e kualifikimit qysh në vendlindje. Procedura e njohjes së kualifikimeve ka qenë një nga pengesat kryesore të deritanishme për ardhjen e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani.

Përveç kësaj personave të kualifikuar do t’u lejohet të punojnë në çfarëdo profesioni, pavarësisht nga kualifikimi që kanë.

Si kualifikim do të quhet jo vetëm kualifikimi arsimor, Edhe përvoja e punës do të luajë rol në njohjen e kualifikimit.

Sistemi i pikëve ose karta e shanseve, më në fund realitet

Por risia kryesore e këtij ligji, ajo që i bën krenarë dy ministrat socialdemokratë që prezantuan draftin, është sistemi i pikëve, ose Karta e Shanseve (Chansenkarte).

Ngjashëm me sistemin kanadez të emigrimit, Karta e Shanseve jep mundësi emigrimi në Gjermani edhe në bazë të një sistemi pikësh bazuar në katër kritere: njohja e gjuhës, përvoja profesionale, mosha dhe lidhja me Gjermaninë.

Sipas draftit, mjaftojnë gjashtë pikë për të marrë një vizë njëvjeçare dhe për të kërkuar punë në Gjermani. Si mund të mblidhen ato?

Katër pikë për një kualifikim profesional.

Tri pikë për përvojën e punës.

Tri pikë për njohuri të mira të gjermanishtes.

Dy pikë për njohuri të mjaftueshme të gjermanishtes.

Dy pikë për moshën e re (nën 35-vjeçare) ose Dy pikë për përvojë pune deri dy vjet.

Një pikë për lidhjet me Gjermaninë, pra, nëse ke qëndruar më parë në Gjermani për së paku gjashtë muaj.

Ministrja e Brendshme Nancy Faeser tha se me këtë kemi krijuar një ligj të ri modern emigracioni. Faeser kritikoi qeverinë e mëparshme, kryesisht krahun konservator të saj, që nuk e kishte lejuar ta realizonte këtë që më parë, por në vend të saj kishte jetuar me një siç e quajti ajo “gënjeshtrën e përhershme se Gjermania nuk qenka vend emigrimi”.

Strategji për të luftuar mungesën e fuqisë punëtore

Projektligji i ri është pjesë e një strategjie të re të qeverisë për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, e cila tani po shqyrtohet nga komisionet përkatëse në Bundestag. Ai parashikon përveç shfrytëzimit të potencialit të fuqisë punëtore brenda vendit, duke rritur ofertat e trajnimeve profesionale për të rinjtë, që lënë shkollën, përmirësuar kushtet e punës për nënat me fëmijë, apo duke rritur shanset për punësimin e refugjatëve apo azilkërkuesve të refuzuar. Në një studim i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, që u prezantua në mes të janarit në Berlin, Gjermania që tani ka 2 milionë vende pune të pazëna. Nga kjo mungesë punëtorësh ekonomia më e madhe e Evropës ka 100 miliardë euro më pak të ardhura kombëtare në vit. Situata përkeqësohet nga viti në vit: Sipas projektligjit të ri të emigracionit, përllogaritet që në bazë të këtyre ndryshimeve në Gjermani të vijnë mesatarisht deri në 75 000 fuqi punëtore e kualifikuar në vit. Këtyre u shtohet edhe kontingjenti i Ballkanit Perëndimor, me 50 mijë punëtorë në vit. Për shumë ekspertë kjo shifër nuk i plotëson aspak nevojat e Gjermanisë për fuqi punëtore. Ekspertët përllogarisin se Gjermanisë i duhen 400 000 emigrantë të kualifikuar në vit. Por ministri i punës tha se nuk duhet harruar se pjesa më e madhe e fuqisë punëtore të kualifikuar vijnë nga vendet e BE-së, që nuk kanë nevojë për vizë pune. Numri total i imigrantëve neto në vitin 2019 para pandemisë, ka qenë 350 mijë. Nga njëra anë për shkak të hartës demografike të vendit: Në 15 vjetët e ardhshëm një e treta e të punësuarve aktualë do të dalin në pension. Por edhe për shkak të ndryshimeve strukturore të shkaktuara nga digjitalizimi, si dhe ndryshimeve për shkak të pandemisë së Koronës dhe luftës në Ukrainë./DW/