Dossier/ Historia tragjike e kompozitorit dhe poetit Zef Lekaj

68
Sigal

Kush ishte intelektuali Shkodran që zgjodhi të shkonte vullnetarisht në Kuçovë për të hapur dyert e pallaktit të kulturës. Ai është autori i këngës së famshme për fëmijë “Qingji i vogël” që vazhdon të këndohet prej 50 vitesh. Si u dënua në vitin 1979 me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë, ndërkohë që emri i tij është dekoruar nga, Kuvendi, Shkodra dhe Kuçova. Ja historia e plotë

– Në vitin 1948 Zefi shkon vullnetar në Hekurudhë dhe një vit më pas rekrutohet ushtar në Divizionin e Gjirokastrës.

– Dallohej si korrespodent i gazetës kombëtare “Bashkimi”, si edhe redaktor i gazetës lokale “Zani i Dragobisë”.

– Risia tek dramat “Hija e Mrikës” dhe “Bajram Curri”.

Vladimir Duraj

Mes intelektualëve të shumtë që populluan dhe i dhanë dritë Kuçovës (ish Q.Stalin), ishte edhe Zef Lekaj. Zefi erdhi në Kuçovë në vitin 1964, pasi i’u përgjigj pozitivisht propozimit të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë (sindikatave) për të shkuar në Kuçovë si Shef Muzike në Pallatin e Kulturës. Kuçova ishte një qytet strategjik, me naftë nën tokë dhe aviacion mbi të, me vemendje të shtuar nga shteti pikërisht për këto arsye. Ndaj përzgjidheshin ata që dërgoheshin në këtë qytet, misioni i tyre qe tamam me i dhënë dritë qytetit të ri, që po rritej me hapa galopante. Kur Zef Lekaj erdhi në Kuçovë, kjo e fundit numëronte rreth 10 mijë banorë, numër ky sinjifikativ nëse mbajmë parasysh se vetëm 20 vjet më parë ajo ishte një fshat i vogël. Them sa më sipër pèr të treguar se piketimi i Zefit si Shef Muzike në Kuçovë, nga Bashkimet Profesionale, nuk u bë rastësisht…në këtë qytet dërgoheshin vlera njerëzore dhe profesionale. Dhe Zefi ishte vlerë, vlerë që e ngriti në rangje të larta Muzikën në këtë qytet ku arti, kultura dhe sporti kishin fituar qytetari. Zefi erdhi i kompletuar në Kuçovë, erdhi në kulmin e dijeve të tij, erdhi kompozitor i klasit të parë, poet i klasit të parë, erudit i klasit të parë, përkthyes i klasit të parë. Ai që i vuri re i pari këto cilësi të Zefit dhe që më pas u bë engjëlli i tij mbrojtës, ishte Qazim Lilo, drejtori i Pallatit të Kulturës, një tjetër “Zef” edhe ky në llojin e vet. Qazim Lilo pati të njëjtin fat me Zefin, neni i agjitacion – propogandës e la atë në burgjet e kohës për vite me radhe. Kur erdhi në Kuçovë, Zefi ishte 40 vjeç dhe në këto 40 vjet ai ka treguar aftësinë për të ruajtur dhe zhvilluar më tej karakteristikat genetale dhe vlerat e përftuara gjatë të gjithe këtij diapazoni. Po cila ishte jeta e Zefit në këto 40 vite?

Zef Lekaj është lindur më 7 korrik 1924 në qytetin e Shkodrës.

Vjen nga një familje e varfër me origjinë nga Traboini i Hotit, familje patriotike, pjesëmarrëse nē luftërat për liri. Fare fēmijë Zefin e dërgojnë në një kopsht murgeshash, ku i nënshtrohet një disipline të rreptë, gjë që e ndihmoi në forcimin e karakterit të tij. Kryen shkollën françeskane dhe pas saj Kolegjin Saverian të Etërve Jezuitë, një shkollë elitare për kohën, për të cilën, Faik Konica ka thënë: “- Kolegji Saverian mbahet në një shkallë të lartë, një me ato të Francës dhe Europës.” Në shkollën françeskane dhe sidomos në Kolegj u shfaq fuqishëm talenti i Zefit në Muzikë dhe Poezi, talent që u shumfishua në peshë nga prania në formimin e tij të emrave të mëdhenj të Muzikës në Itali, si At Kornolo dhe fratel Buiatin. Ky i fundit përgatiti te Zefi një muzikant të mirëfilltë, të pajisur me një kulturë të mjaftueshme dhe të ndjeshëm ndaj artit. Ishte vetëm 16 vjeç kur e caktuan të drejtonte korin e shkollës, pozicion ky që kërkonte staturë të lartë njerëzore dhe profesionale, veçori kēto qē i posedonte më mirë se të tjerët vetëm 16 vjeçari Zef Lekaj. Çlirimi i vendit Zefin e gjen në Kukës, ku për Muzikë nuk mund të bëhej fjalë në atë kohë, ndaj u hodh në bregun tjetër të talentit, në atë të letërsisë. Si korrespodent i gazetës kombëtare “Bashkimi”, si edhe redaktor i gazetës lokale “Zani i Dragobisë”, Zefi shkruan dramat “Hija e Mrikës” dhe “Bajram Curri”. Këto drama, duke bërë vet edhe regjizorin falë dijeve të marra në Kolegj, Zefi arrin t’i verë në skenë e t’i shfaq disa herë në Kukës dhe Prizren.

Me formimin që kishte marrë dhe duke parë ecurinë e pushtetit të pasluftës, te Zefi po kristalizohej fuqishëm antikomunisti, kështu që, në vitin 1946, në kryengritjen e Postribës ishte njëri prej pjesëmarrësve. Kryengritja u shtyp shpejt dhe mes atyre që u arrestuan dhe u dënuan me burg ishte edhe vëllai i Zefit, Gjon Lekaj (punonjës në bashki), me akuzën “mos denoncim”. Në këto kushte Zefi arratiset në Mal të Zi dhe kthehet prej andej pas 13 muajve, i amnistuar. I amnistuar, por jo i rehabilituar. Pjesëmarrja në kryengritje, arratia dhe burgu i të vëllait e ndiqnin nga pas si hije. Për t’iu shpëtuar njëfarsoj këtyre hijeve dhe për të treguar se ishte “penduar” për çfarë kishte ndodhur, në vitin 1948 Zefi shkon vullnetar në Hekurudhë dhe një vit më pas rekrutohet ushtar në Divizionin e Gjirokastrës. Periudhën e ushtrisë ia kushton talentit dhe pasionit të tij. Krijon një Ansambël Artistik të mirëfilltë, me të cilin, në rolin e dirigjentit dhe mjeshtrit të korit, konkuron në një aktivitet kombëtar dhe fiton çmimin e parë mes Ansambleve Artistike të Divizioneve. Nga Gjirokastra Zefi nuk mori vetëm këtë çmim, megjithëse edhe ky kishte goxha domethënie, nga Gjirokastra Zefi mori edhe çmimin më special në jetë, mori shoqen e jetës me të cilën do të ngrinte një çerdhe të ngrohtë familjare, qershia mbi tortë e së cilës do të ishin pesë fëmijë si yje, tre djem e dy vajza.

Pas lirimit nga ushtria, tashme me një “pasaportë” muzikanti të afirmuar dhe me ndihmën e miqve të tij, Zefi emërohet Shef Muzike në Klubin e Rinisë “Heronjtë e Vigut”. Gjatë periudhës së qëndrimit në këtë klub, Zefi u rrit edhe më artistikisht, duke “detyruar” emra të mëdhenj të artit shkodran e mbarëkombëtar të shprehen me superlativa për të. Ja si shprehet dramaturgu i mirënjohur Fadil Kraja, ‘Mjeshtër i Madh’: “Dëgjoje një këngë të Zefit dhe habiteshe se sa bukur harmonizoheshin aty vargu dhe tingulli. Dhe ti nuk dije se ku fillonte poeti dhe ku mbaronte kompozitori.”

Ndërsa studiuesi Isa Alibali, autor i disa librave, për Zefin e kësaj periudhe, thotë :

“Në ato vite ishte shumë i njohur edhe një Ansambël tjetër, i përfshirë në klubin e artizanatit “Vasil Shanto”. Drejtues artistik ishte kompozitori Zef Lekaj, i cili, me talentin dhe punën e tij të palodhur kishte krijuar një ansambël dinjitoz, që shpesh herë vihej përballë atij të Shtëpisë së Kulturës. “Në fillim të viteve ’60-ë, Zefi arrin kulmin e forcës së tij krijuese dhe këtë e vërtetoi në Festivalin e parë të këngës së lehtë, zhvilluar në Shkodër në nëntor të ’62-shit, dy muaj para se të zhvillohej Festivali i parë kombëtar në Radio Tirana. Në këtë Festival, kënga e Zefit si kompozitor dhe autor teksti, merr çmimin e dytë, çka e radhiti emrin e Zefit te më të mirët kompozitor shkodran. Dhe të ishe tek më të mirët kompozitor shkodran, normalisht do ishe te më të mirët kompozitor shqiptar. Shkodra kishte ajkën e kësaj “rrace” në shkallë vendi.

Në Kuçovë

Kështu vjen edhe viti 1964, koha kur Zefi pranoi të vinte në Kuçovë si Shef Muzike në Pallatin e Kulturës. Dikush fitoi dhe dikush humbi nga kjo lëvizje e tij, humbi Shkodra që i iku një thesar dhe fitoi Kuçova që i erdhi ky thesar. Dhe Zefi ishte megjithmend thesar për qytetin naftëtar, i mësuar tashme me vlera të tilla, të cilat i donte e i respektonte. Dhe kjo jo vetëm se i erdhi një Mjeshtër Muzike, por, sepse bashkë me këtë mjeshtër muzike erdhi edhe vet kultura, edukata, fisnikëria dhe këto jo vetëm te një njeri, jo…këto mishëroheshin te të gjithë pjestarët e tjerë të familjes. Te bashkëshortja, një zonjë e vërtetë, te fëmijët, Edmondi, Leoni, Alberta, Sokoli dhe Diana. Ishin fëmijë kur erdhën, 13 vjeç ishte më i madhi, Mondi, por edhe pse kështu, përsëri dallonin nga të tjerët, si ta kishin të shkruar në ballë, që ishin fëmijët e Zef Lekës.

Siç e thashë diku në hyrje të këtij shkrimi, Kuçova nëpërmjet drejtorit të Pallatit të Kulturës, emërmadhit Qazim Lilo, e mirëpriti Zefin. Mbase ia kishte dëgjuar emrin, mbase në cv përcjellëse të organit të emërtesës shkruhej se cili ishte Zef Lekaj, mbase intuita i tregoi se Zefi ishte një mal vlerash, por e vërteta kjo është…Qazim Lilo u bë engjëll mbrojtës për të, i dha atij kartabiankë dhe fuqi të plota në fushën e Muzikës në qytet. Por edhe Zefi nuk e zhgënjeu, shumë shpejt ai i dha fytyrën e tij Muzikës në Qytet. I pajisur më së miri me aftësi për të ngritur nga “hiçi” ndërtesa solide, siç kishte bërë kudo ku kishte shkuar, Zefi do të shfaqej shumë shpejt me gjithë madhështinë e tij edhe nē Kuçovën e një populli artdashës. I mbështetur fuqishëm nga i talentuari Nito Lala, Shefi i Muzikës në Pallatin e Pionerëve, i cili u bë dhe mbeti krahu i djathtë i tij, si edhe nga muzikanti i talentuar Gaqo Tërpini, Zefi ngre brenda një kohe të shkurtër Ansamblin e Pallatit të Kulturës me mbi 100 vetë. Suksesi i parë vjen në vitin 1967, kur në Festivalin e Ansambleve të Shtëpive të Kulturës të qyteteve të kategorisë së dytë, Kuçova merr çmimin e parë. Por nuk ishte vetëm ky, çmime nderi në aktivitete të ndryshme dhe këngë të shumta, të kënduara edhe nga këngëtarë me emër në rang kombëtar u bënë për Zefin një zakonshmëri, që kishte fituar qytetari. Zefi ndërkohë ishte shndërruar në pjesë me peshë e elitës intelektuale në qytet e më gjërë. Po në këtë vit vjen nga Zefi kënga “Fatosi dhe qingji”, e cila do ta ngjiste atë në piedestal, si kënga për fëmijë, ndër më të mirat e të gjitha kohrave, fituese e çmimit të dytë në Festivalin për Fëmijë në Shkodër. Kënga ‘Fatosi dhe qingji’ e rriti edhe më Zefin në sytë e specialistëve dhe organeve të pushtetit në rreth. Puna dhe talenti i tij kishin mundësuar arkivimin e përkohshëm të së shkuarës së tij, sikurse “detyruan” organet vendimmarrëse ta vinin Zefin në krye të Ansamblit të Bashkuar të Shtëpive të Kulturës së rrethit. Më 30 Prill 1969, Ansambli i drejtuar nga Zef Lekaj nderohet me Flamurin e Festivalit Kombëtar të Shtëpive të Kulturës, një arritje e jashtzakonshme nëse merr parasysh lënien mbrapa të grupeve madhore si ai i Shodrës etj.  Ndërkohë që Zefi përjetonte këto arritje të bujshme dhe korrte frytet e punës së tij vetmohuese, “djalli” vendosi t’i jap fund kësaj ëndrre të bukur e ta zgjojë nga gjumi Zefin. Ajo që mendohej se ishte harruar, tashmë u shfaq me gjithë ligësinë e saj. U sajuan dosje e “prova” dhe më 04.07.1979, në një mbledhje të Frontit Demokratik, Zefi shpallet armik dhe arrestohet. Një rrufe në qiell të hapur kjo, tre ditë para se të dilte në pension! Ndërkohë që Zefi priste pushimin pas një jete në punë, demonët kujdesen që këtë pushim, antikomunisti Zef Lekaj ta bënte për 10 vjet në burgjet e kohës, si shpërblim i qytetarisë së manifestuar dhe fisnikërisë që e karakterizonte. Persekutimi u shtri edhe në familje, e shoqja largohet nga puna si ekonomiste në Uzinën Mekanike dhe dërgohet pastruese me tre turne, vajza, Alberta, ndërpret studimet universitare, ndërkohë që Leoni dërgohet në Gurore pas refuzimit që i bëri ofertës së fëlliqur të hetuesit B.H.

Më 25 maj 1987, Zefi del nga burgu, i rënë fizikisht, por optimist. Në vitin 1990, kur u pa se sistemi ishte në grahmat e fundit, Zefi largohet nga Kuçova për t’u vendosur përfundimisht në Shkodërlocen e tij, e cila e mirëpriti djalin e saj “plangprishës”. Për Zefin filloi një etapë e re, u rikthye te ai gjallëria dhe dëshira për të bërë atë që ai dinte ta bënte aq bukur. Kontaktet e përditshme me miq e shokë të staturës së tij sollën, veç të tjerash, formimin e Shoqatës Kulturore “Ded Gjo Luli”, kryetar i së cilës u zgjodh Zefi. Merr pjesë në Festivalin e Fëmijëve, që vijonte të mbahej në Shkodër dhe bëhet njëri prej atyre që formuan gazetën “Humori Shkodran”, në të cilën botoi një seri satirash. Humori ishte gjithashtu një pjesē e talentit të tij, në fushën e të cilit Zefi ndihej si në habitatin e tij. Përkthimet ishin një tjetër dashuri e Zefit, ishin ato shoqërueset e tij në mbyllje të jetës. Mes shumë përkthimeve janë edhe tekstet universitare “Letërsia Latine” dhe “Pagëzimi i Estetikës”. Zef Lekaj është autor i rreth dyqindepesëdhjetë këngëve, fitues i dhjetëra çmimeve të fituara në Festivale të ndryshme për fëmijë dhe për të rritur. Është autor i shumë tablove muzikore për fëmijë të moshave të ndryshme. Në arkivën e tij mbetën të pabotuara tregime, poezi, një roman, përkthime nga poezia italiane dhe mjaft partitura këngësh të pa kënduara.

Jeta e Zefit është një histori suksesi, brenda së cilës qëndrojnë bashkë dhe në majë, puna dhe talenti.

Për Zefin mund të flitet shumë, mund të shkruhet shumë dhe bile nga ustallarë të këtij soji, por përsëri nuk do të mundej t’i jepej Çezarit ajo që i takon. Gjithsesi unë po sjell shkurt fare, në mbyllje të këtij shkrimi, disa emra të peshës së rëndë me opinionin e tyre për Zefin. Dhe po e filloj me:

Avni Mula, i cili thotë: “Talenti i Zefit është si ari që mund ta hedhësh kudo, por ai shndrit edhe në vende jo të dukshme.

” Ndërsa nga Fadil Kraja, kam veçuar: “Tingulli dhe vargu, melodia dhe fjala ishin dy gurra që rridhnin njëkohësisht nga shpirti i Zefit.” “I pajisur me një kulturë perëndimore, i pajisur me një botë shpirtërore prej artisti dhe me një ndjesi përgjegjësie intelektuale, Zef Lekaj do të shfaqej me risinë e tij të vlefshme në fushën e letërsisë – do të shprehej Vinçens Marku. Dhe për ta mbyllur këtë “rubrikë” opinionesh, po sjell ish drejtorin e Pallatit të Kulturës së Kuçovës dhe mik i Zefit, Qazim Lilon, i cili thotë : “Zef Lekaj, i aftë, i palodhur dhe këmbëngulës organizoi në mënyrë ekselente koncertin për nder të delegacionit kulturor gjerman, që do të vizitonte Kuçovën. Në fund të vizitës Zefi mori nga gjermanët një dhuratë simbolike, ndërkohë që pesë ditë më vonë u dekorua me Medalje të klasit të tretë “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore”.  Për Zef Lekën është shkruar shumë, është folur në Tv lokale dhe kombëtare, për Zefin ka shkruar edhe i biri, Leoni, Monografinë “Zef Lekaj, Një artist nën pentagrame”. Ky libër, i shkruar mjeshtërisht nga i ngjashmi në perfeksion me të jatin, Leoni, është baza e gjithë sa kam thënë në këtë shkrim. Zef Lekaj u nda nga jeta më 28 shkurt 1999. Shtypi lokal, ai kombëtar dhe RTV shqiptar e komentuan vdekjen e Zef Lekës si humbjen e njërit prej muzikantëve të talentuar të brezit të vjetër. Në vitin 1995 dekorohet nga Presidenti i Republikës me titullin ‘Pishtar i Demokracisë’, ndërkohë që në vitin 1999, me rastin e 75 vjetorit të lindjes, Bashkia e Shkodrës e nderon me titullin “Krenaria e Qytetit”. Ndërsa Kuçova, në vitin 2004 e shpall “Qytetar Nderi”. Po në Kuçovë, njëra nga rrugët e qytetit mban emrin e Zefit.