Telegraf,al / U lind në vitit 1913 në fshatin Polenë të Skraparit në një familje me tradita patriotike. Ishte fëmijë i vetëm dhe babai e la të mitur, pasi vdiq në vitin 1920.
Ai u rrit nën kujdesin e xhaxhait të tij Qamilit, të cilin e edukoi me frymën e patriotizmit dhe atdhedashurisë për Shqipërinë, duke e frymëzuar dhe me shembullin e tij si pjesmarrës në çetat e lirisë të viteve 1908-1912 dhe 1914-1918 dhe më pas në luftën e Vlorës të qershor-shtatorit 1920 ku dhe mbeti invalid nga kjo luftë.
Në moshën 17 vjeçare duke ndjerë detyrimet për një jetë më të mirë shkon në Tiranë, ku punon në punë të ndryshme e të rëndomta.
Pushtimi fashist i 7 prillit 1939, Sefedinin e gjeti në Tiranë. Si gjithë populli patriot edhe Sefedinin, pushtimi e indinjoi pa mase. Ne Tiranë, shumë shpejt Sefedini u lidh me mjaft Skrapallinj patriot si Estref Cakën, Adil Prishtën, Sulo Gradecin etj, të cilët ishin angazhuar në grupimet antifashiste për ndërgjegjësimin e popullit në luftë kundër okupatorit fashist Italian.

Me këto ideale Sefedini kthehet në Skrapar, ku bie në kontakt me shokë e bashkfshatarë të tij, duke u bërë thirrje për t’u bashkuar dhe luftuar me arme pushtuesit. Gjatë luftës italo-greke tetor 1940 – mars 1941, Sefedini me shok grumbulluan armë e municione të lëna nga forcat ndërluftuese, për t’i përdorur ato në momentin e duhur. Më 14 mars të vitit 1942, në Kulmak krijohet Çeta e Parë partizane me komandant Mestan Ujanikun dhe komisar Mirditorin Gjin Marku, i deleguar i PKSH për Qarkun e Beratit dhe anëtar themelues i saj.
Në mesin e muajit maj, çetës iu bashkuan dhe mjaft partizanë të rinj, midis tyre edhe djali nga Polena, Sefedin Çeço. Në këtë çetë, Sefedini për herë të parë bëri betimin se do të luftojë deri në pikën e fundit të gjakut për çlirimin e atdheut nga fashizmi italian. Aty në çetë, ai ishte bashkë me shokët Sulo Gradeci e Orhan Frashëri.
Me Çetën e Skraparit, Sefedini mori pjesë në propagandimin e Luftës Antifashiste NACL, që do të bëhej për çlirimin e vendit, duke shkelur në krahinat e Tomorricës, Kolonjës, Frashërit, Dangëllisë etj. Ai merr pjesë në rrethimin dhe çarmatimin e kompanisë së milicëve në Melovë, të kryesuar nga kapiten Xhaf Bali. Me pas, prej datës 31 gusht deri më 5 shtator, si pjestar i çetës, luftojnë kundër forcave të shumta të milicisë fashiste dhe ato shqiptare, që kishin synim asgjësimin e çetës. Pas luftimesh të ashpra, Çeta Plakë dhe e mbështetur nga çetat territoriale të fshatrave Zaloshnje, Leshnje, Potom, Koprenckë, Melovë, Koritë, Radesh, Verzhezhë, Zhaban, Vendreshë e Osoje, arritën që të asgjësojnë kundërshtarin dhe më 5 shtator 1942 të çlirojnë Çorovodën. Në këtë ngjarje të shënuar ishte dhe pushka e Sefedin Çeços. Me pas, çeta vazhdoi luftimet për spastrimin e komunave të Skraparit Tomorricës, Frashërit etj nga administratat fashiste. Kështu, më 28 nëntor 1942, Skrapari ishte e para krahinë e çliruar, ku për herë të parë vepronin këshillat Antifashiste NACL dhe pushteti i popullit.
Me krijimin e Këshillit Antifashist NACL të fshatit Polenë, në mars 1943, kryetar zgjidhet Barjam Çeço, ndërsa Sefedini zgjidhet sekretar. Por aktivitetin e tij kryesor e pati si pjesmarrës aktiv në veprimet luftarake të forcave partizane. Merr pjesë në veprimet luftarake shumë të ashpra, që u zhvilluan në Qafën e Kiçokut, ku në këto luftime vritet bashkfshatari i tij Shaban Çeço, në korrik të vitit 1943.
Gjatë këtij viti, Sefedini bashkohet me grupin partizan të Myzeqesë, ku zhvillohen luftime të vështira në zonën e Myzeqesë lindore Shpirag, Ura e Kuçit, Ardenicë, por dhe në zonat e Moglicës, Korçës etj. Veçanërisht përballuan me sukses operacionin e dimrit nazisto-kuislingo-ballist dhjetor 1943 – mars 1944. Ndërkohë bashkëshortja e Sefedinit, u bë një ndër veprimtaret e shquara të gruas antifashiste në Polenë, duke dhënë kontribut në grumbullimin e drithit, ushqimeve e veshmbathjeve për furnizimin e prapavijave të reparteve partizane. Ndaj dhe Metua, zgjidhet anëtare e kryesisë së gruas Antifashiste, detyrë të cilën e përmbushi me sukses deri në çlirimin e plotë të vendit, më 29 nëntor 1944.
Me krijimin e njësive të mëdha luftarake, më 20 gusht 1944 në Therepel të Skraparit, krijohet Brigada e 16-të Sulmuese. Sefedini rreshtohet në Batalionin e dytë të kësaj Brigade.
Brigada e 16-të Sulmuese, një kohë të konsiderueshme të veprimeve luftarake e zhvilloi në zonën e Myzeqesë, Fier e Lushnje kryesisht në territorin e Rroskovecit, Marinzës, Jagodines, Vajkanit, Ardenicës etj. Siç dihet, kjo zonë, në atë kohë ishte mbuluar me ujra, këneta, moçale e kanale të shumta. Siç ka treguar bashkshortja e tij, Sefedini i kishte thënë, se me ditë të tëra rrobat i kishin të njoma në trup, pasi luftimet zhvilloheshin në një zonë të tillë të mbuluara nga ujrat.
Bashkluftëtarët e tij Besim Prishta dhe Faik Koprencka, pjestar të Brigadës 16-të Sulmuese, sot veteran, tregojnë në deklaratën e bërë se Sefedini bënte pjesë në Batalionin e dytë të kësaj Brigade. Ai ka marrë pjesë në të gjitha luftimet që ka zhvilluar ky batalion si në Ardenicë, Bishqem, Vajkan, Mbrostar, Golem etj. Sefedini, tregojnë ata, ishte i sakrificës, trim e qëndronte në ballë të veprimeve luftarake si dhe tregohej i gatshëm për kryerjen e çdo detyre të ngarkuar.
Në muajin shkurt 1944, Sefedini u sëmur, mori një ftohmë të rëndë, por nuk u largua nga fronti i luftës. Në muajin tetor të këtij viti, Batalioni i dytë vepronte në zonën e Ardenicës, ndërsa shtabi i Brigadës ishte në rajonin e Roskovecit (Kurjan). Sefedini dërgohet për të çuar një njoftim në shtabin e Brigadës, por gjatë rrugës kur do kalonte lumin e Semanit, në drejtim të fshatit Jagodinë ra në përpjekje me një grup gjermanësh e ballistësh dhe gjatë luftimit u detyrua të futet në lumin e Semanit, nga ku mundi të shpëtonte dhe pas kësaj vazhdoi detyrën e ngarkuar. Si pasojë e të ftohtit që mori në lum por edhe ftohmës së mëparshme, ai rëndohet shumë dhe pas çlirimit të Lushnjes shtrohet për disa ditë në një godinë të këtij qyteti. Më vonë u kthye në batalion, i cili kaloi në qytetin e Elbasanit. U shtrua përsëri në infermierinë e brigadës dhe prej këtej në janar 1945 në spitalin e Tiranës, ku qëndroi deri në nëntor 1945. Pas kësaj periudhe, ai vazhdoi të vuajë nga ftohma e rëndë, derisa vdiq në dhjetor 1946. Shkaku ishte ftohma e marrë në luftë dhe që vërtetohet edhe nga raporti mjeksor, lëshuar nga spitali i Tiranës.
Sefedini u nda nga jeta kur mendonte të gëzonte luftën, përpjekjet e sakrificat e bëra për çlirimin e vendit, si dhe të gëzonte 4 fëmijët e tij. Ata u rritën dhe u edukuan me shume mundim nga nëna e tyre Metua, të cilët dhanë kontribut të vlefshëm në kryerjen e detyrave të ngarkuara. Ata janë pasardhës të veteranit të Luftes Antifashiste NACL duke ruajtur e mbrojtur vlerat e luftës dhe amanetin e të atit. Këto vlera, ata po i transmentojnë fëmijëve, nipërve e mbesave të tyre.
Sefedin Çeço do ngelet si model e burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.




















