Sefedin Çela: Gënjeshtra të bardha e gënjeshtarë të zinj

15
Sigal

Sipas hulumtimeve më të fundit tre në katër njerëz në botë nuk gënjejnë. Kryegënjeshtarët, që identifikohen me termin “të thekurit”, nuk përbëjnë as gjashtë për qind të popullsisë, megjithatë gënjejnë aq shumë sa i bie deri një gënjeshtër e gjysëm në ditë për çdo banor të rruzullit, duke mbledhur e pjestuar këtu edhe broçkullat e gënjeshtarëve mesatarë.

Shumica e gënjeshtrave thuhen po nuk haen. Zakonisht haen ato që thuhen nga 2 prilli deri në 31 dhjetor, sepse njeriu gënjen e gënjehet në të 365 ditët e vitit.

Në vitin 1957, gjigandi i mirënjohur anglez i informimit, BBC, njoftoi se shkencëtarët kishin zbuluar në Zvicër një pemë që prodhonte makarona. Jehona ishte e jashtëzakonshme, në kufijtë e një skandali, kur u zbulua se kjo ishte një shaka – gënjeshtër që në 1 prill mund ta bënte kushdo, po jo dhe BBC.

Gënjejnë më shumë ata që kanë më pak, si duket gënjejnë veten. Zakonisht këto janë gallatë gënjeshtra, quhen të bardha. Ata që kanë më shumë guxojnë të gënjejnë më shumë, – të mashtrojnë! Pavarsisht këtyre, përllogaritjet mesatare tregojnë se gënjehet në një të tretën e cv për aplikime të çfardo lloji.

Meshkujt gënjejnë më shumë se femrat. Fëmijët fillojnë të gënjejnë që në moshën dy tre vjeç!

Edhe pse sot është 1 prill, këto që kam thënë më sipër janë të vërteta.

Unë vetë gënjeshtrën e parë duhet ta kem bërë në moshën pesë – gjashtë vjeç. Duhet të ketë qënë goxha gënjeshtër, derisa ma kanë kujtuar deri vonë, ndryshe nuk do ta tregoja dot. Kulmi është se në vend që të skuqem, më vjen për të qeshur.

Kishim vënë një shënjë disa hapa përpara e provonim me radhë kush do të pështynte tej saj. Duhet ta kem kaluar shënjën, deri sa kam guxuar të kapardisem e të them “Po të dua unë e hedh pështymën deri te Rripa e Blezënckës!”. Rripa e Blezënckës ishte një kodër e ngrënë, me një të dalë si kapele në majë, në fshatin përballë, tej Kanioneve të Osumit, rreth tre orë larg. Hija që lëshonte kapelja mbrinte në mes të rripës fiks në 12! Ajo rripë ishte sahati i fshatit prej kohësh që nuk mbaheshin mend. Ndoshta për këtë sahat diellor mbahet mend edhe gënjeshtra ime e parë.

Arsyeja e këtij postimi nuk është kjo që kam thënë më sipër, po për të vërtetën që do të them më poshtë, që lidhet dhe me fotografinë, e vërtetë që po e them për herë të parë haptas: unë kam gënjyer tre herë rrjesht shtetin!

Në vitin e fundit të studimeve universitare, pak kohë para diplomimit, na u kërkua të bënim në një format të caktuar nga dy copë fotografi e të plotësonim një formular për të krijuar dosjen, që do të na shoqëronte gjithë jetën, për mirë a për keq. Ai formular ishte si një pyetësor e udhëzues , me hapësira të bardha për t’u përgjigjur.

Në formular pyetej, bie fjala, çfarë origjine shoqërore kishe, a kishe pjesmarrës në LNÇl, apo në Ballin Kombëtar e në organizata të tjera tradhëtare, në ishe i dënuar a kishe të afërm të dënuar dhe pse, nëse familja ishte prekur a kishte përfituar nga Reforma Agrare, jepeshin shëmbuj në sa dynym tokë dallonte një fshatar i varfër nga fshatari i mesëm a i pasur, që quhej kulak!

Në gusht 1999 kam qënë në Shba me një grup kolegësh në një trajnim një mujor për rregullimin ligjor të mediave audiovizive. Sa zbritëm në New York na u dha një formular i ngjashëm, si pyetësor, po ashtu me hapsira për përgjigje. Kini qënë herë tjetër në Shba, kur dhe pse? Kini probleme me drejtësinë? Kini qënë a bëni pjesë në ndonjë organizatë terroriste?

Epo, si thonë tironsit e moçëm, çatia ka tjeglla, veni ka rreglla! M’u kujtua ai formulari i hershëm, kur tre herë rrjesht, me shkrim e me firmë, paskam gënjyer shtetin!

Kisha bërë tre herë lutje për shkollë, për shtatëvjeçaren, të mesmen e universitetin. Tre herë kam bërë jetën e konviktorit në Çorovodë, Berat e Tiranë, të tre herët me bursë shteti, duke gënjyer tre herë shtetin.

Lutjet fillonin njëlloj, “unë i nënëshkruari Filan Fistëku, me prejardhje fshatar i varfër..”, etj , etj. Sipas atij formulari dilte që tre herë isha lutur duke gënjyer. Familja ime nuk kishte përfituar një pëllëmbë tokë nga Reforma Agrare, por as na ishte marrë një pëllëmbë tokë. Kishim shumë dynymë ara, kullota e pyll, të regjistruara në kadastër, sepse gjyshi e vëllezër të tij kishin punuar në Turqi e deri në Misir, kishin bërë tregëtinë e duhanit e të rakisë, nuk kishin lënë arë e skërkë pa blerë ; përveç kopshteve, të gjitha mbi ujë, disa prej të cilave nuk bënin as okërr e urof, aq sa shkonte dëm mundi e fara e hedhur .

Sipas formularit dilte që nuk isha fshatar i varfër, po i mesëm. E mira fare ishte të ishe me prejardhje punëtor, po dhe fshatar i varfër ndiheshe mirë, i barabartë me të tjerët.

Zbulimi që bëra duke plotësuar atë formular ishte tronditës. Kisha gënjyer tre herë rrjesht!

Për herë të parë shënova në formular se rridhja nga një familje fshatar i mesëm. Më dukej vetja gjysëm kulak, nga ata që fshihnin kokën. Po ama isha bir partizani e im atë kishte ikur me nder pa bërë ndonjë proçkë, kishte mbyllur sytë 33 vjeç. M’u kujtua se i paguanim çdo vit detyrime shtetit për çdo krerë bagëti , drufrutor e sipërfaqe toke.

As shanim, as ziheshim e griheshim e as vrisnim njeri. Sot vriten e priten deri vëlla me vëlla, në truallin e zaptuar të tjetrit, me tokat e të parëve të lëna djerrë. As paguajnë gjë, as marin gjë, ama për to zënë pusi e vrasin. Në fshatin tim deri tani nuk ka ndodhur ndonjë hata e tillë, gjetkë po.

Në tre rastet kam gënjyer thjesht nga padia, jo për të përfituar. Nuk është nga ato gënjeshtrat e bardha, si ajo kur isha pesë a gjashtë vjeç, them se e kam merituar shkollën e bursën e shtetit, po sot e kësaj dite kujtoj sa jam tronditur atë maj të vitit 1971, kur zbulova se pa dashje kisha gënjyer tre herë rrjesht.

Rri e vras mendjen e krahasoj gënjeshtrën time me gënjeshtarët e sotëm, që bëjnë evazion kolosal fiskal, që fshehin ashiqare të ardhurat. Gënjeshtarë të zinj, mashtrues me xhufkë, që as skuqen, as zverdhen, që vjedhin, pështyjnë për të na fyer, jo për lojë, që edhe të vrasin, po hape gojë.

Më i fyer ndihem kur vërej të tillë gënjeshtarë mashtrues brënda llojit, – gazetarë, me vila në resorte milionerësh, në mal e në bregdet, ndërkohë që banaqeve të mediave ulurijnë për transparencë e drejtësi, gjobaxhinj pa kartë morale e etikë profesionale për vete. Ti mundohesh t’i heqësh nga mesi, të mbijnë në dritare.

Atë dosjen me foto më ka rënë rasti t’a shoh. Ky djali, që më duket se jam unë, ishte në një zarf të hapur si xhep, ngjitur në kapakun e dosjes.

Mesazhi i një prillit është: nëse të gënjejnë, mos gënje!

Në daçi besojeni, në daçi jo! Shkencëtarët ende nuk e kanë zbuluar atë pemën në Zvicër, që prodhon makarona!

  1. Nuk di çfarë ndodhi, ky postim i bërë sot ora 8.00 u fshi! u kërkoj ndjesë miqve që bënë komente. Nuk më ka ndodhur kurrë ndonjëherë.

Më duket se edhe fb bën shaka në 1 prill!