Biblioteka e Parisit/ Botimet Morava sjellin për lexuesit librin më të lexuar, të bazuar në historinë e vërtetë të punonjësve të Bibliotekës Amerikane në Paris, gjatë Luftës së Dytë Botërore

294
Sigal

 

 

Titulli: Biblioteka e Parisit

Autore: Janet Skeslien Charles

Përktheu: Taulant Hatia

384 faqe

1200 lekë

Një libër që ekploron marrëdhëniet, që na bëjnë të jemi këta që jemi, si dhe mënyrën si e ndihmojmë apo e dëmtojmë njëri-tjetrin.

Bazuar në historinë e vërtetë të punonjësve të Bibliotekës Amerikane në Paris, gjatë Luftës së Dytë Botërore

Paris, 1939: Një vajzë e re dhe ambicioze, Odila Susheti i ka të gjitha: një të dashur simpatik, që punon si polic dhe një punë ëndrrash në Bibliotekën Amerikane në Paris. Kur nazistët pushtojnë Parisin, Odila rrezikon të humbasë gjithçka që ka të shtrenjtë, përfshirë bibliotekën e saj të dashur. Së bashku me kolegët, Odila i bashkohet Rezistencës me armët më të mira që ka: librat. Por, kur luftës i vjen fundi, në vend  të lirisë, Odila shijon thumbin e hidhur të tradhëtisë së patregueshme.

Montana, 1983: Lili është një adoleshente e vetmuar në kërkim të aventurave në qytezën e saj të vogël. Asaj ia ka tërhequr vëmendjen fqinja e moshuar që jeton vetëm. Ndërsa Lili kërkon më shumë për të kaluarën misterioze të fqinjës së saj. Ajo zbulon se të dyja ndajnë të njëjtën dashuri për gjuhën, të njëjtat dëshira dhe të njëjtën xhelozi të fortë, pa dyshuar kurrë se një sekret i errët i së kaluarës i lidh me njëra-tjetrën.

*          *          *

Dikush mund të pyesë veten nëse ka mbetur ende ndonjë gjë e re e pashkruar për Parisin? Por autorja e librit arrin të na tërheqë vëmendjen, të na risjellë magjinë e këtij qyteti të rrallë dhe të shkëputë nga moria e pafund e ndodhive të tij, historinë e Bibliotekës Amerikane, shumë të njohur në Paris, dhe rolin e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ngjarjet e librit bazohen në njerëz dhe ndodhi të vërteta, por mjaft elemente janë ndryshuar. Po ashtu, është ndryshuar edhe rendi i disa ngjarjeve. Qëllimi i shkrimit të këtij libri ishte të bëjë të njohur këtë kapitull pak të errët të Luftës së Dytë Botërore si dhe të nxjerrë në pah zërat e bibliotekarëve të guximshëm, që sfiduan nazistët duke mbajtur afër anëtarët dhe duke shpërndarë dashurinë për letërsinë. Është një libër që eksploron marrëdhëniet që na bëjnë të jemi këta që jemi, si dhe mënyrën si e ndihmojmë apo e dëmtojmë njëri-tjetrin. Gjuha është një portë që mund ta hapim apo mbyllim ndaj njerëzve të tjerë. Fjalët që përdorim i japin formë perceptimit, njësoj si librat që lexojmë, historitë që i tregojmë njëri-tjetrit apo historitë që i themi vetes. Stafi dhe anëtarët e huaj të Bibliotekës u konsideruan “të huaj armiqësorë” ndërkohë që, disa prej tyre, u internuan. Anëtarët hebrenj nuk u lejuan të hynin në Bibliotekë, shumë prej tyre u vranë më pas në kampet e përqendrimit.

 *          *          *

 – Kapiteni nuk ishte më i madh se unë në moshë. Na urdhëronte të gjuanim me pushkë, por është e vështirë të vrasësh bashkëkombësit, – u gëlltit Borisi. – Është e vështirë të vrasësh.

Rafti ishte i gjatë, i lartë sa një rrëfyesor i shenjtë. I hodhi një sy rreshtit të librave, të radhitur si ushtarë. Matanë lumit, kishte një pikë vrojtimi, një nga të shumtat, – vijoi, një rus, i ri në moshë,- armiku ynë. Tërhoqa këmbëzën dhe plumbi i kapi llapën e veshit, – tha.

– Llapën e veshit?

Borisi ngriti supet. – Isha qitës modest. Plus që, nuk doja ta vrisja djaloshin. Thjesht doja ta paralajmëroja të largohej që aty.

– Bëre atë që duhej.

Kapi një libër tjetër dhe kaloi me vrik dorën mbi kapakun e errët.- Më vonë, regjimenti im u përball me të tijin dhe, pikërisht ai ushtar, vrau shokun tim të ngushtë.

 

“Ky roman është një letër dashurie për Parisin, për fuqinë e librave dhe për bukurinë e miqësisë mes brezave”.

— Booklist 

“Një roman i bërë me porosi për ata që i duan librat dhe bibliotekat”.

— Kirkus Review